Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

“Bukuroshja e Strumit” na thërret të gërmojmë në zgafellat më të thella të kujtesës popullore, pse e meriton të bëhet pjesë e trashëgimisë kulturore

Postuar: 24/03/2019 - 07:35

Duke pretenduar se kjo këngë nuk është rishikuar mjaftueshëm deri më sot, po bëjmë një analizë krahasuese të teksteve të saj për të zbardhur sadopak origjinën e tyre qenësore. Ky vështrim na ndihmon ndoshta për të dhënë variantin e tyre më përfaqësues. Tek të tre këta tekste të bie në sy personifikimi i Bukuroshes me thëllëzën e malit, i cili është një element i natyrshëm dhe mjaft i njohur për krijimtarinë popullore. Element i dytë i përbashkët i tyre është shtëmba e ujit. Por ajo që është më e rëndësishmja është kërmaja, arma e brezit e cila përmendet vetëm në dy tekste dhe mungon në tekstin e Hoxhës. Po të marrim parasysh faktin se Hoxha, siç thotë edhe vetë, ka prezantuar vetëm një fragment të këngës, aq sa mund t’i kujtohej në atë kohë, kjo mungesë është e justifikuar. Por ai na sjell një të dhënë tjetër interesante, shumë më thelbësore e më të rëndësishme se kaq, stilemën “Shën Mëria e Strumit”. Nëpërmjet këtij mjeti Hoxha dëshmon shenjtërimin e vajzës. Ndërkohë kjo dëshmi duhet konsideruar edhe një sakrificë për figurën e Hoxhës, pasi për ngjyrimet politike të kohës ajo përbën një paradoks. Në kohën kur Hoxha si kreu i politikës shqiptare kishte ndërmarrë aktin më të paprecedentë të vitit 1967 për shembjen e objekteve të kultit dhe kultin e gjithë shenjtorëve të të gjitha feve e besimeve fetare, 16 vjet më vonë nga ky apokalips, në vitin 1983, pikërisht ai, anathema dhe blasfemia e besimit, ringjalli kultin e një vajze duke e shkruar atë në origjinal “Shën Mëria e Strumit. “Ç’kishte ndodhur vallë me ndërgjegjen e kreut të shtetit shqiptar, i cili kishte prerë mijëra koka për besimin komunist dhe nuk mundi të “priste” kokën e një vargu kënge? Nëse Hoxha nuk do ta shkruante këtë varg atëherë kjo këngë do të kishte vdekur në vetvete për shkak të anemisë kuptimore. Sepse askush nuk do ta besonte as vargun e kënduar dikur nga Joti Prifti i ardhur nëpërmjet kujtesës së një fëmije, as kryqi i gjyshe Marijes, përcjellë deri më sot nga rrëfimi i Luljeta Danos, as teksti i ruajtur nga Pandeli Prifti. Me shkrimin e këtij teksti dhe origjinalitetin e tij, Hoxha ka bërë një akt kulturor shumë fisnik për folklorin myzeqar, ringjalljen e këngës. Vetëm sipas Hoxhës “Bukuroshja e Strumit”, nuk është vetëm bukuroshe, por edhe Shën Mëri. Këtë shkallë sipërore të vlerësimit të saj në popull nuk e hasim në asnjë këngë tjetër të folklorit myzeqar madje as më gjerë se kaq. Kjo është një e dhënë historike shumë e rëndësishme që na vjen nëpërmjet tekstit të saj dhe përbën interes shumë të madh studimor.

Por ç’ka ndodhur vallë që një vajzë fshati të hyjë në këngë jo vetëm si e bukur por edhe e shenjtëruar deri në sinonim? Ç’ka ndodhur me popullin e kësaj zone që ka paralelizuar portretin e saj me shenjtoren më të adhuruar të Botës? Çfarë shpirti të ndjeshëm kanë patur ata që guxonin të ngrinin figurën e një vajze deri në kult? Ç ka bërë ajo për ta? Cili ka qenë akti i saj madhor? A nuk është kjo një shenjë që na thërret për të gërmuar në zgafellat më të thella të kujtesës popullore?

Duket qartë se nëpërmjet këtij shenjtërimi banorët e kësaj treve na kanë dhënë një shenjë të jashtëzakonshme, një shenjë të rrallë që nuk e hasim në asnjë komunitet tjetër. Në kohën e krijimit të kësaj kënge aty ka pasur tre kisha: Shën Gjergji në Strum (Matkëz), Shën Kolli në Kurjan dhe Shën Marini në Roskovec. Në të treja këto objekte kryheshin ritet fetare dhe ndizeshin qirinj për të gjallë e për të vdekur. A nuk mjaftonin ato për të ndezur edhe qirinjtë e Bukuroshes? Duket se jo! Bukuroshja paska qenë një vajzë aq e rrallë sa nuk e nxinin tre kisha. Shpirtin e saj nuk e ndriçonin dot as qirinjtë e tre kishave, as tre altarët e tyre, as psaltja e tre priftërinjve. Bukuroshja meritonte një adhurim të veçantë, një altar të veçantë, një kishë të veçantë. Dhe ata e ngritën atë. Ngritën një kishë folklorike me themele të derdhur në thellësinë e shpirtrave të tyre adhurues.

Por për fat të keq, ky element megjithëse ishte i shkruar nga Hoxha nuk u përfshi në tekstin e krijuar nga punonjësit e kulturës në Fier. Madje kënga edhe mbas daljes së librit edhe më vonë mbas rikthimit të besimeve fetare nuk u korigjua. A nuk është ky një mëkat kulturor? Realisht duhet pranuar se ky tekst është një artificë që nuk përqaset as me lirikat e vërteta myzeqare. Ai na paraqet në vijë lineare vetëm rrëfimin për vajzën që shkon në burim dhe djemtë që i luten të ngrejë pak shaminë për të parë bukurinë e saj të fshehur. Vetëm kaq. Dhe me këtë përmbajtje të vakët kënga del një lirikë e rëndomtë dhe mjerisht pa lidhje me brumin krijues të trevës. Madje e pakuptuar. Asnjë dramë s’ka brenda saj, asnjë dhimbje, asnjë tragjedi, asnjë shenjë heroizmi për jetën, asnjë metaforë që të rrezatojë vlerat social-historike dhe emocionet karakteristike të këngëve myzeqare të shekullit 19-20. Kujtojmë këtu për krahasim perlat e vërteta të traditës, lirika të tilla si; “Jemi mbledhur sonte” apo “Të martoi nënoja në prill o moj në prill”. Ja një strofë e këngës së parë: “Jemi mbledhur sonte, shokë, /s’kemi ku të shtrojmë hordhinë. /Hënëza kurrë mos daltë, /dritë kemi dashurinë”.

Çfarë force ka kjo këngë? Çfarë nervi figurativ përdor poeti popullor për të përshkruar fluksin emotiv të pasionit i cili shkon deri në përmasat krahasuese me hordhinë? Ndërsa në lirikën tjetër gjen të tjera mjete, me tone më të buta, më të kadifenjta por me një rregjistër mjaft të lartë artistik. “Të martoi nënoja, në prill o moj në prill. /Gëzuar ma shkofsh behar, /Seç të ranë dy pika lot, /Të prishën të kuq e të bardhë”.

Në përfundim mund të themi se nga tre tekstet e prezantuar, më i ploti dhe më pranë origjinalit duket se është ai i mbledhur nga Pandeli Prifti. Ky tekst ka në përmbajtjen e vetë gjithë dramën e vajzës së bashku me shenjtërimin e saj. Përmbi të gjitha ai ka dy vargje pikante që mbartin një metaforë brilante e që flasin sa një epokë e tërë historike:

“Me dy qetë e zesë lëroje në arë

Me kindat e fustanit, lesoje ugar.”

Këto dy vargje japin thelbin e këngës dhe ndërtojnë piedestalin artistik të krijimit. Që të dy harmonizohen bukur edhe me shpirtin krijues të trevës shprehur në këngën trimërore të Sukut dhe legjendën e violinistit.

Nga përmbajtja e këtij teksti shfaqet gjithashtu edhe një sistem shenjash të veçanta të cilat duhen deshifruar e interpretuar me kujdes. Pa këtë sistem nuk mund të hyjmë në misteret e saj dhe as mund të njohim vlerat e vërteta të këtij krijimi. Është pikërisht ky sistem që mbart në vetvete një trinitet të përbërë nga bukuria femërore, puna dhe nderi. Është triniteti i jetës i cili me pak rreshta jep thelbin e saj. Bukuria jepet nëpërmjet personifikimit me thëllëzën e malit, puna nëpërmjet shtëmbës e ugarit, ndërsa nderi nëpërmjet armës. Pra nga teksti i kësaj kënge ne mund të zbardhim jo vetëm historinë e një vajze por edhe historinë e vetë këtij komuniteti. I tillë është folklori. Vlera e tij është e pazëvendësueshme kur mungojnë dokumentat autentike të një ngjarjeje të caktuar. “Për shumë shekuj me radhë – thotë Ismail Kadare - poezia popullore ka qenë për njeriun shqiptar kronikë e jetës së tij, historia, dijet, morali, urtësia, arkivi, kujtesa kombëtare, mesazhi i transmetuar nga brezi në brez”.

Një shembull i tillë na vjen edhe nga Kryengritja antiosmane e Rrapo Hekalit e vitit 1847 në Mallakastër. Populli ka thurur për këtë kryengritje 12 këngë të cilat përbëjnë historiografinë e saj të plotë. Nga përmbajtja tekstuale e tyre është rikrijuar gjithë kronika e ngjarjeve. Njërën nga ato, botuar në vitin 1878 nga Thimi Mitko në “Bëleta shqypëtare”, Fan Noli e interpretonte si fillimin e patriotizmit shqiptar. Nga këto këngë u mor edhe vargu i famshëm “Sos për mua a për ti, po për gjithë Shqipëri” të cilin Sami Frashëri e përdori si slogan të Rilindjes sonë Kombëtare. Nga ky këndvështrim pra, sistemi i shenjave dhe trekëndëshi i jetës që shfaqet nëpërmjet tyre, na jep historinë reale të kësaj kënge. Pra nuk është historia ajo që na çon tek kënga por përkundrazi, është kënga që na çon tek historia.

Komponenti i parë i këtij trekëndëshi, bukuria na jepet në mënyrë të thjeshtë, por mjaft domethënëse. Personifikimi i vajzës me thëllëzën e malit është vetëm një pjesë e kësaj bukurie e cila nuk përbën ndonjë specifikë të rëndësishme, pasi gjendet edhe në shumë këngë të tjera popullore. Por poeti nuk mjaftohet me kaq. Ai nuk përdor figura të zakonshme e të njohura në shekuj e në popuj të ndryshëm si; fytyrë hënë, vetull shushunjë, shtat selvi etj, etj. Mos vallë nuk mundej? Natyrisht që po, por mjete të tilla nuk mjaftonin për “Bukuroshen e Strumit”. Bukuria e saj është përtej të zakonshmes, përtej së njohurës, përtej njerëzores. Veçse ajo është një bukuri e fshehtë. Ajo nuk duket, nuk zbulohet, nuk shfaqet. Ndërkohë, ne e përfytyrojmë atë pikërisht nga kjo fshehtësi. Sepse mjeshtri popullor na e jep me një mënyrë krejt të veçantë, me anë të nëntekstit. Nënteksti krijohet nga lutjet e djemve që i drejtohen vajzës për ta zbuluar pak fytyrën. Ata i zënë pusi kur shkon në lum, kur hidhet në vah apo kur punon në arë dhe i luten ta ngrejë pak shaminë, të shikojnë bukurinë. Është pikërisht kjo lutje që pasqyron bukurinë e saj të rrallë deri në shenjtërim. Sepse djemtë krahas lutjes për ta parë, nuk e ftojnë për kënaqësi fizike. Pra kënga nuk është një lirikë e shfrenuar erotike dhe nuk ngarkohet me orgji sensuale. Ajo nuk i ngjet këngës së Dudisë që; “Kur shkon në ato varre, të vdekurit i ngjall/ Të gjallët i vdes fare.” Nuk u ngjan as ahengut të kabareve, apo këngëve të sokakut beratas me trak e truket e nallaneve, apo çingive tiranase që tundin vithet për të joshur hamshorët qejflinj të zgjidhin oshkurët e qeseve të floririt dhe t’ua vinin monedhat në të përbrendshmet e gjoksit. Bukuroshja nuk ka delikatesën e zonjushave të pasura beratase, nuk mban sako në trup, as erashkë, as gjerdan floriri, as urupa në gushë. Ajo nuk ka kapele dhe gusha nuk i zbardhon si top sheqeri, flokët nuk i ka të ngjyrosur me këna dhe trupi nuk i vjen aromë jasemini, tipike këto për lirikat orientale të kohës që kishin ndikim të theksuar në folklor. Përkundrazi tek “Bukuroshja...” është një tragjedi e kohës, e cila ka si shkak bukurinë femërore. Është bukuria ajo që transformohet në fatin e saj tragjik. Ky fat jepet nëpërmjet dy qeve të zesë me të cilët vajza lëronte arën për mbjelljet e pranverës. “Me dy qetë e zesë, lëroje në arë”, thotë kënga. Këtu kemi komponentin e dytë të trekëndëshit, punën. Ajo punon në arë, djersin, shkon në lum me shtëmbë në krahë për të mbushur ujë, sepse e tillë është jeta rurale. Pa këtë përpjekje nuk mund të sigurohej ekzistenca e familjes së saj. Por ndërkohë, brenda këtij vargu përfshihet edhe fati i saj i zi, i njëjtë me fatin e zi të nizamit te kënga e famshme e “Urës së Qabesë.” Edhe këtu fati i trishtë i nizamit jepet nëpërmjet ngjyrës së zezë të qeve. “Të fala të mi bëni nënesë /Të mi shesë dy qetë e zes.”

Kjo paralele fati e “Bukuroshes së Strumit” me nizamin e “...Qabesë”, është një mesazh i rëndësishëm që flet shumë për gjendjen e shoqërisë shqiptare në periudhën e pushtimit osman dhe veçanërisht për gjendjen e femrës shqiptare në këtë realitet. Madje është pikërisht kjo gjendje që gulfon një dhimbje aq të thellë, sa është bërë edhe shkak i krijimit të këngës. “Kënga del nga dhimbja”, thoshte Dritëro Agolli. Në rastin konkret nëse vajza nuk do ishte fatkeqe nuk do ti kushtohej një këngë e tillë. Historikisht në vitin 1929 kur dokumentohet e kënduar “Bukuroshja e Strumit”, në Fier erdhën sazet e para nga Berati, ato të Isuf Përmetit. Sazet i shoqëronin dy çingi, Difja dhe Bihanja. Të dyja bënin aheng në kabaretë e qytetit. Difja ishte aq e bukur sa mblidhte qejflinjtë e jetës së natës sa shqetësoi edhe Vrionasit të cilët e shpërngulën kazinonë që ishte përpara sarajeve të tyre. Më pas filluan ta merrnin agallarët e pasanikët e zonës për ta shijuar bukurinë e saj femërore, por askush nuk i ngriti këngë. As Kiu Poro, këngëtari i famshëm fierak që dha frymën e fundit mbi gjoksin e saj nuk i kushtoi as edhe një varg të vetëm. Përkundrazi në ditët e fundit të jetës së tij ai këndonte “Gocën e berberit” kushtuar dashurisë së tij të parë e të parealizuar.

Por ndryshe nga “Ura e Qabesë” ku fati i nizamit vizatohet në mënyrë lineare me ngjyra të kobshme, tek “Bukuroshja e Strumit” kemi një thyerje të menjëhershme të imazhit, të befasishme, gati-gati marramendëse. Mbas penelatave të shkurtra e të kursyera që dëshmojnë fatin e saj të trishtë, poeti shkëputet në mënyrë të menjëhershme për tu kthyer sërish tek bukuria. Pikërisht në momentin kur ne presim të na shfaqet lodhja e saj, djersa, mundi dhe sakrifica fizike, ai na e paraqet një tjetër pamje. “Me kindat e fustanit, lesoje ugarë”. A ka metaforë më të bukur se kjo? A nuk është kjo një perlë e vërtetë e folklorit myzeqar që të verbon me rrezatimin e saj prej diamanti? Cila krahinë nuk do ta kishte zili një metaforë të tillë folklorike? Nëpërmjet saj populli ka arritur të na japë një imazh të vërtetë shekspirian, të denjë vetëm për Zanat dhe Perënditë. Dhe fill mbas këtij imazhi kemi sërish një thyerje tjetër:

 “Në anë të brezit, më mbaje një kërma

Ah, moj Bukuroshe Strumit, ah!”

Te këto vargje shfaqet komponenti i tretë i trekëndëshit të jetës, nderi. Në realitetin e kohës bukuria femërore të skllavëronte prandaj ajo është në luftë me këtë realitet. Për të ruajtur nderin vajzëror ajo ka vetëm një mundësi, të përdori mjetin e burrave, armën. Pra, për ironi të fatit bukuroshja është një burr. Historia shqiptare njeh shumë vajza që janë shquar për kontribute me heroizëm burrëror. Gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, në vitin 1943, dhjetë ditë pas pushkatimit të Margarita Tutulanit dhe Kristaq Tutulanit, orientalisti i njohur Vexhi Buharaja, shkroi një vjershë me titull, “Margaritës”. “Zbardhi shpata, u nxi dita /Ra një trup, u ngrit një emër, /Ra dëshmore Margarita, /Doli burri nga një femër”.

Kështu shkruan Buharaja, “doli burri nga një femër”. Ky konotacion poetik krijon një paralel të fuqishëm me burrërinë e Bukuroshes. Populli nuk e shpreh në mënyrë direkte por në ndjesinë e tij del qartë koncepti i burrërisë. Dhe së fundi gjithë kjo sakrificë merr formën e një tragjedie. Bukuroshja mbron veten nga rrëmbimi dhe vritet së bashku me prindërit.

Seç të erdhi beu, të vrau nënën dhe babanë

Ah moj Shën Mëri e Strumit, ah!

Seç nxore kërmanë, qellove beun dhe qehajanë.

Ah moj Shën Mëri e Strumit, ah!”

Bukuria e saj u konvertua në akt heroik. Një heroizëm që nuk përshkruhet nga dekretet ligjore qeveritare por nga populli. Sepse tek shëmbëlltyra e saj populli pa përfaqësimin e vet. Tashmë, pas vdekjes, vajza nuk është më një bukuroshe por një shenjtore. Populli e qan atë me “ah” ! I tillë duhet parë edhe variacioni i dyzuar herë bukuroshe herë shën Mëri. Një dualitet jetë-vdekje. E tillë duhet parë figura e saj dhe si e tillë duhet trajtuar. Dhe në këtë vështrim del më në pah prarimi i artë i shenjtërimit të saj.

Në vend të mbylljes

Për fat të keq kënga nuk u ruajt nga ne dhe nuk u përcoll sipas traditës popullore nga brezat tanë. Arsyet mund të jenë të shumta që nga ndalimi i saj prej bejlerëve të kohës deri në mënjanimin nga ngjarjet tragjike të luftërave dhe zëvendësimi i saj me kultin e trimave dhe dëshmorëve të rinj. Ndoshta ka udhëtuar nëpër kohë me stilemën “Shën Mëri e Strumit” dhe kjo ka ngjallur reaksionin e idhullimit fetar dhe është penguar prej priftërinjve. Ndërsa mbas vitit 1967, kur u ndalua besimi fetar, ky reaksion mori ngjyra politike. Viti 1983 është tepër i vonët për ringjalljen e saj. Brezat ishin ndërruar. Gjithsesi kënga na vjen sërish nga kujtesa e të tjerëve pavarësisht e vonuar dhe e thyer si “copëza amfore”. Janë të tjerët ata që e kanë ruajtur, e kanë pëlqyer, e kanë kënduar dhe është fat që e sollën sërish midis nesh. Kjo meritë i takon Enver Hoxhës. Ishte interesimi i tij që në vitin 1983 filloi gërmimi në kujtesën popullore të trevës. Por tashmë, zgafellat e errëta të saj ishin shembur dhe e kishin zënë rrëmujshëm nën vete. Pasioni i Hazizit apo punonjësve të kulturës në Fier për ta rikrijuar atë, është një përpjekje pozitive pavarësisht motivimit politik. Dhe ata mundën të bënin atë që bënë, aq sa i përsëritën së paku emrin, ashtu si përsëriten emrat e njerëzve tek brezat e të njëjtit gjak. Dështimi këtu ishte me rikrijimin. Së paku të ishte lënë vargu “Shën Mëri e Strumit” të tillë si e quante edhe Hoxha. Por teksti i Hoxhës nuk u kuptua. Nuk u kuptua shenjtërimi i Bukuroshes. Për të dëshiruar lë edhe puna kërkimore e ekipit në terren. Pse nuk është marr parasysh gjurma e gjendur në Velmish? Po banorët e Strumit që kanë qenë larguar herët nga fshati si rasti i Perikli Priftit pse nuk u kontaktuan? Mos vallë kërkimi në terren ka qenë një detyrë politike vetëm për t’i bërë qejfin udhëheqësit të kohës? Gjithsesi, duke besuar në origjinalitetin e tekstit të Priftit, duhet thënë se kënga duhet të rishikohet në mënyrë që teksti i mëparshëm të zëvendësohet me tekstin e gjetur. Vetëm në këtë mënyrë ne mund të kurojmë paksa këtë plagë të thellë folklorike. Vetëm kështu do fashiten ndjesitë negative për ta quajtur atë sajesë apo mit. Vetëm kështu e vëmë këngën në udhën e gjerë të brezave e cila si një bashkudhëtare besnike, do të sjelli vazhdimisht pranë tyre magji dhe realitet, mistikë dhe elegancë, art dhe histori. Dhe vetëm kështu kënga do të luftojë me tendencën absurde të mosbesimit dhe do bëhet pjesë e trashëgimisë dhe do kthehet në shtratin e dikurshëm të rrjedhës së saj kulturore. Vlen të kujtoj një thënie të bukur me konotacion dëshpërues për ne. Të tjerët gjejnë një gur dhe i vënë një emër, ne gjejmë një emër dhe i vëmë një gur… Por guri i çmuar i Bukuroshes është një diamant në gjerdanin e vlerave të kësaj zone që do të shndrisë gjithmonë e më shumë. Si një bukuroshe dhe shën Mëri, si një dhimbje e bukur dhe bukuri e dhimbshme që sollën historinë tragjike të kësaj vajze. Ajo do vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen, bërthama e një cikloni që vërtitet pafundësisht në kujtesën e njerëzve, duke mbjellë përherë e më shumë sfida të reja të interpretimit shumëplanësh.

*Drejtor i Muzeut Historik Fier

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/04/2019 - 08:16

Gjykata për Krime të Rënda ka dënuar me 9 vite burg Ylber Sumën, i arrestuar rreth tetë muaj më parë, pasi tentoi të trafikonte armë nga Maqedonia drejt Shqipërisë.

Postuar: 20/04/2019 - 08:14

Prokuroria për Krime të Rënda është duke kryer hetime intensive për grabitjen e 9 prillit në Rina

Postuar: 19/04/2019 - 23:45

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elizabeta Imeraj është një ndër kandidatet për tu bërë pje

Postuar: 19/04/2019 - 23:16

Moti do të dominohet nga kthjellime dhe vranësira kalimtare në Shqipëri.

Postuar: 19/04/2019 - 23:10

Ministri Sandër Lleshaj shpjegoi pse informacioni i parë se personi i vrarë pas grabitjes në ae

Postuar: 19/04/2019 - 22:57

Policia e Greqisë ka lëshuar dy urdhër-arreste dhe ata janë në drejtim të dy avokatëve të njohu

Postuar: 19/04/2019 - 21:08

Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e sotme gjatë protestës së banorëve të unazës së re.