Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Analiza e Ministrisë së Financave, të ardhurat e mbledhura nga bashkitë, larg potencialeve të burimeve financiare

Postuar: 12/01/2018 - 07:52

Niveli aktual i të ardhurave të mbledhura është larg potencialeve që burimet vendore paraqesin, si pasojë e problemeve strukturore në administrimin e tyre. Në këtë konstatim ka dalë raporti për të ardhurave vendore, i publikuar së fundmi nga Ministria e Financave. Sipas këtij raporti në përgjithësi, nëntëmujori i parë i vitit 2017 pasqyron një performancë relativisht të mirë në kahun e të ardhurave të cilat u rritën me rreth 25.2% në terma vjetorë. Në ndryshim nga viti i mëparshëm, në vitin 2017 performanca e të ardhurave është ndikuar dhe përcaktuar ndjeshëm nga ecuria e të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore. Megjithatë, niveli aktual i të ardhurave të mbledhura paraqitet larg mundësive reale që bashkitë kanë në të vërtetë, dhe kjo për disa shkaqe. Raporti nënvizon se zhvillimet më të fundit legjislative, veçanërisht për taksën mbi pasuritë e paluajtshme, kanë rritur pritshmëritë e bashkive për një rritje të të ardhurave nga kjo kategori. Ndonëse performanca e përgjithshme rezulton të ketë zhvillime pozitive, analiza e detajuar në nivel njësie të vetëqeverisjes vendore paraqet diferenca të thella veçanërisht në peshën relative të burimeve të financimit ndaj totalit të të ardhurave vendore. Një panoramë e përgjithshme mbi burimet e veta të financimit (ku bashkitë ushtrojnë te drejta për mënyrën e shpenzimit të tyre) evidenton diferenca të mëdha ndërmjet tyre në nëntëmujorin e parë të vitit 2017. Mesatarisht për 61 bashkitë në vend, të ardhurat nga burimet e veta përfaqësojnë rreth 49.5% të burimeve të veta të financimit, të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar dhe ajo specifike rreth 48.0% dhe të ardhurat nga taksat e ndara zënë një peshë relativisht të ulët në totalin e të ardhurave (rreth 2.6%). Në nivel bashkie, pesha që zënë të ardhurat e veta (taksa, tarifa dhe të tjera) në totalin e burimeve të financimit luhatet në një interval vlerash të gjerë: vlera minimale u regjistrua në Bashkinë Has me 6.3% dhe vlera maksimale në Bashkinë Tiranë me rreth 80.9%. Në përpjesëtim të zhdrejtë, aty ku të ardhurat nga burimet vendore janë të ulëta, të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar dhe specifike financojnë gjerësisht buxhetin e NjQV-së Konkretisht, në Bashkinë Has, të ardhurat nga transferta e pakushtëzuar përfaqësojnë 92.2% të të ardhurave vendore dhe në Bashkinë Tiranë vetëm 17.0%. Bashkia Has dhe Bashkia Tiranë janë dy raste ekstremë, por diferencat ekzistojnë edhe ndërmjet bashkive të tjera.

Shpenzimet

Shpenzimet totale u rritën me rreth 40.3% në nëntë muajt e parë të vitit 2017 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, event i pritshëm në vijim të transferimit të funksioneve të reja nga qeverisja qendrore. Ndonëse është ende herët për të nxjerrë përfundime, rritja e shpenzimeve të personelit dhe atyre operative nuk pajtohet me objektivin madhor të reformës administrative dhe territoriale, rritjes së eficiencës operacionale dhe tkurrjes së kostove administrative. Shpenzimet kapitale shënuan një kthesë të rëndësishme pozitive gjatë kësaj periudhe, kthesë që mund të jetë nxitur deri diku prej zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017. Në total bashkitë investuan rreth 20.4 miliard lekë, rreth 2.4 herë më të larta  krahasuar me nivelin e regjistruar një vit më parë. Fokusi kryesor i shpenzimeve kapitale të financuara nga të dy nivelet e qeverisjes mbetet infrastruktura e transportit, strehimi, urbanistika dhe ujësjellës-kanalizimet. Luhatjet e forta në nivelin e investimeve varen nga një mori faktorësh përfshirë këtu transfertat nga ministritë e linjës dhe nga FZHR, por edhe nga kuadri ligjor për prokurimin publik i cili kërkon ndjekjen e disa proceseve të cilat mund të kërkojnë një periudhë kohe edhe më të gjatë se 3-4 muaj.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 37

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/09/2018 - 16:00

Autoritetet kufitare të Kakavijës, kanë arritur të vënë në pranga një 21-vjeçar shqiptar, Valter Sakolli, të cilit iu gjetën 95.2 gr kanabis dhe një thikë.
 

Postuar: 23/09/2018 - 15:58

Policia e Tepelenës ka zbuluar në fshatin Nivicë një tjetër rast të kultivimit të kanabisit.

Postuar: 23/09/2018 - 15:54

Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur dy ditë më parë në Lezhë.

Postuar: 23/09/2018 - 15:53

Një grabitje ka ndodhur në një karburant në qytetin e Fierit.

Postuar: 23/09/2018 - 15:50

Policia Rrugore ka bërë më dije aksionet që ka zhvilluar gjatë natës së djeshme.

Postuar: 23/09/2018 - 15:28

Ish-kryeministri Sali Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari dixhital, i cili ka denoncuar

Postuar: 23/09/2018 - 15:16

Një operacion antidrogë është zhvilluar sot në Athinë, në banesën e një çifti shqiptarësh, ku jan