Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Prapaskenat në dëmshpërblimin 420 milionë lekë të Ardian Fullanit, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë u dorëhoqën sapo votuan pro ish guvernatorit

Postuar: 14/02/2018 - 07:55

Banka e Shqipërisë ka dërguar deri në Kushtetuese vendimin e gjykatave administrative të të gjitha shkallëve, të cilat i dhanë Ardian Fullanit 56 rroga dëmshpërblim për largimin e tij në vitin 2014 nga detyra si Guvernator i Bankës së Shqipërisë dhe si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të këtij institucioni. Kushtetuesja nuk ka pranuar ta shqyrtojë këtë çështje, por në kërkesën e saj, BSH zbardh disa të vërteta të hidhura që kanë ndodhur në këtë shqyrtim gjyqësor, gjatë viteve 2016-2017. Në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese, BSH vlerëson se në këtë proces, Gjykata Administrative e Apelit ka kryer shkelje procedurale, pasi nuk ka kryer një hetim të plotë të çështjes dhe nuk u ka dhënë përgjigje pretendimeve të ngritura nga kërkuesja. Në vendimin e saj nuk ka asnjë analizë, argument apo referencë lidhur me problemet ligjore të ngritura në kundërankim. BSH arsyeton po ashtu se është cenuar parimi i gjykatës së caktuar me ligj, pasi sipas saj, Gjykatës Administrative të Apelit dhe Kolegjit Administrativ të Gjykatës së Lartë u mungon kompetenca lëndore lidhur me kërkimin për pavlefshmërinë dhe shfuqizimin e vendimit të Kuvendit të Shqipërisë, pasi shkarkimi i një funksionari të lartë nuk mund të jetë objekt i shqyrtimit nga gjykatat e juridiksionit të zakonshëm. Po ashtu, Kolegji Administrativ duhet të kishte vendosur shqyrtimin e çështjes në seancë gjyqësore me praninë e palëve. BSH vlerëson po ashtu se është cenuar parimi i gjykimit nga një gjykatë e paanshme. “Kjo çështje është gjykuar me procedurë të përshpejtuar dhe më pas gjyqtarët që kanë votuar pro tij kanë dhënë dorëheqjen, duke deklaruar mbarimin e mandatit në Gjykatën e Lartë”. Banka e Shqipërisë gjen në këtë proces cenimin e parimit të sigurisë juridike, pasi ajo vlerëson se Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit kanë ndryshuar objektin e padisë duke e transformuar në një padi për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të punës, si dhe duke shtuar  bazën ligjore. “Pala paditëse në proces ka ngritur pretendime në kuadër të padisë për shkaktim dëmi dhe nuk ka pasur ekuivok nga ana e saj në lidhje me objektin e padisë apo me shkakun ligjor”, nënvizon BSH.

Vendimet pro Fullanit

Mbi bazën e propozimit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, me vendimin nr.64, datë 18.09.2014, Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur shkarkimin e Ardian Fullanit nga funksioni i anëtarit të Këshillit Mbikqyrës dhe Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, për arsye se ndaj tij kishte nisur një procedim penal për akuzën e shpërdorimit të  detyrës. Pas përfundimit të procesit gjyqësor dhe deklarimit të pafajshëm për këtë akuzë, shtetasi Ardian Fullani i është drejtuar gjykatës me padi për konstatimin e pavlefshmërisë absolute të shkarkimit të tij nga funksionet, shfuqizimin e akteve të marra në këtë procedurë, detyrimin për pagesën e pagës që prej datës së shkarkimit deri në datën e përfundimit të mandatit, si edhe shpërblimin për dëmin pasuror dhe jopasuror. Me vendimin nr.2777 (80-2016-2776), datë 02.06.2016, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë ka vendosur: “Pranimin e pjesshëm të kërkesëpadisë së paditësit Adrian Fullani. Detyrimin e të paditurit Banka e Shqipërisë, që në cilësinë e punëdhënësit të paguajë paditësin Adrian Fullani me 12 paga mujore në funksionin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë. Rrëzimin për pjesën tjetër të objektit të padisë...”. Me vendimin nr.843 (86-2017-829), datë 01.03.2017, Gjykata Administrative e Apelit Tiranë ka vendosur: “Ndryshimin e vendimit nr.2777, datë 02.06.2016 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë. Pranimin e pjesshëm të padisë. Shfuqizimin e vendimit nr.64, datë 18.09.2014 të Kuvendit të Shqipërisë. Detyrimin e palës së paditur Banka e Shqipërisë t`i paguajë paditësit Adrian Fullani pagat që do të përfitonte në detyrën e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, si dhe të Anëtarit të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë nga data e ndërprerjes së marrëdhënieve financiare deri në datën që ky mandat do të përfundonte sipas ligjit. Rrëzimin e padisë në lidhje me kërkimet e tjera....”. Kundër këtij vendimi ka paraqitur rekurs edhe Banka e Shqipërisë, si palë e paditur në procesin gjyqësor. Me vendimin nr.00-2017-1866 (768), datë 12.07.2017, Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë ka vendosur: “Lënien në fuqi të vendimit nr.843 (86-2017-829), datë 01.03.2017 të Gjykatës Administrative të Apelit Tiranë me këtë ndryshim: Konstatimin e pavlefshmërisë absolute të vendimit nr.64, datë 18.09.2014 të Kuvendit të Shqipërisë.”.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 52

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 14/08/2018 - 23:58

Një skenë e pabesueshme kjo që ka ndodhur në mes të Tiranës.

Postuar: 14/08/2018 - 23:53

Një grua kërcënon se do të hidhet nga kati i 5 i godinës së Partisë Demokratike në Fier.

Postuar: 14/08/2018 - 22:48

Të paktën 8 familja në rrethin e Matit janë prekur nga tërmeti, ndërsa tashmë u duhet të jetojnë

Postuar: 14/08/2018 - 22:16

Një i ri shqiptar ka humbur jetën në Itali, pasi u plagos në një aksident të ndodhur disa ditë më

Postuar: 14/08/2018 - 22:00

Një 38-vjeçar nga Tirana ka rënë pre e dhunës psikologjike dhe fizike nga ish-bashkëshortja e tij

Postuar: 14/08/2018 - 21:48

Këtë sezon nuk do të ketë më punonjës policie në stadium gjatë ndeshjeve të futbollit.

Postuar: 14/08/2018 - 21:15

Konfliktet e vazhdueshme mes Ardian Gjikës dhe bashkëjetueses së tij Rudina Kishta duket se e kan