Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Duka po tenton të bëjë pis zgjedhjet në FSHF, alarmohet UEFA

Postuar: 06/02/2018 - 08:42

Futbolli shqiptar do të njohë brenda pak ditësh strukturën e re drejtuese dhe presidentin e ri të tij. Por kur mbetet dhe pak kohë nga zhvillimi i zgjedhjeve për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit, kupola aktuale drejtuese e kryesuar nga Armand Duka po bën çmos të manipulojë procesin dhe nëpërmjet marifeteve alla-Duka të tentohet një mandat i pestë për “Bosin” në krye të FSHF-së. I gjendur në panik, pasi nuk i dalin llogaritë me votat dhe ku përballë ka një kandidaturë të fortë si Bashkim Fino, Duka i është futur punës nën rrogoz dhe depërtimi në “gjirize” është në përputhje me filozofinë e tij, filozofi që mban peng futbollin shqiptar prej 16 vjetësh. Shoqata sportive imagjinare të paregjistruara e të paligjshme që votojnë për Dukën, listë delegatësh e manipuluar, ku njerëz besnikë të Dukës kanë marrë në mënyrë të dyshimtë të drejtën e delegimit, pra të votës, dhe një sërë shkeljesh të tjera që kulmojnë me abuzimet e rënda financiare që shkojnë në miliona euro, janë vetëm disa nga akuzat që ka ngritur sfidanti Bashkim Fino, kandidat potencial për të qenë presidenti i ri i FSHF-së. Gazeta “SOT”, kontaktoi me juristin dhe gazetarin sportiv, Fation Shehu, një zë i fortë kritik ndaj drejtimit të Dukës, për të mësuar më shumë rreth abuzimit dhe njëherësh tentimit të manipulimit të zgjedhjeve nga drejtuesit aktualë. Natyrisht, Shehu fokusohet te shoqatat sportive fantazmë dhe lista e delegatëve si pikat kyçe në këtë proces, ku Duka tenton të mbajë nën kthetrat e tij futbollin në Shqipëri. Pyetjes nëse këto shoqata do të lejohen të votojnë, Shehu iu përgjigj: “Ato janë në kompetencën e Komisionit të Verifikimit të Asamblesë së FSHF-së. Ky komision do të shohë dosjet, pra dokumentacionin, nëse ato janë në përputhje me ligjin. Është pikërisht ky komision që e merr vendimin. Paraprakisht mund të them që këto shoqata nuk kanë status juridik dhe shumica e përfaqësuesve të tyre janë anonimë”. Siç dihet, komisioni i verifikimit është miratuar në asamblenë e vitit 2016 dhe ka mandat dyvjeçar. Ai përbëhet nga zotërinjtë Armand Damo, Ilirjan Berati, Ylli Shehu, Petraq Mihali dhe Sokol Muho. Kjo pesëshe do të vendosë nëse shoqatat do të votojnë ose jo. Nga ana tjetër, Shehu nuk la jashtë vëmendjes listën e delegatëve, të cilën e sheh të manipuluar. Ai përmend dy raste flagrante, që dëshmojnë përpjekjen e Dukës për të orientuar votën e klubeve në favor të tij. “Klubin e Memaliajt e përfaqëson Lulzim Meçe, të cilin e ka deleguar ish-shoferi i Bashkisë Asllan Seferi, i cili ka qenë kandidat i Partisë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës, vëllait të presidentit aktual të FSHF-së. Lidhja mund të bëhet vetvetiu se cilit personi i është deleguar e drejta e votës. Nga ana tjetër, një tjetër person nga Shijaku, Dollaku, njeri besnik i Dukës, përfaqëson Velipojën, diçka që vjen erë e rëndë manipulimi”, shtoi Shehu, i cili kujtoi se, për këto lëvizje manipuluese dhe shumë të tjera si këto, procesi zgjedhor është i pandershëm dhe për këtë është njoftuar UEFA. Sfidanti Fino dhe 15 klube i kanë bërë kërkesë zyrtare UEFA-s të monitorojë. Pra, UEFA është në dijeni të manipulimeve të Dukës dhe ky është një fakt i rëndësishëm. Ardhja e zyrtarit të lartë të UEFA-s pak ditë më parë në Shqipëri, Grigoris Sorkis, nuk ka qenë me kërkesë të Dukës dhe me shtytjen e tij, siç është pretenduar të paraqitet nga një pjesë e medias, me “arsyetimin” e ndërhyrjeve të politikës në proces. Përkundrazi, vizita e Sorkis ishte e dëshiruar nga të dy palët, pasi, ndërsa FSHF (nënkupto Duka) ishte ankuar për ndërhyrje politike, paralelisht klubet njoftonin UEFA-n për manipulime të procesit. “Ai erdhi në Shqipëri dhe takoi krerët e shtetit, përfshi kryeministrin Rama. Palët kanë qëndrime të kundërta dhe ai i dëgjoi palët. Ai është vënë në dijeni nga klubet nëpërmjet një kërkese se procesi po manipulohet dhe se ka abuzim fondesh. Në lidhje me abuzimet financiare, kandidati Fino ka pasur një komunikatë zyrtare. Shulku u sforcua për të dhënë një realitet që nuk është, ai nuk ishte i besueshëm dhe konfirmoi manipulimet. Janë bërë shpenzime luksi, në një kohë që futbolli ynë është në mjerim. Këto shqetësime do t’i ngrenë klubet edhe në asamble dhe është e drejta e klubeve që të ngrenë këto shqetësime dhe pretendime. Situata është e tillë që Dukës nuk i dalin llogaritë dhe po tenton të bëjë pis procesin, duke i dhënë një imazh të keq vendit e në veçanti futbollit tonë”, vijoi Shehu. Në fund, askush nuk mund t’i shmanget një pyetjeje të thjeshtë por domethënëse, e cila ka të bëjë me njohjen ose jo të rezultatit të zgjedhjeve për president të FSHF. Shehu, kritik i fortë i Armand Dukës, përmbylli me një shprehje të vetme “Do të njihet çdo rezultat i ligjshëm”, shprehje që ka mjaft domethënie për mënyrën se si po shkon procesi i zgjedhjeve për organet drejtuese në FSHF. Si përfundim mund të thuhet se Duka po bën pis procesin nëpërmjet manipulimeve dhe abuzimeve të tij. Për këtë sjellje të kreut aktual të federatës është shqetësuar edhe UEFA, e cila pritet të monitorojë procesin. Kërkesa e klubeve për ndërhyrje, e cila vjen si kundërpeshë e abuzimeve dhe manipulimeve të kreut aktual të futbollit, ka shkaktuar alarm në zyrat e UEFA-s. /Adriatik BALLA  

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/09/2019 - 23:46

Gazetari Artan Hoxha me anë të një postimi në Facebook ka reaguar për takimin që ka patur me menaxherin e njohur Shameti dhe me presidentin e Skënderbeut, Ardian Takaj.

Postuar: 20/09/2019 - 23:12

 Mirald Metallari 22-vjeçari, që vrau nënën dhe babanë e tij rreth një vit e gjysmë më parë

Postuar: 20/09/2019 - 23:02

 Një person ka ndërruar jetë dhe një tjetër ka mbetur i plagosur pasi motoçikleta me të cilë

Postuar: 20/09/2019 - 22:37

Pas shtrimit të fushës, sot në mbrëmje është testuar edhe ndriçimi në stadiumin “Arena Ko

Postuar: 20/09/2019 - 22:28

Gazetari, Basir Çollaku tregoi sesi nisi rrënimi i dosjes "Tahiri" dhe që u finalizua m

Postuar: 20/09/2019 - 22:27

Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj ka falenderuar të gjithë specialistët e UKT që brenda një kohe r

Postuar: 20/09/2019 - 21:30

Gazetari, Basir Çollaku, thotë se shpërdorimi i detyrës nga ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahi