BREAKING NEWS

Ministria nxjerr shifrat, tregon sa persona u konfirmuan me koronavirus në 24 orët e fundit

Ministria nxjerr shifrat, tregon sa persona u konfirmuan me koronavirus në
x

Aktualitet

Atentati i dështuar ndaj biznesmenit në Tiranë, 4 të arrestuarit mohojnë përfshirjen në ngjarje, ja detajet

Atentati i dështuar ndaj biznesmenit në Tiranë, 4 të

Dy autorët dhe dy bashkëpunëtorët e dyshuar për atentatin e dështuar me qëllim vrasjen e biznesmenit A. Dh., në rrugën “Muhamet Gjollesha” Tiranë më 15 tetor, para autoriteteve kanë deklaruar se nuk kanë lidhje me ngjarjen. Konkretisht dje, 4 personat e arrestuar për vrasjen e mbetur në tentativë të biznesmenit nuk e kanë pranuar përfshirjen në atentat edhe pse prokuroria këmbëngul se e ka të dokumentuar me prova filmike. Megjithatë, janë me dhjetëra orë pamje të kamerave të sigurisë që janë sekuestruar dhe nga vëzhgimi i të cilave do të përcaktohet edhe roli që ka pasur secili nga të arrestuarit. Ndërkohë që prokuroria do të kërkojë “arrest me burg” për ta. Pas kallëzimit të vetë biznesmenit, vëzhgimit të kamerave dhe hetimeve të kryera që zbuluan autorët, policia kreu kontroll edhe në banesat e tyre, ku gjeti jo vetëm armën me të cilën do qëllohej 51-vjeçari, por edhe municione luftarake, veshje të forcave speciale të Policisë, shkop hekuri po të policisë, pranga e rroba të tjera uniforme policie dhe kamuflazhi, 6 telefona celularë.
Aksioni i policisë
Ndërsa, Policia e Tiranës dy ditë më parë ndërmori një “aksion” për arrestimin e 2 autorëve, të cilët dyshohet se tentuan t’i bëjnë atentat vrasjeje biznesmenit A. Dhima në 15 tetor të këtij viti. Policia gjithashtu njoftoi se në pranga ranë edhe 2 bashkëpunëtorë të dyshuar për përfshirje në këtë atentat të mbetur në tentativë. "Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi A. Dh., i cili ka treguar se mbrëmjen e datës 15.10.2020, në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dy persona të maskuar dhe të armatosur e kanë ndjekur deri në hyrje në hyrje të pallatit, me qëllim për ta eliminuar atë, menjëherë kanë organizuar punën në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe strukturat hetimore të DVP Tiranë, për zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve. Mbi bazën e provave të siguruara nga Komisariati i Policisë Nr. 2 u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar "Stuhia", në kuadër të të cilit u bë kapja dhe prangosja e dy autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje, konkretisht: G. L., 45 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë me 6 vite burgim, për vjedhje me armë në Gjermani, dhe A. H. 35 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për plagosje me armë. Po në kuadër të operacionit u bë e mundur të identifikohen dhe të ndalohen dhe dy bashkëpunëtorët në këtë ngjarje, shtetasit:M. M., 30 vjeç dhe E. H., 26 vjeç, i dënuar më parë me 4 vite e 9 muaj, për "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike"”, deklaroi policia. Referuar pamjeve filmike nga kamerat e sigurisë, është zbuluar se 2 autorët, para se të hynin në hyrje të pallatit në rrugën "Muhamet Gjollesha" ku banonte biznesmeni, kishin vendosur maska silikoni teksa në dorë mbanin një armë, gati për të qëlluar. Në këto momente atentati i tyre ka dështuar pasi teksa janë bërë gati për ta ekzekutuar, biznesmeni Dhima është futur në ashensor, ndërsa autorët janë larguar pa rënë në sy, duke dalë nga pallati. Sipas policisë 2 autorët kryesorë të këtij atentati të mbetur në tentativë, rezultojnë me precedentë të theksuar kriminal në fushën e vjedhjeve me armë dhe plagosjes. Pas kallëzimit të vet biznesmenit, vëzhgimit të kamerave dhe hetimeve të kryera që zbuluan autorët, policia kreu kontroll edhe në banesat e tyre, ku gjeti jo vetëm armën me të cilën do qëllohej 51-vjeçari, por edhe municione luftarake, veshje të forcave speciale të Policisë, shkop hekuri po të policisë, pranga e rroba të tjera uniforme policie dhe kamuflazhi, 6 telefona celularë. Ndërsa u sekuestrua edhe automjeti me të cilin dy të rinjtë u larguan nga pallati i biznesmenit pasi dështuan ta vrisnin.