Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Atentati mafioz ndaj Arjan Ndojës, ndërron jetë pas 6 ditësh Andi Maloku, prokuroria gati të ndryshojë akuzat për Rrajën

Postuar: 08/11/2019 - 07:30

Kur ka kaluar gati një javë nga atentati mafioz ndaj prokurorit Arjan Ndoja që tronditi qytetin e Durrësit dhe mbarë opinionin publik, Andi Maloku, shoferi i prokurorit pasditen e djeshme ka ndërruar jetë në Spitalin e Traumës. Gjashtë ditë pas atentatit që ndodhi më 1 nëntor në autostradën Tiranë-Durrës, Andi Maloku nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të rënda të marrë atë pasdite. Plumbat i kishin prekur mushkërinë dhe shtyllën kurrizore shoferit të prokurorit Ndoja. Mjekët kishin mundur të stabilizonin gjendjen e tij shëndetësore, por e mbanin në kujdes intensiv për shkak të situatës kritike. Bluzat e bardha dyshonin se 24-vjeçari mund të mbetej i paralizuar për shkak të plumbit që e kishte prekur në shtyllën kurrizore, por mesa duket gjendja e tij u përkeqësua gjatë ditëve të fundit. Me lajmin e trishtë të ndarjes nga jeta të 24-vjeçarit, pritet të ndryshojë edhe akuza për të arrestuarin e vetëm si autor të dyshuar të atentatit. Akuza e vrasjes "kundër dy ose më shumë personave”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” do të kthehet në atë të vrasjes. Ndërkohë mbeten në fuqi akuzat për “Vrasja e funksionarëve publikë”, e mbetur në tentativë, që lidhet me prokurorin Arjan Ndoja dhe “Armëmbajtja pa leje”. Pas atentatit, nëna e Andi Malokut, i vetmi që u transportua në Spitalin e Traumës për shkak të plagëve të rëndë nga breshëria e kallashnikovit, e përlotur tha se djali i saj, tashmë i ndarë nga jeta, rrezikoi jetën për 30 mijë lekë të rinj rrogë si shofer. Para se të punonte shofer i prokurorit, Andi Maloku ka qenë efektiv policie në komisarin e Fushë-Krujës. Andi Maloku ishte në drejtimin e automjetit Mercedes-Benz, së bashku me prokurorin e Durrësit Arjan Ndoja dhe Pëllumbi Muharremin, ky i fundit i njohur me pseudonimin “Rumi” dhe që ka në përdorim 4 identitete. Pasi atentatorët hapën zjarr në drejtim të makinës së tyre, Andi Maloku nxori nga rruga automjetin tek mbikalimi i Shkozetit. Prokurori Arjan Ndoja dhe Pëllumb Muharremi u transportuan në Spitalin e Durrësit, pasi gjendja e tyre nuk ishte e rëndë. Ndërsa shoferi Andi Maloku u dërgua menjëherë drejt kryeqytetit. Gjashtë ditë pas atentatit, 24-vjeçari ka ndërruar jetë. I arrestuari i vetëm për këtë ngjarje është Redjan Rraja 34 vjeç. Ish-stomatologu i burgut të Fushë Krujës doli para trupës gjykuese dy ditë më parë, rreth orës 14:00. Në seancën gjyqësore që zgjati rreth një orë, 34-vjeçari pretendoi se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se nuk e njeh prokurorin apo dy personat e tjerë që ishin në makinë. Por pavarësisht pretendimeve të 34-vjeçarit, gjykata ka pranuar kërkesën e prokurorisë duke e lënë në burg Rrajan. Të riun e fundosën gjurmët e gishtërinjve të gjetura nga hetimet e kryera i përkasin Redjan Rrajës, të vënë në pranga si një nga atentatorët e dyshuar. Është pikërisht kjo provë e fortë e gjetur në makinë, që ka çuar hetuesit drejt Redjan Rrajës, kushëri i deputetit socialist Rrahman Rraja.

Atentatorëve ju bllokuan armët

Atentati mafioz ndaj prokurorit Arjan Ndoja, mund të kishte përfunduar me përmasa më tragjike, nëse njëri nga kallashnikovët që derdhi breshërinë e plumbave ndaj tyre të mos ishte bllokuar. Laboratori i Policisë Shkencore, që po analizon armët dhe sendet e gjetura në makinën që u përdor në atentat, ka zbuluar se njëra nga armët nuk arriti të qëllonte të gjithë plumbat. Mekanizmi i saj është bllokuar gjatë qitjes, duke u dhënë mundësi tre personave të gjetur nën breshëri që të shpëtonin. Makina e prokurorit Ndoja mori vetëm 8 plumba, ndërsa atentatorët qëlluan 20 herë në drejtim të saj. Por veç detajeve që po ndihmojnë në zbardhjen e dinamikës së ngjarjes, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Durrësit po hetojnë intensivisht për të zbuluar motivin dhe personat e tjerë të përfshirë në ngjarjen kriminale të 1 nëntorit. Për këtë arsye, hetuesit kanë sekuestruar edhe telefonin e prokurorit Ndoja, i cili i është nënshtruar një kontrolli të imtësishëm në përpjekje për të gjetur lidhje mes bisedave të Ndojës dhe ngjarjes. Po kështu janë sekuestruar edhe telefonat e Pëllumb Muharremit, i njohur si Rrumi dhe shoferit Maloku, që humbi jetën pasditen e djeshme. Ndërkohë në lidhje me këtë ngjarje, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se është marrë në pyetje një personazh i njohur i show bizit, që rezulton se kishte komunikime të shpeshta me 34-vjeçarin e arrestuar si një nga autorët e atentatit mafioz. Dy ditë më parë Prokuroria e Përgjithshme lajmëroi se ka nisur edhe një hetim administrativ ndaj prokurorit Ndoja për shkak se dyshohet se ai administronte një studio ligjore që bie ndesh me detyrën e tij./Elvis MYRTA

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 13/11/2019 - 23:03

22 patenta janë pezulluar brenda dy orëve ditën e sotme, të të rinvje që bëjnë gara në aksin Sauk-Teg, prej orës 20:00 deri në 22:00.

Postuar: 13/11/2019 - 22:39

Klodiana Lala ka komentuar përzgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese.Lala tha në “Re

Postuar: 13/11/2019 - 22:12

Diplomati Neritan Ceka ka mbështetur idenë e Shengenit Ballkanik

Postuar: 13/11/2019 - 22:01

Gazetarja Klodiana Lala ka komentuar në emisionin “Real Story” debatin mes institucio

Postuar: 13/11/2019 - 21:34

11-vjeçari Alvin Berisha iu bashkua familjes vetëm pak ditë më parë.

Postuar: 13/11/2019 - 20:58

Gazetari Musatafa Nano ishte i ftuar në “Ftesë në 5” me Bieta Sulon, nga ku reagoi pë

Postuar: 13/11/2019 - 20:21

Dy shtetas shqiptarë, një burrë e një grua, janë dënuar me burg nga gjykata e Ternit për tentativ