BREAKING NEWS

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh prapaskenat: Marrëdhëniet u normalizuan pas 20 muajsh, ja për çfarë ramë dakord!

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh
x

Aktualitet

Atentati në Kurbin, zbardhet dëshmia e dy djemve të njërit prej viktimave, zbërthejnë dinamikën e vrasjeve

Atentati në Kurbin, zbardhet dëshmia e dy djemve të njërit

Atentati me dy të vrarë dhe një të plagosur mbrëmjen e së shtunës në Laç ndodhi në sytë e djemve të një prej viktimave më konkretisht të Paulin Gjergjit. Ata kanë dhënë dëshminë e tyre përpara grupit hetimor. Ata janë shprehur se ishin në makinë në parkingun e hotelit kur ndodhi ngjarja e rëndë. Kanë qenë djemtë e biznesmenit të cilët kanë thënë përpara hetuesve se autorët ishin të veshur si policë. “Ne ishim në makinë duke pritur babanë, i cili do takonte Bujar Likën për një çështje që kishin mes tyre. Pas disa minutash u shfaqën 4 persona të veshur si policë, të cilët ekzekutuan babanë dhe personin që ai takoi. Babai ynë nuk ka pasur asnjë konflikt, objektivi ka qenë miku i tij, pasi autorët e kanë thirrur në emër atë përpara se të qëllonin”, mësohet të kenë thënë dy djemtë e 53-vjeçarit. Djemtë 27 dhe 21-vjeçar kanë pohuar se pasi ka kaluar shumë kohë nga hyrja në lokal e babait, shumë shpejt janë shfaqur 4 persona që kanë zbritur nga një makinë, të veshur si policë me veshje të FNSH-së dhe të maskuar. Dy vetë kanë hyrë brenda në lokal, ndërsa 2 të tjerë kanë shkuar në drejtim të makinës ku ndodheshin djemtë e biznesmenit Paulin Gjergji. Kuptohet qartë se atentatorët kanë pasur informacion të saktë se me cilin person ndodhej Bujar Lika, dhe për më tepër kanë pasur të dhëna se biznesmeni Paulin Gjergji, ishte në praninë e djemve të tij. Frika se mos vallë pas sulmit me armë në brendësi të lokalit, do të kishte një kundërpërgjigje nga dy djemtë e Paulin Gjergjit që qëndronin jashtë, ka bërë që katër personat e veshur si policë të ndahen, ku dy kanë qëndruar jashtë dhe kanë mbajtur të neutralizuar djemtë, duke iu prezantuar si polici dhe kanë filluar t’i kontrollojnë fizikisht. Një tjetër dëshmi e vlefshme është ajo e banakierit të lokalit, i cili ka treguar se sapo dy nga autorët e veshur si policë kanë hyrë në lokal, i kanë thirrur në emër Bujar Hasanin dhe më pas kanë qëlluar. Sipas burimeve, Hasani ka marrë një plumb në kokë. Ndërsa pas tij është qëlluar Paulin Gjergji, i cili ka qenë duke vrapuar me shpresën që t’u shpëtojë plumbave.

Hetimet

Atentati mafioz i mbrëmjes të së shtunës është kryer nga vrasës me pagesë. Në këtë konkluzion ka dalë nga hetimet paraprake grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e saj. Hetimet janë përqendruar në dy pista, hakmarrja dhe përplasja mes grupeve kriminale në kryeqytet. Sipas informacioneve, 37-vjeçari Bujar Lika, i cili dyshohet se ishte dhe objektiv i atentatit ishte pjesë e një grupi kriminal që operon në kryeqytet. Kjo e dyta është edhe pista kryesore ku janë përqendruar hetimet. Mësohet se nga këqyrja e kamerave të sigurisë kanë qenë 4 persona, të cilët kanë marrë pjesë në ngjarjen e rëndë, ku 3 prej tyre kanë qëlluar drejt viktimave, kurse një tjetër person ka larguar autorët nga vendi i ngjarjes. Nga hetimet paraprake grupi hetimor ka dalë në përfundimin se vrasja ka qenë e mirëorganizuar deri në detaje e për të cilën thuhet se autorët e kanë ndjekur për disa orë me radhë objektivin e tyre. Sipas hetuesve atentati me dy të vdekur në orët e vona të së shtunës në Kurbin dyshohet se është kryer nga një grup kriminal që operon në zonën e Fushë-Krujës. Edhe dje në zonën e Fushë-Krujës dhe të Mamurrasit FNSH-ja e Lezhës dhe RENEA kanë kryer kontrolle të imtësishme, ku kanë shoqëruar në polici edhe disa persona me precedent penal që dyshohet se kanë informacion për atentatin me dy të vrarë e një të plagosur. Për të hedhur më shumë dritë për ngjarjen, pritet marrja e dëshmisë së 21-vjeçarit Kreshnik Tusha, për të hedhur dritë mbi autorët apo personat që mund të kenë paguar të riun për të ekzekutuar Likën. Kreshnik Tusha, mbeti i plagosur nga shkëmbimi i zjarrit në ngjarjen e mbrëmjes së shtunës Laç.