BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Rajoni

Debate në Kuvendin e Kosovës, LDK akuza të forta ndaj Albin Kurtit për pjesëmarrjen në zgjedhjet në Shqipëri

Debate në Kuvendin e Kosovës, LDK akuza të forta ndaj Albin

Kuvendi i Kosovës ka mbajtur ditën e djeshme seancën e radhës, seancë e cila u karakterizua nga akuza drejtuar qeverisë dhe Kryeministrit Kurti dhe shkëmbim i retorikave të ashprave mes mazhorancës dhe opozitën. Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, i është drejtuar qeverisë së drejtuar nga zoti Kurti se ende nuk ka një program qeverisës, edhe pse ka më shumë se një muaj në pushtet. “Kemi hyrë në muajin e dytë të qeverisjes Kurti, një qeveri e cila për çudi për të gjithë është duke qeverisur pa program. Sot kur po e nisim një seancë ku do të diskutohet për pandeminë, Kurti dhe ministrat e tij nuk kanë arritur të paraqesin tri objektiva para qytetarëve”, tha ai në Kuvend. Një deklaratë e tillë është pasuar nga reagime nga Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, e cila në fjalimin e saj në Kuvend, tha se kur AAK ishte në pushtet kishte pritur pesë orë Listën Serbe për ta votuar programin qeverisës. “Ju qeveria e PAN-it, a e dini kur Haradinaj e ka prezantuar programin qeverisës, me 10 shtator keni pritur pesë orë Listën Serbe me ardh prej Beogradi me marrën aminin e Vuçiçit me ardh me votu. Ju keni premtuar se do të funksionojë sundimi i ligjit, i keni ndërru mandatet e jeni zvogëluar duhet ma shumë me reflektu”, është shprehur ajo. Në fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, zoti Tahiri kërkoi nga qeveria aktuale që të mos eksperimentojnë por të largojnë logjikën e arrogancës. “Kërkesa është mos bëni eksperimente me çështjen e pandemisë, mos bëni eksperimente me orën policore por largoni, mos bëni eksperimente me dialog. Kërkojmë nga ju se kur do të na prezantoni një program qeverisës. Largoni logjikën e arrogancës”, theksoi Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së.

Edhe LDK e PDK akuza Kurtit

Pavarësisht se u duk sikur marrëdhëniet midis Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, pas mbështetjes së kandidaturës së Vjosa Osmanit për postin e presidentes së vendit, Kryetari i LDK Lumir Abdixhiku ka akuzuar dje qeverinë Kurti mbi menaxhimin e pandemisë. “Kur çdo dy orë një kosovar vdes, deputetët e këtij pushteti, që i ka krejt, kanë zgjedhur organizimin e protestave për hidrocentrale në Shqipëri, kur çdo dy orë një Kosovar vdes, shpërndajnë fletushka fushate në Lezhë, Gjirokastër e Tiranë, merreni me mend. Nisin këtu si pushtet e përfundojnë si opozitë në një shtet tjetër. Kur çdo dy orë një kosovar vdes, kryeministri jonë ka vendosur të bëj fushatë në Shqipëri, në dy javë ditë ky kryeministër ka vizituar Shqipërinë 4 herë e Klinikën Infektive të mbushur, asnjëherë”, ka thënë ai, teksa i referohej edhe sigurimit të vaksinave anti Covid. Një fakt që zoti Abdixhiku e ka përdorur për të sulmuar Kryeministrin Kurti, është fakti që sipas tij i pari i qeverisë së Kosovës ka vizituar katër herë Shqipërinë në një kohë të shkurtër, dhe ende nuk ka vizituar asnjëherë Klinikën Infektive në Kosovë. Nga ana tjetër, kryetari në detyrë i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj tha se gjëja e duhur që duhej të ndodhte ishte që seanca të iniciohej nga Qeveria dhe jo nga opozita. Sipas tij, çdo qeveri e përgjegjshme dhe e ndërgjegjshme do të duhej ta kuptonte drejt se beteja me pandeminë nuk është betejë politike por betejë shëndetësore. “Kur unë e kam takuar kryeministrin në ardhje Kurti ka thënë se do të bashkëpunonte me opozitën në pesë tema: dialogu, siguria nacionale, pandemia, arsimi dhe energjetika dhe sot nuk e shoh kryeministrin kur ne flasim për pandemi”, ka thënë Hoxhaj. Ai ka shtuar se kryeministri do të duhej të na njoftonte se çfarë hapash janë ndërmarr për sigurim të vaksinës. “Kjo qeveri jo vetëm që ka dështuar t’i siguroj vaksinat, por nuk po shohim një plan konkret sesi do t’i sigurojnë vaksinat. Qytetarët e Kosovës po humbin jetën, dhe kush e merr vaksinën është e rëndësishme”, ka thënë Hoxhaj. Ai ka kritikuar Kurtin se i ka braktisur qytetarët në kohën kur ata po ballafaqohen me pandeminë dhe nuk po merret sigurimin e vaksinave. Në fund Hoxhaj i tha Kurtit se nuk mund të mashtroni qytetarët me uljen e testeve e me konferenca shtypi, sepse sot nuk po flasim për statistika por për jetë njerëzish.