BREAKING NEWS

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh prapaskenat: Marrëdhëniet u normalizuan pas 20 muajsh, ja për çfarë ramë dakord!

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh
x

Aktualitet

Dosja “Grori” në ngërç, një tjetër gjyqtar jep dorëheqjen, procesi rrezikon të nisë nga fillimi

Dosja “Grori” në ngërç, një tjetër


Pas përjashtimit të gjyqtarit Bedri Qori, një tjetër gjyqtar ka dhënë dorëheqjen në procesin ndaj Arben Grorit, i dënuar me burgim të përjetshëm. Në seancën e dy ditëve më parë gjyqtari Ardian Kalia ka dhënë dorëheqjen nga kjo çështje. Kërkesa për të mos qenë pjesë e trupës gjykuese në çështjen Grori do të merret në shqyrtim nga kryetari i gjykatës nëse do ta pranojë apo jo atë. Pas këtij vendimi pritet që brenda këtij muaji të hidhet shorti për të marrë në shqyrtim këtë proces, duke bërë që procesi gjyqësor për njohjen ose jo të dënimit me burgim të përjetshëm të Arben Grorit të fillojë nga e para. Arben Grori u dënua me burgim të përjetshëm nga gjykata italiane për vrasjen e Naim Zyberit në vendin fqinj. Dënim ky që disa vite më parë u njoh edhe nga gjykata e kryeqytetit. Por Grori nuk u dorëzua dhe arriti të rihapte procesin gjyqësor, duke shfrytëzuar hapësirat e Kodit të Procedurës Penale të ndryshuar në 2017 dhe një vendim të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut. Procesi gjyqësor ndaj Grorit u rihap në maj të vitit të kaluar nga gjyqtarët e Apelit, Alaudin Malaj dhe Fatmira Hajdari, të cilët në vendimin e tyre kanë shfrytëzuar pikërisht nenin 450, pika d) të Kodit të Procedurës Penale dhe vendimin e Strasburgut, duke i pranuar kërkesën Arben Grorit, për rishqyrtimin e kësaj dosje gjyqësore. Vendimi i Apelit Tiranë erdhi katër muaj pasi shoku i Grorit, Gert Gjinarari, në 14 shkurt 2019, është liruar me kusht nga Gjykata e Korçës. Tashmë nëse Gjykata e Tiranës pranon të dënojë Grorin me 25 vite burgim dhe jo me burgim të përjetshëm si ka vendosur drejtësia italiane, atëherë ai lirohet menjëherë, pasi këtë dënim tashmë e ka kryer. Grori është vëllai i të ndjerit Artur Grori, pronarit të kompleksit “Artur” në Mullet të Tiranës, i vrarë disa vite më parë nga Naim Zyberi.

Vrasja e Naim Zyberit në spital në Milano

Në fillim të viteve ‘90, Naim Zyberi njihej si një nga të fortët e kryeqytetit, rival i fortë i një tjetër emri të njohur në Tiranë gjatë atyre viteve, Gaz Muça. Zyberi u ekzekutua më 6 gusht të vitit 1997 nga tre persona, dy prej të cilëve Arben Grori dhe Gerd Gjenerali. Zyberi në vitet e para të ‘90-ës kishte arritur të mblidhte rreth vetes një grup djemsh, të cilët, sipas mënyrës që kishin vetëpërcaktuar, bënin ligjin në lagjet e kryeqytetit. Ai u cilësua si një nga atentatorët e Gaz Muçës, ngjarje për të cilën edhe u arrestua bashkë me Franc Konomin, i cili nuk u mor vesh asnjëherë se si arriti jo vetëm të dilte nga burgu, por edhe t’i shpëtonte deri në vitin 2010 hakmarrjes së djemve të rrugës Bardhyl. Pas hapjes së burgjeve në ‘97-ën edhe Naim Zyberi si shumë të tjerë arritën të largoheshin nga qelitë duke rifituar lirinë. Por Zyberi nuk do t’i shpëtonte dot hakmarrjes për vrasjet e Artur Grorit dhe të Gaz Muçës. Ai u ndoq deri në Itali nga vëllai i Grorit, Arbeni dhe atentati i parë iu bë në një bar në Torino, vend ku Naim Zyberi mbeti i plagosur rëndë dhe për këtë arsye, iu desh të qëndronte i shtruar në spital për disa kohë. Madje, për mjekim më të specializuar u dërgua në spitalin e Milanos. Fakti që Zyberi mbeti gjallë nuk bëri që autorët të dorëzohen. Më datë 6 gusht, Gerd Gjenerali, që mbante një tufë me lule në dorë, brenda të cilës kishte fshehur pistoletën dhe Arben Grori, bashkë me një person tjetër, futen në dhomën e spitalit ku ndodhej Zyberi dhe e qëllojnë aty për vdekje. Por shumë shpejt arrestohen nga policia italiane.