BREAKING NEWS

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte përdhunimin nga disa persona, kush është shefi i lartë i Policisë: I kërkoi favore seksuale dhe mbesës së shkrimtarit të madh Martin Camaj

Shokuese/ Përdhunoi vajzën që shkoi të denonconte
x

Aktualitet

Çfarë na pret pas Covid? Jacques Attali, një nga 100 “mendimtarët e botës” i thotë të gjitha që nga pasojat që do ketë koronavirusi, keqmenaxhimi i krizës nga OBSH e deri tek integrimi i vendit tonë në BE

Çfarë na pret pas Covid? Jacques Attali, një nga 100

Jacques Attali konsiderohet si një ndër 100 mëndjet më të ndritura në botë aktualisht. Ai shërbeu për dhjetë vite si këshilltar i Presidentit të Francës, François Mitterrand përgjatë periudhës 1981-1991.

Attali është themeluesi i katër institucioneve të rendësishme ndërkombëtare siç janë EUREKA, Aksion Kundër Urisë, Positive Planet dhe spikati me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Ai njihet për angazhimin e tij në drejtim të promovimit të Ekonomisë Pozitive duke mbështetur ngritjen e bizneseve në Francë dhe kolonitë e saj për 22 vite.

Jacques Attali foli në një intervistë për gazetarin Endri Xhafo në Abc Neës mbi botën pas pandemisë së Covid 19 dhe perspektivën integruese të Shqipërisë në Bashkimin europian.

Ndër të tjera ai shpjegoi se botën e pret një krizë ekonomike edhe më e rëndë se ajo e vitit 1929, e shoqëruar me nivele të larta të papunësisë.

Attali shpjegon se momentalisht efektet e kësaj krize nuk po ndjehen pasi bankat qendore dhe qeveritë po bëjnë të pamundurën për të mbështetur ekonominë, gjë të cilën do të mund ta bëjnë edhe për shumë kohë.

Ju ftojmë të ndiqni intervistën e plotë të Jacques Attali për gazetarin Endri Xhafo në Abc Neës:

Endri Xhafo-Abc Neës: Jacques Attali mirëdita. Faleminderit që jeni me ne. Ju na keni mësuar me parashikime tuajat të cilat prej vitesh janë vërtetuar të sakta. Madje në librin tuaj “A mund të parashikohet e ardhmja” ka një listë të këtyre parashikimeve.

Flasim për pandeminë e Covid-19. Kur ju flisni për pandemi, për të cilën keni tundur kambanën e alarmit vitin e shkuar në 2019, ju thoni që çdo epidemi madhore që prej 1 mijë vjetësh ka çuar në një riorganizim radikal të politikës dhe kulturës së kombeve.

Si e imagjinoni ju Europën dhe botën pas pandemisë së Covid-19? A është Covid-19 më e rëndë se epidemitë e shekullit XX dhe XXI si gripi spanjoll, gripi i Hongkongut, gripi aziatik, Ebola, SIDA, madje SARS dhe MERS, që nuk është se e ndryshuan vërtet mënyrën tonë të jetesës dhe të të menduarit?

Jacques Attali: Kam filluar ta parashikoj këtë pandemi në një libër të publikuar së pari në vitin 1998, “Fjalori i shekullit të 21”, kam folur shpesh në vijim, nuk kam qenë i vetmi, ka shumë njerëz që e kanë parashikuar këtë pandemi.

Kjo pandemi do të ndryshojë shumë shumë shumë gjëra. Së pari është kriza ekonomike më e rëndë e shekullit të 20-të dhe 21-të ; do të jetë një krizë më e rëndë se ajo e 1929-ës.

Nuk po e kuptojmë ende sa e rëndë kjo krizë është, sepse për momentin Bankat Qendrore dhe qeveritë po bëjnë ç’të munden për të mbështetur ekonominë, çka nuk do ta bëjnë dot edhe për shumë kohë.

Por ekziston këto momente rreziku i një papunësie jashtëzakonisht të lartë dhe deflacioni, dhe i një krize të paparë.

Pra, ka një rrezik të madh të konsiderueshëm që rri varur mbi ne aktualisht, dhe kjo është gjëja e parë për të cilën duhet të ndërgjegjësohemi. E dyta është se me të vërtetë pandemitë ndonjëherë ndryshojnë gjithçka.

Pandemitë kanë bërë që të braktisej karakteri fetar i qeverisjes për të kaluar në qeverisjen policore, nga qeverisja policore në qeverisjen përmes higjienës dhe sot, në fund, ka për të qenë qeverisja përmes teknologjisë, që do të jetë zoti i plotfuqishëm i mënyrës së menaxhimit të frikës nga sëmundja, përmes teknikave dixhitale që do të bëjnë një survejim shumë më të mirë në sajë të teknologjisë në fjalë.

Pra, çështja është të dimë se si teknologjia do të jetë një faktor i një demokracie më të madhe apo i një diktature?

Kjo çështje mbetet ende e hapur. Por më parë do të na duhet të merremi me një krizë të rëndë ekonomike, që mund të përkthehet në një krizë gjeopolitike.

Ka vende të mëdha që do të vuajnë shumë, sektorë ekonomikë që do të vuajnë pa fund, është rasti i sektorëve prej nga varet shumë edhe Shqipëria, veçanërisht turizmi që do të vuajë shumë, të paktën këtë viti, por edhe plot sektorë të tjerë. Por, njëkohësisht, kjo prodhon edhe një potencial të jashtëzakonshëm për të rikrijuar kushtet e një ekonomie dhe një shoqërie totalisht ndryshe.

Pikëpari kjo prodhon ndërgjegjësim për faktin se duhet të jemi shumë më transparentë dhe të mos fshehim asgjë për rreziqet e sëmundjeve, siç vepruan kinezët, çka ishte katastrofike.

Së dyti, kjo na ndërgjegjëson për rëndësinë e jetës dhe të sektorëve të “ekonomisë së jetës”, që janë shëndetësia, arsimi, ushqyerja, bujqësia, kërkimi shkencor, higjiena… të gjithë sektorët e mëdhenj të “ekonomisë së jetës” që duhen mbështetur dhe mbrojtur.

E treta, na bën të kuptojmë që nuk ka vetëm ekonomi tregu, por edhe ekonomi jofitimprurëse, shoqëri civile, një botë e tërë që nuk synon fitimin, që është sot shumë e rëndësishme dhe do të jetë edhe më shumë pas kësaj krize.

E katërta, ndërgjegjëson gjithashtu për rëndësinë për të parashikuar herët pandemitë që mund të vijnë dhe rreziqet e tjera; veçanërisht rreziqet që lidhen me klimën.

Dhe, duke mbajtur parasysh faktin që nuk ishim të aftë për ta parashikuar këtë pandemi, duhet të parashikojmë më herët atë që do të vijë.

Dhe e fundit, e pesta, me gjasë do të na duhet të jetojmë në një mënyrë më të distancuar, çka do të thotë që kjo ka për të qenë shumë e mirë për qytetet e vogla apo mesatare, dhe ndoshta kjo ka për të qenë jashtëzakonisht e mirë edhe për Shqipërinë gjithashtu, që bën pjesë në Europë, që ka një potecial të madh, që mund të tërheqë investitorë dhe ndërmarrje që nuk do të duan të rrinë në qytetet e mëdha, as në kryeqytetet e mëdha, pakashumë siç po ia del ta bëjë Bukureshti apo Vilniusi, apo ndonjë qytet tjetër i Europës lindore, dhe Shqipëria mund të jetë gjithashtu një vend i rëndësishëm i zhvillimit të bujqësisë së qëndrueshme dhe i një mënyrë jetese konform nevojave të shekullit XXI. Kam shumë besim te Shqipëria, me kusht që të përqafojë “ekonominë e jetës” dhe një demokraci europiane.

Endri Xhafo-Abc Neës: :  Zotëri ju folët për qeverisjen përmes teknologjisë. Ndërkohë që në Shqipëri ka pasur ndryshime mjaft të debatuara në Kodin Penal për masat kundër atyre që shkelin rregullat e karantinimit gjatë sëmundjeve infektive.

Pamë edhe në Gjermani manifestime kundër masave shtrënguese, ndërkohë që në Shtetet e Bashkuara individë të armatosur zbritën në rrugë e shtetit të Michigan përshembull. A duhet t’i ndruhemi në situata të tilla derivave autoritariste nga ana e shtetit, apo duhen konsideruar masa proporcionale në raport me rrezikun ? Pra diskutimi demokraci vs. shtet sekuritar.

Jacques Attali: Nuk mund të lejojmë që njerëzit të krijojnë kushtet për ta futur në kolaps sistemin shëndetësor. Dhe nga një epidemi që nuk prek vetëm ata, por prek gjithë të tjerët.

Sepse nëse unë pranoj të sëmurem, kjo nuk e rëndë vetëm për mua. Kjo është e rëndë sepse nëse unë jam i sëmurë, unë do të zë një vend në spital. Dhe do të privoj nga ky shtrat në spital dikë tjetër që nuk zgjodhi të sëmuret. Pra askush nuk mund ta bëjë këtë zgjedhje duke injoruar të tjerët.

Komuniteti ka të drejtë të imponojë një kufizim, që e dimë që është i paevitueshëm.

Tani, nëse do ta kishim kapur problemin në kohë, nëse do të kishim pasur një paralajmërim dhe nëse do të kishim vepruar më herët, ne e dimë që disa vende mundën ta evitojnë izolimin dhe ia dolën me sukses, sepse e morën çështjen në dorë. Eshtë rasti veçanërisht i Koresë së Jugut, që filloi të përgatitej për këtë rrezik që në dhjetor 2019, kur nuk kishte akoma asnjë rast në Kore, por sepse kanë një kulturë që u lejoi të shohin se kishte një rrezik të madh kërcënues. Nga ku buron rëndësia e një përgatitje të hershme. Kur nuk e kapim herët, nuk ka zgjidhje të tjera veç izolimit dhe në atë moment duhet zbatuar.

Endri Xhafo-Abc Neës: : Zotëri, ju folët për nevojën për të qenë transparent gjatë pandemive si kjo. Cili është opinioni juaj për manaxhimin e krizës nga ana e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, të cilës Shtetet e Bashkuara njoftuan se do t’i ndërpresin 90% të ndihmës, kontributit të tyre?

Jacques Attali: Mendoj se OBSH e menaxhoi keq këtë krizë. Sepse nëse OBSH do ta kishte menaxhuar mirë këtë krizë do të kishte paralajmëruar që në muajin dhjetor se kishte një rrezik, do të kishte paralajmëruar që në dhjetor se kishte një strategji që po vihej në zbatim në Korenë e Jugut, që ishte një strategji për mbajtjen e maskave, bërjes së testeve dhe gjurmimit të popullatës, dhe do t’u kishte propozuar të gjithëve që të pargatiteshin për një zhvillim si në Kore, duke kërkuar mbajtjen e maskave, bërjen e testeve. Ju kujtoj që testet ishin të disponueshme që më 12 janar 2020 dhe çdokush kishte kohë të përgatitej. Pra OBSH, duke ndjekur modelin kinez, – me Kinën që njoftoi me shumë vonesë se sa e rëndë ishte situata, – e pra OBSH dështoi plotësisht në misionin e saj.

Endri Xhafo-Abc Neës: : Duke u kthyer te Kina, Pekini dhe Uashingtoni akuzojnë njëra tjetrën. Një zëdhënës i ministrisë së punëve të jashtme të Kinës akuzoi amerikanët se futën virusin në Kinë gjatë lojrave olimpike ushtarake në tetor 2019 ndërkohë që nga ana e amerikanëve akuzat janë artikuluar në nivelet më të larta, Presidenti dhe sekretar i Departamentit të shtetit. Dhe kjo vazhdon. A po shkojmë drejt një tjetër lufte të ftohtë ? Ndërkohë që përpara pandemisë po asistonim në një luftë tregtare. Dhe cili do të jetë impakti i kësaj në ekonominë botërore ?

Jacques Attali: Së pari lojrat olimpike ushtarake u zhvilluan në Vuhan, ndaj deri-diku është e kuptueshme që përmenden, por nuk kam asnjë ide që të di nëse ishin Shtetet e Bashkuara që e futën virusin, që me shumë gjasë shpërtheu në një treg në Vuhan në dhjetor.

Hipoteza që filloi në lojërat olimpike në tetor është goxha e vështirë të besohet.

Ka një tension shumë të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, që është një tension që ekziston prej një kohe të gjatë, por ka edhe tensione të tjera, tensione mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, ka të tjerë në botë. Por ky është i madh.

Dhe do të përshkallëzohet. Eshtë në kuadër të një rivaliteti superfuqish mes Shteteve të Bashkuara dhe Kinës. Për sa më takon besoj se Kina nuk do t’ia dalë të bëhet superfuqia botërore e vetme, sepse ka shumë dobësi.

Besoj se edhe Shtetet e Bashkuara gjithashtu kanë shumë dobësi, pra ndodhemi në një botë ku nuk ka asnjë superfuqi, as Shtetet e Bashkuara, as Kina. Por kjo mund të rrëshkasë në një konflikt që mund të shpërthejë në çdo moment, pas një incidenti ose në detin e Kinës, ose mes Indisë dhe Kinës, ose diku tjetër.

Endri Xhafo-Abc Neës: : Si e cilësoni ju reagimin e Europës përballë kësaj krize ? A pati një mbyllje në vetvete të shteteve anëtare, në një instikt të natyrshëm të ruajtjes së kapaciteteve kombëtare, apo Bashkimi e europian iu përgjigj pritshmërive të qytetarëve europianë ?

Jacques Attali: Po, Bashkimi Europian u përgjigj më mirë se ç’mund të mendohej. Së pari sepse shëndetësia nuk është kompetencë komunitare, ndaj është normale që shtetet ta trajtojnë atë në nivel kombëtar, sepse Bashkimi Europian nuk ka mandat për t’u marrë me çështjet e shëndetësisë.

E megjithatë filloi të merret. Banka qendrore europiane bëri një punë të mrekullueshme, BE reagoi dhe vendimi që u propozua nga Presidenti Makron dhe zonja Merkel për të krijuar një fond të ri investimi prej 500 miliard euro për të investuar në vendet më në vështirësi është një hap përpara i konsiderueshëm.

Kemi gjithashtu krijimin e një fondi prej 200 miliardë euro për të ndihmuar vendet në vështirësi që t’i bëjnë ballë papunësisë dhe ka shumë masa të tjera që janë marrë për të bashkrenduar përgjigjen ndaj pandemisë. Ndaj konsideroj që Europa ishte shumë në pararojë dhe kjo madje është një përshpejtues i projektit të integrimit europian.

Dhe nuk kemi sot asnjë vend që do të donte të largohej nga Bashkimi europian. Sigurisht probleme ka. Veçanërisht shohim ndonjë vend që është shndërruar në vend jashtëzakonisht autoritar, kam parasysh Hungarinë apo Poloninë dhe kjo çështje duhet rregulluar, sepse nuk mund të tolerojmë që të instalohen në Bashkimin europian regjime që janë në kundërshtim me rregullat e të drejtave të njeriut.

Endri Xhafo-Abc Neës: : Flasim pak për Ballkanin perëndimor, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe perspektivën e tyre për t’u anëtarësuar në BE. Në librin tuaj « Europat ” ju flisni për një Bashkim Europian me 35 anëtarë në 2020, që do të ishte mirë, sepse Shqipëria do të kishte qenë sot anëtare e BE-së, por që nuk është ky rasti.

Pse Franca u duk se ishte më hezituese në raport me zgjerimin, pavarëisht dekleratave zyrtare dhe vetëm së fundi një pozicioni më të favorshëm në mars? A ka një konkurrencë të heshtur mes Presidentit Macron dhe kancelares Merkel për këtë çështje ?

Jacques Attali: Nuk dua të komentoj qëndrimet e shkuara. Për sa më takon unë kam qenë gjithmonë në favor të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin europian, e kam thënë dhe e diskutoj shpesh këtë me mikun tim kryeministrin Edi Rama, që e admiroj dhe përshëndes aksionin e tij kurajoz dhe efikas.

Sa i takon të ardhmes besoj se kjo çështje është mbyllur, të gjithë urojnë që procesi i anëtarësimit të Shqipërisë të fillojë dhe unë shpresoj që do të ecë mirë dhe sa më shpejt që të jetë e mundur.

Endri Xhafo-Abc Neës: : Mendoni ju që Shqipëria është gati ? Në 2015 keni thënë që Shqipëria nuk është gati, në një intervistë gjatë vizitës tuaj në Shqipëri . 

Jacques Attali : Në cilin vit zotëri ?

Endri Xhafo-Abc Neës: : Në 2015-ën.

Jacques Attali: E shihni pra që kanë kaluar 5 vjet.

Endri Xhafo-Abc Neës:: Pra është gati ?

Jacques Attali: Eshtë gati për të filluar procesin e negociatave, po. Për këtë asnjë dyshim!

Endri Xhafo-Abc Neës:: Faleminderit. Shumë e qartë. Faleminderit Zhak Attali për kohën tuaj dhe për intervistën tuaj mbi botën pas pandemisë së Covid 19 dhe perspektivën integruese të Shqipërisë në Bashkimin europian.

Jacques Attali: Ju faleminderit juve.   /abcneës.al