BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Histori me Vjosë

Histori me Vjosë

Një tufë delesh na zë rrugën, teksa kalojmë në aksin e vjetër Levan-Vlorë. Çobani iu çon habere, me një të tundur të kërrabës që mban në njërën dorë dhe delet që e kuptojnë shumë mirë të zonë, nisin të çapisin, duke liruar rrugën. “Prryyaaa”, iu flet ai. Thirrja në erë, përzihet me trokëllimën e shiut dhe bie përmbi damarë të asfaltit të rreshkur nga vitet, që ngjajnë aq shumë me damarët e duarve të tij të tendosura në kërrabë. Ndalojmë makinën. Njihemi me atë. E quajnë Ceno Dorda. Është me origjinë nga Tepelena, por jeton prej 30 vitesh në Ferras. Më saktë, banon në një stan ku frymojnë rreth 500 kokë dele. Stani është i ndërtuar në fushën mes Levanit dhe Ferrasit, përbri një kanali kullues, që shërben si një hinkë shfryrëse e ujërave të fushës, e njohur në përshkrimin që bënë në librin e vet Qerem bej Vlora. Në atë përshkrim zona e Frakullës dhe Levanit njihet për prodhimet e veta bujqësore dhe sidomos për fermën e gjedhëve dhe të kuajve, ndër të parat ferma moderne në Shqipëri. Bëhet fjalë për vitet 1905. Pronari i asaj ferme ishte Nuredin Bej Vlora. Ai kishte sjellë për herë të parë farëra të certifikuara nga pambuku, misri e prodhime të tjera Kishte mbjellë në atë fushë këto farëra ndërsa një pjesë të mirë të saj e kishte zënë me blegtori. Në shënimet e tij Qerem bej Vlora shkruan për këtë fushë dhe fermë, të cilën e përshkruan si një ndër fermat më të mëdha në zonën e Myzeqesë dhe në Shqipëri. Madje në pjesën perëndimore të fushës, afër bregdetit, në zonën Seman, ka ekzistuar edhe ferma e kuajve të Llazar Kilicës.

Nuredin Bej Vlora mbahet mend për këtë investim. Pavarësisht se ai dështoi kur solli makineritë bujqësore në portin e Vlorës, makineri të cilat u përgojuan se ishin armë dhe u konfiskuan nga pushteti otoman i asaj kohe. Ceno Dorda qëndron anës rrugës përballë tufës së deleve dhe tregohet i gatshëm të bashkëbisedojë. “Ju po shkruani për këtë zonë, apo për shirat dhe vërshimin e Vjosës”, pyet ai. Ndërkohë u dërgon një tjetër “prryyyss” disa deleve që tentojnë të rifuten në rrugën nacionale. Është rreth 50 vjeç, të paktën nën syrin tonë. Dhe është i mbarë në bisedë. “Që thoni ju, ne kemi 30 vjet si familje, që kemi zbritur këtu në Myzeqe. Nga Tepelena erdhëm. Merremi me bagëtinë. Ndërsa gjithë zona merret me bujqësi e blegtori. Janë punë të lodhshme, por i kemi përballuar. Të paktën nuk e kalojmë kohën kot”, plotëson i vetëdijshëm për atë që thotë. “Do të doja të shkruanit për problemet që kemi”, rinis bisedën duke na parë ngultas në sy. “Nuk besojmë se jeni përmbytur sërish nga Vjosa”, e pyesim. “Ah, buzëqesh Cenua, nga ujërat e Vjosës jo, por stani është me ujë që fle aty nga bllokimi i kanaleve kullues”. Kërcitja e dhëmbëve të deleve mbi sipërfaqen e barit të çelur anës rrugës dhe nën ferishtet sipër kanaleve të dikurshëm, nis e përzihet me trokitjet e pikave të shiut që rinis të bjerë. Ai ngre kapelën e veshjes prej plastmasi dhe rri pa folur një copë herë.

Më kujtohet viti 2017. Përmbytjet e shkaktuara nga vërshimi i Vjosës, në atë vend. Duke parë tufën e deleve të pashqetësuara nga shiu, më vijnë të gjalla pamjet e mbytjes së qindra kokë deleve në hapësirën mes asaj rrugë, fshatit Qarr dhe Boçovë. Ishim disa gazetarë të hipur në një rimorkio zetori dhe përpiqeshim të transmetonim pamjet apokaliptike teksa kalonim në një rrugë parcele toke. E gjithë fusha ishte nën ujë. Një çoban që nuk ia mësuam dot emrin, printe me një shkop të stërmadh në dorë një tufë prej dhjetëra kokë dele. Ngjante me Moisiun biblik teksa përpiqej e përpëlitej të çante rrymat e ujërave duke kërkuar të nxirrte në tokë të thatë tufën e tij. Arriti të shkonte në një ishull toke, një mezhdë e ngritur përfund ujërave, por me tufën e deleve të përgjysmuar. Gjysmën e tyre ia rrëmbeu uji.

Një dele tani nuk i ndahet Cenos. I përkëdhelet anës trupit, sikur e ndih atë të flas me ne. Por ai nuk ka histori për të na rrëfyer. E ledhaton të uruarën dhe e fton të bashkohet me tufën. Ndërsa na drejtohet: “Fatmirësisht nuk u përmbytën këtë vit. Vjosa nuk doli nga shtrati. Ne i morëm masat tona. I shmangëm nga fushat që mbajnë ujë. Të tjerët të marrin masat e tyre”. “Por, ti thua që stani yt është nën ujë”, e pyesim. “Është por jo nga Vjosa. Ata që duhet të punojnë për të pastruar kanalet, të punojnë. I kanë zënë frymën kanaleve kallamat dhe barishtet. Ndaj dhe uji nuk tërhiqet”. “Prryyyaaaa. Prryyaaaa”. Rrëmben dy thirrje të forta nga kraharori i vet dhe ua nis deleve. Nën shiun që bie butë, ne nisim makinën. Ia shohim siluetën që nis shuhet ngadalë mes tufës së bardhë. Siluetë, me kwrrabë në dorë si një Moisi biblik që e ka nxjerrë tashmë tufën e vet, në tokën e veshur me gjelbërim dimri.

Histori me Vjosë

Shkojmë drejt Urës së Mifolit. Dy urat e Ferrasit

Kur ndaluam makinën në hyrje të fshatit Ferras, përpara se të shkonim te zona ku Vjosa ka shtratin e saj dhe çdo vërshim, uji shkon në sinorin e vet, takuam Sefedinin. Ai është banor i fshatit Ferras. Ka një punishte druri dhe alumini, të ndërtuar nën trasenë hekurudhore Levan-Vlorë, në vendin ku dikur shtriheshin magazinat e drithërave të ish-NB Levan. Nga magazina e tij deri në Urën e Mifolit, nuk janë më shumë se 300 metra trase hekurudhore. “Këtë vit shpëtuam nga përmbytja e Vjosës”, thotë Sefedini. Ferrasi është një fshat që një lagje të tij e ka ndërtuar në shtratin e vjetër të Vjosës. Tutje në sfond duken shtëpi deri në tre kate me tulla të kuqe dhe të pasuvatuara. Në rreshtin e parë përballë rrugës për në Vlorë, duken tabela të shkruara dhe me numër telefoni që lajmërojnë se shtëpitë shiten. Ato i përkasin aradhës së banesave, të cilat sa herë vërshon Vjosa, përmbyten deri në 1 m brenda hapësirave të tyre të banimit. Njërën nga banesat e vendosura në shitje, e kam të fiksuar në një foto që kam bërë disa vite më parë. Për të treguar shkallën e dëmtimit dhe lartësinë e ujit në banesë vesha çizme L1 dhe me kamer në krahë, intervistova të zotët e asaj shtëpie, të cilët kishin hipur mbi soletë për të shpëtuar nga ujërat. Tani aty ujë nuk kishte asnjë pikë. Veçse ishte një tabelë ku shkruhej: “Shitet”.

“Të njëjtën tabelë jam gati ta shkruaj edhe unë për biznesin tim”, nis rrëfimin Sefedini. “Ka rënë shumë fuqia blerëse. Edhe ato punë që bëj, shënoj emrat në listë pritjeje. Dhe rri e pres të shlyhem ndërsa marr kredi bankare të vijoj punën”. “Rrezikohesh nga përmbytja e Vjosës”, e pyesim atë. “Jo këtë radhë jo. Argjinatura mbrojtëse përgjatë kanalit të Martinës në Cerven 2, që i themi ne, bëri punën e vet. Problemi qëndron te kanali vaditës. Deri në fund të Ferrasit ai është pastruar dhe betonuar. Ndërsa afër Qarrit është i ngushtuar dhe kërkon thellim dhe pastrim. Një vërshim ujërash e kthen atë pjesë të ngushtuar në një grykë bllokuese dhe ne përmbytemi nga kanali”, vijon ai shqetësimin. “Do të shkoni për në Cerven”, pyet befas. Cerveni është një lagje me rreth 20 shtëpi. Është i shtrirë përgjatë argjinaturës mbrojtëse të përfunduar në vitin e kaluar. Një investim i Bashkisë Fier në bashkëpunim me qeverinë shqiptare, me saktësisht në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes. Forca të ushtrisë dhe mjete të rënda bënë të mundur ndërtimin e saj përgjatë kanalit degë e Martinës, duke eliminuar vërshimin e Vjosës në këtë lagje. Pajtim Troka, banor i Cervenit e pohon këtë fakt. Por ngelet skeptik. “Kjo argjinaturë e kaloi me suksese këtë dalje të Vjosës. Por kam frikë në vijim. Nëse shtohet volume i ujit a do ta përballoj dot”, pyet ai. “Ju këtë radhë nuk u përmbytet apo jo”, pyesim. “Jo vetëm fushat që janë shtrati i vjetër i Vjosës. Me atë që kemi hequr vitet e shkuara ku çdo dalje e Vjosës, na detyronte të hipnim në soletat e kateve të dyta, jemi pak skeptikë”. “Të trembur nga më parë, apo nga investimi tani”, pyesim sërish. “Më shumë të trembur nga më parë”, buzëqesh ai. Në degën e kanalit të Martinës ka pak ujë. Oborret e shtëpive dikur të përmbytura, janë të mbushura me portokaj dhe limona. Mes gjelbërimit të gjetheve, ta bëjnë me sy, sikur shkelin qerpikë të verdhë, kokrrat e mandarinave dhe portokajve.

Bashkë me Sefedinin po vështronim dy urat mbi lumin Vjosë. E vjetra me harkore është ndërtuar rreth 80 vjet më parë. E dyta ura ku kalon linja hekurudhore dhe mjetet e transportit njëkohësisht është ndërtuar në vitin 1985. E ndërsa e para është dëmtuar e vjedhur në pjesët e saj metalike nga njerëz të pandërgjegjshëm dhe gati është jashtë funksionit, e dyta funksion për trenin Fier-Vlorë dhe automjetet. Sefedini është dëshmitar i gjallë i ndërtimit të urës së dytë. Ajo ka nisur të ndërtohet në vitin 1979. Ai ka qenë punëtor deri në përfundimin e saj në vitin 1984. “Ndërtimi i saj mblodhi në Vjosë, 150 punëtorë, njerëz nga shumë krahina të Shqipërisë, rreth e rrotull, përfshirë edhe Mifolin e Ferrasin”. Bisedojmë gjatë me atë. Sepse ai ka se çfarë të tregojë. Ajo që ne duam të kuptojmë është mënyra se si është ndërtuar kjo urë, e cila ndryshe nga ura e re e ndërtuar në autostradën Fier-Vlorë, mbi Vjosë, nuk ka prekur shtratin e lumit. E reja ka ngushtuar shtratin në mënyrë të konsiderueshme, duke krijuar tampon në dy anët e Vjosës dhe kjo sjell pengesë të lëvizjes së ujit drejt detit. Ndërsa ura e ndërtuar në vitin 1985, ka të tjera karakteristika dhe tjetër metodë ndërtimi sipas Sefedinit.

 “E mbaj mend shumë mirë, nis rrëfimin ai. Kemi punuar për 5 vjet të ndërtonim këtë urë. Zbatuam projektin e profesorit të mirënjohur Petraq Repi. Ai vinte gati çdo dy javë që shihte zbatimin e projektit. Ndërtimi nisi pasi vendosëm ura Beili. Sipër tyre vendosëm makineritë që vendosnin fillimisht pilotat e mbajtjes. Pastaj me sondat me goditje shpuam çdo këmbë ure. Nuk prekëm shtratin e Vjosës. Nuk hodhëm asnjë material shtesë inert në shtratin e saj. Përkundrazi, me anë të pilotave avanconim në dy krahët duke shpuar puset e bërë këmbët e urës. Thellësia e tyre arrinte 52 m. 12 metra ishte niveli i lumit Vjosë në atë kohë. 40 metra është thellësia e këmbëve të urës. Kanë prekur në gëlqeror këmbët e urës, në taban”. Ai përpiqet të bëjë përshkrimin sa më të saktë për ne. “I mbaj mend shumë mirë dy këmbët e mesit të urës. Aplikuam për herë të parë diametrin 2.5 metra të këmbës. Fillimisht shpuam pusin 1 metër në diametër pastaj 2m, dhe deri sa shkuam në 2.5 metër. Ishte hera e parë në Shqipëri që krijoheshin këmbë të përmasave të tilla, me thellësi 52 metra” shprehet ai. “Ishte vera e vitit 1984 kur u bashkuan dy pjesët e urës. Pilotat e mesit nuk janë hequr dhe ato janë akoma aty”, përfundon Sefedini. Vjosa është gërryer shumë në shtrat për shkak të gërryerjeve dhe marrje të inerteve ndër vite. Kjo ka sjellë edhe deformim të rrjedhës së saj. Teksa e shikoj këtë Janar, më kujtohet një histori e largët e vitit 1895 që ka ndodhur në zonën që përfshin fushën e Frakullës dhe Cakranit, me pjesën përballë të Trevllazërit në Vlorë. Kjo është pasqyruar në një raport të Konsullatës Austro-Hungareze të asaj kohe. Raporti i dërgohet qeverisë Austro-Hungareze nga ana e konsullit në Vlorë. Këtë fakt ma ka bërë të ditur historiani, ish-Drejtori i Muzeut Historik Fier, Nuri Plaku.

Një ishull rëre i krijuar nga tërheqja e ujërave të Vjosës, pas vërshimeve të herëpashershme të saj, u bë shkak i nisjes së një konflikti mes banorëve të zonës Fier dhe atyre të krahut matanë lumit, Vlorës. Një banor i zonës së Vlorës, mprehu qetë dhe nisi të punojë. Ai çau me parmendë një brazdë mbi atë sipërfaqe tokë, të harruar nga ujërat e lumit. Sipas një ligji të pashkruar, por të njohur mes bujqve, ai bujk që vendoste parmendën për herë të parë në një tokë, njihej verbalisht si pronari i saj. Alush bej Frakulla nuk mund të pranonte që ai ishull toke të merrej nga banorët e krahut të Vlorës. Ndaj nisi me parmendë banorë të zonës Frakull e Cakran të punonin atë ishull toke dhe të ishin ata pronarë të saj. Kjo solli kundërshtimin e palës tjetër. Grindja dhe sherri për atë ishull, çoi deri në përdorimin e armëve mes palëve. Në këto kushte, situata u përcoll në Portën e Lartë në Stamboll. Thuhet se Sulltani nxori një ferman ku iu kërkoi palëve të hiqnin dorë nga pretendimet e tyre. “Toka është e lumit dhe i përket lumit dhe vetëm atij”, thuhej në atë ferman. Që nga ajo kohë Vjosa sikur të ketë lexuar e mësuar përmendsh fermanin e vitit 1890 të firmosur nga Sulltani, nuk fal askënd që i merr tokën që i takon. Nuk fal askënd, asnjë banor apo fermer që ndërton apo mbjell në shtratin e saj. Kështu ka ndodhur dhe patjetër kështu do të ndodhë.