BREAKING NEWS

Publikohet bilanci i COVID, Ministria e Shëndetësisë zbulon sa raste të reja janë shënuar në 24 orët e fundit

Publikohet bilanci i COVID, Ministria e Shëndetësisë zbulon sa
x

Aktualitet

Koronavirusi i mori disa nga njerëzit më të shtrenjtë, Ylli Ndroqi jep lajmin e mirë: Bashkëshortes iu desh të përballej me një përkeqësim të papritur, por...

Koronavirusi i mori disa nga njerëzit më të shtrenjtë, Ylli

Presidenti i Ora Neës, Ylli Ndroqi dhe bashkëshortja e tij Mimoza Ndroqi kanë fituar me Covid-19 pas 15 ditëve betejë me virusin.

Ndroqi i përshkruan dy javët e qëndrimit në spital si ditë të vështira, ndërsa thotë se bashkëshortja e tij ka pasur një përkeqësim të papritur që falë reagimit të mjekëve në kohë ka shmangur pasojat fatale.

Familja e zotit Ndroqi është prekur rëndë nga Covid-19, pasi fatkeqësisht kanë ndërruar jetë njerëz shumë të afërt të tij, vëllai, motra, xhaxhai dhe kushërinj të tij.

“Prej më shumë se dy javësh jeta ime dhe e bashkëshortes sime u kufizua brenda një dhome spitali, nën mbikqyrjen e rreptë të një grupi të përkushtuar mjekësor, që niste e ngryste ditën mbi pacientët covid, në gjendje serioze”, shkruan ai ndër të tjera.

Mesazhi i plotë:

Përshëndetje nga jashtë spitalit tashmë,

Prej më shumë se dy javësh jeta ime dhe e bashkëshortes sime u kufizua brenda një dhome spitali, nën mbikqyrjen e rreptë të një grupi të përkushtuar mjekësor, që niste e ngryste ditën mbi pacientët covid, në gjendje serioze.

Serumet, terapia farmaceutike, skanerat, analizat, fizioterapia dhe orët e gjata të gjumit mbushnin çastet e pafundme të një pritjeje të lodhshme për daljen nga zona e rrezikut.

Por në asnjë nga ato momente ne nuk mbetëm vetëm dhe sado nën ankth ato kujtime do mbeten më të shtrenjtat për ne.

Sepse ishin ato ditë që na bënë të kuptojmë rëndësinë e shëndetit, që gjunjëzohet përballë një virusi të padukshëm, por edhe të përkushtimit të jashtëzakonshëm të disa profesionistëve, që nuk i ke takuar kurrë, që nuk flasin as gjuhën tënde dhe që në çdo çast sfidonin më të keqen, të papriturën, jo për një e dy, por qindra pacientë të kapur fort pas dëshirës për të rezistuar e jetuar.

Një falënderim me zemër për të nderuarin Prof. Dr. Mehmet Tarik Akber, që drejtoi një grup të tërë mjekësh, infermierësh, fizioterapistësh, punonjësish sanitarë të cilëve u përulem me mirënjohje për kujdesin, ngrohtësinë, mbështetjen, kurajon e mirësinë e pakursyer që na dhanë.

Në 15 ditë-netë kaluam prova shumë të vështira, prej kësaj sëmundjeje kam humbur gjysmën e familjes dhe rreziku mbetej tejet i lartë për mua. Bashkëshortes iu desh të përballej me një përkeqësim të papritur, që falë një reagimi në kohë rekord nga mjekët shmangu pasoja fatale.

Çdo punonjës i shëndetit, që na shpjegonte me durim se si reagonte trupi ynë orë pas ore dhe që përballonte beteja jete në çdo dhomë të spitalit, mrekullisht na lehtësonte pritjen ne dhe të afërmve tanë tronditur nga kjo situatë.

Edhe zonjat sanitare të papërtuara, që përpos aromës së larësve dhe dezinfektantëve, mbushnin dhomën tonë me buzëqeshje shpresë.

Edhe çdo asistent mjekësor, që na shoqëronte në lëvizjet e kufizuara prej pamundësisë fizike të sëmundjes, e me durim e ëmbëlsi na rikthente në shtrat për të na uruar “natën e mirë” si një njeri i familjes.

Janë të panumërt mjekët e infermierët që sot meritojnë falënderimet e mirënjohjen tonë, për jetën e dytë që na dhuruan ne dhe çdo pacienti covid, për sakrificën në emër të betimit për t’i shërbyer secilit si të qe i vetmi i sëmurë në atë spital.

Faleminderit miqve, të afërmve, të njohurve e të panjohurve, që mu gjendën me fjalë të mira, urime e mesazhe të panumërta kurajoje të cilëve u shpreh mirënjohjen time si ndjenjën më të shëndetshme njerëzore, si melhem për shpirtin.

Uroj për të gjithë ditë të mbara e shëndetplotë, me të dashur e miq pranë! Faleminderit me zemër!