BREAKING NEWS

Paralajmërimi i bujshëm i John Bolton: Ju tregoj si do të ndikojë roli i Joe Biden në bisedimet Kosovë – Serbi (VIDEO)

Paralajmërimi i bujshëm i John Bolton: Ju tregoj si do të
x

Aktualitet

Kryqëzimi i Rrapeve Fier

Kryqëzimi i Rrapeve Fier

“Marrë shkak nga rënia e djeshme e një rrapi, pjesë e monumenteve të natyrës, Rrapet e Fierit dhe sipas bisedës që zhvilluam dje, ku ju kërkuat markimin e drurëve që do priteshin, sot një grup i AdZM Fier bëri shënimin e drurëve duke përdorur ngjyrë të kuqe ose të gjelbër. Shenja është bërë në anën që shikon nga rruga dhe ka formën e një X. Me të kuqe janë ata që duhen prerë totalisht dhe nr i tyre shkon në 15 copë. Me jeshile janë drurët që do mbeten, por që kanë nevojë për heqjen e ndonjë dege të rrezikshme. Nr i tyre është 8 copë. Do ju lutesha që të na njoftonit kur të fillonte puna”. Kjo ishte shkresa, drejtuar Institucioneve, lidhur me fatin e rrapeve, të mbjellë atë dimër të vitit 1907, në hyrje të Fierit, me urdhër të Omer (ose Ymer) pashë Vrioni, Regjent i Shqipërisë, themelues i qytetit të Fierit në vitet 1870, i lindur më 1839 dhe vdekur në Fier më 1928.

Kryqëzimi i Rrapeve Fier

Dhjetëra, në mos qindra dimra rrapet e Fierit e kishin shmangur tragjedinë e vet. Derisa një mëngjes, të një dite të veshur me brymë Myzeqeje dhe mjegull Mallakastre, disa njerëz me penela në duar, nisën të pikturonin në trupat e tyre, sipër lëkurës së mbushur me rrudha dhe myshk, kryqe në dy ngjyra. Jeshile dhe të kuq. Më shumë se njëqind vjet më parë, një nga mbjellësit e këtyre rrapeve, myzeqari lulerritës Jorgji Kondakçiu, i sjell mjeshtërisht si figurë nga honet e historisë prej studiuesit dhe historianit Nuri Plaku, duke i mbjellë në hyrje të Fierit, do të bënte kryq para çdo rrënje rrapi.

Më shumë se 100 vjet më vonë, një grup specialistësh pyjore, pa e ditur këtë fakt, përsëritën simbolin e kryqëzimit ndër pemë. Ndryshe nga kryqi i lulerritësit, i cili para çdo fidani që mbillte, kryente një ceremoni me ngjyrim solemn, duke bërë kryqin me duar, si bekim për t’iu dhënë shpirt, jetë e gjelbërim, specialistët, me kryqin e vizatuar në trungjet e pemëve, ndoshta pa e ditur, po iu jepnin rrapeve, një mesazh doktrinor. Duke i markuar me ata kryqe dyngjyrësh, ftonin rrapet të luteshin për njëri-tjetrin njësoj sikurse njerëzit. E kuqja tregonte fundin, prerjen e tyre, shenjë treguese e fundit që gjithkush (edhe pemët pse jo) të jetë i përgatitur për të ikur nga kjo botë, në rastin konkret për t’u prerë. Kryqi i gjelbër, përkthehej në vijim të shenjtërimit të atij rrapi nga njeriu, ku ende frymon besimi për të jetuar. Shkurt ai rrap që mbante në shpinë atë shenjë, nuk do të pritej. Prej më shumë se 100 vjetësh, në palcën e atyre drurëve kishte humbur koha, Ishte kthyer në rrathë dhembshurie. Retë ishin tkurrur dhe kthyer në ujë. Uji ishte shpërbërë, ngurosur e balsamosur në rrathë zhgualli mbi lëkurën e kaftë. Rrathët ishin kërcur, mbledhur në ca forma gungash dhimbjeje (njësoj si gungat e krijuara nga reumatizma në trupat e të moshuarëve). Përballë gjithë kësaj, pemët mbanin kryet mes duarve të degëve dhe ëndërronin në çdo pranverë, njësoj si gratë para pasqyrës së tualetit, që patjetër duhej të bëheshin të bukura për sytë e mëtuesve të tyre. Pemët pra, stoliseshin për të mbetur të bukura në ata trungje të vjetër, vetëm e vetëm të mos i gjenin vjeshtat të trishtuara dhe të mos i kapnin gafil, të kërrusura dhe të mbushura me rrudha, dimrat. Gjatë verës, ëndërronin e luteshin të ktheheshin në një shteg të pafundëm të blertë, Nuk ka më të bukur se sa lutja dhe përgjërimi i rrapeve. Pa u ulur në gjunjë, me fisnikërinë që iu ka veshur shtatin, me degët mbërthyer në palcë të zemrës së drurit, si duar rrapesh, i janë lutur zotit për çdo verë. Mes puhizës që mbërrinte nga deti Adriatik, si një psalm kishtare në një meshë natyrore që nuk e dëgjon askush veç pemëve, ato rrape janë lutur e stërlutur që nën kurorën e tyre, atje mes damarëve të rrënjëve, ku kryqëzoheshin hijet, të merrnin hijen e kurorave të tyre dhe t’i vendosnin mbi flokë, vajzat e kësaj zone, e të ktheheshin në nuse muzash. Nga bukuria e tyre patjetër e ka marrë emrin dhe Myzeqeja dhe lutja iu ishte pranuar. Prej vitesh ata ishin tjetërsuar në shtegun e blertë të Fierit. Nën atë shteg bekoheshin hapat e nuseve, nga dera e vajzërisë, deri te dera e dhëndrit. Mes këtij shtegu kishte kaluar e stolisur, nga dera e vajzërisë së saj në qytetin e gurtë të Beratit, drejt derës së Isuf bej Vlorës edhe bija e vetme e Kurt Pashës. Por jo vetëm ajo.

Kryqëzimi i Rrapeve Fier

Në vijim të shkrimi të studiuesit Nuri Plaku thuhet: “Më vonë edhe disa nga bijat e derës së Vrionasve kishin kaluar pikërisht nëpër këtë shteg udhe. Ismete Vrioni, vajza e Omer Pashës ishte martuar me Fuat bej Libohovën, Merushe Vrioni, vajza tjetër e pashait ishte martuar me Sulejman Pashën, sanxhakbeun e Vlorës, Nezije Vrioni ishte martuar me Demir Pashë Bonatin, Myzejen Vrioni ishte martuar në Sarandë me Avni Bej Delvinën. Nga ky shteg kishin kaluar për të zbritur nuse në Fier Nasip Hanëm Vlora, bija e Mustafa Pashë Vlorës, motra e Syrja Bej Vlorës e cila u bë gruaja e Galip Pashë Vrionit. Madje edhe vajza e Abdyl Bej Frashërit, Emine Frashëri kishte ardhur nga Stambolli me det, kishte zbritur në Vlorë dhe kishte kaluar pikërisht nëpërmjet këtij shtegu për të hequr vellon e nusërisë në konakun e Kahreman Bej Vrionit. Edhe Mamudeja e shoqja e Sami Bej Vrionit e bija e Esat Pashë Toptanit do të vinte me det nga Stambolli e do të kalonte pikërisht te ky shteg”.

“Kujdeees”! Nuk është historia e rrapeve ajo që tërheq në këtë ditë vëmendjen e kalimtarëve. Janë specialistët e Bashkisë Fier dhe të ADZM që na tërheqin vëmendjen të ruhemi nga rrëzimi i trungjeve. Një zhurmë e stërmadhe, mbështjellë ajrin. Ajo zhurmë është një “ahh” i fortë që plandoset në tokë. 15 trupa pemësh 100-vjeçare tashmë nuk janë më, ngjajnë si 15 luftëtarë shekullorë të shtrirë, në grahmat e fundit të jetesës së tyre. “Le të marrim nga një copë prej tyre”, më thotë Orioni. “Ta mbajmë si kujtim nga rrapet”. Marrim nga dy copa druri, me pak lëkurë sipër, të prera me sharrë dhe e ngarkojmë në makinë.

Nuk di pse më vijnë ndër mend ato ditë dimri të vitit të largët 1907. Duhet të ketë qënë njësoj si tani. Thuhet se ndër vegimet e shumta që iu shfaqen pashallarëve, përveç shpikjeve të formulave dinake për të mbajtur pushtetin, kulisave dhe fjalëdhesave, premtimeve dhe gënjeshtrave, janë dhe lulet dhe pemët. Mos ka ndodhur kështu pas një ditë të gjatë lodhjeje me pritje dhe përcjellje edhe me Omer Pashën? Mos ndoshta lodhja e asaj dite stresi nga punët dhe përpjekjet për të mbetur përfaqësues i denjë i shtëpive të mëdha shqiptare, i sollën vegime të bukura pemësh dhe lulesh këtij njeriu? Për të mbajtur gjallë dhe lart namin e emrit dhe mbiemrit të vet, për të mbetur përfaqësues i denjë i oxhaqeve të Shqipërisë Jugore dhe të Mesme, ai vendosi të rriste këtë emër nëpërmjet edhe mbjelljes dhe rritjes së luleve dhe të pemëve.

Në skicën mbi Shtëpitë e mëdha, Eqrem bej Vlora ka lënë këtë vlerësim për Omer Pashë Vrionin: “Në njërin nga çifligjet e tij, Omer Pasha hodhi në vitin 1880 me mjetet e veta, themelet e qytetit të Fierit, i cili, në vitin që vdiq (1928) ishte bërë tashmë një qytet modern e i rëndësishëm bujqësor dhe tregtar. Ky burrë, me të drejtë gëzonte namin e njërit prej zotërinjve më të shquar dhe me të nderuar të kohës së parë. Falë krushqive të shumta që kishte bërë, ai mbahej si babagjyshi i pothuaj të gjitha oxhaqeve pak a shumë të rëndësishëm të Shqipërisë Jugore dhe të Mesme. Ai vetë mbajti për një kohë ofiqin e regjentit, shumë anëtarë të familjes së tij, duke qenë ministra dhe deputetë, kanë ndihmuar për rritjen e emrit të lartë të familjes në vend”.

Zhurma e makinës më sjell në vete. Pjesët e prera të rrapeve dremisin atje në garazh të makinës. Dy hyrë kanë dremitur këto pemë. Herën e parë kur ishin fidanë, kur u shkulën nga fushat e Janinës dhe u ngarkuan në karrocat prej druri të tërhequra nga buajt. Herën e dytë tani, që janë trungje të pajetë, të ngarkuara në mjetet e tonazhit të rëndë të bashkisë. Tre pjesë prej drurëve, dremisin në makinën tonë. Nëse herën e parë ishte ceremonia e pagëzimit me kryq për jetë e shëndet, tashmë 15 kryqet e kuq, mbi trungjet e pajetë janë si shenja të meshës së fundit të rrapeve të Fierit.

Më të lexuarat