BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Aktualitet

Laboratori i heroinës në Has, kalon për gjykim një pjesë e dosjes “339”, merren të pandehur 25 persona

Laboratori i heroinës në Has, kalon për gjykim një

Gjykata e Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e SPAK dhe ka dërguar për gjykim një pjesë të dosjes së shumëpërfolur 339. Të pandehur në këtë dosje janë marrë 25 persona të akuzuar për prodhim dhe trafik droge në bashkëpunim, grup të strukturuar kriminal dhe pastrim parash. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me datë 17.01.2020 paraqiti në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për gjykimin e procedimit penal Nr.29/1, të vitit 2019 (akte të transferuara për kompetencë nga procedimi penal Nr.339/2016 i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë) në ngarkim të të pandehurve Astrit Balliu (alias Avdyli, Sulejmani), Altin Avdyli, Jasin Kala (alias Avdyli), Gjevi (alias Xhevahir) Ndoka, Esat Mehmeti, Petrit Sulejmani, Saimir Sulejmani, Hajri Seferi, Orges Jahelezi, Shkëlqim Avdyli, Denis Llaftiu, Saimir Gjepali, Mario (alias Edinjo) Zeqiri, Elton Shehaj, Fatos Llaftiu, Ardit Gjyriqi, Admir Hoxha, Hekuran Hoxha, Iskënder Sale (alias Mehmet Gjini), Xhemal Shala, Xhevit Shuti, Flamur Çelaj, Vehbi Berushi, Mustaf Shuti, Anila Shuti, të akuzuar për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Prodhimi dhe fabrikimi i lëndëve narkotike dhe psikotrope”, në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal’’, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale’’, në bashkëpunim, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, në bashkëpunim, të parashikuara nga nenet 283/a/1, 284/c, 28/4, 287/1 gërma “b”, 25, 333/a/1, 334/1, 283/2 të Kodit Penal. Gjatë hetimit të këtij procedimi penal janë ngritur akuza dhe dërguar për gjykim, edhe 38 të pandehur të tjerë, për të cilët vazhdon gjykimi. Deri tani në kuadër të këtij procedimi penal janë dërguar për gjykim gjithsej 63 të pandehur. Po kështu në kuadër të hetimeve të këtij procedimi janë sekuestruar deri tani me qëllim konfiskimin, pasuri të paluajtshme (truall në bregdet) me sipërfaqe 300.000 (treqind mijë) m2, e cila ka qenë pronë shtetërore e përfituar në mënyrë të paligjshme nga anëtarët e grupit kriminal. Gjithashtu janë sekuestruar hotele, apartamente, automjete, me një vlerë prej rreth 5.000.000 (pesë milion) euro. Hetimet në lidhje me këtë procedim penal vazhdojnë.

Operacioni “Vol-vo 4”

Gjatë hetimeve në operacionin e koduar “Vol-vo 4”, prokuroria goditi 4 grupe kriminale si dhe zbuloi një laborator të përpunimit të heroinës në Has. Gjatë këtij operacioni u arrestuan 63 persona të akuzuar për vepra të ndryshme penale. Përveç 25 personave të marrë të pandehur për trafik droge, pjesa tjetër e të arrestuarve akuzohen për tjetërsim pronash, shpërdorim detyre, apo manipulim të zgjedhjeve. Kjo dosje voluminoze është ndarë në shtatë nënçështje. SPAK rreth një muaj më parë dërgoi në gjykatë një nga nënçështjet e kësaj dosje, më konkretisht atë të laboratorit të drogës në Has, ku 4 grupe të strukturuara kriminale bashkëpunonin me njëri-tjetrin për trafikun e drogës. Hetimet nisën në dhjetor 2016 pas arrestimit të 3 personave në Kavajë, tashmë të dënuar për trafik heroine. Më pas prokuroria zbuloi se pas tyre fshiheshin persona me influencë në zonën e Shijakut. Ata trafikonin kokainë dhe heroinë nga Kolumbia dhe Turqia për ta shpërndarë në Europë ku dërgonin edhe kanabis. Në përgjime dilnin ata që njihen si “Avdylajt e Shijakut”. Këtij grupi, me degë në Durrës, Lezhë, Fier e Sarandë, iu kap në Itali në shkurt të 2017-ës një dërgesë me 2 ton kanabis. Më herët Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dërguar për gjykim 38 të pandehur të tjerë, për të cilët vazhdon gjykimi. Pas hetimeve janë sekuestruar dhe konfiskuar, pasuri të paluajtshme truall në bregdet me sipërfaqe 300 mijë m2, e cila ka qenë pronë shtetërore e përfituar në mënyrë të paligjshme nga anëtarët e grupit kriminal. Gjithashtu janë sekuestruar hotele, apartamente, automjete, me një vlerë prej rreth 5 milionë euro. Hetimet në lidhje me këtë çështje vazhdojnë. Pjesë e dosjes janë edhe ish-deputetët socialistë Arben Çuko dhe Arben Ndoka që po përballen në gjykatë njëri për shpërdorim detyrë si ish-drejtor i burgjeve dhe tjetri për çështjen e tjetërsimit të pronave në Lezhë.