BREAKING NEWS

Vetëflijimi, ekspertët ngrenë alarmin pas ngjarjes në Kombinat: Të thellohet hetimi!

Vetëflijimi, ekspertët ngrenë alarmin pas ngjarjes në
x

Aktualitet

Lufta në prapaskenë për medikamentet që luftojnë Covid-19, roli i madh i Kinës e Indisë dhe beteja financiare mes shteteve

Lufta në prapaskenë për medikamentet që luftojnë

Gazeta prestigjioze “The Telegraph” i ka kushtuar një rëndësi betejës mbi kurimin e Covid-19. Ka shumë ilaçe që qarkullojnë dhe disa shtete i kanë ndalur, por lindin dyshimet se e gjitha ka të bëjë me betejën mes shteteve kush e kush të korrë sa më shumë fitime.

Përse bota sot ka nevojën e kompanive farmaceutike kineze dhe indiane për të mposhtur koronavirusin?

Kompanitë më të mëdha farmaceutike në botë janë amerikane dhe europiane, por këto kompani dhe industria farmaceutike në tërësi mbështeten në zinxhirët e furnizimit global, dhe në veçanti në furnizimin nga Kina dhe India. Për ta vendosur nën kontroll pandeminë, qoftë përmes trajtimeve të tilla siç është remdesivir, anti-virusali i cili është shpallur nga Mbretëria e Bashkuar se mund të përdoret për rastet më akute të Covid-19, ose edhe për prodhimin e një vaksine në të ardhmen, bota varet nga farmaceutikët. Dhe përfshirja e Kinës dhe Indisë do të jetë thelbësore nëse do të duam që të vendosim nën kontroll pandeminë.

Zinxhiri i furnizimit

Zinxhiri i furnizimit me prodhime farmaceutike përfshin dy faza kryesore. E para është prodhimi i përbërësve aktivë farmaceutikë (API), të cilët janë pjesët kryesore të një ilaçi që japin efekt. Faza e dytë është një proces fizik i njohur edhe si prodhim i formulimeve. Për më shumë se një dekadë, Kina ka qenë prodhuesi më i madh në botë i API-ve, duke siguruar rreth 40% të të gjithë API-ve që përdoren në të gjithë botën. India është prodhuesi i tretë më i madh i farmaceutikëve në botë për nga vëllimi, që mendohet se furnizon rreth 20% të eksporteve globale të ilaçeve "gjenerike", që nënkupton ilaçe që nuk janë më nën patentë. India është gjithashtu furnizuesi kryesor i ilaçeve për vendet e ndodhura në hemisferën jugore, duke bërë që agjencia kryesore e ndihmës shëndetësore Medecins Sans Frontieres ta quajë "farmacia e botës në zhvillim". India është dhe prodhuese kryesore e vaksinave me Institutin e Serumeve të Indisë (India’s Serum Institute) për nga vëllimi, duke siguruar shumicën e vaksinave të fëmijëve në Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH) dhe Unicef. Sidoqoftë, edhe para pandemisë, ka pasur shqetësime të konsiderueshme për ca kohë në lidhje me natyrën e globalizuar të industrisë farmaceutike dhe vulnerablitetin e saj. SHBA dhe Europa nuk prodhojnë më shumicën e trajtimeve të zakonshme dhe në këto aspekte janë tërësisht të varura nga India dhe Kina. Gjithsesi deri tani nuk ka pasur shqetësime se Kina prodhimin e medikamenteve apo vaksinës që do të nevojiten për trajtimin e pandemisë do ta mbajë për vete dhe për pasojë tregjet botërore do të përballen me mungesa.

Medikamentet dhe gjeopolitika

Tensionet u përshkallëzuan në fillim të marsit kur India njoftoi kufizime në eksportin e 13 API, duke përfshirë paracetamolin, tinidazolin, vitaminën B1, B6 dhe B12, si dhe çdo formulim të bërë nga këto. Raportet u shfaqën në lidhje me shqetësimet mbi mungesat e medikamenteve kudo tjetër në botë, si rezultat, me industrinë europiane që thuhet se është "panik". Më 21 mars, qeveria indiane njoftoi një skemë 140 milionë dollarë amerikanë për të mbështetur tre blloqe industriale të ilaçeve, si dhe prodhimin e 53 API, të cilët kishin përparësi, për të "zvogëluar varësinë nga vendet e tjera për barnat. Tensionet u përshkallëzuan pasi hidroksilklorina (dhe një ilaç i ngjashëm me ilaçet chloroquine) u shfaqën si një trajtim i mundshëm për Covid-19 pas rezultateve pozitive nga një studim francez, studim që tashmë është hedhur poshtë. Më 14 mars, Mbretëria e Bashkuar njoftoi një ndalim eksporti për hidroksilklorinën. Pas kësaj, Donald Trump filloi ta promovojë shumë këtë medikament duke pretenduar se ishte duke e përdorur edhe vetë në përpjekje për të parandaluar një infektim të mundshëm nga koronavirusi i ri. Megjithëse firma Udrug Mylan njoftoi se do të rifillonte prodhimin e hidroksilklorinës në Virginian Perëndimore, ishte e qartë që SHBA dhe pjesa më e madhe e botës do të kërkonte furnizim nga India nëse ky ilaç do të ishte efektiv në trajtimin e sëmundjes. India vlerësohet se prodhon 70% të hidroksiloklorinës në botë, me anë të Ipca Labs dhe Zydus Cadila, të cilët janë dy prodhuesit më të mëdhenj të ilaçeve në vend. Administrata e Ushqimit dhe Barnave e SHBA kishte kufizuar eksportet e Ipca nga disa prej objekteve të saj në SHBA për shkak të shqetësimeve për cilësinë. Por, me tërheqjen e një vëmendje të tillë mbi efektet e hidroksiloklorinës, SHBA hoqi ndalimin e furnizimit më 23 mars. Megjithatë, qeveria indiane dëshironte të siguronte se kishte furnizim të mjaftueshëm për nevojat e veta të brendshme. India rekomandoi hidroksiloklorinën për trajtimin e rasteve me rrezik të lartë dhe, më 4 prill, me gjithë shfaqjen e dyshimeve për efektivitetin e hidroksiloklorinës, qeveria ndaloi eksportin e saj pa asnjë përjashtim. Përgjigja e Presidentit Trump ndaj një mase të tillë të marrë, e cila dëmtonte mes të tjerash edhe tregun amerikan të medikamenteve nuk zgjati shumë, dhe Trump kërcënoi se këto masa mund të pasoheshin nga një hakmarrje në momentin që India nuk do të vazhdonte furnizimin e Shteteve të Bashkuara me hidroksiloklorinë. India bëri një kthesë të shpejtë dhe hoqi ndalimin e plotë të eksportimit të saj vetëm tre ditë pasi e kishte vendosur. Ndërkohë që efektiviteti i hidroksiloklorinës është ende i diskutueshëm, duke pasur parasysh edhe reagimin e OBSH që e konsideroi të paefektshëm pavarësisht zërave pozitivë të ardhur nga praktika, grindja mbi medikamentin është një shfaqje e vogël e sfidave me të cilat duhet të përballen qeveritë botërore në momentin që do të kemi një vaksinë apo një trajtim të gjithëpranuar. Të kesh Kinën dhe Indinë si partnerë prodhues për çdo trajtim ose vaksinë, do të jetë jetike duke pasur parasysh aftësinë e tyre të pashembullt për të prodhuar farmaceutikë në vëllime të larta dhe me çmim të ulët. Aftësitë prodhuese ekzistojnë gjithashtu në Kinë dhe Indi për dy trajtime të tjera të mundshme, favipiravir për trajtimin e gripit dhe remdesivir (në pronësi të firmës amerikane Gilead Sciences).

Pengesat e patentave?

Remdesivir dallon nga ilaçet e tjera që kanë tërhequr vëmendjen si trajtime Covid-19, pasi Gilead zotëron patentën e Remdesivir, duke ngritur shqetësime serioze për çështje të pronësisë intelektuale që kufizojnë aksesin në ilaçe ose vaksina. Në rast të urgjencës së shëndetit publik, rregullat e tregtisë globale lejojnë qeveritë të lëshojnë një licencë të detyrueshme. Kjo i lejon një prodhuesi të prodhojë një ilaç pa lejen e mbajtësit të patentës, i cili paguhet “afrofe” (simbolike). Vendet përfshirë Kilin, Ekuadorin, Izraelin, Kanadanë dhe Gjermaninë janë përpjekur ta bëjnë më të lehtë lëshimin e një licence të detyrueshme, nëse është e nevojshme, për Covid-19. Ndoshta për t’i paraprirë një veprimi të tillë, Gilead njoftoi më 12 maj se kishte lëshuar marrëveshje licencimi vullnetare për remdesevir për një kompanie në Pakistan dhe katër kompani në Indi. Gilead gjithashtu ka hyrë në diskutime me Patentatimin e Medikamenteve, një agjenci e mbështetur nga Kombet e Bashkuara, e cila përpiqet të rrisë aksesin ndaj trajtimeve për HIV/AIDS, hepatitin C dhe tuberkulozin. Kërcënimi i një patente që parandalon aksesimin në një trajtim të ri është gjithmonë aty. Sidoqoftë, në rastin e remdesivirit shenjat deri më tani kanë qenë pozitive që Galaad do të hyjë në marrëveshje për ta bërë ilaçin në dispozicion të disa ndërmarrjeve të tjera, duke marrë parasysh urgjencën e shëndetit publik.

E mira publike globale

Çdo vaksinë e ardhshme përballet me një sfidë jo vetëm për të qenë efektive, por gjithashtu kërkon kapacitete të mëdha prodhuese për të arritur të jetë e aksesueshme për pjesën më të madhe të popullsisë së botës. Sipas Koalicionit të Inovacioneve të Gatishmërisë Epidemike, i cili financon punën për vaksinat, tani ka më shumë se 200 vaksina kandidate në përpjekje për të qenë të suksesshme në trajtimin e koronavirusit. Ndërsa 42% janë në Amerikën e Veriut, Kina po shfaqet si një pararojë me gjashtë nga dhjetë vaksinat e mundshme të cilat tashmë kanë përparuar në testimet tek njerëzit që janë në zhvillim e sipër. Shumë shpresë mbahet tek një vaksinë që po zhvillohet në Universitetin e Oksfordit, e cila filloi testimet njerëzore në prill për të cilat AstraZeneca-s i është dhënë të drejtat e licencimit të zhvillimit, marketingut dhe shpërndarjes në të gjithë botën. Kompania e Mbretërisë së Bashkuar ka marrë gjithashtu më shumë se 1 miliard dollarë amerikanë në mbështetje të vaksinës nga Autoriteti i Kërkimeve të Avancuara Biomjekësore i SHBA. Edhe AstraZeneca është në diskutime mbi rritjen e prodhimit dhe shpërndarjes me Institutin e Serumeve të Indisë, i cili tashmë po bashkëpunon me Oxford për vaksinën. Përveç përfshirjes me vaksinën e Oksfordit, Instituti i Serumeve i Indisë po punon gjithashtu me Codagenix me qendër në SHBA për të zhvilluar një vaksinë. Prodhues të tjerë në Indi që përpiqen të zhvillojnë vaksina përfshijnë Bharat Biotech (me Universitetin e Wisconsin-Madison dhe FlyGen), Zydus Cadila, Biological E, Immunologicals Indian dhe Mynvax. Duke pasur parasysh mundësinë e valëve të mëtejshme të infeksionit (përveç nëse miliarda njerëz nuk vaksinohen) çdo vaksinë efektive duhet të prodhohet në shkallë të konsiderueshme, një detyrë e cila do të varet nga përfshirja kineze dhe indiane. Më 4 maj, një numër vendesh dhe organizata globale shëndetësore angazhuan 7.4 miliardë euro për një qasje të koordinuar ndaj Covid-19 përmes zhvillimit të vaksinave, trajtimeve dhe diagnostikimeve. Ndërkohë që Kina, Mbretëria e Bashkuar dhe disa vende të mëdha europiane morën pjesë, SHBA, Rusia dhe India munguan, duke çuar në frikën e "nacionalizmit të vaksinave". Sigurisht, shumë varet nga fakti nëse Kina dhe India ndajnë produktet e prodhimit të tyre me pjesën tjetër të botës. Kufizimet e Indisë për eksportimin e barnave kryesore në mars (megjithëse u rrëzuan më vonë) janë një shenjë shqetësuese për atë që mund të na presë në të ardhmen. Historia e fundit nga zbutja e ndikimit të HIV-AIDS tregon përfitimet e mëdha për qasjen globale në ilaçe, kur India është e përfshirë. Në vitin 2001 firma indiane Cipla njoftoi se mund të prodhojë një vit furnizim të trajtimit anti-retroviral për 350 dollarë (dhe kostoja që ka tani arrinte deri në 100 dollarë në vit), në krahasim me 10,000 dollarë amerikanë që ishte çmimi i kërkuar nga kompanitë në atë kohë. Megjithë frikës së ditës së qametit (fundit të botës) dhe mënyrës se si mund të veprohet në mes të një krize globale të shëndetit publik, Kina nuk ka lëshuar ende ndonjë kufizim ose ndalim të eksportit të mallrave mjekësorë. Edhe pse shpesh shihet në SHBA si një varësi e rrezikshme nga Kina, ajo që shpesh anashkalohet është se Kina mbështetet nga SHBA dhe vendet kryesore të Europës për disa nga ilaçet e saj. Në vitin 2019, Gjermania ishte burimi më i madh i importeve të ilaçeve në Kinë, i ndjekur nga Franca, SHBA, Italia dhe Suedia. Pjesa më e madhe e ilaçeve kundër kancerit në Kinë importohen. Kjo ndërvarësi në farmaceutikë, në vend se varësi, do të thotë që Kina nuk mund të marrë një vendim aq të shpejtë për të mos lejuar eksportimin e medikamenteve siç mendohet nga disa. Duke u përballur me frikën e "nacionalizmit të vaksinave", Presidenti i Kinës Xi Jinping njoftoi në Asamblenë Botërore të Shëndetit në 18 maj se "studimi dhe prodhimi i vaksinave anti Covid-19 në Kinë, kur të jetë e mundur, do të bëhet në një të mirë publike globale, e cila do të jetë kontributi i Kinës për të siguruar mundësinë e vaksinimit dhe përballueshmërisë edhe në vendet në zhvillim". Vartësia dhe ndërvarësia e globalizmit janë ekspozuar si pasojë e pandemisë së Covid-19, një ekspozim që ka ndodhur në asnjë fushë tjetër më shumë se në industrinë farmaceutike. Ndërsa mund të jetë një kompani amerikane ose një laborator i Oksfordit, i cili do të konsiderohet si hero për gjetjen e një trajtimi ose vaksine, detyra dhe vështirësia nuk ka të bëjë vetëm me zbulimin e një trajtimi ose vaksine që funksionon, por vënien në dispozicion të sa më shumë njerëzve në një kohë sa më të shkurtër të jetë e mundur. Realizimi i suksesshëm i kësaj detyre është e vështirë të mundësohet pa përfshirjen kineze dhe indiane. Covid-19 injoron kufijtë, dhe zgjidhja për ta luftuar atë është anashkalimi i ndasive kufitare.

Përktheu e përshtati: Sonila Elezi