Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Pazar për lirimin e të arrestuarit, pranga avokates dhe 2 sekserëve, nën hetim prokurori

Postuar: 21/09/2018 - 07:57

Një hetim për korrupsion i nisur kryesisht vetëm nga një përgjim telefonik ka përfunduar me prangosjen e një avokateje dhe hetimin e një prokurori në prokurorinë e Tiranës. Avokatja Donata Lepenica është arrestuar mbrëmjen e djeshme pas një urdhër-arresti të lëshuar nga prokurori i krimeve të rënda Dritan Prenci dhe të pranuar nga gjykata. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimet për prokurorin Përparim Hasa. Gjithashtu për këtë çështje janë arrestuar dhe dy shtetas të tjerë, të konsideruar si ndërmjetësit ose sekserët. Ata janë Yzeir Bala dhe Megi Naksi. Hetimet kanë nisur që prej një jave, ndërsa prej 4 ditësh, Krimet e Rënda kanë bllokuar serverin e kamerave të sigurisë së Prokurorisë së Tiranës për të hetuar mit marrjen e një prokurori. Sekuestrimi i kamerave të sigurisë së një institucioni si Prokuroria e Tiranës, ndodh për herë të parë. Çështjen në fjalë po e heton prokurori Dritan Prençi i cili ka kërkuar edhe urdhër-arrestet për avokaten dhe dy personat e tjerë. “Specialistët për Hetimin e Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Ndërmjetësi”, bënë ekzekutimin e Vendimit Penal të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, e cila ka caktuar masën e sigurimit “Arrest me burg”, për shtetasit: Donata Lepenica, 57 vjeçe, banuese në Tiranë (avokate private në qytetin e Tiranës). Yzeir Bala, 32 vjeç, banues në Tiranë. Megi Naksi, 31 vjeçe, banuese në Tiranë”, njoftoi zyrtarisht Policia e Tiranës, pasi lajmi u bë publik në media. Këta persona akuzohen për veprën penale “Korrupsioni aktiv i Gjyqtarit, Prokurorit dhe funksionarëve të tjerë të drejtësisë e kryer në bashkëpunim”, ndërkohë hetimet pritet të hedhin më shumë dritë, sa i takon pozicionit të prokurorit, i cili e ka mohuar një gjë të tillë.

Hetimet

Ndërkohë që Policia e Tiranës, zyrtarisht nuk dha informacione më të detajuara për shkak të hetimeve, burime bëjnë të ditur se korrupsioni është zbuluar nga përgjimet telefonike të avokates me klientin e saj. “Për shkak të hetimit nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera. Policia e Tiranës nën drejtimin e Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë, vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale”, shkruhet në njoftimin zyrtar të policisë. Burime thonë se nga këto përgjime, ka rezultuar se avokatja, i ka thënë klientit të saj, i akuzuar për “Trafikim të lëndëve narkotike”, se çdo gjë e kishte zgjidhur me prokurorin, në këmbim të një shume prej 2 mijë eurosh. I arrestuari është kapur me 3 gramë lëndë narkotike dhe kërkonte që të vihej ndaj tij masa e sigurisë “Arrest në burg”. Ndërkohë, policia e Tiranës ka referuar çështjen, pas dyshimeve për masën e sigurisë dhe pas kësaj janë kryer hetimet e para të cilat deri më tani kanë zbuluar dhe vënë nën pranga vetëm avokaten dhe qytetarë të tjerë, të cilët dyshohet të kenë transportuar lekët dhe kenë luajtur rolin e sekserit. Pas sigurimit të përgjimit me klientin e saj, Krimet e Rënda, rreth pesë ditë më parë, ka sekuestruar kamerat e sigurisë në godinën e organit të akuzës së kryeqytetit, pasi dyshohet se avokatja i ka çuar lekët në zyrë, ndërkohë, biseda me të burgosurin është bërë disa minuta pas daljes nga Prokuroria e Tiranës. Përpos të gjitha dyshimeve të ngritura, burime pranë hetuesve thonë se mbi përfshirjen e prokurorit në këtë çështje pritet të hedhin më shumë dritë kamerat e sigurisë, të cilat janë duke u vëzhguar nga oficerët, por për shkak të orëve të shumta të regjistrimeve, janë ende të paqarta rezultatet dhe për këtë organi i akuzës nuk ka kërkuar një masë për prokurorin Hasa, të cilit vetëm i është njoftuar së është nën hetim. Përpos kontrollit të kamerave të sigurisë, Hasës pritet t’i ushtrohet kontroll në banesën e tij dhe në zyrë, ndërkohë gjatë këtyre dy ditëve, avokatja Lepenica dhe dy të arrestuarit e tjerë, pritet të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda për rivlerësimin a masës së sigurisë. 

Elvis Myrta

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 0

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 10/12/2018 - 22:55

Një aksident ka ndodhur para pak minutash pranë Farit, te  Liqeni Artificial të Tiranës.Burime nga vendngjarja raportojnë se vetëm një makinë është përfshirë në aksident, dyshohet për të plagosur, ndërsa ende nuk

Postuar: 10/12/2018 - 22:51

Studentja Gresa Hasa tha se protestat e ndryshme në vend kanë ndikuar tek protesta e studentëve.

Postuar: 10/12/2018 - 22:44

Në media janë publikuar mesazhe të drejtorëve të gjimnazeve në Tiranë ndaj mësuesve, se nëse nuk

Postuar: 10/12/2018 - 22:01

Pedagogu Edmond Tupja tha se studentët kanë nevojë për një lider që t’i përfaqësojë në mëny

Postuar: 10/12/2018 - 21:58

Në vigjilje të zgjedhjes së anëtarëve të KLP-së, reagon kryeprokurorja Arta Marku.

Postuar: 10/12/2018 - 21:32

Në një intervistë për emisionin ‘A Show’ Blendi Fevziu e sheh si një fenomen të zakon

Postuar: 10/12/2018 - 21:21

I ftuar në “A show”, përballë Adi Krastës, gazetari Blendi Fevziu, foli për protestat