BREAKING NEWS

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre ‘Rithemelimit’, arsyet e vërteta të distancimit të grupit të Bardhit nga Lulzim Basha, panikun që ka shpërthyer brenda tyre dhe lajmet e hidhura që e presin Sali Berishën

Ilir Demalia zbardh kulisat: Ju tregoj kurthin që Edi Rama po i ngre
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’, përveç Metës, Berishës dhe Shkëlzenit rrezikon prangat një juriste amerikane, ish-presidenti po përgatitet për ditët e zeza në SPAK, ja strategjia që po ndjek për të shpëtuar nga arresti me burg...

Idajet Beqiri: Kanë mbaruar hetimet për dosjen ‘CEZ-DIA’,
x
BREAKING NEWS

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për të monitoruar SPAK dhe përmbysur reformën në drejtësi, ja pse është alarmuar “Treknëdëshi i Bermudës”

Rama-Meta-Berisha ulen bashkë në tryezën e pazarit për
x
BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x

Aktualitet

Punë ka, por nuk ka njerëz/ Kush po i lë bizneset shqiptare pa punonjës?

Punë ka, por nuk ka njerëz/ Kush po i lë bizneset shqiptare pa

Sektorët që sigurojnë punësim masiv si bujqësia, fasoni, turizmi kanë dhënë alarmin për mungesën e fuqisë punëtore, duke ulur pretendimet për kualifikimin. Përfaqësues të tyre pohuan se mungesa e forcës së punës ishte shqetësimi kryesor për aktivitetin në vitin 2019. Pagat e ulëta dhe emigracioni i lartë janë shkaqet kryesore, teksa bizneset kanë mbetur pa zgjidhje. Në dekadën në vijim, INSTAT parashikon se popullsia në moshë pune do të bjerë me ritme më të larta se popullsia e përgjithshme.

Para se të nisë punën herët në mëngjes në serën pranë shtëpisë, Stavrit i duhet të udhëtojë që me natë gati 15 kilometra nga fshati i tij Gradishtë për të marrë dy punëtorët e tij që e ndihmojnë gjatë kulmit të sezonit. Ai zotëron një nga fermat më të mëdha në zonën e Lushnjës, por së fundmi gjetja e punonjësve është kthyer në një sfidë që po i krijon kosto. Situata pritet të përkeqësohet, pasi të rinjtë nuk duan të punojnë në bujqësi, por të emigrojnë, ndërsa më të vjetrit ata që e kanë të lidhur jetën me fshatin nuk po arrijnë të përballojnë intensitetin që kërkon puna në fermë, thotë Stavri.

Mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një problem madhor për të gjithë sektorët. Përfaqësuesit e industrisë kryesore në vend pohuan se përveç ambientit jo shumë favorizues për sipërmarrjet, mungesa e fuqisë punëtore është kthyer në një sfidë për të cilën zgjidhjet janë të vështira.

Industria fason, bujqësia dhe turizmi kanë filluar të vuajnë më së shumti mungesën e punonjësve. Por ankesa janë vërejtur në të gjithë sektorët, sidomos në shërbimet publike të mjekësisë.

Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler, pohon se “vala e migracionit po bën që ndërmarrja të zbrazet nga mëngjesi në darkë dhe ty si biznes të duhet të gjesh mënyrën sesi t’i zëvendësosh”. Situata është shumë e dukshme, sidomos në disa zona të vendin si Librazhdi, Puka apo të ngjashme. “Kompanitë sot nuk mund të shkojnë dhe të hapin një filial të ri në këto zona, sepse nuk ka forcë të mjaftueshme pune. Edhe ata që kanë tentuar, janë kthyer sërish në Tiranë”, pohoi ai.

Në vështirësi për punonjës janë edhe bizneset e fasonit në Shkodër, Durrës dhe Korçë. Kompania Grori në Durrës me aktivitet në fasoneri, pohoi se vitin e kaluar ishin 300 vende pune të paplotësuara, ndërkohë që mungonte tërësisht kërkesa për punë. Mungesa e specialistëve shëndetësorë në vitet e fundit ka prekur edhe spitalet rajonale dhe qendrat universitare, për shkak të nivelit të lartë të emigracionit.

Shoqata “Together for Life”, e mbështetur financiarisht nga “Friedrich Ebert Foundation Tirana”, ka realizuar një studim ku ka marrë në pyetje 1000 mjekë lidhur me shkaqet e largimit të tyre nga Shqipëria. Studimi gjeti se 78% e mjekëve janë gati të largohen nga Shqipëria. Mungesën e fuqisë punëtore po e vuan edhe sektori i turizmit. Kërkesa për të pushuar në Shqipëri po rritet nga viti në vit dhe hotelet po i përgjigjen këtij fluksi duke rritur kapacitetet e akomodimit, por gjetja e punonjësve është bërë e vështirë.

“Kemi vështirësi në gjetjen e punonjësve. Mjafton të duan të punojnë se trajnimin e ofrojmë vetë. Trajnimet e duhura i kemi realizuar, edhe pse me kosto të larta për ne, pasi me rastin e parë, ose kanë ikur jashtë ose janë zhvendosur në pikun e sezonit në jug të vendit”- thotë Fatos Çerenishti, drejtues i FAFA Resort në Golem. Ai ka investuar ndjeshëm vitet e fundit në rritjen e kapaciteteve hoteliere, në një kompleks të ri, në përgjigje të shtimit të kërkesës nga turistët e huaj.

Në një dimension tjetër, mungesën e punonjësve po e vuan edhe sektorin e call center. Drejtues të Intercom Data Service (IDS), një prej operatorëve më të mëdhenj në vend, me rreth 3 mijë të punësuar, pohojnë se problem për sektorin e tyre është se ata që po ikin janë punonjësit cilësorë dhe me përvojë. Kjo është një pengesë për të rritur nivelin e shërbimit, për të kaluar nga call center në shërbime me vlerë të shtuar.

Sipas një vlerësimi paraprak, në përgjithësi nuk po ikin 20- vjeçarët por ata që kanë krijuar një përvojë, kanë një familje të re, apo kanë në plan që të krijojnë familje.

Mungesën e fuqisë punëtore, përveç sektorëve që ofrojnë paga të ulëta (fasoni dhe bujqësia) po e përjetojnë edhe sektorët me paga të larta. Një sondazh i Qendrës për Kërkime Sociale dhe Ekonomike, që u krye gjatë 2018-s, tregoi se, rreth 50% e personave që marrin paga nga 1000-1470 euro duan të largohen. Po ashtu, 70% e emigrantëve të rikthyer duan të largohen sërish.

Në periudhën 2001-2017, popullsia në grup-moshën 15-44 vjeç u pakësua me 167 mijë persona, sipas të dhënave të INSTAT që i referohen gjendjes civile. Më shumë se 60 mijë persona që tani janë në moshën 60-64 vjeç dalin në pension gjatë dy-tre viteve të ardhshme dhe rreth 140 mijë në 10 vitet në vijim. Popullsia në moshë pune dominohet nga popullsia mbi 55 vjeç. Emigracioni dhe rënia e numrit të lindjeve po shteron furnizimin e forcës së re të punës, fenomen që shihet me rrezik nga ekonomistët.

Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, pohon se, pa një mirëqeverisje me objektiva të qarta dhe të matshme mund të rriten flukset migratore, nuk mund të kemi rritje të shpenzimeve dhe investimeve, por ndërkohë mund të rriten largimet/transferimet e bizneseve në vendet fqinjë, mund të bjerë rritja ekonomike dhe të rritet papunësia e varfëria. Forca e punës, përveçse në pakësim, ka përkeqësim cilësor që po vjen nga mospërshtatja e sistemit arsimor me nevojat e tregut të punës, ndërkohë që sipas të dhënave të INSTAT, rreth 30% e të rinjve të moshës 15-29 vjeç nuk janë as në punë dhe as në shkollë.

Erald Pashaj, drejtor i “EPPC Albania & Kosovo”, kompania e rekrutimeve dhe trajnimeve, pohoi se gjatë vitit 2018 u ndie një lëvizje e punonjësve të kualifikuar dhe gjysmë të kualifikuar drejt Gjermanisë. Kërkesa për punë në tregun gjerman u zgjerua përtej pozicioneve të kërkuara prej kohësh tashmë si IT, doktorë dhe infermierë, por edhe në pozicione të tjera të mesme, si berber, shofer kamionësh, etj. Kjo kërkesë gjatë 2018 u frenua nga legjislacioni gjerman që ende nuk është plotësisht lehtësues, por edhe nga mospasja e minimumit të kërkuar profesional apo njohja bazë e gjuhës gjermane.

Bujqësia, tkurren punonjësit

Të punësuarit në sektorin bujqësor arritën në 462,282 persona në tremujorin e tretë të vitit 2018, sipas të dhënave administrative të INSTAT. Në krahasim me vitin 2012, numri i punonjësve në bujqësi shënoi rënie me 72,671 persona ose 13%. Sipas metodologjisë së INSTAT, të punësuar në bujqësi konsiderohen edhe personat të cilët punojnë ngastrat e tokës në pronësi, që nuk shesin produktet e tyre, por prodhojnë vetëm për vetëkonsum.

Të punësuarit në sektorin bujqësor janë tkurrur me më shumë se 13% në 5 vitet e fundit, për shkak se shumica e popullsisë në moshë pune është larguar nga fshati drejt qytetit ose në emigrim. Sektori i bujqësisë është prekur si nga migrimi i brendshëm, ashtu edhe nga emigracioni. Shqipëria po bëhet gjithnjë e më urbane, teksa edhe plakja e popullsisë dhe emigracioni janë në kurriz të bujqësisë.

Sipas të dhënave të Censusit, në vitin 2011, krahasuar me vitin 1989, popullsia banuese e Shqipërisë është pakësuar në 10 qarqe dhe është shtuar në dy prej tyre: në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit. Rënie më e ndjeshme është vërejtur në Qarkun e Gjirokastrës me 53.7%, në Qarkun e Kukësit 41.6%, në Qarkun e Dibrës 30.6%, në Qarkun e Beratit 36.3% etj. Kurse rritje më e lartë e popullsisë është vërejtur në Qarkun e Tiranës me 300,137 banorë, ose 66.8% dhe, në një masë më të ulët në Qarkun e Durrësit me 44,255 banorë ose 20.2%. Sipas të dhënave vjetore të INSTAT, tkurrja e popullsisë së qarqeve ka vijuar edhe pas vitit 2011 e në vijim.

“Ma keq do të vejë” – thotë fermeri Stavri Gjini. “Të rinjtë po largohen, fëmijë po lindin pak. Por edhe fëmijët që po rriten, nuk duan të punojnë në bujqësi. Të rinjtë nuk e pëlqejnë ta punojnë tokën. Ka pak fitime dhe shumë mundim, preferojnë të ikin jashtë”, thotë Gjini, i cili tashmë është i lodhur pasi ka vite të tëra pune në bujqësi dhe shumë shpejt nuk do të ketë më fuqi të punojë.

“Këtë vit më është dashur të kërkoj për punonjës sezonalë në fshatra të largët, pasi po vështirësohet gjetja e punonjësve. “Si mund të punojë një i ri 20 vjeç për një pagë 15-20 mijë lekë në muaj, që mund ta paguajmë edhe pa sigurime, kundrejt një pune kaq të lodhshme siç është bujqësia. Por ne fermerët kaq mundësi kemi. Fitimet tona nuk garantojnë paga më të larta dhe as pagesën e sigurimeve, prandaj kanë të drejtë të ikin. Për tre muaj punë në kulmin e sezonit në Greqi, ata marrin të ardhurat e të gjithë vitit nga një punë që bëjnë në vendin e tyre”, shprehet Gjini.

Ai dhe fermerë të tjerë në zonën e Myzeqesë janë të shqetësuar se, mungesa e fuqisë punëtore, e cila nuk ka qenë problem deri vonë, do të kthehet në pengesën kryesore të zhvillimit të bujqësisë, përpos pengesave të tjera, siç është copëzimi i madh i tokës dhe mekanizimi i ulët.

Rënia e popullsisë me ritme të shpejta duket se do ta vërë ekonominë shqiptare para një sfide të re. Në gjashtë muajt e parë të vitit 2018, shtesa natyrore e popullsisë (diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve) ishte vetëm 484 persona, sipas të dhënave që janë publikuar nga INSTAT, ose vetëm 80 persona në muaj.

Fasoni i alarmuar për punonjës

Shërbimi Kombëtar i Punësimit raportoi se në vitin 2017 grumbulloi nga bizneset rreth 48 mijë oferta për punë. Gjysma e tyre, më shumë se 25 mijë, u përkasin fabrikave të fasonit. Sipas të dhënave nga anketa strukturore e ndërmarrjeve, fabrikat e tekstilit dhe këpucëve punësuan 46 mijë persona gjatë vitit 2016, me një rritje vjetore 14% në raport me vitin 2015. Nga ana tjetër, sektori ka kapacitete të zgjerohet gati me 50% në numër punonjësish.

Bizneset e sektorit fason në të gjithë vendin nga Shkodra në Gjirokastër kanë dhënë alarmin se po përballen me mangësi serioze të fuqisë punëtore. Për shkak të përvojës së krijuar, numri i kontratave të reja po rritet me shpejtësi. Këtë e ka treguar edhe rritja e eksporteve në sektor, me 16 dhe 10% në dy vitet e fundit. Nga ana tjetër, gjetja e punonjësve të rinj është bërë një mision i vështirë.

Gjergj Leqejza, administrator i Shqipëria Trikot që ushtron aktivitetin në qytetin e Shkodrës, tha se është bërë shumë e vështirë për të gjetur krahun e punës, për shkak të dy fenomeneve, të lidhura me njëri-tjetrin. “I pari është emigracioni, që i bën një pjesë të njerëzve të ikin jashtë. Nga ana tjetër, vajzat dhe gratë që nuk punojnë, nëse kanë dikë në emigrim, sepse janë emigrantët që sjellin të ardhura. Kjo është tipike për zonën e Shkodrës”, tha zoti Leqezja.

Flamur Hoxha, administrator i kompanisë Kler pohoi se vala e emigracionit po vështirëson veprimtarinë e fasonit. Kjo situatë është shumë e dukshme, sidomos në disa zona në vend si Librazhdi, Puka apo të ngjashme. Kompanitë sot nuk mund të shkojnë dhe të hapin një filial të ri në këto zona, sepse nuk ka forcë të mjaftueshme pune. Edhe ata që kanë tentuar, janë kthyer sërish në Tiranë. Vetë profili i biznesit kërkon forcë të madhe pune dhe nuk ia vlen të hapësh një filial, kur ti nuk gjen njerëzit që ke nevojë për ta hapur dhe që të funksionojë ky biznes, thotë zoti Hoxha. “Sot për sot, vetëm Tirana dhe Durrësi janë zonat e vetme ku mund të gjesh krah pune dhe nuk shohim ndonjë dritë të gjelbër në ndonjë zonë tjetër të Shqipërisë, që të kërkosh zgjerim apo të mendosh për një filial të ri”.

Administratori i kompanisë Naber pohon se vitin e kaluar, rreth 100 punonjës të fabrikës ikën në emigracion. Ai thotë se me heqjen e vizave, shumë të rinj po ikin jashtë vendit. Të njëjtin shqetësim ngriti edhe Thoma Marku, administrator i kompanisë Marku Konfeksion nga Korça. Ai tha se dekurajimi për të punuar në fabrika dhe emigracioni i lartë, janë shkaqet që po pakësojnë punonjësit në fabrika. Marku pohoi se të gjitha bizneset e fasonit në Rrethin e Korçës janë në vështirësi. Në Korçë janë dhjetëra biznese tekstili dhe këpucësh që punojnë kryesisht me Greqinë.

Sipas tij, kontratat për punë po rriten, por zgjerimi i mëtejshëm nuk mund të bëhet pa shtuar punonjësit.

Jozef Bazhdari, drejtori i prodhimit në Bella Confex në Shkodër, një ndërmarrje me traditë në sektor, pohon se po has vështirësi për të gjetur punonjës. Zoti Bazhdari thotë se ka nisur kërkimet deri në rrethinat e Lezhës, edhe pse fabrika është në mes të qytetit të Shkodrës. “Po i mbuloj kostot e transportit. Edhe pagat i kam rritur. Jap pagesë minimale 1200 lekë në ditë, ndërsa maksimalja i kalon 1700 lekët. Megjithatë, interesi për të punuar ka rënë”, pohoi ai.

Të njëjtën situatë referojnë edhe rreth 20 fabrika të pyetura në qarqet kryesore të vendit, Korçë, Tiranë dhe Durrës, Berat, Shkodër, Fier etj., duke dhënë alarmin se mungesa e fuqisë punëtore po i pengon të zgjerohen dhe po rrezikon qëndrueshmërinë e aktivitetit në të ardhmen.

Mirëpo nëse fasonët nuk synojnë të diversifikohen dhe të mbyllin ciklin, do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të përmbushin nevojat me kushtet që ofrojnë sot, teksa lëvizja e lirë dhe konkurrenca që po krijohet brenda vendit nga call center do ta shterojnë fuqinë punëtore për fabrikat. Me këto zhvillime, Shqipëria po humb konkurrueshmërinë, ku fasoni u zhvillua për shkak të kostove të lira të fuqisë punëtore, kundrejt një pune artizanale për të cilën sot, vendet e zhvilluara, paguajnë shumë.

Flamur Hoxha, i cili për shumë vite ka drejtuar Shoqatën e Prodhuesve të Veshjeve, pohoi se mosmirëmbajtja e fuqisë punëtore është sfida më e madhe me të cilën do të përballen bizneset. Vite më parë, fasonët duhet të kishin menduar të krijonin ciklin e mbyllur për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës me pagat. Zoti Hoxha thotë se ka ardhur koha për ridimensionim të pagesave në sektor edhe pse, nga ana tjetër, vendi humb konkurrueshmërinë në këtë pikë, e cila deri më tani ka ndikuar në zhvillimin e tij. Të dhënat e përpunuara nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve tregojnë se të ardhurat nga shitjet e njësive të tekstilit dhe këpucëve janë rritur me rreth 60% nga viti 2010 deri më 2016, ndërsa pagat vetëm me 20%.

Turizmi lë pretendimet për profesionistë, nuk gjejnë njerëz

Hotelet, sidomos në zonat turistike me distancë nga Tirana ku është e përqendruar forca e punës janë në krizë për punonjës. Para pak vitesh, sektori i hotelerisë kishte rezerva të mëdha në lidhje me mungesën e stafeve të kualifikuara, por aktualisht pretendimet e tyre kanë rënë. Mjaft të kenë njerëz se trajtimin e marrin përsipër vetë. “Ka pak krahë pune të interesuar. Mjafton të duan të punojnë. Trajnimet e duhura i kemi realizuar, edhe pse me kosto të larta për ne, pasi me rastin e parë, ose kanë ikur jashtë ose janë zhvendosur në pikun e sezonit në Jug të vendit”- thotë Fatos Çerenishti, drejtues i FAFA Resort në Golem.

Edhe në zonat malore turistike të Valbonës, mungesa e punonjësve ka nisur t’i pengojë bizneset për zgjerim të mëtejshëm. Administratorët e bujtinave atje pohojnë se po përballojnë me sforco shërbimin, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Të rinjtë e zonës janë shndërruar në punonjës sezonalë për vendet e BE-së, duke mos preferuar të punojnë për një pagë mujore 20 mijë lekëshe në hotelet e zonës. Marrja e punonjësve nga qytete të tjera është e papërballueshme teksa, shërbimet mbulohen vetëm me familjarët e bujtinave, të cilët çalojnë në shërbim.

Call center, ikin punonjësit cilësorë

Sektori i call center po vuan në një masë më të moderuar nevojën për punonjës. Sot po vërehen dy lloje emigracioni, ai i njerëzve të varfër dhe atyre që ikin për një jetë më të mirë. Sektori i call center, një ndër punëdhënësit më të mëdhenj në vend, sidomos i të rinjve, po vuan këtë të dytën. Në nivel numrash, operatorët e tregut pohojnë se nuk po ndiejnë ndonjë problematikë të theksuar për ikjen e punonjësve.

Drejtuesit e Intercom Data Service (IDS), një prej operatorëve më të mëdhenj në vend, me rreth 3 mijë të punësuar, pohojnë se problem për sektorin e tyre është se ata që po ikin janë punonjësit cilësorë dhe me përvojë. Kjo është një pengesë për të rritur nivelin e shërbimit, për të kaluar nga call center në shërbime me vlerë të shtuar.

Shqetësim është fakti që punonjësit cilësorë nuk po ikin për çështje pagese, pasi call center ka nivele pagash shumë më të larta sesa p.sh., industria fason, por ata janë në kërkim të një jete më të mirë. Sipas një vlerësimi paraprak, në përgjithësi nuk po ikin 20- vjeçarët por ata që kanë krijuar një përvojë, kanë një familje të re, apo kanë në plan që të krijojnë familje.

Lorenc Goga, administrator i Facile.it, një kompani që ofron shërbime në web marketing pohoi pak kohë më parë se, gjetja punonjësve shpeshherë është kthyer në një sfidë për aktivitetin. Mungesa e punonjësve të kualifikuar në shërbimet e TIK e kanë penguar atë të nënshkruajë një kontratë të re shërbimi me një kompani të huaj. Kontrata ishte për shërbime të një niveli më të lartë se web marketing dhe pagesat ishin premtuese, por mungesa e punonjësve të kualifikuar për këto shërbime po bëhet pengesë për nënshkrimin e saj. Goga, më shumë se emigracionin, bën me faj sistemin arsimor në vend, që në dekadën e tretë të tranzicionit nuk po mund të përmbushë nevojat e tregut të punës.

Mjekësia po shteron, 78% e doktorëve duan të largohen

Si rrjedhojë e migrimit masiv dhe faktorëve të tjerë, Shqipëria ka normën më të ulët të mjekëve për mbulimin e kujdesit shëndetësor për popullsinë, me 1.2 mjekë për 1000 banorë, sipas të dhënave të INSTAT. Shumë njerëz, veçanërisht në zonat rurale dhe fshatra, kanë vështirësi për shkak të mungesës së shërbimit shëndetësor në zonat e tyre. Gjithsesi, mungesa e specialistëve shëndetësorë në vitet e fundit ka prekur edhe spitalet rajonale dhe qendrat universitare.

Shoqata “Together for Life”, e mbështetur financiarisht nga “Friedrich Ebert Foundation Tirana”, ka realizuar një studim në fund të vitit të kaluar, ku ka marrë në pyetje 1000 mjekë lidhur me shkaqet e largimit të tyre nga Shqipëria. Gjetjet e këtij studimi tregojnë se largimi i mjekëve mbetet një faktor shqetësues, i cili përjetohet nga 78% e mjekëve (24% e të cilëve janë gati për t’u larguar menjëherë, ndërkohë që 54% do të largoheshin po t’u jepej mundësia).

Studimi vëren se situata më problematike paraqitet në qendrat universitare, ku mjekët kanë edhe prirjen më të madhe për t’u larguar menjëherë nga vendi (54%), ndërkohë që më e ulëta është në spitalet bashkiake (megjithëse kampioni në këto spitale është më i vogël).

Vihet re një tendencë për largim e mjekëve me gradë shkencore, 40% e të cilëve e konsiderojnë të rëndësishëm largimin e tyre nga Shqipëria.

Ndër shkaqet kryesore që i nxisin mjekët për t’u larguar në një vend tjetër janë: serioziteti në punë, mbështetja financiare, si dhe kushtet më të mira të punës.

Shumica e mjekëve ankohen se kanë mangësi në shërbime, 26% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 60% në disa prej shërbimeve. Është shqetësues fakti se ata që ankohen më shumë për mungesa janë mjekët e spitaleve universitare, 56% e të cilëve pretendojnë mungesa në të gjitha shërbimet dhe 40% mungesa në disa prej shërbimeve. Mjekët në vend ndihen të pakënaqur, të mbingarkuar me punë, të nënvlerësuar dhe të stresuar.

Sipas studimit, financimi i sistemit, menaxhimi i sistemit dhe mungesa e sigurisë financiare rezultojnë të jenë shkaqet kryesore që ndikojnë në pakënaqësinë e mjekëve të gjinisë mashkullore. Ndërkohë, mjekët konsiderojnë si më problematike financimin dhe burokracitë e sistemit, si dhe mungesën e sigurisë financiare.

Në fakt, 71% e mjekëve shprehen se ata kritikohen më shumë sesa duhet në Shqipëri. Ky mendim është i njëjtë si për gjininë femërore, ashtu edhe për atë mashkullore. Arsyet ekonomike dhe profesionale zënë vendin e parë për mjekët për largimin e tyre nga Shqipëria. Vetëm 1% e mjekëve shprehen se largohen për arsye gjyqësore. Vihet re se numri i grave mjeke që duan të largohen për arsye ekonomike, profesionale dhe gjyqësore është më i lartë se ai i burrave. 50% e mjekëve mendojnë se e ardhmja në Shqipëri nuk është e sigurt.

Emigracioni dhe lindjet zhbalancojnë forcën e punës

Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme, me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana dhe Durrësi), pohon INSTAT në një studim të posaçëm për projeksionet e popullsisë deri më 2030.

Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet një rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit).

Rënia më e fortë në forcën e mundshme të punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Emigrantët janë në masën 90% pjesa më aktive e tregut të punës. Duke ikur, lirojnë hapësirat për punësim për ata që mbeten. Efekti pozitiv i rënies së papunësisë (në mënyrë mekanike për shkak të emigrimit), përveç të tjerash, qëndron dhe në faktin së reduktohen shpenzimet buxhetore për të paguar kategorinë e të papunëve, analizon INSTAT.

Megjithatë, në të njëjtën kohë që reduktohet buxheti për mbulimin e pagesës sociale për të papunët, si pasojë e uljes së numrit të papunësisë nga emigracioni, reduktohen dhe të ardhurat nga taksimi në buxhet, i ardhur për të njëjtën arsye, nga emigracioni. Në një situatë të tillë, shumë shpejt vendi do të humbë konkurrueshmërinë në rajon edhe për investimet e huaja. Aktualisht është krahu i lirë i punës që ka sjellë në Shqipëri kompanitë e huaja. Por gjatë dekadës së ardhshme, edhe kjo mundësi duket se do të shterojë.

Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2018, popullsia në grup-moshën nga 15-44 vjeç, që është pjesa më energjike e tregut të punës, ra me 167 mijë persona në krahasim me vitin 2001, me rreth 13%. Rënien më të fortë shihet ta ketë grup-mosha 15-19 vjeç, me më shumë se 26%.

Më pas, struktura e popullsisë në moshë pune shënon rritje të fortë për moshën 45-64 vjeç, duke u shtuar me 210.8 mijë persona ose 38.8% në krahasim me vitin 2001. Struktura e popullsisë në moshë pune është përfshirë në një tranzicion të thellë, duke lajmëruar se pas dhjetë vitesh do të krijohet hendek për zëvendësimin e atyre që dalin në pension.

Përveç emigracionit, numri i ulët i lindjeve po shton presionin mbi perspektivën e tregut të punës. Shtesa natyrore e popullsisë për tremujorin e tretë 2018, pasqyron një rënie me 35,4%, në krahasim me tremujorin e tretë 2017, raportoi INSTAT, ndërsa numri i lindjeve ka shënuar rënie në të gjitha qarqet e vendit, përveç Tiranës. Numri i lindjeve për tremujorin e tretë 2018 rezulton 6.859, duke shënuar një rënie prej 19,7%, krahasuar me tremujorin e tretë 2017.

Viti 2018 pritet të mbyllet me ritmet më të ulëta historike të rritjes natyrale të popullsisë, të paktën që nga koha e Zogut.

Në vitin 1990, viti i parë i tranzicionit, shtesa natyrore e popullsisë ishte gati 64 mijë persona, ose rreth 5300 në muaj. 28 vjet më pas, ky tregues ka rënë me 77 herë, duke arritur në vetëm 69 persona në muaj. Madje në tremujorin e parë 2018, shtesa natyrore ishte negative për herë të parë në historinë e 100 viteve (gjatë tremujorit të parë 2018 lindën 5,669 persona dhe vdiqën 5,954, duke bërë që personat që u ndanë nga jeta të ishin 285 më shumë se numri i foshnjave që erdhën në jetë. Emigracioni i lartë dhe numri i pakët e lindjeve duket se po e çojnë rënien e popullsisë në pikiatë më shumë se parashikimet.

Projeksionet e popullsisë 2011-2031, sipas skenarit të mesëm, prisnin që shtesa natyrore e popullsisë të ishte në nivel negativ në vitin 2023, ndërsa varianti optimist priste që shtesa natyrore të ishte negative në vitin 2028. Por zhvillimet reale tregojnë se në të vërtetë, ecuria e popullsisë në këtë mënyrë nuk është parashikuar as nga varianti më pesimist i ekspertëve të demografisë.

Organizata e Kombeve të Bashkuara, në parashikimin e saj për popullsinë shqiptare, sipas normës së fertilitetit parashikonte në variantin pesimist që në vitin 2100, popullsia e Shqipërisë do të jetë vetëm 860 mijë banorë. Ndërsa skenari normal parashikon që Shqipëria të popullohet me vetëm 1 milionë e 600 mijë banorë. Skenari optimist, me emigracion zero dhe ecuri normale të normave të fertilitetit parashikon që popullsia e vendit, deri në vitin 2100, të jetë 2 milionë e 800 mijë banorë, nga rreth 2,9 milionë që numërohen afërsisht aktualisht.

Ekspertët dhe institucionet ndërkombëtare shtojnë shqetësimet për emigracionin

Ekonomia e Shqipërisë ka prirje rritëse, por në të njëjtën kohë mbetet ende shumë për të bërë që ajo të jetë më e qëndrueshme, gjithëpërfshirëse dhe sidomos amortizuese për emigracionin, ka pohuar Jan Kees, përfaqësuesi i misionit të FMN-së në vendin tonë në një konferencë të përbashkët për median bashkë me ninistrin e Financave gjatë nëntorit 2018. Ai tha se qeveria shqiptare duhet të zbatojë reforma strukturore në mënyrë që të frenojë emigracionin e lartë. Përfaqësuesi i FMN-së renditi përmirësimin e klimës së biznesit, reformat në shtetin ligjor dhe luftën ndaj korrupsionit.

“Sfidat e brendshme të ekonomisë sonë përfshijnë edhe cilësinë e parashikimeve dhe objektivave të zhvillimit” – analizon Arben Malaj, ish-ministër i Financave, tani presidenti i Institutit për Politika Publike dhe Qeverisje të Mirë.

Malaj thotë se pa një mirëqeverisje me objektiva të qarta dhe të matshme mund të kemi rritje të flukseve migratore, nuk mund të kemi rritje të shpenzimeve dhe investimeve, por ndërkohë mund të rriten largimet/transferimet e bizneseve në vendet fqinjë, mund të bjerë rritja ekonomike dhe të rritet papunësia e varfëria. Për shkak të krizës politike të mospjesëmarrjes së opozitës në Parlament, protestave të studentëve, zgjedhjet vendore 2019, të gjitha këto mund të ndikojnë në pritshmëritë e individëve dhe biznesit, shtoi ai.

Profesor dr. Adrian Civici, President i UET, shprehet se ekonomia shqiptare ka pasur një ecuri pozitive në 2018, pasi rritja ekonomike (PBB) ka kaluar shifrën 4%, deficiti buxhetor është ulur, papunësia është ulur, sektorë strategjikë si p.sh., turizmi kanë pasur ecuri pozitive gjatë vitit 2018, por, po t’i referohemi konceptit “paralel” të Prodhimit të Brendshëm Bruto që është “Kënaqësia e Brendshme Bruto”, ose e thënë ndryshe sa e kënaqur është popullsia nga ekonomia e saj, problemet dhe dobësitë e ekonomisë janë të shumta. Pakënaqësia ekonomike po krijon nivelet të larta të emigracionit. Civici pohon se papunësia do të vazhdojë të ulet në nivelet 11-11.5%, por kjo si efekt edhe i fenomenit të emigracionit që aktualisht dominohet nga moshat aktive në punësim.

Ndërsa Selami Xhepa, dekan i Fakultetit të Ekonomisë në UET pohoi se “varfëria e përhapur gjerësisht dhe gjendja e rënduar sociale, së bashku me cilësinë e dobët të qeverisjes së vendit, do të vazhdojnë të joshin qytetarët drejt emigracionit”. Sipas tij, emigracioni i lartë është rezultante e politikave joefikase./Monitor