Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Refuzuan dosjen e Shullazit, hetim disiplinor për 10 prokurorë, transferohen 3 prej tyre

Postuar: 21/09/2018 - 08:01

Nuk ka vonuar shumë reagimi i Kryeprokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku ndaj prokurorëve të Krimeve të Rënda, të cilët dy ditë më parë refuzuan të merrnin pjesë në shortin e dosjes “Shullazi”. Pasi refuzuan të shortohen për tu zgjedhur prokurorë të dosjes “Shullazi”, Prokuroria e Përgjithshme urdhëroi nisjen e hetimit disiplinor për 10 prokurorë të Krimeve të Rënda. Nga ana tjetër, po dje, për 3 nga prokurorët që nisi hetimi disiplinor, është bërë caktimi i tyre në rrethe. “Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, urdhëroi caktimin e përkohshëm të prokurorëve Olsian Çela nga Prokuroria për Krime të Rënda, në Prokurorinë e Beratit. Sonila Muhametaj nga Prokuroria për Krime të Rënda, në Prokurorinë e Pukës dhe Besim Hajdarmatajn nga Prokuroria për Krime të Rënda, në Prokurorinë e Pogradecit”, shkruhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërsa për Përparim Kullurin, Behar Dibrën, Arenc Çelën, Edvin Kondilin, Pranvera Pustinën, Eugen Becin dhe Blerim Tominajn, kryeprokurorja, Arta Marku ka kërkuar hetim disiplinor. Ndërkohë që këto lëvizje, duken më shumë si një ndëshkim, ajo që mbetet shqetësuese është fakti se ende nuk është bërë e mundur që procesi ndaj Emiljano Shullazit, Gilmando Danit, Enderit Zelës, Endrit Qyqes dhe Blerim Shullazit të mos mbetet peng i vendimeve procedurale të organit të akuzës. Vendimi i Prokurorisë së Përgjithshme për hetimin disiplinor ndaj prokurorëve argumentohet me faktin se ata nuk kanë pranuar shortimin dhe përzgjedhjen e tyre për të qenë përballë Shullazit dhe të ashtuquajturve grupit të tij. “Prokurori i Përgjithshëm znj. Arta Marku duke marrë shkas nga ngjarja e fundit e datës 19 shtator 2018 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, Tiranë, mbi refuzimin nga ana e prokurorëve për hedhjen e shortit në procedimin penal në gjykim në ngarkim të të pandehurve Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela dhe Blerim Shullazi, për kryerjen e veprave penale parashikuar nga nenet 109/b; 333/a; 334 të Kodit Penal urdhëroi fillimin e hetimit disiplinor ndaj prokurorëve: Olsian Çela, Përparim Kulluri, Behar Dibra, Sonila Muhametaj, Arenc Çela, Edvin Kondili, Pranvera Pustina, Eugen Beçi, Blerim Tominaj dhe Besim Hajdarmataj”, njoftoi dje Prokuroria e Përgjithshme.

Ngërçi

Pas kësaj situate të paprecedentë dhe në të tilla kushte, pyetjet që ngrihen janë të shumta. Pse drejtuesja e Krimeve të Rënda do të zëvendësojë 2 prokurorët e çështjes, me 4 të tjerë, kur kjo nuk është e detyruar me ligj? Pse të gjithë prokurorët e Krimeve të Rënda, të cilët kanë pasur çështje nga më të fortat dhe kanë kërkuar dënime të përjetshme në shumë raste, e refuzojnë këtë çështje? Ku ndodhet prokurori i çështjes Ened Nakuçi, i cili sipas burimeve mësohet se për 6 muaj ka raport dhe nuk do të jetë në punë?! Burime për gazetën “Sot”, thonë se transferimet e djeshme janë të paligjshme, gjithashtu dhe shortimi i kërkuar për çështjen “Shullazi”, konsiderohet i paligjshëm nga të gjithë prokurorët të cilët u rebeluan në mbledhjen e dy ditëve më parë. Drejtuesja Donika Prela, është kundërshtuar nga prokurorët të cilët kanë braktisur mbledhjen dhe e kanë konsideruar shortimin si të padrejtë dhe jo ligjor, ndërsa kanë kërkuar edhe ndërhyrjen e kryeprokurores Arta Marku për zgjidhjen e kësaj situate. Këtë propozim, Prela nuk e ka pranuar dhe burime thonë se u zhvillua edhe një tjetër mbledhje në orët e pasdites, por që mesa duket, nuk ka dhënë rezultat, përderisa ditën e djeshme, i kërkoi një zgjidhje Arta Markut. Por ndërkohë që, deri dje si përfaqësuesi i akuzës, ishte vetëm ish-kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, i cili u caktua me anë të një autorizimi të Prelës, kur në bazë të ligjit duhet të ishte shortuar, as ai nuk është më, pasi me një vendim të djeshëm, Marku e emëroi atë në Pogradec. Sipas ligjit, përfaqësues të akuzës në proces duhet të jenë dy, ndërsa Prela ka vendosur që ata të jenë 4 prokurorë, por që ende nuk janë gjetur, kjo për shkak të refuzimeve. Kujtojmë që ish-ambasadori Donald Lu në intervistën e fundit në një emision televiziv rreth një javë më parë dha një deklaratë bombë, ku u shpreh se prokurorët janë kërcënuar. “Dhe jam i skandalizuar që këtë javë që keni gjyqin e Shullazit, ku vetë i pandehuri ka kërcënuar gjykatës dhe prokurorë, aq sa prokurorët as nuk shkojnë në gjyq”, u shpreh Lu. Kujtojmë se datën 11 shtator, gjatë kohës që po zhvillohej gjyqi ndaj Shullazit, Gjykata e Krimeve të Rënda u blindua me forca të shumta policie, ndërsa në hyrje qëndronin efektiv me armë në duar. 

Elvis Myrta

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 11/12/2018 - 17:47

Vijon protesta e studentëve të cilët janë vendosur gjysma para Ministrisë së Arsimit dhe pjesa tjetër te rrethrrotullimi i Zogut të Zi.
 

Postuar: 11/12/2018 - 17:43

Ashtu sikundër pretendeuan disa prej gjimnazistëve që  iu bashkuan protestës së studentëve,

Postuar: 11/12/2018 - 17:37

Ndërkohë studentët protestojnë, banorët e “Astirit” kanë dalë edhe sot në protestë në

Postuar: 11/12/2018 - 17:32

Ndërkohë që thuajse i gjithë vendi gëlon nga protestat, banorët e “Astirit” kanë dalë

Postuar: 11/12/2018 - 17:25

Protesta e studentëve është ndarë në dy grupe të mëdha.Një pjesë e studentëve kanë bllokuar tërës

Postuar: 11/12/2018 - 17:17

Shkarkohet infermieri Elson Jaçaj.

Postuar: 11/12/2018 - 17:10

Gjatë ditës së sotme kanë filluar protestat në të gjithë vendin.