BREAKING NEWS

“Kjo është një ditë që kam dashur të vijë prej kohësh”/ Emocionohet kryeministri Rama, nderon në Kosovë akademikun shumë të njohur me “Yllin e Medaljes”: Zotni burrë, vetëdija e tij është tipar dallues!

“Kjo është një ditë që kam dashur të
x
BREAKING NEWS

Vizita e Ramës në Prishtinë, kryeministri zbulon për çfarë kanë rënë dakord me Albin Kurtin: Do ndodhë në javën e fundit të nëntorit

Vizita e Ramës në Prishtinë, kryeministri zbulon për
x
BREAKING NEWS

“Serbia po bën manovra teatrale luftarake”, kryeministri Rama mban qëndrimin e prerë për tensionet në Veri dhe jep mesazhin e fortë: E drejta është me...(VIDEO-LIVE)

“Serbia po bën manovra teatrale luftarake”, kryeministri Rama
x
BREAKING NEWS

Kurti me Ramën në konferencë të përbashkët, kryeministri i Kosovës mesazh të fuqishëm

Kurti me Ramën në konferencë të përbashkët,
x
BREAKING NEWS

Luan Hoxha, personi kyç që rrezikon të dërgojë Berishën drejt SPAK, gjenerali zbërthehet te amerikanët për aferën e Gërdecit

Luan Hoxha, personi kyç që rrezikon të dërgojë
x
BREAKING NEWS

Kabllogramet e Wikileaks për Gërdecin, ja raportimet e Luan Hoxhës në ambasadën amerikane dhe akuzat ndaj Shkëlzen Berishës

Kabllogramet e Wikileaks për Gërdecin, ja raportimet e Luan
x
BREAKING NEWS

"CDU si e paralizuar", humbje e ndjeshme për Unionin pas epokës Merkel, ja rezultati paraprak i zgjedhjeve në Gjermani

"CDU si e paralizuar", humbje e ndjeshme për Unionin pas
x

Aktualitet

Saranda mbretëresha e turizmit shqiptar, aty ku gjen gjithçka në çdo periudhë të vitit

Saranda mbretëresha e turizmit shqiptar, aty ku gjen gjithçka

Saranda është padyshim qyteti, ku vera shpalos tërë madhështinë e saj. Ditët e netët këtu humbasin kufijtë dhe shkrihen si ditët polare. Prej vitesh ka ndryshuar shumë. As në dimensionin D4 nuk mund të parafytyrohej më parë. Është zgjeruar dhe lartësuar në shpatet e kodrave drejt majave që janë si çatia e qytetit. Ndërtimet në Sarandë? Mirë apo keq? Këtu opinionet ndahen. Disa thonë se duhej të ruhej Saranda e viteve të shkuara, stili italian, austriak, i sistemit socialist me hapësira dhe rrugë të gjera, ku shtëpitë ishin të ulta dhe nga çdo dritare dukej deti. Ishte koha kur të gjithë njiheshim me njëri-tjetrin pasi ishim lindur e rritur në qytetin e vogël me vështrimin tretur në blunë e Jonit dhe netëve sytë i kishim zhytur në kaltërsinë e pafund. Ishim mësuar me dritat që treten e projektohen tutje mes valëve që përplasen pas bregut shkëmbor. Po presioni për të ndërtuar në Sarandë në këto tri dekada ka qenë i jashtëzakonshëm. Trysnia për një pallat, vilë, hotel apo një dhomë ishte e papërmbajtur. Shumë herë gardhi i ligjit u shqye e u kapërcye, duke bërë edhe gabime të pariparueshme. Gardianët e pushtetit vendor e qendror ishin në shumë raste inekzistentë. Nuk bënë mbrojtjen e trojeve, po u hapën portën ndërtimeve pa kriter. Ishim një oaz i pastër në të cilin mund të gdhendje gjithçka, të bëhej më bukur dhe qyteti të kishte sot pamjen e një qendre elitare. Do kishim një qytet edhe më mahnitës. Të papërballueshëm për ta shijuar. Po nuk ndodhi kështu. Shumë kritikë kanë të drejtë. E megjithatë Saranda nuk e ka humbur hijeshinë. Është e bukur, e ëmbël, e dlirë. Është nuse e hijshme që i ka rënë pak kënaja mbi mëngjes. Po le mos të numërojmë, pishat e prera, ngjeshjen e pallateve me njëri-tjetrin, ngushtimin e rrugëve, grinë e fasadave në qendër, zënien e detit nga ndërtimet ngjitur, duke u fshehur banorëve perlën që i jep bukuri e madhështi qytetit. Fshehjen nga sytë e sarandjotëve mësuar me blunë që e kanë përcjellë ndër vite simfoninë e dallgëve që përplasen, duke luajtur meloditë që të vë në gjumë si ninullat e nënave në fëmijëri dhe të zgjon mëngjeseve sapo rrezet e diellit bien mbi kalanë e Lëkurësit apo Dyzetë Shenjtorët që qëndrojnë si karakolle në mbrojtje të Sarandës. Edhe pse pas viteve 1990, bumi i ndërtimeve ka qënë i papërmbajtur dhe jo pak janë shkelur kondicionet urbane, asnjëherë nuk është fshirë bukuria që ofron ky qytet, duke u marrë përmasat e një qendre të madhe urbane, ku sot numërohen qindra hotele nga tre në pesë yje, vila të shumta, pa folur për pallate ndërtuar me destinacion, pritjen e turistëve që vijnë nga i tërë globi. Saranda, është padyshim qyteti më mikëpritës për turistët nga do që të vijnë. Dhe gjeografia e vizitorëve përditë e më shumë shtohet, duke u renditur njëri pas tjetrit, kombësi që nga shtetet pranë deri në Poloni, Ukrainë, Rusi, Francë, Itali, Serbi, Maqedonia e Veriut, Kinë, pa numëruar këtu banorët e përhershëm nga vendet nordike, Finlanda, Norvegjia, Suedia, Danimarka. Shumë familje nga këto vende janë tanimë banorë të përhershëm pasi kanë blerë shtëpitë buzë detit deri në rrugën numër pesë, poshtë pyllit me pisha dhe shkëmbinjve që ngrihen mbi kurorën e qytetit si mburojë natyrore nga erërat e shirat e rrëmbyeshëm të dimrit. Vetë qyteti është shumëfishuar. Jo vetëm me pallate e ndërtesa që nuk mund të flitet për numra ekzaktë pasi ndryshon përditë, por edhe nga banorët që në këto tri dekada kanë vërshuar nga tërë Shqipëria, duke ndërtuar lagje të reja, si ato matanë varrezave publike, lagjja mbi rrugën Hotel Butrinti, Kanali i Çukës e më tej, bashkimin me Gjashtën, më tutje nën Lëkurës, Berdeneshi, Manastiri dhe përqafimi me Ksamilin. Qyteti nuk ka kufij. Vetëm zgjerohet e shtohet. Në ndërtime e popullsi. Kohë më parë, lagjja më e largët ishte Kodra. Qytetarët vendas kur u propozonin banesat e reja në këtë lagje hezitonin pasi u dukeshin shumë larg dhe kush shkonte deri atje! Për mentalitetin e tyre, ishte në anë të botës! Po infrastruktura dhe konturet e reja të qytetit kanë bërë që kjo lagje të duket sot fare pranë, si të jetë qendra e Sarandës. Në realitet është një pol i rëndësishëm. Numri i banorëve që jetojnë këtu janë në dinamikë. Asnjë statistikë nuk mund të japi sot një numër fiks pasi ndryshimi është i përditshëm. Në Sarandë vetëm vijnë. Nuk ikin kurrë, përjashtuar atyre që zgjodhën emigrimin në vitet e para pas 1990. Vitet e fundit, qyteti është shtuar edhe me banorë të kombësive të tjera, norvegjezë, polakë, danezë, suedezë, italianë që kanë ardhur për të jetuar këtu përgjithmonë dhe tani e quajnë veten sarandjotë, autoktonë, banorë të përhershëm. Ata presin e përcjellin miq dhe të afërm, duke bërë detyrën e të zotëve të shtëpisë ashtu sikundër një oaz tjetër me të huaj është edhe rezidenca e francezëve në Ksamil, resort me tre kate dhe njëzetë e shtatë mjedise banimi, ku gjatë gjithë vitit, familje franceze, vijnë nga Parisi e Strasburgu, Marsejë, Bordo, duke jetuar mbi ishujt e gjelbëruar të gjirit mahnitës të Ksamilit, ku gjendet deti më i pastër, Joni që e kalon edhe pastërtinë e fjordeve të Norvegjisë, matur dhe provuar shkencërisht nga ata specialistë që matin ndotjen nëpër detet e gjithë globit. Pulsi i Sarandës rreh pandërprerje në këto ditë vere. Është tik-taku i fuqishëm i qytetit turistik. Është ora që mat historinë e suksesit të turizmit, modeli që ofron Saranda në çdo stinë. Këtu nuk ka kufi mes ditës e natës. Qyteti, ka fituar dimensionin e ri, atë të jetesës ditë- natë. Pulsi i qytetit zjen dhe kjo ndihet sapo zbret Qafë Gjashtën, nën ndriçimin bardhë e blu të rrugës së re hyrëse me tre korsi, atje ku detin duket se e ke poshtë këmbëve, gati të të gllabërojë e të të mbështjellë me pelerinën e kaltër. E ndjen këtë puls të fuqishëm kur shkel në rrugët e mbushura përplot me qytetarë që flasin tërë gjuhët e botës. Kalon mes tyre dëgjon, frëngjisht, italisht, rusisht, serbisht, kinezçe, arabisht, polonisht, anglisht, maqedonisht. Thua se Saranda është Meka e pushuesve të shumë kombeve të globit. Është këto ditë qyteti më kozmopolit i shumë kombeve dhe shumë gjuhëve. E gjitha kjo përmasë ka në qendër turizmin që ofron Saranda, e cila pa dyshim është sot mbretëresha e turizmit shqiptar. Saranda, është në garë, jo vetëm me simotrat brenda dhe jashtë vendit, po së pari me vetveten. Po a është ky kufiri i fundit? Dhe erdhi ora të mbyllen portat duke thënë: Mjaft më. Ia mbërritëm?! Kurrsesi. Sa shumë ka për tu bërë! Natyrisht Saranda ia ka mbërritur të jetë mbretëresha e turizmit shqiptar. Po për t’u bërë mis Europa pse edhe mis bota do të duhet menaxhim perfekt i Ministrisë së Turizmit dhe mbështetje pa kursim e ministrive të tjera për t`i dhënë gjithçka që duhet për të arritur në majë! Sarandjotët e kanë bërë të tyren! Po çfarë ofron Saranda për ju pushues dhe pse duhet ta frekuentoni?

Saranda mbretëresha e turizmit shqiptar, aty ku gjen gjithçka

Hotelet cilësore, ofrojnë shërbim të qytetëruar

Saranda ka sot 545 hotele, njësi akomoduese, siç emërtohen nga bashkia. Të gjithë të vlerësuar me tre e pesë yje. Nga hoteli “Butrinti” i vetmi hotel turistik, që vjen nga koha e sistemit të kaluar, aktualisht ka fituar performancë tjetër. Ndryshuar tërësisht. Po cila është biografia e hoteleve, harta e shtrirjes dhe çfarë ofrojnë për turistët? Cili është ai magnet që mund të të thithë në brendësinë e tyre? Vijomë me hotelet e reja ndërtuar buzë detit nga skaji verior i qytetit deri tek Kanali i Çukës në jug, atje ku lumi i Bistricës përqafohet me detin. Hotelet dallohen për arkitekturën fine mbi të gjitha për arredimin e brendshëm. Një kombinacion gati simetrik mes modernes, klasikes, përzierë me tradicionalen e odave të kohëve të shkuara, natyrisht më fine dhe më praktike për t`i përdorur. Secili prej hoteleve ka fytyrën e vet. Ka emrin e tij. Jo në kuptimin e emërtimit për efekt evidence, po asaj që ofron për klientët. Pronarët janë kujdesur t`i pajisin me gjithçka që të jenë konkurrues me qytetet turistike përreth. Mund të thuhet se ia kanë mbërritur. Nga hotel “Palma” në Portin Detar,i cili netëve ngjanë fiks me një anije në lundrim që përkohësisht ka hedhur spirancën buzë ujit, gjendet sapo zbret nga anijet që vijnë nga Korfuzi apo kur lë tokën shqiptare për të udhëtuar me anijen “Delfini” dhe anijet e tjera, të cilat për pak minuta arrijnë portin dhe aeroportin e qytetit pranë në Greqi të uron mirëseardhjen dhe të thotë mirupafshim. Ecim drejt qendrës, duke kaluar në revistë, hotel “Kaonia” buzë detit, “Republika”, Hotel “Andy”, “Porta Eda” e më tej hotel “Agimi/ S”, Vila “Duraku”, pagëzuar “Shtëpia e Bardhë” mbytur nga gjelbërimi, “Demi” me kullat binjake, “Grandi”, “Brilanti” hoteli i cili në vlerësimin e turistëve është cilësuar i pastër dritë, “Alina”, për të shkuar tek “Bookovilia”, “Nertili”, “Onhezmi”, “Mediterane” e me radhë më në thellësi me resortin “Santa Quaranta” më tutje “Blu Sky” në dalje të qytetit, rrugës për Ksamil. Është e pamundur të rreshtonim këtu gjithë hotelet e ndërtuara në këto vite as të bënim dallimin mes tyre. Të gjithë kanë të veçantën e tyre. Nuk është vetëm arkitektura. Janë dhomat e mobiluara këndshëm, lulet shumëngjyrëshe aromatike, ku nuk mungon asgjë për një qëndrim të rehatshëm, relaksues. Pronarët e hoteleve vazhdojnë traditën e mikpritjes dhe i trajtojnë turistët si njerëzit e shtëpisë. Nuk flitet për ajër të kondicionuar e pajisjet me tërë komoditetin e nevojshëm. Shërbimi është i pakrahasueshëm me pak vite më parë. Ata që shërbejnë në akomodimin e dhomave, janë të kualifikuar. Edhe ata që servirin mëngjeset, vajza dhe djemtë të rinj që u flasin turistëve në gjuhën e tyre, janë të kualifikuar. Nëse pushuesi kërkon, shërbimi i kafes të vjen deri te dhoma. Pastërtia është e dukshme. Muret janë lyer këndshëm. Mobiliet të punuara me shije. Me bare dhe mëngjesore në shumicën e hoteleve. Me restorante, ku gatuhet ushqim i shijshëm tradicional, peshku i cilësisë së parë sapodalë nga deti, midhja, kallamari, karkalecat e detit. Hotelet ia kanë mbërritur t`u shërbejnë turistëve me korrektesë, t’u sigurojnë kushte për të kaluar këndshëm. Vitit sapo lamë pas ndikoi në uljen e numrit të turistëve për arsye të pandemisë, po kjo periudhë kohore, u shfrytëzua për rikonstruksione të thelluara, lyerje, ndërrim dyer dritare. Nuk ka hotel në Sarandë që nuk ka bërë ndryshime të thella, duke i përshtatur dhe zbukuruar me lulishte e pishina, lokale e shërbime të shumëllojshme që kërkohen nga pushuesit. Para portave të hoteleve, vetëm pak metër larg, shtrihen plazhet publike dhe ata që administrohen nga privatët. Me shtretër komodë, dushe për t`u larë pas mbarimit të plazhit. Hotelet me emrat e ndryshëm disa prej tyre të çuditshëm, si “Konte Montekristo”, “Çikago”, “Neë York” janë baza e akomodimit të turistëve dhe vizitorëve të shumtë që në fundjavë e tejmbushin qytetin. Duket sikur do mbytet tërë qyteti dhe mjediset përreth nga mbipopullimi. Kush ka fjetur edhe një natë të vetme në hotelet e Sarandës, është larguar me befasinë e pastërtisë dhe shërbimit. Janë shtëpia e parë për çdo turist! Dhe ata janë kthyer përsëri.

Saranda mbretëresha e turizmit shqiptar, aty ku gjen gjithçka

Shëtitorja e re, perla që zhurmon njëzetë e katër orë

Kush zgjedh Sarandën për të pushuar nuk ka si të mos zbresë në shëtitoren e re që në gjuhën e përditshme thirret lungomarja e Sarandës. Është viti i parë që shfrytëzohet. Është bizhuja e shtuar qytetit. Mrekullia që të fton ta prekësh e shëtisësh mbi pllakat e bardha e të kuqërremta, lagur nga vesa e mbrëmjes. Nën dritën e hënës, e ledhatimin e valëve me mijëra pushues ecin papushim në një kordon të stërmadh shumëngjyrësh. Grumbull pa fund. Rrallë të zë syri ndonjë fytyrë të njohur. Shëtitorja është marrë pengë nga turistët. Ata janë zotat e vërtetë të saj. Është shëtitorja që qarkon tërë bregun nga Porti Detar në veri deri tutje tek “Paradis” në jug. Më shumë se njëmijë e pesëqind metër me gjerësi që në shumë pjesë kalon tetëdhjetë metër. U punua më shumë se dy vite për të mbërritur këtu. Me tre turne. Pa pushim. Buzë detit, u sistemuan makineritë e rënda ato që shpuan nëndetin për vendosjen e pilotëve mbi të cilat u ndërtuan platformat e shesheve të mëdha. Vepër inxhinierike e përmasave të mëdha, ndërtuar nën vëzhgimin e rreptë të qytetarëve që edhe kur punohej e bënin xhiron e mbrëmjes mes betonit e stivave të pllakave apo mes përmes makinerive të rënda. Në shëtitore u shkrinë në një, inxhinieria e ndërtimit, arkitektura, ajo elektrike, ujitjes me një sistem të vetëm, zgjedhja e mbjellja e pemëve dekorative. Që nga Italia erdhën pishat që pasi u mbollën u rrënjëzuan të gjitha. Në shëtitore u harmonizua, tradicionalja me teknologjinë e re në ndërtim. Vepër e cila nisi me ndryshme rrënjësore të konceptimit që nga skaji në skaj. U desh shumë punë për ndërtimin e ponitileve, ku mbrëmjeve ulen mijëra turistë në stolat dhe shkallaret prej betoni apo stolat më të rinj prej hekuri lyer këndshëm. Qindra pisha u mbyllën në tërë gjatësinë dhe u vendosën po kaq e më shumë ndriçues të këndshëm që rrezatojnë gjatë natës shëtitoren dhe pasqyrohen tutje në detin pa fund. Pllakat e bardha dhe të kuqërremta, ardhur nga guroret e Vlorës me të cilat është qëndisur shëtitorja e madhe buzë Jonit, i kanë dhënë tjetër pamje. E kanë zbukuruar dhe zbutur edhe atë rrëmujën e ndërtimeve vërshuar ndër vite. Padyshim që shëtitorja e përfunduar në vitet që vijnë do qarkojë tërë bregun e detit për të lidhur portin e jahteve në veri tek ish-marina me grykëderdhjen e lumit të Bistricës. Po kjo mbetet për vitet që vijnë...

Vijon në numrin e radhës...

Saranda mbretëresha e turizmit shqiptar, aty ku gjen gjithçka

Saranda mbretëresha e turizmit shqiptar, aty ku gjen gjithçka

Më të lexuarat