Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja
x

Aktualitet

SPAK sekuestron 26 prona të Ylli Ndroqit, dyshime se janë vënë nga aktivitete kriminale në Turqi dhe Itali, ja pretendimet e prokurorisë

SPAK sekuestron 26 prona të Ylli Ndroqit, dyshime se janë

Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka sekuestruar dje 26 prona të biznesmenit Ylli Ndroqi, njëkohësisht dhe pronar i televizionit “Ora News”. Përmes një njoftimi të shpërndarë për mediat, Prokuroria e Posaçme ka bërë me dije se ka indicie të forta se Ylli Ndoqi është arrestuar në Turqi e Itali për trafik droge, duke përdorur emrin Xhemail Pasmaçiu. Për këtë arsye, janë ngritur dyshime se pronat e tij janë vënë në mënyrë kriminale dhe është kërkuar sekuestro preventive për 26 prona, gjë që është pranuar nga Gjykata e Posaçme. "Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, ka regjistruar procedimin pasuror nr.10, datë 21.07.2020, në ngarkim të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), lindur dhe banues në Tiranë. Nga aktet e administruara në bashkëpunim të ngushtë me strukturat e policisë gjyqësore të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, është konfirmuar se ekziston një dyshim i arsyeshëm, i bazuar në indice se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) ka qenë i përfshirë në aktivitete kriminale të parashikuara në nenin 3 të ligjit Nr. 10 192, datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit, korrupsionit dhe krimeve të tjera, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″”, deklaron SPAK.

Kontaktet me Interpol

Sipas SPAK, në datë 02.09.1998 nga ekipet e sektorit kundër narkotikëve të Drejtorisë së Policisë së Stambollit Turqi, pas kryerjes së hetimeve proaktive dy mujore, në kuadër të operacionit të policisë ″ESAS″, për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, janë sekuestruar 30.5 kg lëndë narkotike heroinë dhe janë arrestuar në flagrancë shtetasit Ismail Cira, Musa Kazim AY, Fatmir Sofia, Hekuran Hoxha, Cevdet Sahin Balcilar, Abdulselam Yunus dhe Ylli Ndroqi, i paraqitur me emrin Xhemail Pasmaçiu. Më tej bëhet e ditur se nga ana e shërbimeve të policisë gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit janë administruar gjurmët e gishtave të Ylli Ndroqit dhe nëpërmjet Zyrës Qendrore Interpol Tirana u janë dërguar për krahasim zyrave homologe në Ankara, Turqi dhe Romë, Itali. Turqia ka kthyer përgjigje dhe sipas rezultateve është konfirmuar se shtetasi Ylli Bahri Ndroqi, i datëlindjes 11.03.1965, lindur dhe banues në Tiranë, është i njëjti person me Xhemail (Xhemal) Pasmaciu (Pasmaçiu), i arrestuar në Turqi. Po ashtu dhe Interpol Roma ka konfirmuar se në vitin 2004 shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu), është referuar tek Autoritetet Gjyqësore në përfundim të operacionit ″Bakllava″, si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Në vijim ai u arrestua më datë 17.02.2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006 nga Prokuroria e Milanos.

Argumentet e SPAK

Sipas SPAK, nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar përsa i përket pasurive të shtetasit Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) dhe familjarëve të tij, rezulton se kanë një nivel të pajustifikuar ekonomik dhe dyshohet se këto pasuri të paluajtshme apo të luajtshme, t’i kenë fituar si rezultat i veprimtarisë së tij kriminale që ai ka zhvilluar në Shqipëri, Turqi dhe Itali. “Së pari, pasuritë e mësipërme janë pasuri që plotësojnë kriteret e parashikuara nga neni 11 i ligjit nr.10192 datë 03.12.2009 ″Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë″, pasi ekziston dyshimi i arsyeshëm se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaçiu) është i përfshirë në veprimtarinë kriminale të veprës penale ″Trafikimit të narkotikëve″ dhe ″Organizata kriminale″, sipas legjislacionit penal turk, parashikuar njëkohësisht si vepër penale nga nenet 283/a dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, si dhe pasuritë në fjalë janë krijuar gjatë përfshirjes së këtij shtetasi në veprimtarinë kriminale të mësipërme”, thuhet në njoftimin e SPAK. Po ashtu një tjetër argument është se pasuria zotërohet nga shtetasit e sipërpërmendur si subjekt të ligjit dhe ekzistojnë prova konkrete se janë të pajustifikuara. Duke u krahasuar vlera e tyre me të ardhurat e fituara në rrugë të ligjshme, rezulton se vlera e tyre nuk iu përgjigjet dukshëm nivelit të të ardhurave dhe të fitimeve të realizuara në rrugë të ligjshme. Në fund SPAK shprehet se ka arsye të bazuara për të besuar së lidhur me pasurinë e mësipërme ekziston rreziku real për humbjen, për marrjen apo për transferimin e saj tek persona të tjerë, me qëllim për të bërë të pamundur konfiskimin e këtyre pasurive.