Aktualitet

Tragjedi në Bulqizë, humbin jetën nga asfiksia nëna dhe dy fëmijët, vajza e vogël transportohet drejt Spitalit të Traumës në gjendje të rëndë

Tragjedi në Bulqizë, humbin jetën nga asfiksia nëna dhe dy

Një ngjarje e rëndë ka tronditur dje qarkun e Dibrës dhe mbarë opinioni publik, ku tre pjesëtarë të familjes Tola gjetën vdekjen si pasojë e asfiksisë, ndërsa vajza më e vogël e kësaj familjeje ndodhet në gjendje të rëndë. Ngjarja e rëndë u shënua në fshatin Ostren të Bulqizës, ku gjetën vdekjen nëna Rajmonda Tola, 40 vjeç, bashkë me djalin e saj Fatjonin, 14 vjeç dhe vajzën Rudinën, 19 vjeç. Ndërkohë vajza tjetër, Merita Tola, ndodhet në gjendje të rëndë në spital. Dyshohet se gjithçka ka ndodhur gjatë natës, teksa pjesëtarët e familjes ndodheshin në gjumë. Por gjithçka është zbuluar paraditen e djeshme rreth orës 11.30, kur kunata e Rajmondës, gjeti trupat e pajetë, kur trokiti në derën e shtëpisë dhe askush nuk iu përgjigjej. Duke qenë se nuk po hapte dot derën, ajo ka lajmëruar fqinjët, të cilët e kanë hapur me forcë, për tu përballur me tre trupa të pajetë dhe vajzën e vogël, e cila u dërgua në spital në gjendje të rëndë. Fillimisht 8-vjeçarja u dërgua në Spitalin e Bulqizës për të marrë ndihmën e parë mjekësore dhe pastaj u transportua me helikopter në Tiranë, për të marrë mjekim më të specializuar. E mitura ndodhet në Spitalin e Traumës dhe sipas mjekëve në Urgjencën e Spitalit të Traumës, gjendja e saj shëndetësore është e stabilizuar. “Aktualisht gjendja e pacientes paraqitet e stabilizuar, janë bërë ekzaminimet, eko, skaner, janë bërë ekzaminimet edhe me neurokirurgun dhe gjendja është e stabilizuar. Pacientja është në observimin e urgjencës. Për momentin do të qëndrojë këtu dhe për disa orë do të qëndrojë këtu. Nga ekzaminimet rezulton që parametrat janë në normë”, tha mjekja e urgjencës në Spitalin e Traumës, Viola Kaja. Mësohet se kryefamiljari, Ylber Tola ndodhej në emigrim në Greqi dhe se 40-vjeçarja, kujdesej e vetme për fëmijët. Policia ka thënë se vdekja e tyre ka ndodhur për shkak të rrjedhjes së gazit. Uniformat blu po kryejnë hetime për të zbuluar nëse bombola ishte brenda parametrave të duhur teknike, apo gazi është lënë i hapur nga pakujdesia. Ndërkohë, në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe Inspektorati Shtetëror Teknik Industrial (ISHTI), i cili me një grup ekspertësh ka shkuar në banesën e familjes Tola në Ostren të Bulqizës, për të bërë verifikimet mbi shkaqet e ndarjes nga jeta të nënës me dy fëmijët brenda banesës. Grupi i ekspertëve ka konstatuar një bombol gatimi me gaz në ballkonin e shtëpisë, e cila ishte me siguresë të mbyllur, ndërsa në banesë nuk është ndjerë erë gazi, çka heq dyshimet e tyre se familja mund të jetë asfiksuar nga gazi. Por në banesë, familja Tola ngrohej me sobë me dru, dhe dyshimet janë që familja të jenë asfiksuar nga tymi i përhapur në dhomë.

Reagojnë Basha dhe Meta

Në lidhje me ngjarjen e rëndë në Bulqizë, ku si pasojë e rrjedhjes së gazit humbën jetën tre persona të së njëjtës familje reaguan kryedemokrati Basha dhe Presidenti i Republikës, Ilir Meta. Ky i fundit në një reagim në rrjetet sociale pas tragjedisë në fshatin Ostren të Bulqizës, ka shprehur ngushëllimet për të afërmit e familjes Tola, ku si pasojë e rrjedhjes së gazit humbën jetën nëna Rajmonda Tola dhe dy fëmijët e saj, Rudina dhe Fatjoni. “Thellësisht i tronditur nga tragjedia në Ostren të Bulqizës. Duke ndarë dhimbjen e madhe me familjen Tolaj, të afërmit dhe mbarë komunitetin e Bulqizës, shpreh ngushëllimet më të sinqerta dhe uroj shërim sa më të shpejtë të vajzës së mitur që po merr ndihmën mjekësore. Do të jemi gjithmonë pranë familjes Tolaj”, shkruan Meta. Më herët në lidhje me këtë ngjarje të rëndë reagoi edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. Kryedemokrati shpreh ngushëllimet për familjen Tolaj si dhe i ka uruar shërim sa më të shpejtë pjesëtarit tjetër të familjes, që sipas kreut të opozitës është vajza tjetër e familjes. “Me tronditje dhe dhimbje ndoqa lajmin për tragjedinë në Ostren të Bulqizës ku humbën jetën një nënë dhe dy fëmijët e saj. Shpreh ngushëllimet e mia të thella për familjen Tolaj dhe uroj shërim të shpejtë vajzës tjetër të familjes që po merr ndihmën mjekësore”, shkruan ai në Twitter. Tre pjesëtarë të një familje kanë humbur jetën tragjikisht këtë të premte në fshatin Ostren të Madh të Bulqizës, si pasojë e rrjedhjes së gazit nga një bombol që përdorej për gatim. Tragjedia ndodhi gjatë natës. Nga kjo ngjarje vetëm vajza më e vogël e familjes, Merita 8 vjeçe mundi të shpëtojë. Gruaja dhe 3 fëmijët jetonin të vetëm, pasi bashkëshorti i saj Albert Tola ishte emigrant në Greqi.