BREAKING NEWS

Asnjë marrëveshje për Zgjedhoren, PD akuzon PS por nuk tërhiqet nga asnjë kusht dhe qeveria teknike

Asnjë marrëveshje për Zgjedhoren, PD akuzon PS por nuk
x

Aktualitet

Vetingu, zbardhet vendimi për gjyqtaren që gjykoi Saimir Tahirin dhe dosjen “339”, ja argumentet e Irena Gjokës për pasuritë

Vetingu, zbardhet vendimi për gjyqtaren që gjykoi Saimir Tahirin dhe

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit zbardhi ditën e sotme vendimin për gjyqtaren e Gjykatës së posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit Irenë Gjoka. Trupa gjykuese e kryesuar nga Roland Ilia, me relatore Genta Tafa (Bungo) dhe anëtare Valbona Sanxhaktari konfirmuan në detyrë gjyqtaren e SPAK, ndonëse gjatë seancës dëgjimore iu vunë në dukje disa raste mosdeklarimi të pasurisë, të cilat u justifikuan nga ana e gjyqtares. Ishte relatorja e çështjes Genta Tafa ajo e cila i vuri në dukje se verifikimi në formular për blerjen e një apartamenti kishte rezultuar në rregull, ndërsa deklarimet e kursimeve në shumën e 23 mijë eurove nuk ishin në përputhje me të dhënat nga ILDKPI. Po ashtu, relatorja i vuri në dukje se nuk ka pasur deklarim të saktë as të një pjese në apartamentin e prindërve në qytetin e Patosit, pasi gjyqtares i takonte ¼ e këtij apartamenti. Nga ana e gjyqtares Irena Gjoka u pohuan këto mosdeklarime, e cila më pas i justifikoi si një harresë nga ana e saj.

Në vendimin e zbardhur nga KPK thuhet se burimi i pasurisë ka qenë i justifikuar, si dhe nuk ka hasur asnjë pasaktësi në deklarimet e saj. “Në lidhje me problematikat e konstatuara në vlerësimin e kriterit të pasurisë, trupi gjykues çmon se pasaktësitë në deklarim dhe balanca negative e fondeve në vitin 2014 prej 146, 111 lekë, nuk është e mjaftueshme që të pasjellë aplikimin e pikës 3 të nenit 61 të ligjit nr. 84/2016, pasi vlerësimi sigurisht që duhet të kryhet nëpërmjet një analizë kritike, por ai duhet të jetë gjithëpërfshirës dhe në përputhje me parimin e proporcionalitetit. 38.6 Për më tepër, Komisioni gjatë hetimit administrativ konstatoi se, në asnjë rast pasaktësitë e konstatuara nuk kanë ndikuar në cenimin e burimit të krijimit të pasurive të subjektit të rivlerësimit. 38.7 Duke gjykuar mbi bazën e parimit të proporcionalitetit, deklarimet e pasakta të konstatuara si më sipër, nuk duhet të ndikojnë në vlerësimin tërësor të pasurisë së subjektit. Komisioni çmon se për shkak të peshës specifike të vogël të tyre dhe mungesës së pasojave, ato nuk cenojnë figurën e gjyqtarit, dhe as besimin e publikut te drejtësia. 38.8 Për sa më sipër, trupi gjykues vlerëson se subjekti i rivlerësimit, znj. Irena Gjoka, ka arritur një nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë, sipas parashikimit të germës “a” të nenit 59/1, të ligjit nr. 84/2016”, thuhet në vendimin e KPK.

Në  vendimin e KPK theksohet se u morën në shqyrtim të gjitha shpjegimet dhe provat e gjyqtares të cilat vërtetuan se ajo ka vënë pasuri të ligjshme. “Trupi gjykues i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, pasi u njoh me rrethanat e çështjes, bazuar në provat e administruara, raportin dhe rekomandimet e relatorit të çështjes, dëgjoi subjektin e rivlerësimit në seancë dëgjimore publike, si dhe mori në shqyrtim të gjitha shpjegimet dhe provat e parashtruara nga subjekti i rivlerësimit, konkludon se: subjekti arrin nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë; subjekti arrin nivel të besueshëm në kontrollin e figurës; subjekti ka një nivel të mirë kualifikues në vlerësimin e aftësive profesionale”, thuhet në vendimin e KPK.

Po ashtu, në vendimin e zbardhur nga ana e KPK bëhet me dije se për gjyqtaren Irena Gjoka u regjistruan 3 denoncime, të cilat pas analizës rezultoi se nuk përbën veprime të njëanshme apo korruptive. “Për subjektin e rivlerësimit Irena Gjoka janë administruar tre denoncime të paraqitura pranë Komisionit, përkatësisht nga shtetasit M.H., J.Dh., dhe B.B. 44.1 Pas analizimit të dokumentacionit të administruar, për shkak të këtyre denoncimeve, rezulton se nuk paraqiten shkaqe apo rrethana për të treguar veprime të njëanshme apo korruptive nga ana e subjektit të rivlerësimit”, thuhet në vendimin e KPK.

Gjyqtarja Irena Gjoka ka qenë pjesë e trupës gjykuese të një sërë çështjesh të bujshme. Kur ka qenë pjesë e Gjykatës së Krimeve të Rënda, Gjoka ka qenë pjesë e trupës gjykuese që kanë hetuar ish ministrin e  Brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin u dha dënimi me shërbim prove. Por pas shkrirjes së Krimeve të Rënda, Gjoka kaloi si gjyqtare tek Gjykata e Posaçme Antikorrupsion, ku edhe aty ka hetuar dosje me ndjeshmëri për publikun. Ndër to mund të përmendet dosja “339”, për të cilën ka qenë vetë gjyqtarja Irena Gjoka i ka dhënë kohë 2 javë prokurorëve të SPAK, që të qartësojnë akuzën për secilin nga të pandehurit.