Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Vrasja e kreut të njësisë administrative në Kote, arrestohen 3 persona, në kërkim autori

Postuar: 13/06/2019 - 07:40

Tre persona u arrestuan nga policia e Vlorës, si të dyshuar për vrasjen e administratori të Njësisë Administrative Kotë, në Vlorë, Argjil Gjoka. Ngjarja ndodhi pasi Gjoka ndërhyri për të shuar një konflikt mes të arrestuarve dhe punëtorëve gjatë punimeve të një rruge në një zonë rurale. Viktima u qëllua me armë teksa kishte shkuar për të sqaruar debatin mes punonjësit të fadromës me banorët e fshatit. Lidhur me ngjarjen, policia tha se rreth orës 14:20 të kësaj të marte, në fshatin Petë të Selenicës, pas një konflikti me armë zjarri midis disa personave, mbeti i plagosur Arif Bejtaj, 19 vjeç dhe Argjil Gjoka, 51 vjeç, ku si pasojë ky i fundit humbi jetën në spitalin e Vlorës. Pas hetimeve të kryera, dëshmive dhe provave të administruara, policia ka zbardhur ngjarjen, duke vënë para përgjegjësisë penale autorët e dyshuar Namik Bejtaj, 30 vjeç, Jaçe Bejtaj, 22 vjeç dhe i plagosuri Arif Bejtaj, 19 vjeç, që të tre me banim në fshatin Mavrovë. Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi Mersin Bejtaj, 32 vjeç, banues në Vlorë dhe po punohet për kapjen e tij. Të arrestuarit dhe i shpalluri në kërkim akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të vrasin me armë zjarri tip pistoletë dy vëllezërit Festim Osmeni, 70 vjeç dhe A. Osmeni, 65 vjeç, por pas ndërhyrjes për të shuar konfliktin humbi jetën kryetari i Njësisë Administrative Kotë, shtetasi Argjil Gjoka. Ndaj të dyshuarve hetimet janë në vijim, ndërsa materialet iu referuan Prokurorisë, për veprat penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.

Ngjarja

Konflikti për pronën do ti merrte jetën kryetarit të njësisë administrative në Kote të Vlorës. Ngjarja e rëndë do të ndodhte mesditën e së martës rreth orës 14:45. Punëtorët e kësaj njësie administrative kanë qenë duke shtruar një rrugë në këtë zonë, por rreth drekës janë penguar nga familja Bejtaj. Sipas burimeve kjo familje pretendonte se rruga po shtrohej në tokën e tyre dhe se punimet duhet të ndërpriteshin menjëherë. Punëtorët kanë pas një debati me familjarët e kësaj familjeje kanë vazhduar punimet të cilat ndiqeshin nga kryetari i kësaj njësie administrative. Në këtë moment një prej familjarëve Mersin Bejtaj ka hyrë në banesën e tij dhe ka marrë një armë zjarri tip pistoletë. Ai ka kërcënuar punëtorët më konkretisht fadromistët të cilët ishin dy vëllezërit Osmani. Ai i kërkoi atyre që duhet të ndërprisnin punimet ose do ti vriste. Në këtë moment për të shuar tensionet ka ndërhyrë viktima, i cili është i afërm i autorëve të krimit. Gjatë ndërhyrjes për të ndaluar konfliktin sipas dëshmitarëve okular në vendngjarje në sherr e sipër Mersin Bejtaj shkrep pistoletën dhe kryetari i komunës merr një plumb në gjoks, ndërsa kushëriri i tij Arif Bejtaj, tashmë i arrestuar duke qenë se ishte afër dhe një nga personat që u konfliktua mori plagë të lehta në duar. Kryetari i komunës u dërgua menjëherë në spitalin e rajonal të Vlorës por pavarësisht ndërhyrjes kirurgjikale që mjekët bënë ai nuk mundi ti shpëtonte vdekjes për shkak të hemoragjisë dhe humbjes së madhe të gjakut. Pas ngjarjes policia shpalli në kërkim autorin dhe po punon për kapjen e tij. Ndërkohë disa banorë të Kotes dhe dëshmitarë okular janë shoqëruar në polici për të mësuar më shumë rreth ngjarjes. Pa kaluar një vit njësia administrative Kote humb kreun e saj të dytë. Një vit më parë një tjetër vrasje tronditi Vlorën, ndërsa viktimë mbeti po ashtu si sot kreu i njësisë administrative, Fatmir Hoto, i cili po pinte kafe me autorin. Viktima dhe autori i vrasjes së 43-vjeçarit dyshohet të kenë qenë në konflikt për pronën, pasi ishin nga i njëjti fshat. Ndryshe nga një vit më parë këtë herë, administratori ishte rastësisht mes një sherri të banorëve dhe punëtorëve të rrugës. Njëri qëlloi me armë zjarri dhe ai mori plagë të thella në gjoks dhe menjëherë më pas ndërroi edhe jetën.

Elvis Myrta

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/11/2019 - 14:42

Punonjësit të Policisë së Shtetit, Sokol Qokajt kolegët i kanë bërë një surprizë të madhe teksa i kishte ftuar në dasmën e djalit të tij.

Postuar: 18/11/2019 - 14:09

Për shumë vite, ata kanë qenë shembull në fushën e blertë të futbollit, kur me lojën e tyre kanë

Postuar: 18/11/2019 - 14:01

Hetimet për bandën e trafikimit të drogës midis Shqipërisë dhe Irpinias, që u shkatërrua në tetor

Postuar: 18/11/2019 - 13:21

11-vjeçari Alvin Berisha i shoqëruar nga babai Afrim e familjarët e tij ka nisur vizitat mjekësor

Postuar: 18/11/2019 - 13:08

Gjykata ka dhënë sot masën e sigurisë për Amarilda Lekën, e cila duke u hequr si juriste kishte p

Postuar: 18/11/2019 - 12:44

Policia e Korçës dhe agjentët e Frontex kanë arrestuar katër persona, pasi janë kapur duke tran