Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Bolton paralajmëron gjykatën e Hagës: Jo ndjekje penale të amerikanëve

Postuar: 12/09/2018 - 07:24

 Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare John Bolton paralajmëroi dje Gjykatën Ndërkombëtare të Krimeve në Hagë kundër ndjekjes penale të shtetasve amerikanë dhe aleatëve të tyre, në lidhje me abuzimet e ushtrisë amerikane në Afganistan dhe ato të ushtrisë së Izraelit në Palestinë. Në një vijim të politikave arbitrare të administratës Trump, zoti Bolton tha në një fjalim në Uashington për grupin e fuqishëm të lobit politik Shoqata Federaliste, se gjykata është "krejtësisht e paligjshme" dhe se Shtetet e Bashkuara nuk do të bashkëpunojnë me të por mund të vendosin sanksione ndaj gjyqtarëve të saj. Fjalimi i ashpër i John Bolton u kritikua nga analistë në SHBA ndërsa vetë Gjykata e Hagës reagoi në një prononcim duke thënë se kërcënimet nuk do të pengojnë misionin e saj. Gjykata Ndërkombëtare heton gjenocidin, krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës.

SHBA nuk pranon juridiksionin

Sipas arsyetimit të Bolton, Gjykata e Hagës nuk mund të ketë juridiksion mbi amerikanët, sepse Shtetet e Bashkuara nuk janë pjesë e traktatit që krijoi. Ai tha se një hetim mbi abuzimet e dyshuara ndaj të ndaluarve, nga ana e ushtarakëve amerikanë në Afganistan, do të ishte një shkelje flagrante e sovranitetit të SHBA. "Shtetet e Bashkuara do të përdorin çdo mjet të nevojshëm për të mbrojtur qytetarët e tyre si dhe ata të aleatëve tanë, nga ndjekja e padrejtë nga kjo gjykatë e paligjshme", tha këshilltari i Trump për Sigurinë Kombëtare. Bolton tha se gjykata nuk ka mekanizëm për të siguruar paanshmërinë e saj dhe ka si anëtarë shtete jodemokratike si Venezuela dhe Republika Demokratike e Kongos, apo entitete që nuk janë as shtete, si Autoriteti Palestinez. Ky i fundit ka depozituar pranë saj padinë për vrasjet e paligjshme të demonstruesve nga ushtria e Izraelit. "Ne nuk kemi nevojë që Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të na tregojë çfarë duhet të bëjmë ose të kritikojë vendimet tona", tha ai.

Gjykata: S’na pengon kërcënimi i SHBA

Në reagimin e saj Gjykata Ndërkombëtare tha se do të vazhdojë të kryejë punën e saj “e papenguar" megjithë kërcënimin e SHBA, pasi është një institucion i pavarur dhe i paanshëm, që ka mbështetjen e 123 vendeve. "Gjykata Ndërkombëtare Penale do të vazhdojë të bëjë punën e saj në përputhje me parimet dhe idenë gjithëpërfshirëse të sundimit të ligjit", thuhet në deklaratë. Në nëntor të vitit të kaluar, prokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare Penale, Fatou Bensouda, ka bërë thirrje për hetime të dyshimeve për krime lufte nga ushtarë amerikanë në Afganistan. Ajo kishte thënë se ka “bazë të arsyeshme për të besuar” se krimet e tilla janë kryer nga palë luftuese si CIA, forcat talibane dhe ato afgane. Por në fjalën e tij Bolton tha se Gjykata ishte një "rrezik i drejtpërdrejtë" për Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe aleatë të tjerë. "Për të gjitha qëllimet dhe synimet, Gjykata Ndërkombëtare Penale është tashmë e vdekur për ne. Nëse gjykata na ndjek ne, Izraelin apo aleatët tjerë të SHBA, ne nuk do të rrimë në heshtje", paralajmëroi Bolton.

Mosmarrëveshje mes aleatëve

Disa analistë pyesin se pse zoti Bolton vendosi të ndërmarrë një betejë me këtë gjykatë, në këtë kohë, pasi shanset që një ushtarak amerikan të vendoset përpara gjyqtarëve ndërkombëtarë kanë shumë pak gjasa të ndodhë. "Skenari më i keq do të ishte që vite më vonë një prokuror të siguronte prova të mjaftueshme për të ngritur akuza dhe për të lëshuar një urdhër kundër një shtetasi amerikan. Në atë rast, ai person do ta kishte shumë të vështirë të udhëtonte në vendet që janë anëtare të Gjykatës Ndërkombëtare të Krimeve, sepse nëse do ta bënte, ai vend do të kishte detyrimin ta arrestonte", thotë Stephen Pomper i analistëve Grupi Ndërkombëtar i Krizave. Pomper thotë për Zërin e Amerikës se do të ishte shumë e vështirë të ngrihej një çështje gjyqësore kundër një qytetari të një vendi që nuk bashkëpunon me gjykatën. Ai thotë se zoti Bolton kishte nisur këtë betejë kundër gjykatës së Hagës, gjatë administratës së George W. Bush./Andi LAMKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 16/11/2018 - 16:49

Ministrja holandeze e Mbrojtjes, Ank Bijleveld, deklaroi se qeveria e vendit të saj kundërshton themelimin e “ushtrisë evropiane”, duke shtuar se vizioni i kancelares gjermane Angela Merkel dhe i preside

Postuar: 16/11/2018 - 16:25

Një e re ruse besonte se ishte vampire dhe goditi të dashurin e saj me thikë, por është burgosu

Postuar: 16/11/2018 - 16:00

Një ciklon që preku sot tokën e shtetit jugor indian të Tamil Nadu vrau 11 njerëz, shkuli pemë

Postuar: 16/11/2018 - 15:49

Koalicioni qeveritar italian ka bërë thirrje dje që rreth 1 milionë fëmijë e të rinj të marrin

Postuar: 16/11/2018 - 15:27

Qeveria e Hungarisë njoftoi sotn se gjatë arratisjes nga Maqedonia, Nikolla Gruevski nuk është

Postuar: 16/11/2018 - 15:19

Gjermania i bëri thirrje Ukrainës që të heqë nga interneti një listë të, siç thuhet, "armi

Postuar: 16/11/2018 - 15:18

Në një intervistë për DW, Peter Beyer, raportues i grupit parlamentar CDU/CSU për Kosovën dhe Ser