BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Bota

Del anketa që përbën një rrezik në përpjekjet për t'i dhënë fund përgjithmonë pandemisë

Del anketa që përbën një rrezik në përpjekjet

Rezultatet e një sondazhi të ri në shkallë botërore tregojnë se hezitimi për të marrë vaksinën përbën një rrezik në përpjekjet për t'i dhënë fund përgjithmonë pandemisë.

Në 79 nga 117 vendet e anketuara, (https://news.gallup.com/349178/global-vaccines.aspx) numri i njerëzve që thanë se ishin të gatshëm të vaksinoheshin ishte nën 70%, përqindja minimale e popullsisë që shkencëtarët thonë se duhet të fitojë imunitet për të frenuar virusin.

Por ekspertët thonë se njerëzit ndryshojnë mendim pas arritjes së vaksinave dhe se shumë vende nuk i kanë filluar ende vaksinimet masive.

Organizata Gallup kontaktoi rreth 1000 njerëz në secilin nga 117 vendet, kryesisht në fund të vitit të kaluar.

Në 20 vende, shumica e anketuarve thanë se nuk do të vaksinoheshin. Në Rusi, për shembull, 61% e njerëzve thanë se do të refuzonin vaksinën ndërsa në Kosovë kjo shifër ishte 56%.

Në përgjithësi, bazuar në rezultatet, sondazhi vlerëson se më shumë se 1 miliard njerëz nga 7.6 miliardë në të gjithë botën nuk duan të vaksinohen.

Zyrtarët shëndetësorë po synojnë të vaksinojnë një numër të mjaftueshëm njerëzish për të arritur "imunitetin e tufës", që do ta ngadalësonte mjaft përhapjen e sëmundjes.

Sa më shumë që qarkullon virusi, aq më shumë mundësi ka që ai të shndërrohet në variante të reja të rrezikshme që mund t’I bëjnë të paefektshme vaksinat.

Shkencëtarët nuk e dinë saktësisht se kur një popullatë arrin imunitetin e tufës, por mendohet që bëhet fjalë për një nivel prej 70% deri 90% vaksinimesh.

Në total, vetëm 68% e njerëzve të anketuar thanë se do të vaksinoheshin.

Vaksinimi nuk është faktori i vetëm për arritjen e imunitetit të tufës. Infeksionet natyrore gjithashtu luajnë rol. Disa vende në të cilat vazhdon imunizimi, po njohin rënie të ndjeshme të infeksioneve, shumë më herët se sa vaksinimi i 70% të popullsisë.

Por ende ka pyetje pa përgjigje në lidhje me forcën e imunitetit ndaj infeksionit natyror, kohëzgjatjen e tij dhe nëse variantet e reja mund ta mposhtin këtë imunitet. Shumë nga këto pyetje mbeten pa përgjigje edhe për vaksinat kundër COVID-19s.

Sondazhi u krye para se vaksinat të fillonin të përhapeshin në masë. Qëndrimet ndaj vaksinave ndoshta kanë ndryshuar disi, thanë zyrtarët e anketimit, edhe për shkak të mbulimit të gjerë mediatik.

Shtetet e Bashkuara janë një shembull i mirë se si ndryshojnë mendimet pasi fillojnë vaksinimet.

Gallup e zhvilloi sondazhin në SHBA midis gushtit dhe tetorit. Në atë kohë, rreth 46% e amerikanëve thanë se nuk do të vaksinoheshin.

Sondazhi më i fundit i Gallup, në mars të këtij viti, tregon se kjo shifër ka rënë në 26%.

Ndryshimi më i madh, sipas një sondazhi të veçantë, ishte mes njerëzve që thoshin se do të "prisnin për të parë" nëse do të vaksinoheshin.

Në disa vende, njerëzit hezitojnë sepse nuk i besojnë qeverisë, thanë zyrtarët e organizatës Gallup.

Besimi te qeveria ishte I ulët në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, për shembull, dhe banorët kishin më pak gjasa të thoshin se do ta merrnin vaksinën.

E megjithatë, midis rusëve që kishin siguri tek qeveria e tyre, 49% thanë se nuk do ta merrnin vaksinën./voa