BREAKING NEWS

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit të Ekspertëve: Duke nisur nga nesër do të...

Ndryshojnë masat anticovid! Zbulohet vendimi më i ri i Komitetit
x

Bota

Donald Trump paralajmëron rikandidim në zgjedhjet e 2024,  ish-presidenti shpërthen në akuza ndaj Joe Biden

Donald Trump paralajmëron rikandidim në zgjedhjet e 2024,

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka përsëritur në skenën e Konferencës mbi Veprimin Politik Konservator në Orlando të Floridas, gënjeshtrën se ishte ai që i fitoi zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar. Trump u shfaq në përpjekje për të marrë rolin e tij si një Kingmaker në 2022 dhe duke shpresuar për një kandidim në zgjedhjet e ardhshme presidenciale të 2024. “Unë madje mund të vendos t'i mund për të tretën herë”, është shprehur Trump gjatë fjalimit të tij. Një reagim i tillë në një kohë kur e gjithë bota ka probleme shumë më të mëdha dhe imediate si mungesa e vaksinave dhe menaxhimi i një pandemie që po gjunjëzon globin, tregon për dëshirën e Trump për tu hakmarrë ndaj humbjes, ndërkohë që shumica e presidentëve amerikanë kanë qëndruar në pushtet për dy mandate. “Qëndroj sot para jush për të deklaruar se rrugëtimi i jashtëzakonshëm që nisëm së bashku katër vjet më parë është shumë larg nga të qënit i përfunduar. Jemi mbledhur këtë pasdite për të folur për të ardhmen - të ardhmen e lëvizjes sonë, të ardhmen e partisë tonë dhe të ardhmen e vendit tonë të dashur”, tha zoti Trump. Por ish presidenti gjithashtu afirmoi synimin e tij si figura mbizotëruese e partisë, duke e lënë të hapur alternativën për të kandiduar përsëri pas tre vjetësh për një mandat tjetër katër-vjeçar në Shtëpinë e Bardhë. “Ku i dihet. Unë mund të vendos t’i mposht demokratët për herë të tretë,” tha ish-presidenti nën brohoritjet e të pranishmëve, duke përsëritur pretendimin e pa mbështetur në fakte se i kishte fituar zgjedhjet e nëntorit 2020. Ai argumentoi se partia është "e bashkuar", pavarësisht disa ligjvënësve republikanë që thonë se ata duhet ta anashkalojnë ish-presidentin, mandati i vetëm i të cilit përfundoi me protesta të pafrytshme zgjedhore dhe me trazirat e 6 janarit në Kapitol. Ish-presidenti tha se ai nuk ka në plan të krijojë një parti të re për të garuar me Partinë Republikane dhe shtoi se njoftime të tilla janë "lajme të rreme".

Beteja brenda republikanëve

Një betejë po zhvillohet brenda Partisë Republikane, ku disa nga figurat e njohura si udhëheqësi i pakicës së Senatit Mitch Mçonnell duan që ta anashkalojnë zotin Trump, ndërsa të tjerë, si aleati i ish-presidentit, Senatori Lindsey Graham, besojnë se e ardhmja e partisë varet nga energjia e bazës konservatore pro-Trump. “VOA” raporton se rezultatet e një sondazhi të kryer me pjesëmarrësit në konferencë, i dhanë zotit Trump një mbështetje të fortë me 55 për qind, duke thënë se do të votonin për të në garën e emërimit presidencial republikan në vitin 2024. Guvernatori i Floridës, Ron DeSantis doli në vendin e dytë me 21 për qind. Pa zotin Trump, DeSantis udhëhiqte me 43 për qind mes kandidatëve të tjerë, të cilët morën shumë më pak vota. Por jo të gjithë e mbështetën zotin Trump. Njëra pyetje e anketës ishte nëse Trump duhet të kandidojë përsëri në vitin 2024 dhe rezultati ishte i përzier: 68 për qind thanë se ai duhej të kandidonte ndërsa 32 për qind ishin kundër ose pa ndonjë opinion. Deklaratat e zotit Trump në konferencë të paktën shërbejnë për të frenuar ndonjë kandidat tjetër të mundshëm republikan për 2024-ën, si senatorët Marco Rubio, Ted Cruz dhe Tom Cotton, ish-ambasadoren në Kombet e Bashkuara Nikki Haley ose të tjerë që aspirojnë presidencën. E ardhmja e zotit Trump si figura mbizotëruese republikane e vendit mbetet një pyetje e hapur. Ai është i vetmi president në historinë e SHBA ndaj të cilit u ngritën dy herë akuza për shkarkim nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe që u shpall i pafajshëm të dyja herët. Është gjithashtu presidenti i parë në 90 vjet që humbi kontrollin politik të Shtëpisë së Bardhë dhe të dy dhomave të Kongresit në një mandat të vetëm në detyrë. Konferenca republikane ishte një nga tubimet vjetore më të spikatura për konservatorët dhe erdhi në një kohë debatesh në rritje brenda Partisë Republikane nëse duhet apo jo që të distancohet nga ish-presidenti apo të vazhdojnë ta lidhë të ardhmen e saj me të. Trump ka sinjalizuar se do të përpiqet të dëmtojë imazhin politik të 10 republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve që votuan për ta hequr atë në janar, një javë para se ai të linte detyrën dhe shtatë të tjerëve në Senat që u shprehën pro shpalljes së tij fajtor.