BREAKING NEWS

Shëndetësia shqiptare promotore mediatike e koronavirusit që po ushtron terror mbi psiqikën e shqiptarëve nën regjinë e supernovës të Surrelit

Shëndetësia shqiptare promotore mediatike e koronavirusit që po
x

Bota

Gjermania merr presidencën e BE, gati instalimi i planit ekonomik “Merkel-Macron”, goditje edhe Britanisë

Gjermania merr presidencën e BE, gati instalimi i planit ekonomik

Një korriku ka shënuar marrjen e Presidencës gjermane në Parlamentin Europian, presidencë e cila merret në kohën kur Bashkimi Europian gjendet në një periudhë shumë të keqe ekonomike si pasojë e pandemisë. Aktualisht BE-ja po përballet me recesionin më të thellë që nga Lufta e Dytë Botërore. Sipas Deutsche Welle, kalimi i pandemisë dhe rimëkëmbja ekonomike në Evropë janë dy çështjet qendrore, me të cilat do të merret Gjermania gjatë kohës që do të kryesojë presidencën e radhës së Bashkimit Evropian, pra deri me 31 dhjetor 2020. Ky është konstatimi i partive të Unionit CDU/CSU dhe socialdemokratëve, në negociatat e Këshillit të koalicionit të zhvilluara në zyrën e Kancelarisë.

Plani Merkel-Makron

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, pas takimit me presidentin francez Emmanuel Macron, më 29 qershor, doli me një plan për të rimëkëmbur ekonomikisht BE-në dhe për ta ndihmuar atë të përballet me pasojat pandemisë së koronavirusit. Në fjalën e saj, Merkel u shpreh se Gjermania dhe Franca do të luajnë një rol të përbashkët pasi Europa sipas saj është e ardhmja e përbashkët e të gjitha shteteve anëtare. Merkel është shprehur se e ka të qartë që pritshmëritë që në momentin që presidenca do ti kalonte Gjermanisë, do të ishin shumë të larta, por theksoi edhe një herë unitetin gjermano-francez në rindërtimin e ekonomisë së BE-së. Plani për rimëkëmbjen ekonomike kap vlerën e 500 miliardë dollarëve, shumë e cila u zgjerua edhe më shumë nga Komisioni Europian që parashtroi plane për një fond prej 750 miliardë eurosh. Një test i parë i madh për presidencën gjermane do të jetë një samit i BE-së më 17 dhe 18 korrik, ku Merkel shpreson se liderët do të arrijnë një marrëveshje mbi fondin. “Fondi nuk mund të zgjidhë të gjitha problemet e Evropës, por pa të gjërat vetëm do të përkeqësohen”, tha Merkel në një intervistë të publikuar më 26 qershor.

Pandemia

Deutsche Welle raporton se Gjermania do të angazhohet gjatë kohës së presidencës me gjithë fuqinë për tejkalimin e kësaj pandemie dhe për rimëkëmbjen ekonomike të Evropës. Qeveria gjermane synon të lërë pas këtij mandati një Evropë më inovative, më të drejtë dhe më të qëndrueshme. Një synim tjetër është edhe një Evropë më e sigurt, ku respektohen vlerat e përbashkëta si dhe një Evropë më të fuqishme në botë. Kryetari i SPD, Norbert Walter-Borjans, vuri në dukje se për shkak të pandemisë dhe gjendjes së rëndë ekonomike, eliminimit të pasojave dhe rimëkëmbjes ekonomike në Evropë, kjo do të jetë një presidencë e veçantë. “Gjermania do të jetë një ndërmjetës i respektuar. Qëllimi është zbatimi sa më i shpejtë i programit Merkel-Macron. Ne duam që të tregojmë se presidenca gjermane angazhohet për një Evropë sociale, për një Evropë të bazuar mbi parimet e drejtësisë, për një Evropë të qëndrueshme, me shanset e përbashkëta për të ardhmen. Kjo është e domosdoshme, sepse Evropa gjendet mes "blloqeve" - Kinës dhe SHBA. Kjo do të thotë se uniteti i Evropës është më i rëndësishmi", u shpreh Walter-Borjans.

Marrëveshja me Britaninë

Kancelarja Merkel i bëri dje thirrje BE që të përgatitet për një dështim të mundshëm për të arritur një marrëveshje në negociatat për marrëdhëniet e ardhshme tregtare me Britaninë e Madhe. “Unë do të vazhdoj të negocioj për një zgjidhje të mirë, por ne në BE duhet të përgatitemi në rast se nuk arrihet një marrëveshje”, i tha Merkel ligjvënësve gjermanë në ditën e parë të Presidencës gjermane të BE. Britania e Madhe dhe Bashkimi Evropian filluan pesë javë bisedimesh intensive për marrëdhëniet pas Brexit të hënën, me një vullnet të përbashkët për të ecur më përpara, në mënyrë që të shmangte një dështim potencialisht katastrofik për të arritur një marrëveshje në fund të vitit.