Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Ja kush është gjykatësi që mund të formësojë Amerikën në dekadat e ardhshme

Postuar: 11/09/2018 - 08:06

Beteja e hidhur partiake për emërimin e gjykatësit Brett Kavanaugh në Gjykatën Supreme të Shteteve të Bashkuara ka kthyer vëmendjen te njëri prej vendimeve më të rëndësishme që duhet të marrin presidentët amerikanë.

Gjykatësit e Supremes emërohen me mandat të përjetshëm, çfarë do të thotë shumë më gjatë se maksimumi i dy mandateve katërvjeçare që kanë presidentët amerikanë.

Kandidati aktual, 53-vjeçari Kavanaugh, mund të zhvendosë balancën në anën e konservatorëve dhe në këtë mënyrë të krijojë ligjet më të rëndësishme shtetërore për dekadat që vijnë.

Mundësia e presidentit
Kushtetuta amerikane ndan pushtetin për emërimin e gjykatësve të rinj të Gjykatës Supreme midis presidentit dhe dhomës së lartë të Kongresit amerikan – Senatit. Presidenti e emëron një individ dhe Senati tradicionalisht mban seanca publike dëgjimore përpara se të vendosë për kandidatin.

Historikisht, presidentët kanë pasur tendencë të emërojnë një ose dy gjyqtarë gjatë mandateve të tyre, për shkak të daljes në pension ose të vdekjes së gjyqtarëve aktualë.

Emërimi i Kavanaugh është i dyti i Donald Trumpit prejse është bërë president në janar të vitit 2017. I emëruari i tij i parë për Gjykatën Supreme, konservatori Neil Gorsuch, është konfirmuar në prill të vitit të kaluar.

“Zgjedhja e gjykatësit të Gjykatës së Lartë është një nga ngjarjet më të rëndësishme dhe më me ndikim në gjithë politikën amerikane”, thotë për Radion Evropa e Lirë Paul M. Collins Jr, profesor dhe drejtor i Studimeve Ligjore në Universitetin e Masaçusets.

“Publiku sigurisht se i kushton vëmendje procesit”, thotë ai, duke vënë në dukje se procesi i përzgjedhjes është “i dizajnuar të jetë politik” dhe se shpesh shndërrohet në çështje partiake.

“Shumë vende i zgjedhin gjykatësit përmes proceseve të bazuara në merita. Procesi në Amerikë është pak i pazakontë”, thotë Collins, bashkautor i librit “Dëgjimet për konfirmimin e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme dhe ndryshimet kushtetuese”.

Njëqindetrembëdhjetë burra dhe gra kanë shërbyer në Gjykatën Supreme që nga ngritja e saj në Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara më 1789. Ata kanë shërbyer mesatarisht 16 vjet.

Fuqia e Gjykatës

Gjykata Supreme luan rol kyç në interpretimin e Kushtetutës amerikane nga gjyqësori dhe mund të ketë fjalën e fundit edhe në interpretimin e ligjeve të tjera.

Nga ajo kërkohet vazhdimisht të vendosë për çështje me ngarkesë emocionale, si të drejtat e abortit, kontrolli i armëve, të drejtat e homoseksualëve e madje edhe për sfidat e emërimeve në Kongres dhe Presidencë.

Individualisht, çdo ndikim real i një gjykatësi të Gjykatës Supreme në gjykatat më të ulëta dhe në shoqërinë amerikane matet nga të dhënat e tij në gjyqësi –përmes votës në çështje të rëndësishme që mund të radhiten nga diskriminimi te kujdesi shëndetësor dhe liria e fjalës.

Gjykatësit e Supremes po ashtu ndikojnë në proceset ligjore dhe qeveritare, duke shkruar opinione ligjore në lidhje me vendimet – në pajtim ose mospajtim – që mund të formojnë debatin e ardhshëm mbi mosmarrëveshje të rëndësishme kushtetuese, si dhe të ndikojnë opinionin publik përmes deklaratave të bëra jashtë detyrimeve strikte në Gjykatën Supreme.

Precedenti dhe fuqia
Një nga mjetet më të fuqishme të Gjykatës Supreme është ai që e ka themeluar vetë gjykata: shqyrtimi gjyqësor. Kjo është fuqia për t’i deklaruar ligjet nga Dega Legjislative (Kongresi) jokushtetuese.

Gjykata Supreme në përgjithësi vendos për të dëgjuar një rast pasi së paku katër gjykatës të saj pajtohen se duhet një gjë e tillë, ose kur mosmarrëveshja përfshin dy shtete të ndryshme amerikane. Ajo kryesisht shqyrton raste të gjykatave më të ulëta, duke i konfirmuar vendimet e tyre ose duke i përmbysur.

Disa nga vendimet e profilit të lartë të Gjykatës Supreme gjatë shekullit të kaluar përfshijnë:

1. Brown kundër Bordit të Arsimit, më 1954, që vuri mënjanë doktrinën e mëparshme “të ndarë por të barabartë”, për të vendosur se ndarja e studentëve me ngjyrë dhe atyre të bardhë në shkollat publike (ose, për më tepër, në institucione të tjera) është jokushtetuese.

2. Me vendimin Miranda të vitit 1966, Gjykata deklaroi se të dyshuarit në raste kriminale duhet të këshillohen për të drejtat e tyre ligjore përpara se të merren në pyetje nga policia, duke iu garantuar të drejtën për mbrojtës ligjor.

3. Në rastin Roe kundër Wade më 1973, Gjykata Supreme vendosi me 7 vota për dhe 2 kundër se me Amendamentin 14, grave iu garantohet e drejta për abort në dy tremujorët e parë të shtatzënisë, në përputhje me interesin e shtetit për rregullimin e abortit.

4. Në rastin Obergefell kundër Hodges, më 2015, Gjykata Supreme vendosi se parandalimi i martesës së çifteve me gjini të njëjtë përbën diskriminim dhe për këtë arsye ai është ndaluar me klauzolën e mbrojtjes së barabartë të amendamentit të 14-të.

Atmosfera e nxehur
Demokratët, aktualisht parti pakicë në të dyja dhomat e Kongresit, po luftojnë në Senat për të bllokuar konfirmimin e Kavanaugh.

Komiteti Gjyqësor i Senatit po mban seanca dëgjimore, në të cilat senatorët kanë pyetur Kavanaugh drejtpërdrejt rreth qasjes së tij ndaj precedentit dhe aspekteve specifike të ligjit dhe kushtetutës dhe do të pyesin dëshmitarë të tjerë të ftuar.

Zemërimi shpërtheu menjëherë pas nisjes së seancës dëgjimore më 4 shtator, pasi senatorët demokratë i sfiduan procedurat, sepse dhjetëra-mijëra faqe dokumente të lidhura me shërbimin e Kavanaugh në një administratë të mëparshme republikane u dorëzuan vetëm në prag të seancës.

“Demokratët e kuptojnë se shumëçka është në rrezik nëse konfirmohet Kavanaugh, andaj i bëjnë të gjitha përpjekjet për të bllokuar konfirmimin”, thotë Collins.

Paneli i kontrolluar nga republikanët do të rekomandojë, refuzojë ose nuk do të japë asnjë rekomandim për Senatin, i cili pastaj do të votojë për emërimin e tij.

Republikanët kanë aktualisht 51 vota kundrejt demokratëve me 49, kështu që mund të sigurojnë votimin me “po”.

Demokratët duket se i kanë mbështetur shpresat në të bindurit e së paku dy senatorëve republikanë për të braktisur partinë e tyre dhe për të kundërshtuar emërimin e Kavanaugh.

Me këtë strategji, demokratët nuk mund të përjetojnë dezertime nga partia e tyre.

Megjithatë, demokratët nga “shtetet e kuqe”, që i kanë fituar ulëset në shtete që anojnë kryesisht kah republikanët, mund të jenë nën presion për të miratuar Kavanaugh, në mënyrë që të mund të rizgjidhen në zgjedhjet për Kongres, që do të mbahen në nëntor.

“Demokratët e kuptojnë se do të jetë e vështirë të bllokojë konfirmimin e gjyqtarit Kavanaugh, megjithëse unë besoj se ata shpresojnë se mund t’i bindin dy ose më shumë senatorë republikanë për të votuar kundër konfirmimit të tij”, thotë Collins.

Kthim kah e djathta?

Nëse konservatori Kavanaugh konfirmohet për të zëvendësuar gjykatësin në largim, Anthony Kennedy (një konservator i përbetuar, por që herë pas here ka nxjerrë vendime duke u anuar me pakicën, sidomos për të drejtat individuale), studiuesit sugjerojnë se margjina 5 me 4 në favor të konservatorëve, do të paraqesë kthim kah e djathta.

Ky votim është aq i rëndësishëm për demokratët saqë disa prej tyre kanë rrezikuar dëbimin nga Senati duke bërë publike dokumente dhe emaile konfidenciale, lidhur me të kaluarën e Kavanaugh, për të cilat thonë se nxjerrin në pah disa deklarata mashtruese të bëra nga i emëruari në të kaluarën.

Demokratët kanë thënë se Trump ka zgjedhur Kavanaugh bazuar kryesisht në disa shkrime dhe komente të kaluara që sugjerojnë se ai mund të anohet kah Dega Ekzekutive (presidenti) në llogaridhënie të mundshme para Degës Legjislative ose zyrtarëve të tjerë amerikanë.

Këto akuza duket se pasqyrojnë në veçanti perceptimet në lidhje me hetimet e vazhdueshme nga këshilltari i posaçëm, Robert Mueller, për kontakte të mundshme midis Trumpit ose fushatës së tij me zyrtarët rusë dhe për ndërhyrjen e dyshuar të Moskës në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.

Kavanaugh deri më tash nuk ka pranuar t’iu përgjigjet pyetjeve për të cilat thotë se janë hipotetike në natyrë.

Ai ka shprehur dëshirë për të mos komentuar mbi “ngjarjet aktuale”.

Gjatë fushatës së tij presidenciale, Trump ka thënë se do të zgjedhë gjyqtarë që kundërshtojnë abortin.

Demokratët dhe grupet e grave kanë shprehur shqetësime rreth pikëpamjeve të Kavanaugh mbi të drejtat e abortit dhe vendimin Roe kundër Wade.

Në një email të vitit 2003, Kavanaugh ka thënë se jo të gjithë studiuesit ligjorë i referohen rastit si “ligj i rregulluar”, një qëndrim që, sipas demokratëve, lë të kuptohet se ai do të votojë për të përmbysur vendimin dhe, në këtë mënyrë, për t’iu hapur derë të re kufizimeve të të drejtave të grave.

Politika të hidhura

Shumë demokratë mbeten të zemëruar me refuzimin e republikanëve për të mbajtur seanca dëgjimore për të emëruarin e presidentit Barack Obama në vitin e fundit të administratës së tij, pas vdekjes së gjykatësit Antonin Scalia në fillim të vitit 2016.

Republikanët në atë kohë nuk kanë pranuar të shqyrtojnë emërimin e Merrick Garland, duke këmbëngulur se vendi bosh duhet të mbushet nga presidenti i ardhshëm, pas zgjedhjeve të nëntorit 2016.

Disa demokratë ende i referohen zëvendësimit të Scalias me gjykatësin Neil Gorsuch si karrige “e vjedhur”.

Paul Krugman, majtist, fitues i Nobelit dhe kolumnist për gazetën New York Times, ka thënë se “Kavanaugh do ta vrasë Kushtetutën”, duke numëruar si arsye procesin e emërimit, vendimet e mëparshme të gjykatësit dhe refuzimin e republikanëve për të publikuar dokumente që lidhen me të kaluarën e tij.

Në anën tjetër, Adriana Cohen, një kolumniste konservatore për Boston Herald, ka akuzuar kritikët e Trumpit për krijimin e “kërdisë” në seancat për Kavanaugh.

Liderët republikanë kanë thënë se shpresojnë për një votim mbi konfirmimin e Kavanaugh deri në fund të shtatorit.

Kavanaugh ka diplomuar në Shkollën Juridike të Yale.

Si avokat, ai ka punuar për Këshillin e Pavarur Kenneth Starr në hetimin që ka çuar në thirrjen e votëbesimit për presidentin demokrat, Bill Clinton, në vitin 1998. (Clinton është shpallur i pafajshëm nga Senati dhe ka mbetur në detyrë).

Kavanaugh ka shërbyer në administratën e presidentit republikan, George H.W. Bush, dhe që nga viti 2006 ka shërbyer si gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Uashington.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 11

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2018 - 17:43

Nju Jorku është përfshirë nga një stuhi e fuqishme dëbore, dhe për pasojë 8 persona kanë humbur jetën si dhe 400 familje kanë mbetur pa energji elektrike.

Postuar: 17/11/2018 - 17:32

Mbetjet e nëndetëses argjentinase që u zhduk rreth një vit më parë pas një shpërthimi në bord,

Postuar: 17/11/2018 - 17:31

Presidenti i Kinës, Xi Jinping, paralajmëroi se vendet që përqafojnë proteksionizmin janë të &l

Postuar: 17/11/2018 - 17:29

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, tha se Ukraina nuk ka “mik më të madh se SHBA-

Postuar: 17/11/2018 - 10:43

Ministri francez i Ekonomisë, Bruno Le Maire ka bërë thirrje të premten për përfundim të “L

Postuar: 17/11/2018 - 10:04

Para gati tre muajve, vrasja e një gjermani në Chemnitz do të shkaktonte një valë protestash kund

Postuar: 17/11/2018 - 08:45

CIA ka arritur në përfundimin se princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman ka urdhëruar persona