BREAKING NEWS

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme të vendit/ Kallëzohen 7 funksionarë publikë në Prokurori. Kush janë zyrtarët e lartë dhe akuzat që rëndojnë mbi to

KLSH zbarkon në institucionet e dy qyteteve të rëndësishme
x

Bota

Koronavirusi paralizon Indinë, mbi 400 mijë infektime në ditë, varianti i ri i Covid-19 alarmon botën

Koronavirusi paralizon Indinë, mbi 400 mijë infektime në

India është prej ditësh tashmë në një situatë të frikshme me infektimet dhe vdekjet nga koronavirusi, ndërkohë që pamjet e publikuara nga mediat ndërkombëtare tregojnë për një situatë të ngjashme me atë të Kinës në fillim të infektimeve. Se sa e rëndë është situata mund të kuptohet vetëm nga fakti se shifrat ditore të infektimeve kanë arritur tashmë në 400 mijë, gjë që ka çuar edhe në një kolaps total të sistemit shëndetësor, për sa kohë të shtruarit janë duke u përballur me një mungesë të theksuar të furnizimeve me oksigjen. Shkalla e infektimit në Indi mund të jetë 10 herë më e rendë sesa sugjerojnë shirat zyrtare. Ekspertët thonë se situata ka mundësi të përkeqësohet ende. Një nga shkaqet e degradimit të situatës, është pa dyshim neglizhimi i autoriteteve shtetërore ndaj paralajmërimit të shkencëtarëve vendas për një mutacion dhe variant të ri koronavirusi që po qarkullonte në vend. Varianti indian i koronavirusit, i njohur si B.1.617 shfaq dy ndryshime të rëndësishme gjenetike në proteinën e tij sipërfaqësore. E484Q dhe L452R. Pas këtyre shifrave të pakuptueshme fshihet pozicioni i saktë i gjenit të ndryshuar. Mutacionet e veçanta të virusit janë të njohura prej kohësh. E484Q i ngjason variantit E484K, që u shfaq edhe tek varianti britanik, afrikano-jugor dhe ai brazilian. Kurse mutacioni L452R gjendet ndërkohë në variantin kalifornian CAL.20C. Në Indi për herë të parë këto mutacione shfaqen së bashku, prandaj edhe raportohet për një “mutacion të dyfishtë”. Pavarësisht paralajmërimeve, qeveria nuk mori masa por ndalimin e përqendrimit të një numri të madh njerëzish, madje Kryeministri i vendit Narendra Modi, udhëheqësit e Partisë në pushtet dhe politikanë të opozitës organizuar festa fetare dhe tubime politike në të cilat morën pjesë miliona persona, shumica e të cilëve ka qenë edhe pa maska.

Lëvizjet

Në të njëjtën kohë dhjetëra mijëra fermerë, ndërkohë, vazhduan të protestonin në kampingje të mëdha pranë kryeqytetit New Delhi kundër ndryshimeve të politikave bujqësore nga ana e kryeministrit. Një nga arsyet e mos marrjes së masave ka qenë pa dyshim frika nga ndikimi që kjo do të kishte në një ekonomi si ajo e Indisë ku janë pa fund familjet të cilat jetojnë në varfëri ekstreme. Masa e parë e izolimit, e vendosur vitin e kaluar si pasojë e valës së parë të pandemisë, ka rezultuar me humbje të shumë vendeve të punës dhe rënie ekonomike në nivel rekord prej 24 për qind në periudhën prill-qershor 2020, në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë. Veç shifrës rekord të 400 mijë infektimeve brenda ditë, një tjetër rekord është raportimi i 3,689 viktimave në 24 orë. Shifër e cila dyshohet të jetë më e lartë, për shkak se vdekjet e pa raportuara dhe qytetarët të cilët humbin jetën në banesat e tyre është shumë i lartë. Një nga problemet më të madha, veç mungesës së oksigjenit dhe shtretërve në spitale është pa dyshim nevoja për një numër më të lartë të krematoriumeve. India ka një traditë e cila konsiston në djegien e trupave pas vdekjes, por një gjë e tillë është bërë e vështirë për sa kohë qendrat të cilat ofrojnë këtë shërbim janë të ngarkuara tej kapacitetit. Zyrtarët në kryeqytetin e Indisë, Delhi, kërkuan që të gjenden vende të reja për djegien e viktimave, pasi morgjet dhe krematoriumet e qytetit janë të mbingarkuara me viktimat e koronavirusit. Nëse i referohemi rasteve totale që nga fillimi i pandemisë, India ka një total prej 19,900,371 infektimesh, 218,595 persona kanë humbur jetën dhe 16,261,820 qytetarë janë shëruar dhe kanë mposhtur koronavirusin. Megjithatë, duke nisur nga 1 maji, India ka nisur të zbatojë planin e vaksinimit të 600 milionë të rriturve, ndonëse disa rajone kanë thënë se kanë doza të kufizuara, apo aspak vaksina kundër koronavirusit. Ndonëse India është shteti që prodhon më së shumti vaksina në botë, ky vend nuk ka mjaftueshëm vaksina për qytetarët e vet.