Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Ekonomia

Legalizimi i banesave dhe rindërtimi, Kadastra paralajmëron shtyrjen e shërbimeve, koronavirusi fut në kolaps sportelet

Legalizimi i banesave dhe rindërtimi, Kadastra paralajmëron shtyrjen e

Kadastra shqiptare paralajmëron shtyrje të shërbimeve për shkak të situatës së rënduar nga koronavirusi. Në fillim të këtij viti shefi i Kadastrës, Artan Lame, premtoi për të gjithë qytetarët në të gjitha qarqet që do të zgjidhen sa më shpejt çështjet e pronave që janë zvarritur për më shumë se 30 vjet, duke specifikuar atë të mbivendosjes së tokave, legalizimet dhe shpronësimet. Procesi nisi vrullshëm me legalizimin e pronave, por shpërthimi i pandemisë trembi disi qytetarët që presin zgjedhje të problemeve me pronat. Gjithsesi Kadastra informoi se do të vazhdojë on-line procedurat që nuk kanë të nevojshme praninë fizike, nga ku ka mundur të zgjidhë çështjet e 1,7 milionë pasurive të paluajtshme. Me hapjen e ekonomisë, zyrat kadastrale vijuan punën në sportele, gjë e cila nuk ndihmoi procesin, por rëndoi situatën, për shkak të radhëve të gjatë në sportele duke rritur përhapjen e virusit në vend. Në këto kushte Kadastra ka vendosur shtyrjen në kohë për disa shërbime që kërkojnë më shumë përqendrim dhe që rrisin radhët e njerëzve në sportele, pa përcaktuar afate konkrete. “Shumë prej zyrave tona janë shfaqur dhe vijojnë të shfaqen vatra infeksioni, si në rastin e Drejtorisë Rajonale Tiranë, në Korçë, në Durrës, në Fier, në Kavajë, në Krujë, në Shkodër, etj. Kjo ka shkaktuar që, jo vetëm punonjësit e infektuar të shkëputen nga puna, por dhe gjithë punonjësit që kanë qenë në kontakt me ta, të kalojnë në situatë karantinimi. Për gjithë sa më sipër, ju kërkoj qytetarëve të na mirëkuptojnë. Nëse një shërbim ligjërisht parashikohet të jepet për 2 javë, edhe nëse vonohet një javë më tepër, bëni durim. Nëse për një shërbim të caktuar nuk keni nevojë të domosdoshme në këtë moment, lëreni për një moment të dytë kur të gjithë të jemi më të qetë. Nëse një konflikt pronësie ka 10 vjet që ju mundon dhe është e mundur të presë edhe pak le ta lemë për ta diskutuar bashkërisht pak më vonë”, thuhet në njoftim. Kadastra ka kërkuar me ngulmim shtyrjen në kohë të disa procedurave me mirëkuptim të qytetarëve, duke u sqaruar atyre se ankesat e bëra në faqet zyrtare janë shqyrtuar kërkojnë prani të të gjithë aktorëve të Kadastrës dhe vetë palëve, gjë që është e pamundur me virusin nëpërkëmbë. “Nëse na keni shkruar në adresat e ankesave, duke kërkuar shpjegime për ndonjë problem, edhe po u vonua përgjigja, bëni durim. Në çdo rast që do të gjendeni përpara një vonese, duhet të kuptoni se kjo po ndodh sepse një punonjës ka dalë pozitiv ndaj infeksionit, apo është futur në karantinë”, sqaron Kadastra.

Shtyrje procedurash dhe për rindërtimin

Kadastra luan një rol të rëndësishëm edhe në procesin e rindërtimit, pasi i ofron ministrisë të gjitha informacionet e nevojshme mbi qytetarët e prekur dhe pronat e dëmtuara. Në këto muaj ky proces ka vijuar on-line duke kryer 140,000 dhënie informacioni. Në këto kushte duket se procesi po ecën mirë, por në fakt jo. Edhe në këtë rast Kadastra ka kërkuar reduktim të punës dhe durim nga qytetarët që po rëndojnë situatën me ankesat e dërguara dhe trysninë në sportele. “Janë rreth 140.000 informacione kadastrale pasurish, që ju janë ofruar deri tani Ministrisë së Rindërtimit, bashkive të prekura dhe vetë qytetarëve. Pa këto të dhëna, do të kishte qenë e pamundur të vijonte procedura e përllogaritjes së dëmeve, e hartimit të planeve të Rindërtimit, do të qe e pamundur për qytetarët të përfshiheshin në listat e dëmshpërblimit të bashkive. Zyrat tona kanë punuar me orare të zgjatura, për të lehtësuar me sa mundemi hallin e madh të tërmetit për këta qytetarë. Por s’mbaron me kaq, pasi kësaj situate i shtohet dhe një tjetër faktor, i cili nga një anë na hidhëron, sepse rritja e numrit të ankesave po çon në një mbingarkesë të punës së institucionit”, njofton Kadastra.

Reduktim stafi

Pandemia ka dhënë efekt negativ financiar edhe për zyrat kadastrale në të gjithë vendin. Përmes këtij njoftimi Kadastra ka treguar se dhe për ta është e vështirë respektimi i protokolleve dhe detyrimet financiare që shtojnë këto të fundit, duke theksuar se në këto kushte shumë zyra janë përballur me reduktim stafi. “Gjithë sa më sipër, do të ishte sidoqoftë e përballueshme, sikur të mos i shtohej edhe një tjetër faktor negativ. Shumë prej drejtorive tona, po vuajnë “in primis” efektet e epidemisë, ashtu siç po i vuajnë të gjithë qytetarët e tjerë. Masat e distancimit fizik, të parashikuara nga aktet e Qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë, kërkojnë ruajtjen e distancave midis punonjësve, midis punonjësve dhe qytetarëve, mbajtjen në punë të stafeve të reduktuar e kështu me radhë”, njofton Kadastra. Duke e mbyllur njoftimin me një thirrje ndaj qytetarëve për mirëkuptim dhe bashkëpunim.