Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Opozitari fiton Stambollin: Zoti president, jam gati të punoj në harmoni me ju

Postuar: 25/06/2019 - 07:23

Kandidati i partisë republikane opozitare turke Ekrem Imamoglu, ka habitur dje presidentin autoritar të vendit Rexhep Tajip Erdogan, duke fituar sërish bindshëm në përsëritjen e zgjedhjeve për kryebashkiakun e Stambollit. “Zoti president, jam gati të punoj në harmoni me ju për t'i shërbyer Stambollit", u shpreh Imamoglu, i cili në zgjedhjet e së dielës fitoi të paktën 54 për qind të votave, në krahasim me 44 për qind të marra nga kandidati i partisë AKP në pushtet, Binali Jildrim. Imamoglu fitoi në përsëritjen e zgjedhjeve me një avantazh me 775 mijë vota, një rritje e madhe në krahasim me diferencën prej 13,000 votash që arriti në zgjedhjet e mëparshme. Presidenti pranoi rezultatin dhe uroi kreun e ri të Stambollit, të cilin qeveria e Erdogan drejtonte prej disa dekadash. "Përgëzoj Ekrem Imamoglu, i cili sipas rezultateve zyrtare ka fituar zgjedhjet në Stamboll. Sot u manifestua sërish vullneti i popullit", shkroi presidenti Rexhep Taip Erdogan në një postim në Twitter.

Erdogan humbet bastionin

Imamoglu fitoi zgjedhjet e 31 marsit dhe kishte nisur detyrën e tij të re si kryetar i bashkisë për 18 ditë, por komisioni zgjedhor anuloi rezultatet për shkak të parregullsive. AKP kontrollon ende 25 nga 38 rrethet në Stamboll dhe ka shumicën në asamblenë e qytetit. Shumë mendojnë se zgjedhjet e Stambollit janë një provë kyçe për fuqinë e presidentit Erdogan, i cili vetë ishte kryebashkiaku i qytetit më të madh të Turqisë nga viti 1994 deri më 1998. Edhe kandidati AKP, Binali Jildrim uroi rivalin e tij për rikonfirmimin. "Rivali im Ekrem Imamoglu po udhëheq aktualisht. E përgëzoj dhe i uroj suksese", tha Yıldırım pas shpalljes së rezultateve të para jozyrtare. "Ne do të përpiqemi ta mbështesim atë në çdo punë që do të bëjë në emër të qytetarëve të Stambollit", shtoi ai. "Zgjedhje do të thotë demokraci. Këto zgjedhje treguan edhe një herë se demokracia në Turqi funksionon në mënyrën më të mirë", deklaroi Yıldırım.

Proces demokratik i Turqisë

Kryebashkiaku i ri i partisë opozitare përshëndeti rezultatin e votimit të përsëritur në Stamboll dhe tha ai kontribuon në procesin demokratik të Turqisë. “Pjesa më e rëndësishme e zgjedhjeve të sotme në Stamboll është kontributi që do të kenë në demokracinë e Turqisë. Uroj që rezultati të jetë në dobi për shtetin tonë dhe Stambollin”, tha Imamoglu duke folur për mediat në Stamboll. Duke iu drejtuar qytetarëve të Stambollit, Imamoglu tha: “Ju keni mbrojtur traditën tonë demokratike më shumë se njëshekullore. Falënderimi u qoftë bashkëqytetarëve të Stambollit”. Imamoglu tha se rezultati i zgjedhjeve nuk është një fitore, por "një fillim i ri për qytetin". Vendimi për zgjedhje të reja është kritikuar nga aleatët perëndimorë dhe ka nxitur shqetësime në mesin e kundërshtarëve të brendshëm, të cilët kanë thënë se demokracia e Turqisë është nën rrezik. Të dielën, dhjetëra mijëra mbështetës të Imamoglut kanë dalë në rrugët e Stambollit, pasi ish-biznesmeni ka fituar kundrejt kandidatit të zgjedhur nga Erdogan. “Ne do të jemi për secilin. Ne do të ndërtojmë demokraci në këtë qytet, ne do të ndërtojmë drejtësi. Në këtë qytet të bukur, unë premtoj se do të ndërtojmë të ardhmen”, ka thënë Imamoglu. Erdogan ka udhëhequr Turqinë nga viti 2013, fillimisht si kryeministër dhe më pas si president, duke u kthyer në politikanin më dominues, që prej themeluesit të shtetit Mustafa Kemal Ataturk, gati një shekull më parë. Partia e tij gëzon mbështetje të madhe mes turqve konservatorë, dhe investimet e vazhdueshme, kanë ndikuar që Erdogan të fitojë zgjedhjet ndër vite.

Andi Lamko

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/07/2019 - 13:21

 Ish-kryetari i Londrës dhe ish-ministri i jashtëm i Britanisë, Boris Johnson do të jetë kryeministri i ri i Britanisë së Madhe dhe kryetar i Partisë Konservatore.

Postuar: 23/07/2019 - 11:07

“Sulm ne zemër, vdes presidenti i Turqisë, Rexhep Tayyip Erdogan”.

Postuar: 23/07/2019 - 09:54

Një 34-vjeçar, baba i 3 fëmijëve, i ka dhënë fund jetës pasi nuk mundi të merrte përkrahje financ

Postuar: 23/07/2019 - 07:28

Irani njoftoi dje se ka shkatërruar një rrjet me 17 spiunë të rekrutuar CIA amerikane dhe disa pr

Postuar: 22/07/2019 - 21:57

Në Aeroportin Heathrow të Londrës është sekuestruar një sasi floriri me vlerë 4 milionë paund.Mës

Postuar: 22/07/2019 - 20:05

Mediat perëndimore kanë dënuar sot shkatërrimin e dhjetra shtëpive palestineze nga ushtria e Iz

Postuar: 22/07/2019 - 19:55

Sekretari amerikan i shtetit Mike Pompeo tha sot se Britania është vetë përgjegjëse për sigurin