BREAKING NEWS

Thellohet skandali, Ilir Meta 13 shkresa shantazhuese ndaj KLGJ e KED brenda vitit, ja si po tenton të kapë Gjykatën e Lartë e Kushtetuese

Thellohet skandali, Ilir Meta 13 shkresa shantazhuese ndaj KLGJ e KED brenda
x

Bota

Rriten tensionet mes Greqisë dhe Turqisë, Franca del në mbrojtje të Athinës dhe bën veprimin urgjent

Rriten tensionet mes Greqisë dhe Turqisë, Franca del në mbrojtje

Franca urdhëroi forcat e Mesdheut lindor t’u vijnë në ndihmë trupave greke, në një kohë kur është tensionuar ballafaqimi mes Greqisë dhe Turqisë lidhur me të drejtat për shpim-kërkim në një territor të diskutueshëm.

Presidenti francez, Emannuel Macron, tha se Turqia ishte ajo që kishte krijuar tensione me atë që ai e cilësoi “veprim i njëanshëm” duke dërguar një anije kërkimi për të analizuar një zonë në Mesdheun lindor që Greqia dhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë si zonë ku vetëm Greqia ka të drejtë shfrytëzimi.

Turqia e interpreton ndryshe ligjin detar. Ankaraja zyrtare kundërshton pretendimin grek mbi ishujt në fjalë. Kohët e fundit Turqia nënshkroi një marrëveshje detare me Libinë dhe të dyja ngritën pretendime mbi një pjesë të zones në fjalë.

Greqia u kundërpërgjigj javën e kaluar duke nënshkruar marrëveshje me Egjiptin dhe duke u futur në zonën e përbashkët turko-libiane, gjë që acaroi Presidentin Recep Tayyip Erdogan.

Që nga ai moment, forcat greke e turke kanë qenë në gjendje gatishmërie. Kontigjenti i forcave franceze përfshin një fregatë, një helikopter amfib dhe dy avionë luftarakë, ndërkohë që ambasadori amerikan në Athinë, Geoffrey Pyatt njoftoi se kryqëzori amerikan USS Hershel “Woody” Williams po dërgohej në rajon.

Këto përforcime pasojnë dislokimin e një flote turke që mbron anijen e kërkimeve Oruc Reis gjatë lundrimit në ujërat mes Kretës dhe Qipros, duke analizuar tabanin e detit në zonën e diskutuar. Presidenti Erdogan paralajmëroi se Turqia do të kundërpërgjigjet nëse sulmohet anija e saj

Megjithëse nuk ka pasur shpime për naftë ose gaz në zonë, Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis akuzon Turqinë se po luan një lojë të rrezikshme, duke kryer provokime. Ai paralajmëroi se më tepër se sa negociata mund të pasojnë një hap të gabuar.

Ka rrezik për aksidente, tha ai në një fjalim të transmetuar nga televizioni në shkallë kombëtare të enjten. Një numër i madh forcash ushtarake janë përqëndruar në një zonë të vogël, shtoi kryeministri grek. Megjithëse Greqia nuk do të jetë e para të përshkallëzojë këtë ballafaqim, ajo nuk do të rrijë duarkryq dhe nuk do të tolerojë provokimet, tha zoti Mitsotakis.

Analistët parashikojnë se ballafaqimi do të tensionohet më tej para se të fillojë ulja e gjakrave, kur Athina dhe Ankaraja të ulen për të diskutuar probleme që nuk kanë gjetur zgjidhje prej dekadash./VOA