BREAKING NEWS

Berisha e Meta në unison kundër bashkëqeverisjes PS-PD, mesazhe e paralajmërime Bashës të refuzojë ofertën e Ramës

Berisha e Meta në unison kundër bashkëqeverisjes PS-PD, mesazhe e
x

Bota

Rritet ndjeshëm numri i infektimeve me Covid-19 në Europë, mutacionet e reja përshpejtojnë përhapjen

Rritet ndjeshëm numri i infektimeve me Covid-19 në Europë,

Europa e cila u duk sikur po merrte pak fryme nga rritja e numrit të infektimeve, është e alarmuar nga përhapja e lartë e varianteve të reja të koronavirusit të ri, variante të cilat janë krijuar si mutacione të koronavirusit klasik që njohëm vitin e shkuar. Një nga vendet e cila po përballet fuqishëm me variantet e reja, e kryesisht me atë britanik, është Italia. Varianti britanik po përhapet në mënyrë të konsiderueshme në 27 vende evropiane të monitoruara nga OBSH dhe është dominuese në të paktën 10 prej tyre: Britania, Danimarka, Italia, Irlanda, Gjermania, Franca, Holanda, Izraeli, Spanja dhe Portugalia. Ai është deri në 50% më i transmetueshëm sesa virusi që u shfaq pranverën e kaluar. “Kjo është arsyeja pse sistemet shëndetësore po luftojnë më shumë tani. Në të vërtetë është në një pikë kthese. Ne duhet ta mbajmë fortesën dhe të jemi shumë vigjilentë”, ka thënë Dr. Hans Kluge, drejtori rajonal i OBSH-së për Evropën. Virusi përfshiu një çerdhe dhe një shkollë fillore ngjitur në periferi të Bollate të Milanos me një shpejtësi të mahnitshme. Për vetëm disa ditë, 45 fëmijë dhe 14 anëtarë të stafit ishin testuar pozitivisht. Analiza gjenetike e bërë nga zyrtarët e shëndetësisë, konfirmoi se varianti shumë ngjitës i identifikuar për herë të parë në Angli po kalonte nëpër komunitet. “Kjo është ajo që tregon se virusi ka një lloj inteligjence. Ne mund të vendosim të gjitha pengesat në botë dhe të imagjinojmë që ato të funksionojnë, por në fund të fundit, ai u përshtat dhe depërton në to”, ka thënë kryetari i Bashkisë së Bollate, Francesco Vassallo. Bollate ishte qyteti i parë në Lombardi, rajoni verior që ka qenë epiqendra në secilën prej tre valëve të Italisë, që u mbyll nga fqinjët për shkak të versioneve që Organizata Botërore e Shëndetësisë thotë se tani po fuqizojnë një tjetër rritje të infeksioneve në të gjithë Evropën. Për sa i përket shifrave të infektimeve në të gjithë Europën, javën e kaluar janë regjistruar plot 1 milion raste, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kjo i ka dhënë fund edhe periudhës gjashtë javore me ulje të lehta të shifrave. Sipas Qendrës Evropiane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, prej fillimit të pandemisë e deri më tani janë regjistruar mbi 22.5 milionë raste të konfirmuara me koronavirus dhe rreth 547,000 vdekje në 30 shtetet evropiane që monitoron. Aktualisht situata është serioze në Republikën Çeke, e cila këtë javë ka regjistruar rekord të gati 8,500 personave të shtrirë të spitale, të prekur nga sëmundja COVID-19, që shkakton koronavirusi. Polonia është duke hapur spitalet e përkohshme dhe është duke rikthyer një izolim të pjesshëm pasi varianti britanik ka rritur 35 për qind të infektimeve. Rritja e shifrave e gjen Europën në një gjendje alarmante duke pasur parasysh se sigurimi i dozave të vaksinave nuk ka shkuar ashtu siç duhej. Shkak për situatën është bërë vonesa e shkaktuar nga kompanitë prodhuese të vaksinave dhe fakti që iu duhet të përballojnë kërkesat nga e gjithë bota.

OBSH kundër pasaportës së vaksinimit

Organizata Botërore e Shëndetësisë është shprehur me shumë rezerva mbi planin e Bashkimit Europian për të pajisur më pasaportë vaksinimi të gjithë qytetarët të cilët kanë marrë dozat e vaksinës, gjeë e cila sipas BE do të lehtësojë procedurat e udhëtimeve. Drejtori rajonal i OBSH-së në Evropë, Hans Kluge tha se nuk është e sigurt se sa zgjat imuniteti pas vaksinimit kundër koronavirusit. Prandaj OBSH i refuzon librezat e kërkuara të vaksinimit. “Ne e kuptojmë që qeveritë përballen me realitetin politik,” theksoi mjeku belg, duke shtuar se hedhja në përdorim e këtyre librezave, që është njoftuar për verën e këtij viti, është “ndoshta e pashmangshme. Por ky nuk është rekomandim i OBSH-së”, shtoi ai. Kushtet teknike për këtë librezë pritet të jenë gati brenda tre muajsh në mënyrë që njerëzit e vaksinuar të mund ta dëshmojnë imunizimin e tyre në të gjithë Evropën pa pasur rrezik për falsifikime. Kluge, pret që pandemia të marrë fund për rreth dhjetë muaj.