BREAKING NEWS

Përditësimi më i fundit i situatës së Covid-19 në vend/ Ulet numri i infektimeve, Ministria publikon të dhënat: Ja sa persona kanë humbur jetën ditën e sotme

Përditësimi më i fundit i situatës së Covid-19 në
x

Bota

Zëvendësimi i gjyqtares përplas Trump me Biden, presidenti: Detyra jonë të plotësojmë sa më shpejt vendin bosh

Zëvendësimi i gjyqtares përplas Trump me Biden, presidenti:

Vdekja e gjykatëses së Gjykatës Supreme në Shtetet e Bashkuara, Ruth Bader Ginsburg duket se po shkakton tërmet në përballjet parazgjedhore amerikane. Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe republikanët në Senat, thanë më 19 Shtator se do të bëjnë çdo gjë që të jetë e mundur që gjykatësja liberale të zëvendësohej sa më shpejt. Ginsburg, 87 vjeç, vdiq më 18 shtator, duke krijuar një zhvillim dramatik që u jep republikanëve një shans për të zgjeruar shumicën e tyre konservatore në gjykatë në 6-3, disa javë para zgjedhjeve të 3 nëntorit. “Ne u vumë në këtë pozitë të fuqisë dhe rëndësisë për të marrë vendime për njerëzit që na zgjodhën me kaq krenari, më e rëndësishmja prej të cilave është konsideruar prej kohësh të jetë zgjedhja e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara. Ne e kemi këtë detyrim, pa vonesë!”, shkroi presidenti Trump në një postim në llogarinë e tij në Twitter.

Përplasjet

Demokratët, përfshirë kundërshtarin presidencial Joe Biden, kanë thënë që fituesi i zgjedhjeve duhet të zgjedhë zëvendësimin e Ginsburg. “Votuesit duhet të zgjedhin presidentin dhe presidenti duhet të zgjedhë kandidatin që duhet të shqyrtojë Senati”, u shpreh Biden. Çdo emërim i Trump në Gjykatën Supreme duhet të miratohet me një shumicë të thjeshtë në Senat, ku Republikanët mbajnë një shumicë prej 53-47. Republikanët do të duhet të nxitojnë për të kaluar të gjitha pengesat procedurale për të marrë një votë në Senatvetëm 45 ditë para zgjedhjeve. Sidoqoftë, edhe nëse Demokratët fitojnë zgjedhjet dhe një shumicë në Senatit, nuk ka asgjë në Kushtetutë që i ndalon Trumpin dhe Republikanët të miratojnë një gjyqtar përpara se një Kongres i ri të betohet më 3 janar. Duke folur për median pranë Shtëpisë së Bardhë, ndërsa po nisej për një tubim në Karolinën e Veriut, presidenti Trump u shpreh se kishte respekt të madh mbi procesin e emërimit të kandidatit të ardhshëm për Gjykatën e Lartë. “Për ata që besojnë se çdo emërim duhet të presë deri pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, tha Presidenti Trump, ai ka një detyrim si fitues i zgjedhjeve të fundit për zgjedhur atë që dëshiron. Shpresoj të rizgjidhem. Por aktualisht unë jam këtu, dhe ne kemi detyrim ndaj votuesve, ndaj të gjithë njerëzve, miliona njerëzve që na zgjodhën këtu”, sqaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë. Presidenti Trump shtoi se emërimi për Gjykatën e Lartë do të dalë këtë javë dhe se ka shumë gjasa të jetë një grua.

Emrat

Në listën e individëve që Presidenti Trump po shqyrton për postin në Gjykatën e Lartë janë edhe tre gra të cilat janë gjyqtare federale të gjykatës së apelit. Amy Coney Barrett, gjyqtare federale e apelit dhe një emër i dashur për konservatorët, është emëruar si një ndër kandidatet e preferuara nga mediat amerikane. Në 2016, Republikanët bllokuan dëgjesën e kandidatit të presidentit Barack Obama, tetë muaj përpara zgjedhjeve presidenciale. Tashmë, ata thonë se për sa kohë kanë kontrollin e Senatit, kandidati i Trump meriton të vihet për votë, një lëvizje që shumë Demokratë e kanë cilësuar si “hipokrite”. Sipas Shërbimit të Hulumtimit Kongresist, mesatarja që duhet për konfirmuar një gjyqtar është 69 ditë, që i bie pas datës së zgjedhjeve, por disa gjyqtarë konfirmohen më shpejtë. Ginsburg, e cila ishte liderja e krahut liberal në Gjykatën Supreme, ishte mbrojtëse e të drejtave të grave dhe luftës kundër diskriminimit. Republikanët kanë një shumicë 53-47 në Senat dhe mund të përballojnë tre devijime nga radhët e tyre dhe ende konfirmojnë një të nominuar me një shumicë të thjeshtë, me nënpresidentin Mike Pence që thyen një barazim të mundshëm 50-50.

Më të lexuarat