Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Arkiva e CIA, Enver Hoxha minoi kufijtë për të ndalur arratisjen e shqiptarëve, amerikanët plan 2 vjeçar për rrëzimin e regjimit, ja cilët persona synonin të rekrutonin

Postuar: 10/11/2017 - 08:22

CIA ka treguar se si Enver Hoxha izoloi Shqipërinë nga të gjitha anët për të ndalur arratisjen e shqiptarëve. Në disa dokumente të deklasifikuara tregohet se në zonat kufitare u vendosën tela me gjemba dhe drita të fuqishme, teksa u instaluan dhe mina tokësore. Po ashtu, tregohet dhe plani i amerikanëve për rrëzimin e regjimit, teksa tregohen synimet e tyre për të rekrutuar sa më shumë agjentë.

Mars 1953

Situata ekonomike

Sipas të përditshmes gjermano-lindore Aussenhandels-Nachrichten volumi i naftës së nxjerrë në Shqipëri në 1952 e kaloi atë të vitit të shkuar me 42.5 për qind, ndërsa prodhimi i naftës bituminoze është rritur me 29 për qind. Masa e operacioneve në miniera është rritur me 18.5 për qind në krahasim me 1951 ndërsa investimet janë rritur me 36 për qind. Sipas Zëri i Popullit në 13 maj 1952, uzina e prodhimit të naftës Stalin plotësoi planin me 104 për qind në prill 1952. Zbatimi i metodës Levchenko-Mukanov reduktoi kostot e prodhimit me 4.4 për qind dhe i kurseu shtetit 526 000 lekë. Punëtorët e vajgurit kishin kursyer 237 000 lekë duke reduktuar kostot, dhe duke prodhuar në javën e parë të majit 23 ton naftë më shumë se plani. Zëri i Popullit njoftonte se brigada e prodhimit të Uzinës Stalin kishte organizuar një kompeticion socialist në nder të kongresit të dytë të partisë. Më 17 maj gazeta raportonte se prodhimi i naftës kishte arritur vetëm në 88 për qind. Disa nga puset ishin bllokuar dhe makineritë ose nuk ishin riparuar ose nuk ishin shfrytëzuar plotësisht. Gazeta raportonte se në shumë raste funksionojnë vetëm 50 për qind e traktorëve që mbajnë puset në funksion. Por kohët e fundit raportohet se janë marrë masa për zbatimin e metodës Kafarov të shpimeve dhe kontrollit të punës. Metoda Levchenko-Mukanov tashmë po përdoret gjerësisht. Prandaj, sipas gazetës, tre puse që më parë funksiononin dobët tashmë janë vënë në prodhim të plotë. Me ndihmën e inxhinierëve sovjetikë, sektorët e prodhimit kanë fituar tre flamurë, ndërsa grupi i traktorëve ka tejkaluar planin me 20-30 për qind.

Kompleksi i Patosit

Zëri i Popullit raportoi më 9 maj se sektori II i prodhimit në Patos kishte mbetur prapa me planin për arsye të udhëheqjes së dobët dhe se organizata e partisë nuk ishte në gjendje të zbulonte shkaqet. Drejtuesi i sektorit Ali Valka dhe disa komunistë të tjerë u kritikuan ashpër dhe u dënuan për dobësitë e tyre. Partia më pas dërgoi Bilbil Shakon për drejtimin e sektorit, dhe ndryshimi ishte i menjëhershëm. Punonjësit arritën të plotësonin deficitet e tyre të janarit dhe shkurtit, ndërsa panin e marsit e plotësuan me 105 për qind. Bilbil Shako komentoi se suksesi i detyrohej aplikimit të metodës Kafarov dhe Levchenko-Mukanov. Sipas tij, u grumbulluan materialet e sipërfaqes si shkallët e litarët dhe puset u vunë në funksion duke ruajtur ritmin teknik. Shpimet sovjetike të naftës së ndërmarrjes së Patosit mund të shihen në të gjithë rrugën Lushnje-Fier. Zëri i Popullit thotë se ata fituan Flamurin e Kuq të Kongresit të Dytë të Partisë. Për më tepër, të gjithë punonjësit kanë kryer punë vullnetare. Ndërmarrja ka tentuar hapjen e puseve të reja në Ardenicë, Lushnje e Roskovec.

Ndërmarrja Rruga Patos

Sipas Zërit të Popullit më 7 maj, punonjësit e ndërmarrjes Rruga në Patos realizuan planin e prillit me 112 për qind dhe reduktuan kostot me 23.46 për qind. Kjo u arrit me anë të kompeticionit socialist mes njësive dhe normave të punës. Suksesin më të madh e pati brigada e Dino Rizait, e cila aplikoi metodën sovjetike Zinxhir. Ndërsa metoda Levchenko-Mukanov u aplikua në sektorin e prodhimit të materialeve si zhavorr dhe shkëmb, e në ndërtimin e urave.

Dhjetor 1956

Gjendja në vendet satelite

Shqipëria dhe Bullgaria kanë përdorur gjuhë të ashpër kritike ndaj Titos, ministri shqiptar i Mbrojtjes e quajti “tradhtar” të kauzës socialiste. Kjo për arsye të thirrjes së qartë sovjetike në komunikatën sovjeto-rumune të 3 dhjetorit ku kërkohet uniteti brenda bllokut sovjetik. Ajo thoshte se rruga e vetme drejt socializmit ishte rruga sovjetike. Ideja është përsëritur shumë herë nga regjimet evropiano-lindore përveç Polonisë dhe Hungarisë. Kjo dhe denoncimi ndaj fenomenit të quajtur “komunizmi kombëtar” e qartësojnë më shumë çështjen për vendet satelite komuniste. Por retorikat e vendeve satelite janë shoqëruar gjithashtu me shantazh ekonomik dhe ulje të çmimeve. Në Çekosllovaki për shembull regjimi bëri të qartë për masat se kishin rritje të standardit të jetesës në krahasim me polakët dhe hungarezët, prandaj duhet të ishin të kënaqur dhe të mos vinin në rrezik gjendjen aktuale të çështjeve. Në vendet lindore satelite periudha e tensioneve e trazirave duket se përkohësisht ka marrë fund, por qetësia mund të jetë gënjyese. Megjithëse ngjarjet në Hungari e Poloni nuk e përhapën dhunën e tyre në vende të tjera, pakënaqësitë në vendet lindore janë në rritje. Duke reaguar ndaj kësaj gjendje autoritetet kanë marrë masa sigurie ndaj aktiviteteve anti-regjim. Në Bullgari u arrestuan mbi 1000 persona, ashtu si dhe në Gjermaninë Lindore, Rumani dhe Shqipëri. Vendet satelite i bënë jehonë linjës sovjetike mbi “kundër-revolucionin” në Hungari dhe shtuna gjithashtu sulmet kundër Perëndimit. Regjimi cek përshkallëzoi gjyqet ndaj spiunëve amerikanë, të cilët po kryhen tashmë të paktën një herë në javë.

Qershor 1959

BRSS-Shqipëri

Komunikata Hrushov-Hoxha e lëshuar më 31 mars, siç u reflektua në përmbledhjen e bërë nga Radio Moska, ka një ton relativisht të butë. Sipas përshkrimit në radio, thuhet se perspektiva e relaksimit të tensioneve ndërkombëtare po përmirësohet në mënyrë të konsiderueshme, pas negociatave në Gjenevë, si dhe me dakordësinë për mbajtjen e bisedimeve në samit. Deklarata bën thirrje në terma jo-specifike për krijimin e një zone antibërthamore e antiraketore në Evropën Qendrore, ndërsa Jugosllavia nuk përmendet fare. Deklarata me sa duket i jep fund fazës shtetërore të vizitës së Hrushovit në Shqipëri. Anëtarët e presidiumit si Mukitdinov dhe disa shoqërues të tjerë të Hrushovit janë kthyer në Moskë, por vetë lideri sovjetik dhe ministri i Mbrojtjes Malinovski kanë ndërmend të qëndrojnë në Shqipëri deri në 6 qershor, siç ishte planifikuar paraprakisht. Megjithëse nuk është njoftuar programi i fazës së dytë të vizitës, qëllimi i Hrushovit mund të jetë përforcimi i kërcënimeve kundrejt planeve perëndimore të krijimit të bazave raketore në Itali dhe Greqi, të cilat që prej fillimit ishin theksi kryesor i vizitës.

Tetor 1964

Marrëdhëniet ekonomike blloku komunist

Programet aktuale për zhvillimin ekonomik të vendeve komuniste mbështeten kryesisht te kreditë afat-mesme e afat-gjata për blerjet e makinerive, impianteve e pajisjeve të transportit. Shumë marrëveshje përfshijnë asistencë teknike dhe kontrata për ndërtimin e ndërtesave apo infrastrukturës. Bashkimi Sovjetik ka luajtur rol kryesor në krijimin e varësisë ekonomike mes vendeve satelite, teksa ndihma ekonomike e tij për bllokun ka arritur deri tani në 4.1 miliardë dollarë që prej vitit 1945. Kreditë afat-gjata për Shqipërinë kanë arritur në 550 milionë dollarë që prej vitit 1945, por vetëm 171 milionë nga Bashkimi Sovjetik, dhe 263 milionë dollarë nga Kina. Kredia e parë madhore e Kinës për Shqipërinë erdhi në vitin 1961, gjatë përkeqësimit të marrëdhënieve me BRSS. Në fund të atij viti BRSS anuloi borxhet Shqipërisë dhe ndërpreu marrëdhëniet me të. Me ndërprerjen e marrëdhënieve ndaluan dhe këmbimet tregtare, ndërsa njëfarë lidhjesh ka vazhduar mes Shqipërisë dhe vendeve satelite sovjetike pas vitit 1961.

Plan dy-vjeçar operacionesh për Shqipërinë

Pjesa I: Kushtet e operimit

A. Efektiviteti i shërbimeve armiqësore të sigurisë

1. Pas shpërthimit të bombës në legatën sovjetike në Tiranë më 19 shkurt 1951, janë shtuar masat e ashpra të sigurisë dhe janë kryer reprezalje të shpejta, prandaj prej atëhere kanë qenë të pakta aktet e rezistencës së hapur. Shtrëngimi i masave të kontrollit ka vazhduar. Një dekret i kaluar në fillim të vitit 1953 kërkon leje të veçantë për mungesë në shtëpi për më shumë se 48 orë, por grupet e refugjatëve thonë se rregulli nuk respektohet gjithmonë. Ka pasur raportime të pakonfirmuara për përforcime të kufirit Shqipëri-Jugosllavi, por Jugosllavia duket se nuk ka pasur vështirësi në dërgimin e agjentëve para e prapa. Si dhe ka pasur një kalim të vazhdueshëm të refugjatëve drejt Jugosllavisë. Edhe kontrollet në kufirin grek duken të buta dhe agjentët apo refugjatët kanë kaluar pa vështirësi gjatë muajve të verës. Disa zona të kufirit grek janë të minuara, edhe një i arratisur tha se kishte kaluar në një zonë të shënuar si të tillë, pa incident.

Anëtarët e grupeve ashtu si dhe refugjatët kanë raportuar edhe për raste kur patrullat kufitare kanë kthyer kokën në anën tjetër kur kanë pikasur njerëz. Vetëm një raportim është marrë për përdorim të telave me gjemba; kjo barrierë ishte rreth 4 km larg kufirit grek. 1 metër e lartë dhe gati 1 kilometër e gjatë. Nuk janë dalluar deri tani qen kufiri, zona me tokë të punuar, projektorë drite apo mjete të tjera. Megjithë lehtësinë relative me të cilën kanë kaluar kufirin shqiptar agjentët dhe refugjatët, siguria e brendshme në Shqipëri është efektive, edhe jo aq sa në vende të tjera komuniste. Kjo kontradiktë në dukje shpjegohet me prapambetjen e vendit dhe izolimin e komuniteteve rurale. Udhëtimi i brendshëm është shumë minimal dhe të huajt dallohen menjëherë.

Masat

Masa që ende nuk janë zbatuar në lidhje me shtrëngimin e kontrollit të brendshëm e kufitar janë:

(a) Toka e punuar përgjatë kufirit. Thuajse e pamundur për arsye të terrenit malor.

(b) Largimi i popullsive nga zonat kufitare.

(c) Tela me gjemba dhe zona të minuara. Të dyja të vështira për arsye të terrenit të ashpër në vend.

(d) Përdorini i qenve nga patrullat.

(e) Instalimi i dritave dhe kullave të vrojtimit përgjatë kufirit. Kjo ka pak gjasa për arsye të rrjetit të kufizuar elektrik në terrenin malor dhe rural.

(f) Shtrëngim i rregullacionit të lejeve të udhëtimit.

(g) Dokumentacioni i ri.

3. Nuk mund të jepet një llogaritje e saktë e efektit të kontrolleve mbi numrin e kalimeve kufitare të grupeve për konspiracion kundër regjimit. Shërbimi shqiptar i sigurisë ka rezultuar mjaft efektiv duke eliminuar grupe të njohura të rezistencës apo duke detyruar të tjerë të largohen në Jugosllavi. Por një grup agjentësh të sponsorizuar nga CIA në vitin 1952 ka raportuar krijimin e rrjeteve me rreth100-300 njerëz (këto ishin pretendime të pakonfirmueshme dhe përkufizimi i “rrjeteve” ishte i pasaktë. Më saktë ato ishin grupe njerëzish, besnikë ndaj liderëve individualë, që mbanin lidhje me kontaktin, i cili nuk ishte agjent rezident). Ekziston informacion i konfirmuar se grupe që veprojnë jashtë Jugosllavisë kanë krijuar kontakte në rajonet veriore malore, dhe janë përdorur, në një prej rasteve për lëvizjen e të arratisurve nga Shkodra drejt kufirit jugosllav. Besohet se “grupet e rezistencës” janë vetën sporadike, duke përfshirë pesë deri në njëzet persona në një fshat, të cilët nuk janë të varur nga njëri-tjetri.

B. Të dhëna operacionale jashtë orbite

Kalime dhe infiltrime të kryera me sukses.

1952- 5 grupe, 26 individë, 2 grupe 4 individë

1953- 3 grupe 15 individë, 1 grupe 2 individë

Humbje gjatë kalimeve kufitare si rezultat i arrestimit

1952: 2 të kapur të gjallë, 1 i supozuar i vdekur

1953: 4 të kapur të gjallë, 3 të vdekur, 1 i supozuar i vdekur

Agjentë të trajnuar për infiltrim: 18 (7 prej të cilëve të trajnuar si telegrafistë)

Natyra dhe masa e grupeve nga të cilët mund të rekrutojmë agjentë

-Ish-klika e mbretit Zog, tre apo katër njerëz që mund të përdoren si drejtues grupi, që mund të na japë Zogu nëse vazhdon bashkëpunimin dhe nëse vështirësitë aktuale me egjiptianët zgjidhen.

-Kampi i refugjatëve, Lavrion, Greqi: Nuk ka njerëz të kualifikuar për drejtues por ka rreth

75-100 të rinj që mund të punojnë si anëtarë grupi në ndihmë të liderit të kualifikuar.

-Ianina e Trieste: Qendrat e interrogimit në Ianina e Trieste kanë pika zbulimi i rekrutimi për refugjatët që mund të bëhen agjentë në të ardhmen.

-Garda shqiptare në Gjermani, e cila ka rreth 200 shqiptarë (tashmë në kontroll të plotë të ushtrisë amerikane) dhe konsiderohet si një grup ku mund të gjenden agjentë të nivelit të ulët që mund të përdoren në raste emergjence, apo si anëtarë të forcës së sulmit.

Metoda që duhet përdorur për kryerjen e infiltrimeve dhe rezidencën e agjentëve

Për të arritur një infiltrim të suksesshëm dhe rezidencë në vend të agjentëve të infiltruar janë të nevojshme metodat e mëposhtme:

(1)   Përdorim i agjentëve të aftë e të trajnuar me kontakte brenda vendit.

(2) Përdorimi i guidave që njohin kufirin dhe rrugën drejt zonës së operimit

(3) Infiltrimi i agjentëve në vendet e tyre të lindjes.

(4) Kontakte direkte të bëhen vetëm me persona me besueshmëri të provuar.

(5) Dokumentacion i plotë.

(6) Kufizim i misioneve të kalimit të kufirit vetëm për objektivin e rekrutimit të një numri të kufizuar agjentësh të rëndësishëm dhe jo i grupeve të lëna në pritje për periudha të gjata.

(7) Kufizim i masës së grupeve. Normalisht misione të tilla duhet të përmbahen në grupe me dy veta apo vetëm një person.

(8) Misionet të kryhen të shpejta dhe të shpeshta, jo të gjata dhe me raste.

(b) Në varësi të mundësive, mbi të cilat nuk kemi kontroll, ekzistojnë mundësi të ardhshme për (1) udhëtim të rregullt në vend, nëse ndodh që udhëtimet në Shqipëri të bëhen më të shpeshta, (2) aktivitet me agjentë të dyfishtë, të dezertorëve shqiptarë.

(3) Rekrutime në zonë.

C. Përdorim i mjeteve jashtë orbitës

1. Mundësitë e përdorimit të aseteve të tilla kufizohen nga mungesa thuajse e plotë e këmbimeve kulturore apo ekonomike mes Shqipërisë dhe botës së lirë, si dhe nga fakti se Shqipëria ka marrëdhënie vetëm me dy vende të lira, Italinë dhe Francën.

2. ZODIAC – Jemi të varur nga shërbimet aleate të Italinë dhe Francës për marrjen e lajmeve, të dhënave biografike etj. për zyrtarët shqiptarë, marinarët apo zyrtarët tregtarë, nëse të tillë ekzistojnë.

3. ZOMBIE – Anëtarët e legatave franceze e italiane janë thuajse të vetmit ushtarë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Natyrisht që ato vëzhgohen me anë të burimeve që kemi, për të dalluar nëse nisin udhëtime të tjera.

Potencialet për agjentë

Ekzistojnë kontakte mes disa oficerëve dhe dy anëtarëve të legatës shqiptare në Romë. Disa takime nuk kanë dhënë shumë shpresa për një dezertim të mundshëm, edhe pse njëri ka treguar mundësi të konvertimit. Ekzistojnë mjetet për përgjime audio por infiltrimi i fshehtë në ambasadat e Romës apo Parisit nuk është i mundur aktualisht. Në Paris mund të kryejmë përgjime por personel amerikan nuk ka të gatshëm. Zakonisht në operacione të tilla nevojitet një pikë ndërlidhjeje, dhe jemi të informuar se mund të ketë komplikime. Ndërsa në Romë kemi pajisjet dhe personalin por për arsye të prioritetit të ulët të caktuar për Shqipërinë, në krahasim me zona të tjera, ka pak shanse të shfrytëzimit të tyre. Zakonisht kërkimi i agjentëve kushtëzohet nga mungesa apo lindja e mundësive të rastit. Ne do të vazhdojmë të kërkojnë dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi që do të lindë. Në një periudhë, ekzistonin shpresa për kryerjen e operacioneve nga Jugosllavia me mbështetjen e UDB. Shpresat bazoheshin në premtimet e UDB për këmbimin e informacioneve por rrjedhimisht ata nuk treguan përmirësime në sjelljen e tyre të përgjithshme dhe nuk arrit asnjë operacion i përbashkët në praktikë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 4

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/11/2017 - 08:45

CIA ka publikuar të tjera dokumente sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë komuniste. Sipas saj, në 1949 Jugosllavia mori pothuajse të gjitha shtetin shqiptarë në dorë dhe kjo përmes manipulimeve. Por nga ana tjetër tregohet dhe situata brenda partisë.

Postuar: 19/11/2017 - 08:42

Në vitin 1962 Enver hoxha shkaktoi përplasje të forta me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Ai sulmoi në këtë periudhë Gjermaninë Lindore dhe kjo nuk u pranua nga askush.

Postuar: 18/11/2017 - 08:56

CIA i ka kushtuar një rëndësi të madhe prishjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Postuar: 17/11/2017 - 08:52

Në vitin 1949 CIA po përdorte shumë tentativa për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 16/11/2017 - 08:26

CIA ka zbardhur synimet që kishte Bashkimi për Shqipërinë gjatë bashkëpunimit të vitit 1954.

Postuar: 15/11/2017 - 08:33

Në vitin 1956 nisën përplasjet brenda Partisë Komuniste të drejtuar nga Enver Hoxha.

Postuar: 14/11/2017 - 08:49

CIA ka dhënë të tjera detaje sa i takon marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.