Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Arkiva e CIA, ja kushtet që SHBA i vuri Enver Hoxhës për të njohur regjimin, italianët dyshime se BRSS inskenoi sulmin në ambasadën në Tiranë

Postuar: 20/10/2017 - 08:55

Shtet e Bashkuara të Amerikës i vendosën disa kushte Enver Hoxhës për të njohur regjimin e tij. Por sipas një dokumenti të deklasifikuar nga CIA, jo të gjitha këto kushte u respektuan, sidomos pas marrëveshje me Bashkimin Sovjetik. Ndërkohë jepet dhe një dokument ku Italia kishte dyshime se Moska e inskenoi sulmin në ambasadën e saj në Tiranë për të rritur ndikimin në regjimin komunist.

Mars 1951

Teoria italiane mbi incidentet e fundit

Burimet në Itali njoftojnë se shpërthimi me bombë në ambasadën sovjetike në Tiranë më 19 shkurt, mund të jetë një sajesë nga ana e sovjetikëve për të justifikuar masat e ashpra represive dhe për të forcuar kontrollin e tyre mbi dikasteret e vendit. Personat e vrarë dhe të plagosur nga bomba ishin vetë zyrtarë dytësorë. Kjo teori për nevojën e justifikimit të vendosjes së masave të ashpra nga sovjetikët dhe jo thjesht të vendosjes arbitrare, mund të tregojë se kontrolli i tyre nuk ka shumë siguri, siç ka qenë në të kaluarën. Lëvizja mund të konsiderohet gjithashtu si njëfarë suksesi për lëvizjen e rezistencës klandestine anti-komuniste. Sipas zhurmave të fundit, polemikat mes kryeministrit Enver Hoxha dhe zëvendës-kryeministrit Tuk Jakova, kanë përfunduar me arrestimin e këtij të fundit. Nuk dihet nëse arrestimi i Tuk Jakovës rreth datës 12 mars ka lidhje me tentativën kundër jetës së zyrtarëve sovjetikë të ambasadës. Deri më 5 prill të gjithë përfaqësuesit e qendrave të partisë ishin thirrur për të diskutuar situatën e krijuar nga bomba në legatën sovjetike dhe arrestimin e Jakovës që pasoi. Informatori ynë beson se si Hoxha, Jakova dhe opinioni publik tregonin antipati ndaj masave të ashpra sovjetike dhe kontrollit të tyre. Më 29 mars Jakova vizitoi portin e Durrësit për të pritur një dërgesë drithi nga Bashkimi Sovjetik. Nëse Jakova e ka pësuar vërtet nga ngjarja e bombës së ambasadës, atëherë me të do të merret drejtpërdrejt ministri i Brendshëm Mehmet Shehu, i cili drejton policinë sekrete dhe është krye-agjenti sovjetik në Shqipëri. Prandaj ai do të drejtojë edhe fushatën kundër devijacionistëve. Ndërkohë gjatë kësaj periudhe është raportuar një qetësi e pazakontë sa i përket incidenteve kufitare me Jugosllavinë. Burimet jugosllave thonë se vendet satelite nuk kanë kryer më provokime që prej mbledhjes së zëvendës-ministrave në Paris më 5 mars. Jugosllavët besojnë se qetësia në incidentet kufitare është një lëvizje e përkohshme që kërkon të forcojë pozitën sovjetike në bisedimet e Parisit, për të hedhur poshtë akuzat perëndimore se BRSS po armatos ilegalisht vendet satelite. Jugosllavët thonë se qetësia në kufi mund të ketë lidhje dhe me ngjarjet e fundit në Shqipëri. Jugosllavët tremben se BRSS mund të fajësojë ata për trazirat në Shqipëri dhe incidentin e bombës në ambasadë, ose ta përdorë këtë si pretekst për ndërhyrje ushtarake. Saktësia e pretendimeve jugosllave nuk mund të vërtetohet pasi ata nuk i kanë raportuar rregullisht incidentet. Por gjatë muajit të marsit Hungaria dhe Bullgaria kanë dërguar nota proteste në Jugosllavi në lidhje me incidentet në kufi. Versioni jugosllav i relaksimit të presionit mund të reflektojë një frikë për ndërhyrje perëndimore në Shqipëri

Mars 1952

Metoda partie (Zëri i Popullit)

Kërkohet përmirësimi i teknikave të agjitacionit

Agjitacioni bolshevik është një instrument shumë i rëndësishëm për edukimin politiko-ideologjik të masave. Ai ka si qëllim të shpjegojë rolin he detyrimet e tyre në zbatimin e vendimeve të partisë e qeverisë, me qëllim mobilizimin e masave. Në shumë raste, puna politike që kryhet mes masave nga organizatat e partisë nuk arrin standardet e duhura. Një gabim i zakonshëm mes agjitatorëve është mangësia në trajtimin e çështjeve në mënyrë bindëse, konkrete dhe agresive. Shumë shpesh ata i flasin punëtorëve dhe fshatarëve në frazeologjinë e gabuar, pa iu referuar idealeve dhe aspiratave të tyre. Agjitatorët shqiptarë duhet të imitojnë homologët e tyre sovjetikë që kanë mësuar t’i flasin punëtorëve dhe fshatarëve në gjuhën që ata kuptojnë, dhe që nuk harrojnë të përmendin sesi përpjekjet e tyre do të shpërblehen në formë mirëqenieje, mallrash etj. Asnjëherë nuk duhet të harrojmë se agjitatori është gjithashtu një Stankovit që duhet të zhvillojë frymën Stankovite te të tjerët, të ndihmojë në luftën ndaj spiunëve të huaj e kulakëve, në ideologji dhe në ndërgjegjësimin e masave për detyrimet e tyre nda partisë dhe qeverisë. Për fat të keq ka agjitatorë, si për shembull në Lushnje, që jo vetëm dështojnë në luftën ndaj kulakëve por arrijnë deri aty sa të thonë “nuk ka më kulakë, kulakët i kemi zhdukur”. Eksperienca na tregon se agjitacioni i partisë është më i suksesshëm kur vetë agjitatorët japin shembullin të parët. Rekordi i Kako Goranxie, agjitatori i Gjirokastrës është një shembull për këtë. Ndërsa shembujt e agjitatorëve Demir Balla, Shyqyri Culi dhe të tjerë nga Durrësi, janë vërtet për të ardhur keq. Përgjegjësia e përmirësimit të agjitacionit varet kryesisht nga komitetet e partive, por shpeshherë ato ia kalojnë të gjithë punën politike seksionit të agjitacion-propagandës. Anëtarët e zyrave të Lushnjës dhe Vlorës për shembull, gjatë periudhës së korrave merren me shifrat dhe përqindjet e prodhimit, duke harruar të bëjnë punën politike me masat. Një tjetër fakt negativ është dështimi i organizimit të takimeve edhe seminareve për trajnimin e agjitatorëve. Për agjitatorët e rinj duhet të jetë në dispozicion dhe libraria, dhe kjo duhet të përdoret vazhdimisht. Në Gjirokastër për shembull vetëm 9 për qind e librave nga libraria e agjitatorëve janë shitur. Prandaj partia duhet të përmirësojë cilësinë dhe anën materiale të agjitacionit në Shqipëri.

Tetor 1953

Synimet e SHBA

Siç është deklaruar më 1947, politika e Shteteve të Bashkuara në lidhje me Shqipërinë ka si qëllim mbrojtjen e pavarësisë së vendit dhe të sigurojë lirinë e popullit shqiptar për të kryer punët e tij pa ndërhyrje nga shtet apo grup-shtetet e huaja. Nga ana tjetër, është deklaruar gjithashtu se “influenca politike e Shqipërisë, burimet ekonomike, ushtarake janë të pakta sa i përket sigurisë së SHBA. Domethënia e saj strategjike qëndron vetëm në vendndodhjen e saj, si bazë e mundshme operacionesh, si hyrje në detin Adriatik dhe si hyrje në Greqi nga veriu. Pra interesat e SHBA në Shqipëri janë vetëm rrjedhime të interesave në Itali, Adriatik dhe Greqi. Pozita e marrë nga President Ëilson kundër propozimeve për ndarjen e Shqipërisë në konferencën e paqes në Paris më 1919 siguroi mbijetesën e pavarur të vendit. Në vazhdim të kësaj tradite të caktuar tashmë, Shtetet e Bashkuara nuk njohën aneksimin e Shqipërisë nga mbretëria Italiane dhe rrjedhimisht pushtimin e saj në prill 1939, por e konsideruan Shqipërinë si një viktimë të aksit të agresionit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore SHBA ka inkurajuar dhe mbështetur rezistencën  vendase kundër forcave naziste e fashiste. Më 10 dhjetor 1942 Sekretari i shtetit  Hull deklaroi rivendosjen e Shqipërisë së pavarur sipas parimeve të kartës Atlantike. SHBA nuk ka njohur regjimin e Hoxhës. Më 8 maj 1945 një mision informal shkoi në Shqipëri për të vëzhguar kushtet dhe zhvillimet për njohjen e mëpasshme të regjimit të Hoxhës.

Kushtet për Enver Hoxhën

Megjithëse marrëdhëniet tona informale me autoritetet shqiptare u përkeqësuan pas vendosjes së marrëdhënieve me BRSS, ne vazhduam të kërkojmë mirëkuptim sipas linjave tona të propozimit për njohjen e regjimit. Ishte parashtruar plotësimi i dy kushteve për njohjen; e para mbajtja e zgjedhjeve të lira, dhe së dyti qëndrimi në fuqi i traktateve në fuqi mes Shqipërisë dhe SHBA prej prillit, 1939. Kushti i parë u plotësua me mbajtjen e zgjedhjeve në dhjetor 1945, kurse kushti i dytë po zvarritej nga autoritetet, kohë gjatë së cilës misioni amerikan në Shqipëri po bëhej objekt trajtimesh jo-miqësore, të pasjellshme dhe dyshuese. Më në fund, më 13 gusht, 1946, nëntë muaj pas ofertës amerikane për njohje, regjimi shqiptar sinjalizoi pranimin e traktateve dhe marrëveshjeve multilaterale ku Shqipëria dhe SHBA ishin pjesë, por nuk pranoi marrëveshjet bilaterale mes dy vendeve. Duke mos marrë këto garanci nga regjimi, SHBA tërhiqi misionin e saj më 14 nëntor 1946. Një tjetër çështje lindi mes Shqipërisë dhe qeverisë së SHBA dhe lëvizjes guerile komuniste në Greqi, teksa kjo e fundit po mbështetej nga Shqipëria, Jugosllavia dhe Bullgaria. Pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë aventurë, si dhe pengimi i Shqipërisë, i punës së komisionit të veçantë të OKB për Ballkanin, janë kritikuar disa herë nga Shtetet e Bashkuara. Më 1948 Departamenti i Shtetit informoi lidhjet e tij në Ballkan se objektivat amerikane në lidhje me vendet satelite të BRSS ishin identifikimi i vende demokratike që nuk siguronin të drejtat e njeriut për popullin e tyre dhe vendet që diskriminonin kundër interesave të SHBA dhe shteteve të tjera miqësore. Në direktiva thuhej se megjithëse SHBA pranonte pjesëmarrjen e Shqipërisë në marrëveshjet e përgjithshme rajonale e Ballkanike për mirëqenien e shteteve, ne do të kundërshtonim aderimin e saj në federata bilaterale apo grupime të gjera shtetesh që krijonin unione ideologjike, pasi një zhvillim i tillë ishte në kundërshtim me vullnetin e popullit shqiptar.

Konkluzionet

1. Pengesat sovjetike për aksesin e SHBA në Shqipëri nuk kanë shkaktuar disavantazhe strategjike apo ushtarake të rëndësishme. Burimet ekonomike të vendit kanë vetëm avantazhe lokale të kufizuara. Aksesi në terren, i cili është një bregdet i gjerë parësor në Ballkan, në rast konflikti madhor do të ishte gjithashtu i parëndësishëm për arsye të mungesës së porteve të përshtatshme, pistave ajrore dhe komunikimeve të dobëta në vend. Po ashtu, kontrolli sovjetik ndaj Shqipërisë i jep asaj vetëm një avantazh të dobët në rast konflikti madhor. Burimet ekonomike të vendit nuk mund të arrihen me rrugë tokësore, dhe zhvillimi i tyre do të kërkonte investime të mëdha në njerëz dhe makineri, që do të ishin jashtë proporcioni në lidhje me përfitimet, prandaj edhe BRSS nuk mund t’i kryejë. Megjithëse përdorimin i bazave të avancuara së nëndetëseve apo aeroporteve të përshtatshme do të kishte avantazhe në kohë lufte, vendet e mundshme për to janë të kufizuara në numër dhe kapacitet, dhe do të ishin të papërdorshme përballë një force ushtarake superiore ajrore apo detare. Dhe në fakt, rëndësia e Shqipërisë për Fuqitë e Mëdha është kryesisht negative dhe përbëhet nga mundësitë për përdorim si bazë guerile për ngacmime ushtarake në operacionet e mëdha.

2. Kontrolli sovjetik i Shqipërisë duket se është kompletuar. Ai ushtrohet kryesisht prej komunistëve shqiptarë dhe nga personeli sovjetik aty, në rast konflikti të brendshëm qeveria sovjetike, duke mos pasur akses direkt në Shqipëri, do të mendonte të shpëtonte personalin e saj ushtarak, pasi nuk do të mund të bënin më shumë pa rrezikuar të nisnin një konflikt të përgjithshëm.

3. Rezistenca aktuale sporadike në Shqipëri nuk mund të përmbysë regjimin pa ndihmë nga jashtë Shqipërisë. Nuk ka alternativë tjetër përveç regjimit të Hoxhës në Shqipëri, dhe e vetmja mundësi vjen nga grupet jashtë Shqipërisë.

4. Asnjë qeveri apo pushtet në Shqipëri nuk mund të ekzistojë pa ndihmën e një apo disa fuqive të mëdha. Standardet aktuale ekonomike e sociale nuk janë të favorshme për funksionimin e një demokracie, në sensin perëndimor të fjalës. Një regjim jo-komunist duhet patjetër të ndjekë forma demokratike të veprimit dhe të sigurojë të drejtat e njeriut në vend.

5. Nga fqinjët e Shqipërisë, Jugosllavia gjithnjë e më në vështirësi me Kremlinin dhe Cominform, duket se po krijon probleme për regjimin e Hoxhës. Ato vijnë në formën e sulmeve guerile, sanksioneve ekonomike dhe propagandës. Për sa kohë në Shqipëri do të ketë një regjim si i Hoxhës, qeveria e Titos nuk do të mund të tentojë përmbysjen e regjimit pa rrezikuar të goditet nga sovietikët nga veriu dhe lindja. Nëse regjimi komunist në Shqipëri bie nga shkaqe të tjera, situata apo koha do të përcaktonte nëse Kremlini do të kundërshtonte tentativat e Titos për të avancuar aty. Prandaj në rast të zhvillimeve anti-Hoxha duhet shikuar me kujdes rrethanat e marrëdhënieve mes Shqipërisë, Titos e Kremlinit, si dhe ato mes Titos dhe botës jo-komuniste. Veprimet për përmbysjen e Hoxhës do të kishin avantazh për ne vetëm nëse situata është e tillë që Tito nuk mund të hyjë në Shqipëri, apo nëse mund të influencohet të mos e bëjë prej dëshirës për të konsoliduar regjimin e tij.

6. Greqia nuk ka avancuar me pretendimet e saj territoriale në Shqipëri dhe as të neutralizojë rezistencën kundër pretendimeve me bazë në Greqi. Do të kishte nevojë për presion diplomatik për të bërë që Greqia të mos ndërhynte në Shqipëri në rast të ndonjë krize të brendshme.

7. Italia aktualisht nuk ka pretendime, ndërsa është Shqipëria që ka pretendime ndaj Italisë. Italia ka dënuar dhe madje ka mbështetur aktivitete kundër regjimit të Hoxhës, veçanërisht kur është nxitur nga SHBA.

8. Po përgatitet situata për një bashkim të kujdesshëm të grupeve anti-koministe të emigracionit, nën drejtimin e Shteteve të Bashkuara dhe Aleatëve. Disa të emigruar kanë krijuar komitete për aktivitete anti-regjim nga jashtë Shqipërisë dhe në ldhje me rezistencën e brendshme. Por ato kanë nevojë për mbështetje monetare dhe mjetesh. Ato do të pengoheshin nëse merrte pjesë personalisht Mbreti Zog, ashtu siç nuk do të funksiononte nëse merrnin pjesë anëtarët e grupeve

VATRA apo Shqipëria e Lirë.

9. Përmbysja e regjimit Hoxha prej anti-komunistëve shqiptarë dhe vendosja e regjimit anti-komunist në Shqipëri, do të kishte një efekt të rëndësishëm psikologjik në ngritjen e moralit të grupeve të rezistencës, si dhe te vendet e tjera komuniste nën dominimin sovjetik, në Ballkan dhe në Evropën Lindore.

10. Politika aktuale e Shteteve të Bashkaura ndaj Shqipërisë duhet rishikuar për të përfituar nga situata aktuale në Shqipëri dhe Ballkan.

11. Instrumentet në zotërim të SHBA për ekzekutimin e politikës në Shqipëri janë të pamjaftueshme për zbatimin e politikës së dëshiruar. Prandaj nevojitet dhe duhet fituar bashkëpunim i plotë me qeverinë britanike, qeverinë franceze dhe agjencitë e tyre. Në faza të mëvonshme mund të merret në konsideratë bashkëpunimi edhe me qeverinë turke.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 9

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/11/2017 - 08:58

CIA ka dhënë detaje mbi mënyrën se si ka funksionuar Sigurimi i Shtetit. Përmes një dokumenti të deklasifikuar tregohen se kush ishin drejtuesit në rrethe dhe cilat ishin bazat kryesore. Po ashtu tregohet dhe se si funksiononte policia.

Tetor 1950

Forcat e policisë

Postuar: 22/11/2017 - 09:28

CIA u ka kushtuar një rëndësi të madhe marrëdhënieve mes Shqipërisë komuniste dhe Jugosllavisë.

Postuar: 21/11/2017 - 08:45

CIA ka publikuar të tjera dokumente sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 19/11/2017 - 08:42

Në vitin 1962 Enver hoxha shkaktoi përplasje të forta me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Ai sulmoi në këtë periudhë Gjermaninë Lindore dhe kjo nuk u pranua nga askush.

Postuar: 18/11/2017 - 08:56

CIA i ka kushtuar një rëndësi të madhe prishjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Postuar: 17/11/2017 - 08:52

Në vitin 1949 CIA po përdorte shumë tentativa për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 16/11/2017 - 08:26

CIA ka zbardhur synimet që kishte Bashkimi për Shqipërinë gjatë bashkëpunimit të vitit 1954.