Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Arkiva e CIA, ja si agjentët e infiltruar në territorin shqiptar luftuan me Sigurimin dhe ushtrinë, strategjia që u ndoq për t’u arratisur jashtë kufijve

Postuar: 22/07/2018 - 08:09

Dalin në dritë të tjera detaje nga infiltrimet e agjentëve të CIA në territorin shqiptar. Dje gazeta publikoi se si një grup agjentësh britanikë arritën të futen në territorin shqiptar, ndërsa sot po jepen detaje se  si u përplasën ata me autoritet vendase dhe si arritën të arratisen.

Infiltrimet e agjentëve

Rreth orës 1930 nisën të shtënat e armëve nga pozicioni që grupi Fig kishte dashur të zinte, dhe ishte e qartë se ata ishin rrethuar nga 3 anë. Agjentët Airbrake dhe Airborne u instruktuar të avanconin drejt zjarrit të pushkëve nga e djathta dhe të riktheheshin në qendër, për të përcaktuar nëse edhe rruga përpara ishte e mbuluar nga forcat armike. Airborne u godit nga mitralozi duke tentuar të siguronte një pozicion të ri. Tre anëtarët e tjerë të grupit e bënë të heshte mitralozin dhe qëlluan me të gjithë forcën. Airbrake kërceu nga pozicioni i tij dhe lëshoi një granatë dore në pozicionin armik në të djathtë, duke e eliminuar. Airuise deklaron se në atë moment grupi kaloi në kundërsulm dhe nisi të qëllonte dhe të avanconte drejt pozicionit të goditur nga Airbrake. Agjenti Airbred ishte i pari që doli nga pozicioni dhe pasi u nda nga grupi nuk u takua më me ta deri të gjithë u bashkuan në Greqi më 21 tetor.

Arratisja

Pas ndarjes nga grupi Airbred eci nëpër male në kërkim të shokëve, por pasi nuk pati sukses mori drejtimin e kufirit, duke besuar se edhe kolegët do të bënin të njëjtën rrugë daljeje nga Shqipëria. Gjatë rrugës së daljes ai nuk pati probleme dhe kaloi kufirin në 19 tetor. Katër anëtarët e tjerë të grupit vazhduan të lëviznin jashtë zonës së rrethuar pa u ndjekur nga forcat komuniste. Grupi lëvizi gjatë gjithë natës dhe arriti në pikën K 2399 ku kontaktoi me miq në 16 tetor. Ata pyetën nëse kishte informacione mbi betejën e zhvilluar dhe nëse ishin vrarë ose kapur “reaksionarë”. Kontaktet e tyre thanë se të gjithë agjentët i kishin shpëtuar grackës. Ata kërkuan gjithashtu gjurmë për Airbred te të njohurit e tyre por pas dy ditësh nisën rrugën e kthimit drejt kufirit të Greqisë. Pranë kufirit më 20 tetor grupi hasi një bari, i cili nuk i vuri re agjentët. Grupi qëndroi i fshehur gjatë ditës dhe avancoi në errësirë por për të arritur një pozicion të mbrojtur mirë ata duhet të kalonin në një pjesë të hapur toke. Ata vendosën të kalonin të gjithë njëherësh, por sapo njeriu i tretë nisi të vraponte, nisën të shtënat e armëve. Kjo bëri që Airuise të ndahej nga grupi nga njëra anë e zonës së hapur, ndërsa Airborne, Airbred dhe Rndolar të mbeteshin në tjetrën. Treshja u përpoq të mbulonte me zjarr krahun e Airuise por nuk arritën të bashkoheshin me të në anën tjetër. Airuise i sinjalizoi treshes të avanconin pa të, teksa ai do të strehohej më thellë në zonën e rrethuar.

Arratisja e Airuise

Airuise hyri thellë në zonën e rrethuar me shpresë të arrinte në pikën më të lartë pa u dalluar, duke i rënë rrotull malit të Kamenicës. Ai raporton se zjarri kishte vazhduar në drejtim të tre agjentëve të tjerë. Airuise u zhvendos në pikën e dëshiruar. Më vonë ai hasi në një bari, me të cilin u hoq si ushtar shqiptar. I kërkoi llogari bariut se përse qentë e tij nuk ishin të lidhur siç kërkonte urdhri, ndërsa më tej i shpjegoi se ishte pjesë e grupit që kishin rrethuar “reaksionarët” kodrat përtej. Bariu i lidhi qentë dhe i tha Airborne se kishte dëgjuar vërtet disa të shtëna por askush nuk kishte ardhur t’i thoshte se duhet t’i mbante qentë lidhur. Airuise më tej i kërko bariut mos kishte nuk, pasi furnizimet nuk kishin ardhur ende. Bariu i dha bukë dhe i tha se kishte parë disa kamionë që kishin ndaluar në rrugë në mëngjes. Airuise i tha bariu të mos e raportonte të ushtarët që i kishte marrë bukë, dhe vazhdoi më tej gjoja në vijim të kërkimit për “reaksionarë”. Rreth 4 km larg kufirit Airuise hasi në një gardh me tela. Pasi qëndroi ca kohë duke observuar, vendosi të kapërcente gardhin dhe të vazhdonte rrugëtimin. Pak pasi kaloi kufirin ai qëlloi dy herë në ajër për të vënë në alarm rojet greke, me të cilët u takua mëngjesin e 21 tetorit (Airuise nuk ishte në gjendje të përcaktonte vendndodhjen e saktë të kalimit të kufirit por ne presim që informacioni të na vijë së shpejti nga njësitë kufitare greke). Kur Airuise i sinjalizoi pjesës tjetër të grupit të avanconin drejt kufirit ata e bënë këtë menjëherë dhe me sa kuptuan nuk u ndoqën nga forcat komuniste. Terreni në të cilën ata lëvizën ishte i mbuluar nga shkurre të dendura, që janë tipike për zonat e thata si për Greqinë dhe Shqipërinë. Gjatë kohës që qëndronin të fshehur, grupi pa një grup prej 13 ushtarësh që lëviznin drejt zonës nga ku ishin larguar. Grupi thotë se ushtarët kaluan shumë pranë tyre dhe disa nga ushtarët i kanë pikasur por nuk kanë treguar për pozicionin e tyre. Më pas tre agjentët avancuan drejt kufirit, të cilin e kaluan natën e 20 tetorit. Në orët e mëngjesit ata u morën nga rojet greke dhe po atë ditë u bashkuan me anëtarët e tjerë të grupit Fig.

Kontaktet

Gjatë këtij misioni grupi ka kontaktuar me listën e mëposhtme të personave. Grupi është përsëri i plotë dhe mund të thirret në veprim brenda 24 orëve njoftim. Grupi njofton se Rapush Agolli ka rreth 10 pushkë për grupin e tij prej 60 njerëzish. Dilavet Ali Zvarishti ka 15 pushkë italiane dhe një mitraloz për grupin e tij. Elmas Raman Sokallari nuk ka kontaktuar këtë vit. Subjekti është liruar kohët e fundit nga burgu dhe raportohet se ka kontaktuar me Taip Tafip Zbogi nga Abogu. Këta dy njerëz mund të ngrenë një forcë prej rreth 60 vetësh. Kanë 20 pushkë dhe një mortajë të lehtë italiane. Bajram Bekteshi nga Tresova është një kontakt i ri. Vitin e kaluar Bektashi ishte anëtar i grupit të Tosuni Manshe, të cilët mund të mbledhin rreth 30 vetë dhe kanë 3-4 pushkë.

Shpenzimet

Gjatë këtij operacioni grupi Fig ka shpenzuar monedha floriri si më poshtë për shërbimet e bëra nga individët: Nisi Polena ka marrë 2 monedha ari për informacionet dhe bashkëpunimin me grupin. Elmas Ramani Sokallari ka marrë 9 monedha ari për furnizimin me ushqim dhe informacion. Gruaja e agjentit Airborne ka marrë 5 monedha ari për furnizimin me ushqim dhe veprimin si kontakt. Gruaja e Tosum Hoxhës nga Tresova ka marrë 2 monedha ari për punën si kontakt për grupin. Rapush Agolli ka marrë 4 monedha ari për blerjen e lekëve shqiptare. Agulli ka marrë 5 monedha të tjera për shërbime dhe informacione për grupin mbi udhëtimet. Libian Çesma ka marrë 4 monedha ari dhuratë, si udhëheqës i një force prej 200 vetësh. Hysen Qerim Spahua ka marrë 3 monedha ari për furnizimin e grupit me bukë dhe duhan. Dilaver Ali Zvarishti ka marrë 8 monedha ari për asistencë dhe informacione për grupin. Adem Zeneli ka marrë 4 monedha ari për furnizimin e grupit me ushqim dhe lekë. Çaush Osmani ka marrë 3 monedha ari dhuratë, ai ka ndihmuar me ushqime në të kaluarën. Bajram Bektashi ka marrë 4 monedha ari, si udhëheqës i grupit të rezistencës të sipër-përmendur. Safer Bekteshi ka marrë 2 monedha ari për të siguruar lek, ai nuk është kontaktuar më pas grackës. Adem Zeneli ka marrë 6 monedha ari. Anëtarët e grupit nuk e përmendën këtë deri në zhvillimin e llogarive financiare të misionit. Shef Shahin ka marrë 4 monedha ari për shërbime të mëparshme për grupin. Xhafer Kodheli ka marrë 4 monedha për shërbime të shkuara ndaj grupit. Bektash Demir Zbogi ka marrë 10 monedha ari për ushqim edhe kujdesje për agjentin Airbrake gjatë sëmundjes së tij. Duke marrë gjithçka në konsideratë, grupi Fig ka dhënë informacione të rëndësihme dhe ka krijuar kontakte që janë ende në gatishmëri për të hyrë në veprim brenda 24 orësh nga njoftimi. Ne shpresojmë që grupi Fig i misionit të 1954 të prodhojë informacione më të mira dhe të jetë në pozitë për të kryer aktivitete më të gjera, nëse qendra e dëshiron këtë. Fakti se Fig u detyrua të rikthehej jashtë Shqipërisë dhe se gjatë daljes ata kanë shkatërruar shënimet e tyre, duhet të merret në konsideratë dhe të vlerësohet përkundrejt kohës, parave dhe përpjekjeve të grupit. Ne shpresojmë që të kemi mbuluar çdo detaj të rëndësishëm të misionit por në rast se nuk është kështu jemi të gatshëm të plotësojmë çdo boshllëk të raportimeve. Shtojmë se herë pas here anëtarët e grupit Fig raportojnë për detaje që iu kujtohen, të cilat do të kalohen te ju sapo te merre.

 

Viti 1950

Në korrik 1950 një ushtar nga Fieri, për arsye të pakënaqësisë ndaj regjimit i vuri zjarrin pyllit në ishullin e Sazanit me shpresën që të shpërthenin depot e municionit në ishull. Por zjarri u shua dhe ushtari përgjegjës u burgos. Në nëntor 1949 në Sazan, një grup i vogël ushtarësh formuan një rreth dhe nisën të shkruanin slogane kundër Enver Hoxhës dhe partisë. Këta elementë po organizoheshin me qëllim të eliminonin rojet dhe të arratiseshin drejt Italisë, por u zbuluan dhe u arrestuan. Iniciatori i kësaj ishte rreshter Prenk Ndue Gjergji nga Shkodra i cili mori burgim të përjetshëm, ndërsa të tjerët u dënuan nga 7 deri në 22 vjet burgim. Në ushtri, trajtimi nuk është i njëjtë për të gjithë, veçanërisht doktorët komunistë nuk e vrasin mendjen për ushtarët që nuk janë anëtarë të partisë. Për shembull një rreshter u sëmur rëndë, por doktor Bilbili nuk u interesua fare për të dhe ushtari vdiq. Doktori shkon në familjet e oficerëve për të bërë vizita private dhe ka besimin e partisë, prandaj nuk e vret mendjen për detyrën. Duke qenë komunist, ai nuk ka fare ndjenja njerëzore. Ushtarët që nuk kanë njerëz që mund t’i ndihmojnë e kanë shumë të vështirë. Për shembull ushtari Rexhep Haruni nga një fshat i Fierit, i cili po shërbente në brigadën bregdetare në Durrës, la në shtëpi 6 anëtarë të familjes në gjendje të vështirë. E shoqja i shkroi se ishin detyruar të shisnin 2 qetë që kishin për të plotësuar taksat e shtetit dhe për të ushqyer fëmijët. Raste si këto ka me qindra e mijëra në Shqipëri. Përveç vuajtjeve morale e fizike, ushtarët kur lirohen u merren rrobat dhe duhet të shkojnë në shtëpi thuajse zhveshur e zbathur. Në dimrin e vitit 1950 disa ushtarë nga Elbasani u liruan nga shërbimi në Leskovik. Duke ecur për në shtëpi, në malin e Qarrës pranë Kolonjës, dy prej tyre vdiqën të shqyer nga ujqërit, dhe një tjetër vdiq nga moti i keq. Ushtarët gjithashtu duhet të marrin pjesë në kurse të përditshme politike që mbahen në çdo njësi, në të cilat ofendohen politikat anglo-amerikane dhe aktivitete e tjera të huaja.

Operacionet e CIA, viti 1950

Politika aktuale e SHBA në lidhje me Shqipërinë ka si objektiv rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë me anë të përmbysjes së regjimit aktual dhe zëvendësimin e tij me një qeveri të pranueshme nga populli i Shqipërisë. Kjo qeveri do të gëzonte mbështetjen e shteteve të Bashkuara për sa kohë mbetej miqësore me Shtetet e Bashkuara dhe objektivat e saj, dhe armiqësore ndaj Bashkimit Sovjetik dhe objektivave të tij. Qeveria e SHBA shikon pozitivisht nisjen e hapave për realizimin e politikës së saj në Shqipëri. Mbështetja ekonomike që SHBA do t’i jepte një Shqipërie jo-komuniste, do të ishte e vogël po të marrim parasysh detyrimet e SHBA në vende të tjera. Në ndjekje të kësaj politike SHBA duhet të veprojë në bashkëpunim me Britaninë e Madhe dhe dy vendet duhet të marrin përgjegjësi të plotë dhe të mos delegojnë përgjegjësinë te kombe të tjera, sado miqësore të jenë ato me SHBA. Por gjithsesi përdorimi i mjeteve dhe marrja e asistencës nga vende të tjera si Franca e Italia është e mundshme.

Marrja e masave

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët duhet të marrin masa paraprake për ndalimin e ndërhyrjes së Titos në Shqipëri; ky rrezik mund të reduktohet nëse merren masa kundër krijimit të vakumit të pushtetit në Shqipëri, domethënë të mos ketë interval me zhdukjes së Hoxhës dhe ardhjes së pushtetit të shqiptarëve të orientuar nga Perëndimi. Përpara paraqitjes së planit në Këshillin Kombëtar të Sigurisë, duhen bërë konsultime me stabilimentin ushtarak dhe gjeneralin Van Fleet.

Operacionet

Kontakte të fshehta duhet të krijohen me grupet e ndryshme të emigracionit me pikësynim organizimin e një fronti të bashkuar të gjithë anti-komunistëve shqiptarë, pa dallime politike. Grupi i Ballit Kombëtar me në krye Mit’hat Frasheri duket si më i kualifikuari për të marrë drejtimin e frontit të bashkuar. Grupe të tjera duhet të ftohen për bashkëpunim dhe të pranojnë lidershipin e Frashërit në përpjekjen për çlirimin e Shqipërisë nga dominimi i komunistëve. Selia e komitetit kombëtar duhet të krijohet në qytetin e duhur, mundësisht Trieste, dhe degë të tjera të krijohen në New York, Paris, Cairo e mundësisht Athinë. Në kohën e duhur, të informohen qeveritë e Athinës dhe Romës për qëllimet tona dashamirëse në drejtim të komitetit të bashkuar shqiptar, me qëllim për të ndaluar ndërhyrjet e tyre në aktivitetet e komitetit. Qeveria britanike duhet të informohet, fillimisht informalisht, për t’u siguruar mbi mendësinë për Shqipërinë dhe programin e përgjithshëm të politikave. Duhet të merret besimi për bashkëpunim më të ngushte në vazhdim të veprimeve. Qeveria franceze duhet të informohet, fillimisht informalisht, për t’u siguruar mbi mendësinë për Shqipërinë dhe për ta informuar mbi krijimin e Komitetit Kombëtar Shqiptar. Duhet të përcaktohet masa e përfshirjes së qeverisë franceze, kryesisht në operacionet e fshehta, nëse lind nevoja.

22 tetor 1951

Konkluzione të konsultimeve për operacionet në Shqipëri

Është rënë dakord se viti 1952 duhet të jetë vendimtar për operacionet e përbashkëta BGFiend/Valuable. Pranvera e vitit 1953 mund të jetë limiti i ruajtjes së moralit të lartë aktual të rezistencës në vend, para se të nisë përkeqësimi dhe demoralizimi i palëve tona aleate. Ministria e jashtme britanike ka njoftuar Departamentin e Shtetit se në politikat e saj përfshihet një Shqipëria e pavarur. Britanikët thonë se pranojnë urgjencën e situatës dhe do të lejojnë përshkallëzim të aktiviteteve. Edhe qëndrimi i Departamentit të Shtetit është i njëjtë, prandaj misioni pritet të marrë një fuqizim brenda 3-muajve. Deri në marrjen e instruksioneve të tilla operacionet do të vazhdojnë në nivelin aktual. Politika zyrtare kundrejt komitetit shqiptar të Prizrenit, të sponsorizuar nga jugosllavët e pritjes në mbikëqyrje. Motivet e vërteta të këtij grupi mund të vënë në dyshim apo dhe të sulmojnë Komitetin Shqipëria e Lirë, por gjithsesi duhet të evitojmë konfrontimet e hapura me jugosllavët.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/09/2018 - 07:12

CIA kishte menduar të gjitha alternativat për të rrëzuar regjimin komunist. Në një dokument të deklasifikuar nga amerikanët, thuhet se kishin një plan me 6 pika, ku një ndër to ishte dhe të dërgoheshin letra me helm.

Postuar: 21/09/2018 - 07:11

CIA amerikane ka pasur të dhëna të plota sa i takon zhvillime të Shqipërisë gjatë periudhës komun

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pje

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19