Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA deklasifikon dokumentet, Greqia kishte infiltruar 90 agjentë në Shqipëri më 1949, SHBA priste rrëzimin e Titos për të goditur Enver Hoxhën

Postuar: 02/08/2018 - 09:00

Dalin në dritë të tjera informacione sa i takon marrëdhënieve me Greqinë gjatë periudhës së komunizmit. CIA ka deklasifikuar disa informacione, ku jepen detaje mbi operacionet që zhvilloheshin nga Greqia për të rrëzuar diktatorin Hoxha. Aty thuhet e vetë Greqia kishte arritur të infiltronte rreth 90 spiunë. Ndërkohë amerikanët po prisnin që RSS të rronte Titon në mënyrë që ata të rrëzonin Enver Hoxhën.

Viti 1949

Strategjia e operacioneve

Deri tani nuk ka programe të “Zërit të Amerikës” që mund të dëgjohen në Shqipëri, por kjo është diçka e nevojshme dhe duhet të realizohet menjëherë. Është e nevojshme të rrënjosim dhe të zhvillojmë te populli shqiptar mendësinë se ata janë jashtë botës demokratike vetëm përkohësisht dhe se bota e njeh të drejtën e tyre për ekzistencë të pavarur dhe se ka simpati për katastrofën që e ka pllakosur vendin që prej vitit 1939. Përvjetori i dhjetë i pushimit fashist do të ishte një datë e përshtatshme e nisjes së transmetimeve shqiptare të Zërit të Amerikës. Më vonë tekstet e tyre mund të përdoren dhe nga radio Selaniku e radio Athina. Një vit më parë u hartua plani për Radio Selanikun dhe verën e shkuar u dërguan pajisjet nga Italia në Greqi. Por përgatitjet kanë ndaluar pasi kur arritën pakot e pajisjeve me emrin në kod “Dora” autoritetet refuzuan kalimin e tyre. Me sa duket një punonjëse e re e konsullatës sonë në Senanik quhet Dora dhe priste t’i vinin disa sende personale nga SHBA. Kështu që kur erdhën kullat e dinamor e radios me emrin Dora zyrtarët e doganave u habitën dhe kërkonin informacione të detajuara për të lejuar kalimin e tyre. Dërgesa u vonua disa muaj deri autoritetet kuptuan se “Dora ishte një emër në kod për një projekt qeveritar dhe nuk kishin lidhje me punonjësen e re amerikane. Është zgjedhur toka e përshtatshme dhe arkitekti i qendrës së transmetimit. Disa vonesa të tjera administrative pasuan por pengesa kryesore ka qenë një “Moratorium për ndërtimin e stacioneve radio në Selanik” për të cilin nuk kemi marrë ende përjashtim. Vendasit kërkojnë që ne të sjellim pajisjet teknike dhe të ruajmë pronësinë, ndërsa grekët të furnizojnë me materialet dhe shërbimet lokale. Një komitet i përbashkët greko-amerikan do të operojë stacionin pas një periudhë fillestare testimi. SHBA do të ketë kontrollin e përmbajtjes së programeve. Me sa kuptojmë pengesa e nënshkrimit nga ministri i financave vjen pasi ata dëshirojnë që pajisjet të mbeten pronë e qeverisë greke pas përdorimit të stacionit. Ambasadori është interesuar për projektin dhe shpresojmë që marrëveshja të arrihet së shpejti dhe stacioni të nisë transmetimet brenda katër muajve.

Infiltrimet

Përveç qasjes radiofonike ne duhet të përshkallëzojmë aktivitetet e infiltrimit të njerëzve të kualifikuar. Grupet e hetimit të komitetit të veçantë të OKB për Ballkanin kanë akses për të gjitha anët e kufirit grek me Shqipërinë, dhe kjo është diçka e vlefshme që mund të shfrytëzojmë. Raportimet e marra nga ky komitet bazohen vetëm në dëshmitë e personave të kapur, por me një vonesë prej gati tre-muajsh mes ngjarjeve dhe raportimeve të komitetit. Prandaj ato nuk kanë vlerë për ne, por ekzistenca e komitetit dhe grupet e hetimit mund të jenë një avantazh për ne. Jemi duke e studiuar këtë mundësi. Jemi në dijeni se inteligjenca detare italiane është aktive në dërgimin e agjentëve në Shqipëri. Nuk dimë shumë për qëllimet e këtyre operacioneve por besojmë se njerëzit tanë në Itali duhet të dinë më shumë. Shoqëria e Epirit të Veriut, e cila ka selinë në Athinë ka qenë aktive në ndjekjen e zhvillimeve në Shqipëri dhe në përgatitjen e raporteve e intervistave me të ardhurit në Greqi nga Shqipëria. Shoqëria përpiqet me çdo kusht të intervistojë refugjatët ortodoksë nga Shqipëria, pasi meqenëse i konsideron si minoritarë grekë, nuk merren në pyetje nga Byroja e të Huajve, dhe japin vetëm një deklaratë të shkurtër rutinë në pikat ushtarake kufitare. Ka një mundësi që ne të shfrytëzojmë aktivitetin e kësaj shoqërie dhe ndoshta të dërgojmë agjentët e saj në Shqipëri. Duke parë karakterin e saj të fortë aneksionist, aktivitet tona me këtë shoqëria duhet të mbahen të fshehta nga lëvizja e nacionalistëve shqiptarë. Aktualisht komandanti i divizionit të ushtrisë greke në Janinë ka një rrjet prej rreth 90 agjentësh në Shqipëri. Ky rrjet është krijuar për të mbledhur informacion taktik mbi bandat e banditëve dhe nganjëherë kryejnë vepra sabotazhi. Ata janë në fakt një grup barinjsh që duke lëvizur me bagëtitë e tyre nga një kullotë në tjetrën dhe duke u takuar me barinj të tjerë marrin dhe shpërndajnë mesazhe gojore. Ky rrjet është i shtrirë rreth 20 km në brendësi të Shqipërisë dhe mund të përdoret për depërtimin e ushtrive greke në veri. Ndërsa vendosja e një njeriu në ambasadën franceze në Tiranë. Mundësisht në zyrën e atasheut ushtarak, do të ishte një operacion delikat por me shumë interes.

Konkluzion

Realizimi i këtyre sugjerimeve do të sillte një zbutje të konsiderueshme të strukturës shqiptare të pushtetit, duke plotësuar kushtin tonë të tretë për suksesin e operacionit. Meqenëse britanikët me shumë gjasa do të mësojnë për lëvizjet tona me refugjatët shqiptarë, sugjerojmë që britanikëve t’u qartësohet që dëshirojmë vetëm bashkëpunimin e tyre pasiv por jo më shumë. Raporti i mësipërm është shkruar sipas supozimit të vazhdimit të Luftës së Ftohtë mes SHBA e BRSS, si dhe në rast të vazhdimit të mbështetjes sovjetike për guerillasit komunistë grekë. Gjithsesi maturia kërkon që ne të marrim gjithashtu në konsideratë faktin se komunizmi ndërkombëtar do të përshkallëzojë aktivitete e tij këtë vit, dhe kjo ka një referencë të veçantë për operacionet tona shqiptare. Dy vjet më parë BRSS dhe satelitët mbështetën kauzën e guerilasve grekë, deri në masën sa të mos shkaktonin një përçarje brenda Kombeve të Bashkuara. Asokohe Greqia ishte një prioritet i politikës së Ballkanit dhe blloku sovjetik prezantoi një front të përbashkët. Por sot gjërat janë ndryshe pasi Tito e refuzoi atë. Tani Moska kërkon t’i japë një mësim Titos dhe të tjerëve që mendojnë të ndjekin shembullin e tij. Sot për sovjetikët është Jugosllavia dhe jo Greqia çështja e rëndësisë kryesore në Ballkan. Gjatë nëntë muajve të fundit kemi ndjerë dridhjet e presionit në rritje të BRSS ndaj Jugosllavisë, të cilat së shpejti pritet të dalin në dritën e diellit. Ne e dimë se të ashtuquajturat poste për ndihmë ndaj refugjatëve janë të organizuara nga qeveria e Hungarisë në kufirin me Jugosllavinë. Megjithëse supozohet të ndihmojnë refugjatët në nevojë, ato janë në fakt pika të lëshimit të agjentëve në Jugosllavi. Ne e dimë se njësi të ushtrisë hungareze janë përqendruar në kufirin jugosllav ashtu si dhe njësitë bullgare në po atë vijë kufitare. E njëjta gjë po ndodh me ushtrinë shqiptare ishte gjatë kohës së fushatës greke ishte përqendruar në jug të vendit. Ne e dimë se këto lëvizje detyrojnë Titon të shpërndajë ushtrinë e tij për të kundër-balancuar kërcënimet. Bashkë me fushatën e përqendrimeve kufitare ka nisur dhe propaganda e Maqedonisë së pavarur. Komanda ushtarake dhe civile e Jugosllavisë është e stërvitur nga sovjetikët, prandaj megjithëse në dukje ata janë besnikë ndaj Titos, shumë elemente mund të dezertojnë në mundësinë e parë. Ne e dimë se shumë kuadro të policisë dhe ushtrisë së Titos janë të mbikëqyrur dhe shtrënguar nga policia për të mos treguar ndjenjat e tyre të vërteta, por më momentin që ai nis të humbasë kontrollin ose nëse sovjetikët arrijnë të organizojnë vrasjen e tij dhe të tre bashkëpunëtorëve kryesorë, presioni do të rritet ngadalë por në mënyrë progresive.

Rritja e presioneve

Situata duket se është e tillë që nuk do të ketë deklaratë lufte as nga njëra palë as nga tjetra. Por do të ketë intensifikim të presioneve të jashtme për të shpërthyer nga brenda Jugosllavinë. Në këtë fushatë BRSS do të përdorë dy bastionet e saj jugore Shqipërinë dhe Bullgarinë. Ne e dimë se nga të dyja vendet sovjetikët kanë kryer programin e tyre të ndihmës ushtarake për Greqinë. Sipas një diplomati të vendosur në Tiranë, atu ka rreth 3000 ushtarakë rusë. Ata raportohet se janë “instruktorë” në ushtrinë shqiptare por në fakt komandojnë. Ka fluturime të rregullta mes Sofjes, Bukureshtit, Beogradit e Tiranës. Siç raportohet, në disa raste jugosllavët nuk lejohet të dinë përmbajtjen e ndonjë ngarkese drejt Tiranës që ndalon transit në Beograd. Transporti detar nga Deti i Zi në Durrës është rritur ndjeshëm, prandaj unë besoj ashtu si dhe llogaritjet e Mit’hat Frashrit, se megjithëse respektin e vogël të popullit ndaj qeverisë së Tiranës, një operacion për rrëzimin e qeverisë nuk mund të kryhet lehtësisht. Por mund të vijë një moment kur para se Rusia të fitojë luftën e saj kundër Titos, pushteti në Shqipëri të dobësohet aq sa për ta rrëzuar. Ne duhet të jemi gati për ta shfrytëzuar atë moment por në planifi9kimet tona duhet të evitojmë entuziazmin e tepërt dhe të përgatitemi për suksesin më të vështirë.

25 mars 1949

Njësi antiqeveritare në Shqipëri

Marshall Tito ka liruar nga burgu myslimanët në Kosovë me qëllim formimin e një qeverie paralele anti-Hoxha në Dhivri. Qeveria e drejtuar nga Mit’hat Frashri ka njësitë e saj ushtarake që kanë hyrë në Shqipëri dhe kanë pushtuar vargun malor Qafë Shtama. Ushtria shqiptare ka tentuar pa sukses rimarrjen e kontrollit të zonës. Ata organizuan mbrojtjen duke hedhur ne erë urën e Zogut në rrugën Krujë-Qaf Thanë, ndërsa të tjera forca nga jugu i Shqipërisë erdhën për sprapsur sulmet e njësive të Frashrit. Ka një rritje të aktivitetit të grupeve të rezistencës në zona të ndryshme dhe qeveria ka rritur kohëzgjatjen e shërbimit ushtarak nga dy në katër vjet. Gjatë një zënkë mes Hoxhës dhe gjeneralit Tuk Jakova për politikat ushtarake, përfundoi plagë pistolete për ministrin e Brendshëm Mehmet Shehu, i cili ndërhyri për t’i ndarë. Ndërsa Jakova u arrestua. Enver Hoxha i ngjit në një luftanije në portin e Vlorës dhe nuk u pa të zbriste nga anija kur ajo u kthye, çka i dha zhurmë zërave se ai mund të ketë shkuar në Bashkimin Sovjetik. Deri në mes të shkurtit nuk ka pasur zbarkime trupash ushtarake. Misioni sovjetik është rritur vetëm me 40-50 persona kryesisht teknikë, të cilët e çojnë numrin total të personelit në rreth 200. Ardhja e trupave sovjetike në janar për të mbushur luftanijet italiane mund t’i ketë dhënë zë raportime për ardhje trupash. Fortifikimet e vjetra italiane në ishullin e Sazanit po riparohen dhe po hapen hendeqe të reja. Po ndërtohen rreth njëzet poste per topa kundërajrorë.

Mars 1950

Le Monde: Hoxha është një peng në duart e Titos

Që prej prishjes së Beogradit me vendet sovjetike dhe vendosjes së Shqipërisë në krahun e Moskës, kanë qarkulluar vazhdimisht zhurma se rënia e regjmi të Hoxhës do të jetë e shpejtë, si rezultat i revoltës së brendshme me mbështetjen e huaj. Por regjimi shqiptar vazhdon të mbetet në fuqi dhe gjithnjë e më pak po dëgjojmë për lëvizjet e rezistencës. Vitin e kaluar një kryengritje kundër Enver Hoxhës ishte duke u përgatitur nga shërbimet sekrete britanike, të cilat kishin ngritur bazën e operacioneve të tyre të ishullin e Korfuzit. SHBA ishte e informuar por u kufizua në veprime me mbështetjen e Komitetit Shqipëria e Lirë i cili ishte duke u formuar jashtë vendit. SHBA e mbajti tërësisht jashtë qeverinë e Athinës edhe pse kjo e fundit kishte interes në një operacion të tillë. Athina përdori veton kundër çdo veprimi të Papagos, i cili dëshironte të shkatërronte menjëherë çdo fole rebelësh komunistë në Shqipëri dhe të rikthente Epirin e Veriut te Greqia. Qeveria jugosllave me maturi qëndroi e distancuar, duke u preferuar të presë rezultatin e operacioneve. Ajo nuk dëshironte të hiqte dorë nga avantazhi i saj ndaj britanikëve e grekëve në rast të suksesit të revoltës, por gjithsesi Beogradi nuk dëshironte t’i jepte një pretekst Moksës për veprime të dhunshme. Agjentët e shërbimeve britanike u braktisën nga të gjitha palët, u kapën dhe u varën në sheshin kryesor të Vlorës. Mbështetësit e tyre u shpërndanë nëpër male dhe nuk mund të bënin rezistencë, ndërsa qeveria e Hoxhës fitoi avantazh dhe prestigj. I gjithë operacioni dështoi, siç ishte destinuar të dështonte, pasi jugosllavët nuk e mbështetën. Ata kërkonin në fakt ta mbanin Shqipërinë si një peng ndaj Moskës. Shumë mbështetës jugosllavë në Shqipëri janë në kontakt me komitetin e Kosovës në Jugosllavi dhe marrin prej tyre udhëzime dhe armë. Ku komitet është formuar në tokën jugosllave pranë kufirit me shqiptarët, nën drejtimin e Frashërit, ish ambasadori shqiptar në Francë. Prandaj jugosllavët janë të vetmit që mund të shkaktojnë trazira serioze ose një kryengritje me shanse serioze suksesi. Komiteti Shqipëria e Lirë, i cili fillimisht e vendosur në Paris, tashmë ka kaluar në Nju Jork, dhe nuk mund të luajë rol të njëjtë me komitetin shqiptar të Jugosllavisë. Padurimi i britanikëve në operacionet e tyre erdhi prej raportimeve për fortifikimet në gjirin e Vlorës dhe ishullin e Sazanit, lajme të cilat tashmë duket se ishin të ekzagjeruara. Raportimet e publikuara shtatorin e kaluar në SHBA dhe më vonë të mbështetura nga parlamenti britanik, flisnin për fortifikime masive që do të transformonin Vlorën në një bazë të fuqishme detare e ajrore nën kontrollin sovjetik. Por me sa duket projekti ishte i një grade shumë më të vogël. Anijet e furnizimeve nuk janë parë të sjellin çeli, beton apo makineri të rënda, por vetëm rroba dhe ushqim për punëtorët e zonës (disa prej të cilëve janë gjermanë). Supozohet se rusët që drejtojnë projektin kërkojnë riparimin e moleve dhe përmirësimin e fushave ajrore. Ata do të vendosin gjithashtu bateri anti-ajrore por nuk po ndërtojnë fortifikime të reja. E rrethuar siç është aktualisht, Shqipëria nuk mund të kthehet në një bazë serioze për sulme. Ajo nuk është anëtare e shteteve komuniste te Cominform dhe ka traktat asistence të ndërsjellë vetëm me Bullgarinë. Kohët e fundit mbyllja e marrëveshjes mes Jugosllavisë e SHBA për fluturimet mbi territorin jugosllav nga linjat amerikane, i dha zë zhurmave se Jugosllavia mund të ndalojë fluturimet sovjetike dhe të vendeve të Cominform. Nëse kjo do të ndodhte, Shqipëria do të mbetej e lidhur me vendet e bllokut sovjetik vetëm nga deti. Por gjithsesi kjo masë mbetet vetëm për përdorim të mirëllogaritur. Regjimi i Hoxhës, më shumë i kërcënuar sesa kërcënues do të mbetet në pushtet për sa kohë që blloku sovjetik të mos bëjë veprime të dhunshme ndaj Jugosllavisë. Qeveria e Titos, duke mos dashur t’i japë Moskës një pretekst për luftë ose të përfshihet në akuzat e bashkëpunimit me “monarko-fashistët” në Athinë (të cilët nuk humbasin asnjë rast për të kënaqur pretendimet e tyre territoriale), po e kufizon veten për momentin vetëm te lufta e propagandës dhe incidentet e izoluara, të cilat supozohet të mbajnë lart temperaturën politike në Shqipëri. Por nëse ndonjë ditë Cominform vendos të marrë veprim deçiziv ndaj Jugosllavisë titiste, siç pretendohet nga zhurmat kësaj pranvere, fati i Enver Hoxhës dhe i regjimit të ti do të vendoset brenda pak javëve. Tani ata janë të vlefshëm për Beogradin, por në rast të kundërt Tito do të mirëpriste zhdukjen e një pengu që nuk ka vlerë e perspektivë për të.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 5. Total votes: 19

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/09/2018 - 07:17

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera informacione sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë Komuniste.

Postuar: 23/09/2018 - 07:33

CIA ka treguar detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik më 1992 sa i takon mar

Postuar: 22/09/2018 - 07:12

CIA kishte menduar të gjitha alternativat për të rrëzuar regjimin komunist.

Postuar: 21/09/2018 - 07:11

CIA amerikane ka pasur të dhëna të plota sa i takon zhvillime të Shqipërisë gjatë periudhës komun

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pje

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.