Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA: Ja si Mehmet Shehu sulmoi Hrushovin në OKB, përplasje Pekin-Moskë për Shqipërinë, Zogu dështoi me planet kundër regjimit

Postuar: 08/09/2017 - 08:56

Prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe bashkëpunimi me Kinën solli që liderët shqiptarë të shpërthenin në akuza ndaj Moskës. CIA ka deklasifikuar disa dokumente dhe në një prej tyre tregohen akuzat e Mehmet Shehut ndaj Hrushovit në OKB dhe më pas në Asamblenë e PKSH. Po ashtu tregohen dhe reagimet e Moskës dhe përplasjet e saj me Pekinin për Shqipërinë.

Prill 1949

Jugosllavia krijon komitetin kundër vendeve komuniste të Kominform

Në nëntor 1948 Edvard Kardelj, me rekomandimin e marshallit Tito, organizoi Komitetin e Propagandës Anti-Kominform. Që prej krijimit të saj organizata është zgjeruar shumë dhe sot numëron rreth 500 anëtarë  ku përfshihen gazetarë, diplomatë jugosllavë, zyrtarë të qeverisë dhe policisë. Organizimi i komitetit mbahet sekret, kurse politikat e tij përfshijnë luftën ndaj propagandës sovjetike me anë të dërgimit të agjentëve të aftë në vendet satelite të BRSS për nisjen e fushatave të antipropagandës. Nga data e krijimit deri në mars 1949 komiteti ka dërguar 11 agjentë në Shqipëri, 27 në Bullgari, 32 në Hungari, 20 në Çekosllovaki, 51 në Poloni dhe 14 në Rumani. Nga këta, 29 janë arrestuar ose janë detyruar të kërkojnë strehim në ambasadat jugosllave të vendeve përkatëse. Agjentët janë si burra dhe gra dhe janë instruktuar paraprakisht në përhapjen e propagandës. Ata veprojnë nën pretekste të ndryshme përfshi dhe me mbulim diplomatik. Ata që nuk kanë mbulim diplomatik furnizohen me fonde të bollshme dhe kanë linjat e tyre të komunikimit me Jugosllavinë, me anë të korrierëve të pavarur. Komiteti ka rekrutuar rreth 270 agjentë të huaj të cilët kanë dhënë rezultate të shkëlqyeshme me punën e tyre në Shqipëri, Bullgari dhe Çekosllovaki. Ndërsa operacionet në Rumani, Hungari e Poloni kanë rezultuar më të vështira. Në Bullgari e Shqipëri agjentët raportohet se kanë arritur me sukses të krijojnë fraksione anti-sovjetike në gradët e larta të partisë komuniste. Teknikat e përdorura prej tyre janë nxitja e pakënaqësisë kryesisht me promovimin e ndjenjave nacionaliste. Ata i vënë theksin mospërputhjeve të politikave sovjetike dhe kritikojnë plaçkitjen e trupave sovjetike në vende të ndryshme, duke evidentuar më tej paevitueshmërinë e një lufte mes lindjes dhe perëndimit në rast të vazhdimit të të mbështetjes ndaj BRSS. Për Maqedoninë greke dhe bullgare, komiteti ka pajtuar ndihmën e njëfarë Mihajlov, ish-lider i IMRO. Jugosllavët raportohet t’i kenë premtuar Mihajlov pavarësinë e plotë të Maqedonisë pas bashkimit të vendit. Mihajlov është më shumë dashakeq ndaj Bashkimit Sovjetik sesa ndaj Jugosllavisë, dhe është bindur se bashkëpunimi i tij me Titon mund të sjellë pavarësinë e shtetit të Maqedonisë. Nga ana tjetër qeveria jugosllave beson se mund të neutralizojë lëvizjen e pavarësisë së Maqedonisë që sponsorizohet nga sovjetikët, me anë të rekrutimit të Mihajlov dhe ndjekësve të tij. Shpenzimet për komitetin jugosllav të propagandës i kanë kaluar tashmë 1 milionë dollarë. Një pjesë e shpenzimeve ka shkuar për shkollat e trajnimit dhe prodhimin e materialeve të shtypura.

Korrik 1950

Ekonomike, gazeta “Bashkimi”

Hoxha fajëson sabotazhet në mosrealizimin e planit të naftës. Në fjalimin e tij në Kongresin e Dytë të Partisë së Punës, të mbajtur në Tiranë në 10 prill 1950, presidenti Hoxha pranoi se prani ekonomik në vitin 1949 nuk ishte realizuar, por lavdëroi Bashkimin Sovjetik për ndihmën ekonomike dhe zgjatjen e kredive pa interes. Për dështimet ai bëri me faj sabotimet në instilacionet industriale, nga armiqtë e regjimit. Hoxha theksoi më shumë dështimet në industri dhe në minierat, që janë sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Ai përmendi industrinë e naftës, veçanërisht puset në zonën e Patosit, të cilat i kritikoi për mangësitë. Hoxha tha se plani i naftës për zonën e Kuçovës ishte plotësuar në masën 91.2 për qind në vitin 1949, në krahasim me realizimin prej vetëm 62.7 për qind në Patos. Në shkallë vendi plani i naftës bruto ishte realizuar në masën 83.7 për qind kursi plani i bitumit ishte arritur vetëm 35.6 për qind. Presidenti raportoi se plani i prodhimit të bitumit në Selenicë ishte tejkaluar më 114 për qind, ndër dhe plani i qymyrit dhe hekurit ishte arritur, me gjithë vështirësitë e mëdha si mangësitë në transport apo në mjete të cilësisë së lartë. Sipas Hoxhës, nafta është i vetmi sektor i industrisë që nuk ka pasur rritje të ndjeshme dhe të vazhdueshme, dhe kjo tregon për mobilizim të pamjaftueshëm dhe sabotime të shumta nga armiku, veçanërisht në Patos, i cili kishte dhe pjesën më të madhe të planit. Përveç sabotazhit nga agjentura jugosllave, Hoxha pretendoi sabotazhe nga grupet e armiqve si Abedin Shehu, Shyqyri Këllezi i cili ka qenë më parë drejtori i uzinës së naftës, nga Nasi Marjani drejtor i operacioneve të Patosit, dhe nga armiq të tjerë teknikë dhe drejtues që kanë punuar aty dhe gëzojnë besimin dhe mbrojtjen e autoriteteve. Hoxha tha se prodhimi i naftës në tërësi dhe për Patosin në veçanti, tashmë bazohej në prodhimet e kaluara. Llogaritjet e sakta nuk janë të mundshme, tha ai, pasi studimet gjeologjke të rezervave nuk ishin përfunduar ende. Ai akuzoi më tej se sabotatorët si Shyqyri Këllezi dhe Abedi Shehu ishin përpjekur të hidhnin fajin te mungesat e teknikëve dhe materialeve. “Është e vërtetë se ka mungesa materialesh dhe teknikësh, pasi nuk ka shumë teknikë të trajnuar për naftën në Shqipëri, por industria ka asistencën e çmuar të Bashkimit Sovjetik dhe të inxhinierëve të tij”, tha Hoxha, duke shtuar më tej se kur Shyqyri Këllezi u thirr para komitetit qendror 6 muaj më parë, ai pranoi se dështimi në planin e naftës nuk ishte si rezultat i mangësive teknike por prej mangësive në përpjekje, dhe i kishte premtuar Komitetit Qendror se plani do të realizohej. Sipas Hoxhës, Abedin Shehu, Shyqyri Këllezi dhe bashkëpunëtorët e tyre kishin sabotuar qëllimisht planin e prodhimit, duke vënë në zbatim metoda pune anti-socialiste dhe duke zbutur masat dhe direktivat e caktuara nga organizatat e punës. Ata kishin ulur tre herë planet e prodhimit, dhe nëse qeveria nuk do të kishte marrë masat e saj, ata do t’i kishin ulur ato edhe më tepër. Në Patos dhe Kuçovë, materialet e vëna në dispozicion nuk po përdoren siç duhet. Mjetet shpuese dhe materialet e tjera janë porositur dhe megjithatë mirëmbajtja e puseve dhe e traktorëve nuk ka qenë e rregullt. Gjithashtu nuk janë bërë studimet e kërkuara për fushat e naftës. Hoxha theksoi se plani për tre-mujorin e parë të 1950 do të tejkalohet në të gjithë sektorët e ekonomisë, përveç industrisë së naftës. Megjithëse prodhimi i naftës është shtuar vazhdimisht prej asistencës teknike dhe materiale të BRSS, deficiti i vitit të kaluar nuk mund të rikuperohet më, tha Hoxha. Ai shtoi se ka shpresa për një rikuperim të deficitit në prodhimin e bitumit të lëngshëm, për të cilin tashmë ishin siguruar materialet teknike. Gjithashtu një metodë e re e nxjerrjes së karburantit nga bitumi natyral po perfeksionohej nga sovjetikët për industrinë shqiptare, tha ai. Presidenti sugjeroi se përmirësime të ndjeshme tashmë janë në progres dhe citoi shifrat e mëposhtme për tremujorin e parë të 1950: nafta 85 për qind, bitumi i përpunuar 103.5 për qind dhe qymyri 107.3 për qind. Hoxha tha se megjithëse plani i naftës për vitin 1050 pritet të realizohet, plani dy-vjeçar nuk do të përmbushet plotësisht prej dështimeve në 1949.

Shtator 1950

Rezistenca Shkodër

Nacionalistët anti-komunistë në zonën e Shkodrës , përfshijnë të paktën 16 persona me influencë të konsiderueshme në këtë zonë. Ata i përkasin lëvizjeve të ndryshme politike por janë të gjithë antikomunistë të zjarrtë. Aktualisht ata nuk po nxisin zgjerim të lëvizjes së rezistencës, pasi besojnë se pa ndihmë nga jashtë kjo është e padobishme, përballë masave të ashpra represive të policisë së qeverisë së Hoxhës. Në Shkodër pala kryesore antikomuniste përbëhet nga ndjekësit e ish-mbretit Zog, ndërsa dy lëvizje të tjera janë Balli Kombëtar dhe Socialdemokratët. Balli Kombëtar nuk ka pasur ndonjëherë mbështetje të madhe dhe anëtarët e mbetur nuk kanë vetëbesim prej bashkëpunimit me komunistët gjatë kohës së luftës. Ndërsa Partia Kristiandemokrate zotëron më shumë respekt edhe pse është lëvizje relativisht më e re. Zogistët zotërojnë një mbështetje më të mëdha se ballistët dhe socialdemokratët të marrë së bashku. Forca e policisë komuniste të Shkodrës përbëhet nga rreth 250 njerëz, shumica e të cilëve janë vendosur në selinë kryesore, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në dy nënstacionet dhe dy burgjet. Burgu kryesor ruhet nga rreth 25 njerëz nën komandën e drejtorit Riza Alia. Në të gjenden 437 të burgosur politikë. Ndërsa burgu më i vogël që mban 207 të burgosur jo-politikë, ruhet nga rreth 20 njerëz. Dy nënstacionet e policisë kanë nga tetë njerëz secili. Fillimisht policia e Shkodrës e trajtonte keq popullsinë vendase dhe nganjëherë brutalisht, po kohët e fundit sjellja e tyre është përmirësuar disi dhe policia duket se mbyll sytë për shumë gjëra. Anëtarët e policisë së Sigurimit veprojnë me veshje civile dhe gjuajnë më shumë vendet e njohura ku mblidhen nacionalistë anti-komunistë. Këta të fundit janë komunistë besnikë, në ndryshim nga administrata e zakonshme shtetërore e cila konsiderohet si komuniste në masën rreth 20 për qind.

Nëntor 1960

Në një fjalim madhor në Asamblenë Shqiptare në 25 tetor, kryeministri Shehu rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Kinës në debatin me sovjetikët. Shehu sapo ishte kthyer nga Asambleja e Përgjithshme e OKB, ku për habinë e të gjithëve në shumicën e komenteve kishte goditur propozimet e Hrushovit, duke thënë se idetë e tij nuk ishin praktike. Fjalimi i Shehut, që ashtu si në raste të tjera reflektonte një panoramë botërore të ngjashme me atë të komunistëve kinezë, vjen në një kohë miqësie të fortë mes Kinës e Shqipërisë, dhe si një tjetër sinjal i thyerjes mes sovjetikëve dhe Tiranës. Komentet e Shehut ishin një vazhdim i ideve të paraqitura më parë nga Kina, me anë të të cilave ai prezantoi arsyet e pamundësisë për realizimin e propozimeve sovjetike. Për shembull mbi çështjen e çarmatimit, ai tha se Shqipëria mbështet parimisht idenë por beson se imperialistët anglo-amerikanë nuk do të pranojnë kurrë çarmatosjen vetëm me anë të diskutimeve. Ai tha se vetëm me anë të përpjekjes së vendosur të të gjitha kombeve paqe-dashëse Perëndimi mund të detyrohet të pranojë çarmatosjen. Në mënyrë të tërthortë Shehu kritikoi takimet e Krushovt në Neë York me Titon, dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë shprehu kundërshtim ndaj dy propozimeve sovjetike të prezantuara më herët nga liderët e vendeve satelite. Ai dënoi idenë e çarmatimit total në Ballkan të propozuar më herët nga Georgiu-Dej i Rumanisë dhe Zhivkov i Bullgarisë, duke e quajtur “absurde dhe e rrezikshme” për sa kohë që Perëndimi i armatosur e rrethon bllokun. Ai gjithashtu refuzoi sugjerimin e Gomulkas se hapi i parë drejt çarmatosjes është pranimi i bazave ekzistuese ushtarake në tokë të huaj. Shehu tha se kjo sjell pranimin e prezencës së qindra bazave amerikane rreth kampit sovjetik dhe për Tiranën kjo ishte kërcënim ndaj rëndësisë së bllokut sovjetik si një fener i socializmit në zonën e Adriatikut. Fjalimi i Shehut vjen në një kohë tensionesh mes Shqipërisë dhe BRSS dhe afrim të saj me Kinën. Në një telegram falënderimi për Shqipërinë, Kina përgëzonte Tiranën qëndrueshmërinë e saj në përpjekjen e ruajtjes së pastërtisë së marksizëm-leninizmit. Zëvendëskryeministri Këllezi, në një fjalim në 26 tetor pas kthimit nga Pekini, zgjeroi mbështetjen e Shqipërisë duke përfshirë dhe politikat e brendshme kineze, teksa lavdëroi “hapin e madh përpara të zhvillimit të teorisë marksiste në Kinë”. Sipas një raportimi të pakonfirmuar nga Franca, ambasadori sovjetik në Tiranë nuk ka qenë prej disa javësh në Shqipëri, zyrtarisht për arsye shëndetësore. Të ngarkuarit sovjetik me punë i është mohuar hyrja në ministrinë e jashtme, ndërsa ambasadori kinez pritet çdo ditë aty dhe në byronë politike. Raportimet thonë gjithashtu për tërheqjen e teknikëve sovjetikë nga vendi. Shehu nënkuptoi gjithashtu se rotacionet në partinë komuniste shqiptare do të vazhdonin. Ai deklaroi me kërcënim se në Tiranë mund të gjeje ende revizionistë dhe oportunistë, që e përshkruajnë Kinën si “dogmatike apo të predispozuar drejt luftës”.

Shkurt 1961

Pekini i vë theksin miqësisë së pathyeshme me Tiranën; Blloku sovjetik kritikon devijacionin e Shqipërisë. Në kontrast me Bashkimin Sovjetik dhe vendet satelite komuniste të Evropës Lindore që kanë kritikuar deviacionin e Tiranës që prej konferencës së Moskës, Kina komuniste vazhdon të evidentojë atë që quan “miqësi e pathyer” me Shqipërinë. Më 2 shkurt Pekini njoftoi nënshkrimin e gjashtë dokumenteve ekonomike me Shqipërinë te negociuara gjatë vizitës në Pekin te delegacionit shqiptar. Detajet e marrëveshjeve ende nuk janë bërë publike por me shumë gjasa hua të tjera janë miratuar për Shqipërinë. Në një artikull të gazetës shtetërore kineze më 3 shkurt, duke vënë në lojë Moskën, theksohej korrektësia në deklaratën e nëntorit të shkuar të BRSS ku thuhej se të gjitha vendet socialiste, të vogla e të mëdha, kanë të drejta të barabarta dhe duhet të mbështesin njëra-tjetrën. Pushteti shqiptar ka mbështetur Pekinin në debatin e tij me Moskën, prandaj është kritikuar nga vendet e bllokut sovjetik që prej mbylljes së konferencës së Moskës në fillim të dhjetorit. Kreu i partisë komuniste gjermano-lindore Ulbricht më 18 dhjetor akuzoi publikisht Shqipërinë dhe Enver Hoxhën për politika “dogmatike dhe sektariane” në fjalën e tij në konferencë. Kjo ishte censurimi i parë për Shqipërinë që pas prishjes me Titon në vitin 1948. Vendet e tjera satelite dhe BRSS gjithashtu kanë kritikuar Shqipërinë në disa raste. Në urimet e përvitshme të Vitit të Ri të Moskës për Shqipërinë ishte hequr shprehja e zakonshme “Shokë të dashur” ndërsa urimet e festës së republikës më 11 janar kësaj radhe iu drejtuan vetëm kreut zyrtar të shtetit Lleshi dhe popullit shqiptar, pa përmendur partinë komuniste. Në të njëjtën ditë, një artikull i të përditshmes kryesore bullgare për Shqipërinë iste hequr shprehja e zakonshme “shoku” kur flitej për liderin Hoxha. Por Tirana ka vazhduar linjën e saj devijacioniste, ndoshta prej besimit për ndihmën e vazhduar kineze. Në kontrast me trajtimin që blloku sovjetik i rezervonte Shqipërisë, Kina komuniste shkruante në një editorial të 3 shkurtit mbi marrëveshjet e reja tregtare, duke lavdëruar sjelljen e regjimit shqiptar. Ajo fliste për korrektësinë e zyrtarëve shqiptarë dhe kreut të partisë Enver Hoxha. Duke shpresuar në ruajtjen e lidhjeve me Shqipërinë, Pekini me shumë gjasa do të vazhdojë ndihmën ekonomike megjithë problemet e tij të brendshme. Mes viteve 1954 dhe 1958 Pekini ka dhënë rreth 20 milionë dollarë ndihmë ekonomike për Shqipërinë, kryesisht mbi financimin e dërgesave të mallrave dhe shërbimeve. Sipas marrëveshjes së 1959, Kina ka dhënë një tjetër 13.8 milionë dollarë kredi për Shqipërinë për përdorim në vitet 1961 deri në 1965. Në akordet e reja ekonomike të sapo përmbyllura në Pekin ndihma ekonomike për Shqipërinë shihet të rritet ndjeshëm. Një nga shembujt kryesorë të mbështetjes serioze për Shqipërinë është dërgesa e drithërave në Shqipëri, në një kohë kur gjendja e ushqimit është kritike në Kinë. Në vitin 1960 eksportet totale drejt Shqipërisë arrinin në rreth 105 000 ton, nga të cilat vetëm një pjesë e vogël vinin nga Kina, ndërsa pjesa tjetër ishte blerë nga Kina posaçërisht për Shqiperinë nga vende të Evropës Peëndiore, Australia dhe BRSS. Dërgesa të tilla pritet të vazhdojnë gjatë gjithë këtij viti.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 14

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/11/2017 - 08:42

Në vitin 1962 Enver hoxha shkaktoi përplasje të forta me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Ai sulmoi në këtë periudhë Gjermaninë Lindore dhe kjo nuk u pranua nga askush. Të dhënat janë bërë publike nga CIA.

Postuar: 18/11/2017 - 08:56

CIA i ka kushtuar një rëndësi të madhe prishjes së bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Postuar: 17/11/2017 - 08:52

Në vitin 1949 CIA po përdorte shumë tentativa për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 16/11/2017 - 08:26

CIA ka zbardhur synimet që kishte Bashkimi për Shqipërinë gjatë bashkëpunimit të vitit 1954.

Postuar: 15/11/2017 - 08:33

Në vitin 1956 nisën përplasjet brenda Partisë Komuniste të drejtuar nga Enver Hoxha.

Postuar: 14/11/2017 - 08:49

CIA ka dhënë të tjera detaje sa i takon marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik.

Postuar: 12/11/2017 - 09:25

CIA ka deklasifikuar disa dokumente sa i takon situatës para dhe pas vdekjes së Enver Hoxhës. Fillimisht tregohet gjendja e tij e rëndë shëndetësore.