Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA: Ja si Mehmet Shehu sulmoi Titon e Hrushovin për takimin e tyre në OKB, mjerimi ekonomik në Shqipëri më 1953 dhe organizmi i ushtrisë

Postuar: 07/10/2017 - 08:56

CIA vijon të deklasifikojë të tjera dokumente për Shqipërinë. Në një prej tyre të përkthyer nga gazeta, tregohet prishja e bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik. Sipas dokumentit, ishte Mehmet Shehu ai i cili nisi sulmet, duke akuzuar fort Hrushovin dhe Titon për një takim të tyrin në OKB. Nga ana tjetër tregohet gjendja e vështirë ekonomik e vendit, si dhe organizimi i ushtrisë.

Shkurt 1957

Ushtria e Shqipërisë

Ministria e Mbrojtjes së Shqipërisë drejtohet nga Beqir Balluku dhe zëvendësit e tij janë lejtnant gjeneralët Rahman Parllaku dhe Panajot Plaku. Gjenerali i ushtrisë është Arif Hasko ndërsa kreu i artilerisë është kolonel Todi Naçi, i cili ka marrë drejtimin në vitin 1956, si pasues i gjeneral Hysni Spahiut.

Manovrat stërvitore

Më 9 shtator 1956 trumpetat në kazermat e Korçës dhanë alarmin dhe njësitë ishin bërë gati për nisje në ora 03.00 të mëngjesit. Bateria e artilerisë ndoqi rrugën drejt Ersekës për afro 2 km dhe më pas doli prej saj për të zënë pozicione me kamuflazh në fushat pranë fshatit Pulahë. Batalioni i këmbësorisë së Bilishtit u vendos në lartësitë në perëndim të Dardhës duke formuar një linjë defensive. Pikat e tij të observimit ishin në lartësinë 1483. Më tej trupat kryen praktika kundër-sulmi dhe në mesditë batalioni u kthye në Bilisht. Operacione raportohet se vazhduan deri më 30 shtator 1956 dhe u drejtuan nga gjenerali i artilerisë Todi Naçi, ndërsa ministri i mbrojtjes Beqir Balluku dhe dy gjeneralë sovjetikë mbikëqyrën manovrat. Mes mbikëqyrësve kishte dhe oficerë nga batalionet e Ersekës e Pogradecit, të cilët mbanin shënime gjatë gjithë kohës. Oficerët që morën pjesë në manovra kryen më pas një takim konsultimi në kinemanë e Korçës. Më 11 qershor 1956 në zonën e Kaptinës, ku kanë ngritur kampet regjimentet e artilerisë së Elbasanit dhe Beratit, u mblodhën përfaqësues të njësive të artilerisë nga Korça, Gjirokastra, Përmeti, Vlora, Durrësi, Tirana, Shkodra e Elbasani për një konkurrim goditjesh artilerie të kalibrit nga 76 deri në 122 milimetra. Manovrat zgjatën deri në 22 qershor. Në përfundim të kompeticionit, njësia e mortajave të Beratit u shpall fituese dhe oficeri komandant fitoi çmimin prej 10.000 lekë. Oficerët e tij ndihmesa morën nga 5000 lekë secili ndërsa ushtarët morën dekorata. E dyta u rendit njësia e artilerisë së Gjirokastrës, komandanti i së cilës fitoi 5000 lekë, ndërsa ndihmesat e tij morën nga 2500 lekë. Konkursi u ndoq nga ministri i mbrojtjes, gjenerali i ushtrisë Todi Naçi, dy gjeneralë sovjetikë, dy kolonelë sovjetikë dhe një kolonel artileria i komandës së ushtrisë.

Rekrutimi

Indoktrinimi politik i forcave të armatosura përfshihet në programin stërvitor të ushtrisë. Takime të posaçme për propagandën politike të ushtrisë mbahen dy herë në javë dhe zgjasin rreth dy orë çdo herë. Program përmban gjithashtu agjitacionin politik, ku trupat dëgjojnë leksione nga oficerët, të cilët u shpjegojnë lajmet dhe komentet e gazetave. Pajisjet e mëposhtme u jepen rekrutëve të ushtrisë menjëherë në regjistrim: uniformë dimri ose uniform vere, sipas sezonit. Këpucë ushtarake, copa lecke në vend të çorapeve, këmishë, dy peshqirë, pallto, kapele, dy rripa mesi, çantë lecke, gavetë ngrënie, mbajtëse uji. Gjatë shërbimit të tyre ushtarët shqiptarë nuk mund të marrin leje, përveç rasteve të emergjencës.

Drejtuesit

Komandanti i Brigadës së Përmetit, gjeneral Muhamet Berdani. Regjimenti i motorizuar Tiranë,kolonel Myslim Keta. Brigada 8-të Korçë, kolonel Bako Dervishi, zëvendëskomandant kolonel Rrapi Leka.

Prill 1954

Informacione të brendshme

Burimet e lajmeve të brendshme e të jashtme deri në fund të vitit 1953 ishin gazetat vendase “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi”, si dhe gazetat sovjetike “Temps Nouveaux”, “Pravda” e “Union Sovietique”. Gazetat shqiptare kushtojnë pesë lekë secila, Pravda kushton 10 lekë, Temps Nouveaux kushton 30 lekë dhe Union Sovietique kushton 20 lekë. Aparatet radio kapin transmetimet e brendshme dhe disa transmetime të huaja në valë të mesme dhe të shkurtra. Megjithëse nuk ka ligj kundër dëgjimit të transmetimeve të huaja, Ministria e Brendshme me anë të Sigurimit të Shtetit, ushtron masa të ashpra kundër dëgjuesve të transmetimeve të huaja. Në qershor të vitit 1950, Hasan Vera që jetonte në lagjen Kiraj në Shkodër, u arrestua sepse u kap duke dëgjuar BBC. Radio e tij u konfiskua, Vera u burgos dhe deri në dhjetor 1952 nuk është dëgjuar asgjë prej tij. Rrjeti BBC transmeton në gjuhën shqipe dy ose tre herë në javë në ora 17.30 në valë të mesme. Transmetimit dëgjohet mirë përveç rasteve kur autoritetet përdorin zhurmues që prish valët. Në transmetimet e saj BBC shënjestron kryesisht klasën intelektuale shqiptare, ndërsa transmetimet e Zërit të Amerikës i drejtohen klasave punëtore dhe fshatare. Programet e BBC kanë një linjë të përgjithshme anti-komuniste dhe shoqërohen me komente, ndërsa në lajmet e Zërit të Amerikës ka më shumë aktualitet të çështjeve shqiptare. Për blerjen e radiove në treg nuk ka kritere kufizuese, përveç çmimit. Dyqani shtetëror i quajtur Mapo në Shkodër mban aparate radio të prodhimit çek, sovjetik dhe jugosllav. Një radio jugosllave Kosmaj kushton 25 000 lekë, kurse aparatet ceke e sovjetike kushtonin respektivisht 30 000 dhe 40 000 lekë. Në shitje nuk ka sisteme altoparlantësh. Të gjithë mund të blejnë një aparat radio në Mapo, por nuk mund të përdorin atë deri të marrin “Lejen e Radios”. Në dyqan blerësit i jepet fatura e blerjes me emrin dhe adresën e blerësit, numrin e radios dhe datën e blerjes. Me faturën e blerjes qytetari shkon në sektorin e financës së komitetit të partisë së rrethit, ku merr lejen e radios, pa pagesë. Më tej blerësi shkon te Banka Popullore ku paguan taksën vjetore të radios prej 900 lekë.

Riparimi i radiove

Pjesët e këmbimit për radiot janë të rralla. Dyqanet shtetërore nuk kanë pjesë këmbimi për to, por disa riparime mund të kryhen në punishten shtetërore të riparimit Ofiçina e Riparimit të Radiove, ku gjendet disa pjesë të reja këmbimi për radiot ceke e sovjetike, si dhe pjesë të përdorura Telefunken, Philips.

Janar 1961

Shqipëria del në mbrojtje të ideologjisë së Kinës dhe kritikon bllokun sovjetik

Vazhdimi i kritikave të Shqipërisë ndaj politikës së jashtme dhe ideologjike të Moskës javën e kaluar, është një sinjal se BRSS nuk ka arritur të vërë satelitin e tij të vogël mesdhetar në linjë me të tjerët. Editoriali kryesor i “Zërit të Popullit” i datës 20 janar, rikonfirmonte pakënaqësitë e Tiranës mbi çështjen e revizionizmit dhe dënonte publikisht zbutjen e politikave të bllokut komunist drejt Jugosllavisë, duke kritikuar në mënyrë të tërthortë Hrushovin dhe politikën e tij të jashtme. Pak më shumë se dy javë më parë në Kongresin e Partisë Komuniste shqiptare u konfirmua linja e saj devijacioniste që u dallua fillimisht në konferencën komuniste të Moskës. Sekretari i parë i partisë Hoxha tha me terma të sakta se qeveria e tij nuk do të pranonte kurrë kompromise për çështjet parimore. Hera e fundit kur Shqipëria kritikoi publikisht bllokun sovjetik ishte në 25 tetor kur kryeministri Mehmet Shehu refuzoi propozimet e Bullgarisë dhe Polonisë për çarmatim dhe tërthorazi kritikoi takimin e Hrushovit me Titon në OKB, më herët atë muaj. Prej atëherë, përveç sulmit disi më të hapur në konferencën komuniste në Moskë të nëntorit të shkuar, regjimi vetëm ka mbrojtur pikëpamjet e tij dhe ka evituar kritikat ndaj sovjetikëve. Opozicioni shqiptar ndaj BRSS doli fillimisht haptazi që në konferencën e liderëve komunistë në Bukuresht qershorin e shkuar, edhe diferenca kishte pasur që disa vite më parë. Prej atij takimi Tirana dhe Pekini kanë shkëmbyer shumë deklarata mbështetëse dhe admiruese ndaj njëra-tjetrës. Aktualisht një delagacioni i nivelit të lartë nga Shqipëria ndodhet në Pekin, me qëllim rinovimin e marrëveshjeve ekzistuese tregtare dhe të ndihmës. Editoriali i “Zërit të Popullit” gjithashtu kritikonte tërthorazi deklaratat sovjetike si fjalimi i ministrit të Jashtëm Gromiko muajin e kaluar, ku thuhej se Moska ishte e gatshme të bashkëpunonte me Beogradin e pozitave sovjetike dhe jugosllave ato ku përputheshin interesat ndërkombëtare të dy vendeve. Artikulli paralajmëronte rreziqet e riafrimit me Titon vetëm për arsye të “pozicionit të ngjashëm politik të Jugosllavisë me atë të vendeve të tjera socialiste”. Duke iu referuar kritikave ndaj Shqipërisë, si ato të kreut gjermano-lindor të partisë Ulbricht ndaj liderëve shqiptarë muajin e kaluar, editoriali akuzonte se shumë njerëz, duke përfshirë dhe komunistë, ishin manovruar nga Jugosllavia.

Mosmarrëveshjet e diasporës

Maj 1951

Reagimet ndaj transmetimeve të radio-Londra

Radio-Londra duket se po zbavit shumë shqiptarët me mungesë parimesh, të cilët po sillen si ujqërit rrotull një kufome. Pas shtatë vitesh torture dhe vuajtjesh, populli shqiptar është tejlodhur nga jeta e punës së rëndë dhe regjimit brutal komunist. Në mbrëmje, në vend që të qetësohen dhe inkurajohen nga Radio-Londra ata po ndjekin abuzimin që reflektohet nga xhelozia dhe mosmarrëveshjet mes grupeve të shqiptarëve të diasporës. Këto mosmarrëveshje vijnë nga ata që shqiptarët presin të çlirojnë vendin. Ky nuk është momenti për kritika mes individëve apo partive pro është koha për veprim. Ata që janë përgjegjës për të kaluarën do të dënohen me kalimin e kohës. Por për momentin kritika të tilla dëmtojnë shumë dhe demoralizojnë rezistencën në qytete dhe rezistencën e armatosur në zonat malore. Është e lehtë të flasësh e të kritikosh i ulur në një zyrë. Por nga ana tjetër është e vështirë të punosh e të luftosh në Shqipëri, siç kanë bërë shqiptarët prej shtatë vjetësh, duke vuajtur humbjet e mijëra familjeve të futura në kampet e përqendrimit apo të vrarë nga torturat dhe skuadrat e ekzekutimit. Në emër të të gjithë rezistencës së armatosur dhe të nacionalistëve qytetarë, ju bëjmë thirrje t’i jepni fund mosmarrëveshjeve dhe të ndihmoni njëri-tjetrin për çlirimin e atdheut.

Shkurt 1953

Kushtet ekonomike, standardi i jetesës

Burimi: Flamuri i Lirisë

Ligji numër 226 i vendos punëtorët në shtatë kategori pagesash duke nisur nga 202 deri në 800 lekë në ditë. Punonjësit e zyrave marrin 2400 deri në 7000 lekë në muaj në varësi të vendndodhjes dhe ndërmarrjes. Një punëtor i martuar merr 3500 lekë në muaj dhe duhet të paguajë taksat, kontributet shoqërore, anëtarësinë në klubet e sportit, racionet e ushqimit, rinovimet e zyrave, telegrame të herëpashershme për Stalinin, telegrame proteste kundër provokimeve kufitare, abonimin e gazetave dhe ndihma për Korenë. Racionet mujore dhe shpenzimet për mallrat e nevojshme janë si më poshtë: 2 kg bukë në ditë 300 lekë, 1.35 kg sheqer 75 lekë, 1 kg vaj 65 lekë, 2 kg fasule në muaj (vetëm për 3 muajt e parë të vitit) 140 lekë, dru 550 lekë për metër/kub, qeraja 100 lekë, dritat 100 lekë. Nëse punëtori pinte një paketë cigare në ditë do të shpenzonte dhe 500 lekë të tjera në muaj, dhe këto linin shumë pak për të blerë mish, i cili kushton 130 lekë/kg, perimet me rreth 40 lekë/kg, veshje apo sende të tjera. Nëse punëtori mbetet pa punë, ai merr 25 për qind të rrogës nga mbështetja sociale nëse nuk është anëtar i sindikatës dhe 60 për qind nëse është anëtar. Ai është i detyruar të marrë pjesë në punë vullnetare pa pagesë, përveç punës së rregullt. Fshatarët janë të detyruar të dorëzojnë në shtet një pjesë të madhe të prodhimit, edhe nëse nuk mund ta përballojnë. Kështu një familje detyrohet të hajë vetëm lakra gjatë tre muajve të fundit të një viti me prodhim të dobët. Deri në fund të vitit 1951 një fermer mund të braktiste tokën e tij nëse nuk përmbushte këto detyrime dhe të shkonte të punonte në minierë për të fituar 400 gramë bukë në ditë, kështu mund t’i shpëtonte burgut. Ndërsa tani ai është i detyruar të punojë tokën e tij para se të lejohet ta braktisë. Pas dorëzimit të prodhimit te shteti, fermeri merr shumat e mëposhtme për çdo kilogram prodhim: grurë 2.5 lekë, drithëra të tjera 2 lekë, misër 2.5 lekë, lesh 33 lekë, për çdo vezë ai merr 1 lek, pambuk 18 lekë, duhan 23 lekë, luledielli 27 lekë. Shpërblimi mund të merret dhe në formë patkonjsh, gozhdë, djep fëmijësh apo sende të tjera artizanale. Për të marrë produkte industriale si këpucë apo veshje fshatari duhet të sillte përveç kuotave të tij edhe djathë, ullinj, gjalpë apo portokalle. Zakonisht fermerët i presin pemët e bajameve për të evituar pengesën prej 3000 lekë për pemë. Kushtet e fermave kooperative po bëhen gjithnjë e më keq. Ka uri të madhe pasi çdo person merr vetëm 8 kg misër në muaj dhe nganjëherë edhe kaq mungon. Mishi shpërndahet vetëm gjatë ditëve të festave.

Shpërndarjet, kushtet e minierave

Hamit Koçi, një ish banor i Okshtun në Peshkopi, tashmë refugjat në Jugosllavi raportoi mbi kushtet ekonomike të Shqipërisë se shteti e blen mishin nga fshatari për 9 lekë për kg. Gruri blihet për 2.5 lekë dhe shitet për 150 lekë. Leshi blihet për 30 lekë dhe shitet për rreth 500 lekë. Meqenëse fshatarët janë të detyruar të dorëzojnë te shteti prodhimet e tyre të caktuara dhe meqenëse në shumë raste ata nuk i kanë, ata detyrohen t’i blejnë ato në dyqane për të plotësuar detyrimet e tyre. Isuf Koçi, vëlla i Hamitit, i cili gjithashtu është arratisur në Jugosllavi e ka përshkruar si më poshtë kryerjen e punës vullnetare në minierën e Bulqizës: Një ditë kreu i komunës së Okshtun i Vogël lexoi listën e merave të sjellë nga Sigurimi. Lista kishte emrat e të gjithë atyre që “kishin kërkuar” të punonin vullnetarisht në minierën e Bulqizës për plotësimin e planit të prodhimit. Në të ishte emri i Isuf Koçit, i cili atë ditë kishte punuar në fushë  dhe thirrja e emrit i erdhi si një surprizë. Por ai u detyrua të linte fermën dhe të vazhdonte me të tjerët për në minierë. Fillimisht atyre u thanë se do të punonin për një muaj, por siç ndodhi më vonë, ata mbetën aty për një kohë të gjatë. Isuf Koçi e përshkruante jetën në minierë si të papërballueshme. Ai tha se ushqimi ishte shumë i keq dhe e për mëngjes nuk u jepnin asgjë. Në drekë merrnin gjellë patatesh dhe fasulesh, ndërsa për darkë u jepnin dy vezë të ziera që shpeshherë kishin zogj. Kishte gjithashtu shumë vullnetarë që për arsye se konsideroheshin më të pasur, detyroheshin të merrnin ushqimin e tyre me vete. Për punën ata paguheshin 70 lekë në ditë, me të cilat duhet të paguanin më pas “ushqimin dhe fjetjen”. Në fund të muajit ata nuk kishin asgjë të mbetur. Isuf Koçi vazhdon më tej: U njoftua se puna ishte 8 orë në ditë, por kjo ishte vetëm në letër pasi në realitet ata punonin 16 orë ose më shumë: 2 orë shtesë për Komandantin, 2 orë për Stalinin, për realizimin e planit e kështu me radhë. Nëse dikush largohej nga minierat dënimi ishte i rëndë. Ai mudn të dënohej me 6 deri në 8 muaj punë në minierë pa pagesë ose me gjysmë pagese. Gjyqe të tilla kryheshin me ceremoni të madhe për të dhënë shembullin dhe për të ngulitur frikën te punëtorët dhe fshatarët.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/10/2017 - 08:41

CIA ka bërë një krahasim mes Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Përmes një dokumenti të deklasifikuar, janë renditur dallimet mes tyre, si dhe është bërë një listë me të gjithë njerëzit që kishin ata pas vetes.

Postuar: 15/10/2017 - 08:58

CIA ka zbardhur situatën politike në Shqipëri pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha.

Postuar: 13/10/2017 - 08:40

CIA ka zbardhur të tjera dokumente sa i takon Shqipërisë komuniste. Në një prej tyre tregohen marrëdhëniet mes Kinës dhe Bashkimit Sovjetik.

Postuar: 06/10/2017 - 08:45

Enver Hoxha arrinte ta mbante pushtetin përmes repartit të propagandës.

Postuar: 05/10/2017 - 08:55

CIA i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe përplasjeve mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës. Në një dokument të deklasifikuar së fundmi, tregohet lufta për pushtet mes tyre.