Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA: Ja si Mehmet Shehu tentoi të merrte partinë gjatë vizitës së Enver Hoxhës në Moskë, largoi Nexhmije Hoxhën nga sindikata e grave, Kadri Hazbiu synonte të emërohej kryeministër

Postuar: 05/10/2017 - 08:55

CIA i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe përplasjeve mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës. Në një dokument të deklasifikuar së fundmi, tregohet lufta për pushtet mes tyre. Sipas CIA, më 1955 Enver Hoxha nisi një vizitë në Bashkimin Sovjetik dhe kjo u tentua të përdorej nga Shehu për të marrë pushtetin. Ai e nisi nga Nexhmije Hoxha, të cilës i hoqi rojet dhe makinën, ndërsa e përjashtoi nga sindikata e grave. Nga ana tjetër, plani i ishte që Kadri Hazbiu të bëhej kryeministër.

Maj 1977

Shqipëri-Kinë thellimi i konfliktit

Sulmi i javës së shkuar mbi parimet bazë të politikës së jashtme kineze ishte kritika më e rëndë publike e Shqipërisë ndaj Pekinit që prej formimit të aleancës shqiptaro-kineze 16 vjet më parë. Nëse Pekini detyrohet të refuzojë publikisht kritikat shqiptare, vijimi i polemikave do të lumturojë sovjetikët, të cilët kanë pritur prej kohësh një prishje të aleancës. Kjo mund të rezultojë në një ndalin të asistencës ekonomike e ushtarake të Kinës për Shqipërinë, që do të sillte vështirësi të rënda ekonomike për Tiranën. Në një editorial autoritar të gazetës shtetërore shqiptare sulmohej ashpër teoria e “tre botëve”, që ka qenë parimi bazë i politikës së jashtme kineze që prej revolucionit kulturor. Pa e përmendur drejtpërdrejt në emër lidershipin e Kinës, artikulli akuzon tërthorazi Pekinin për sjellje të buta ndaj SHBA dhe mbështetje ndaj Perëndimit të industrializuar. Ai i përshkruan politikat e jashtme të Pekinit si “anti-marksiste” dhe kundër interesave të proletariatit. Mosmarrëveshjet shqiptaro-kineze kanë qenë më të dukshme veçanërisht pas ardhjes në pushtet të udhëheqjes pasuese të Mao Ce Dun, vitin e kaluar. Tirana nuk ka miratuar regjimin e ri kinez të spastrimit të elementëve radikalë të partisë dhe ka sfiduar pretendimin e Kinës për udhëheqje të fraksioneve Maoiste nëpër botë. Me publikimin e editorialit në disa gjuhë të huaja, shqiptarët kanë tërhequr vëmendje botërore ndaj diferencave të tyre ideologjike e politike me Pekinin. Shqipëria konsiderohej më parë aleati më i ngushtë i Kinës, por tani po i vë ata në lojë para syve të sovjetikëve dhe po i ekspozon ndaj kritikave ideologjike. Thellimi aktual i diferencave mes regjimeve ka krijuar gjithashtu tension edhe brenda udhëheqjes shqiptare. Lideri i partisë Hoxha, megjithëse siç raportohet në shëndet të dobët, ruan kontroll të plotë të regjimit dhe sigurisë, dhe në të kaluarën ka spastruar pa problem elementët disidentë. Për sa kohë që i mbetet në kontroll të aparatit shtetëror, politikat e Shqipërisë do të jetë fuqimisht anti-sovjetike dhe anti-SHBA. Deri tani udhëheqja kineze nuk është provokuar dhe as trazuar nga kritikat shqiptare, dhe ka vazhduar asistencën ekonomike, megjithëse në një nivel disi të reduktuar. Por sulmi i fundit mund të detyrojë Pekinin të rishikojë sjelljen e tij ndaj Tiranës. Kina mund të vendosë të ndalojë ndihmën që ka pranuar të japë për Shqipërinë në kontratat e nënshkruara, dhe kjo do ta vërë Tiranën në vështirësi të mëdha ekonomike. Prandaj liderët shqiptarë mund të kërkojnë burime alternative ndihme, siç janë hapjet e kohëve të fundit ndaj Greqisë, Turqisë dhe disa vendeve të Evropës Perëndimore. Bashkimi Sovjetik, i cili prishi marrëdhëniet me Shqipërinë rreth 16 vjet më parë, mund të presë një riafrim me të pas distancimit të Tiranës me Kinën. Por Moska ka gjithashtu hatërmbetje me Tiranën pasi konfrontimi mes të dyjave në 1960, dëmtoi prestigjin sovjetik mes vendeve komuniste. Sovjetikët mund të besojnë se thellimi i polemikave dhe përkeqësimi i lidhjeve Kinë-Shqipëri mund të sjellë rënien e Hoxhës dhe ardhjen në pushtet të një regjimi të ri që do të ishte më i hapur ndaj afrimit me Moskën. Ata mund të shpresojnë gjithashtu se gradualisht mudn të rifitojnë eksesin në portin strategjik të Vlorës, që ka qenë e vetmja bazë sovjetike në Detin Mesdhe.

Korrik 1977

Ndarja e Shqipërisë me Kinën

Një zëdhënës i ministrisë së Jashtme kineze ka mohuar se Kinës i është kërkuar të tërheqë të gjithë konsulentët teknikë e politikë nga Shqipëria. Mohimi besohet se ka si qëllim të qetësojë spekulimet e shtypit se marrëdhënia mes dy vendeve është në pikën e ndarjes. Me siguri Pekini është i ndjeshëm ndaj deklaratave triumfatore të Bashkimit Sovjetik dhe Evropës Lindore, që vijnë si rezultat i prishjes së Pekinit me një nga aleatët e tij më të ngushtë ideologjikë. Nuk ka më dyshime se lidhjet shqiptaro-kineze janë tashmë në pikën e tyre më të ulët. Ato nisën prej hapjes kineze ndaj Perëndimit në 1971 dhe debati  është përkeqësuar me ardhjen e udhëheqjes së re kineze vjeshtën e shkuar. Shqipëria shprehu disaprovim ndaj spastrimeve kineze të radikalëve të majtë, me të cilët Tirana kishte marrëdhënie të ngushta. Tirana është nervozuar gjithashtu nga rehabilitimi i figurës së Tenc Jao Pin, largim i të cilit një vit m parë ishte duartrokitur nga mediat shqiptare. Përveç kësaj, Shqipëria ka qenë gjithmonë armike e Jugosllavisë dhe sigurisht është irrituar nga vendim i Pekinit për të pritur në javët në vijim vizitën e presidentit jugosllav Tito. Humbja e mundshme e ndihmës ekonomike kineze do të jetë një goditje e rëndë për Shqipërinë dhe me sa dihet, nuk ka plane për projekte të reja bashkëpunimi për pesë-vjeçarin 1976-1980. Tentativat e fundit të hapjes së Shqipërisë me disa vende të Evropës Perëndimore tregojnë shqetësimin shqiptar për izolimin e mundshëm që e pret. Regjimi shqiptar ka kritikuar më parë Pekinin për sjellje “oportuniste” në politikën e jashtme, por tani po përsërit të njëjtat politike prej nevojës ekonomike. Gjithsesi hapjet me vende të tjera nuk do të mund të zëvendësojnë ndihmën e marrë më parë nga Kina. Një alternativë për Shqipërinë do të ishte riafrimi i saj me ish-aleatin e hershëm Bashkimi Sovjetik, por sipas propagandës së autoriteteve shqiptare kjo duket diçka e vështirë për t’u arritur. Në rrethet e diplomatëve flitej kësaj jave se kryeministri Shehu ishte i shqetësuar për agresivitetin sovjetik pas humbjes së mbështetjes kineze. Por në fakt Moska do të ishte e interesuar në rihapjen e kontakteve me Tiranën dhe për këtë ka dhënë sinjale prej kohësh. Para prishjes së lidhjeve në 1961, Moska kishte jë prezencë të madhe ekonomike dhe ushtarake në Tiranë, dhe porti i Vlorës ishte baza e vetme sovjetike në detin Mesdhe. Disa anëtarë të partisë komuniste mund të mos jenë dakord me politikat e liderit Enver Hoxha dhe kanë hedhur dyshime mbi efektivitetin e parimit të vetë-mjaftueshërisë, me të cilën Enver Hoxha kërkon të kompensojë humbjen e asistencës kineze. Javën e kaluar në shtypin shqiptar u shfaq një artikull ku ngrihej lart zhvillimi dhe prodhimi industrial kinez, që ishte një sinjal i opozicionit të brendshëm ndaj politikave të Hoxhës.

Tetor 1956

Shqipëri-Jugosllavi, arratisjet

Menjëherë pas Kongresit të Tretë të Partisë së Punës të mbajtur nga 25 maji deri më 3 qershor 1956, më shumë se 150 shqiptarë janë arratisur nga vendi në drejtim të Jugosllavisë. Kohët e fundit një grup i drejtuar nga intelektualë si Injac Daragjati dhe Viktor Daragjati, arritën në Titograd. Qeveria shqiptare ka lëshuar një urdhër që ndalon çdo person të largohet nga Shkodra pa leje të posaçme. Raportohet se një grup prej 17 personash u ndaluan teksa po dilnin nga rrethinat e Shkodrës drejt kufirit jugosllav. Incidente të ngjashme kanë qenë të shpeshta me grupe prej tre ose katër personash. Kjo rinisje e largimeve drejt Jugosllavisë duhet të ketë të bëjë dhe me një nxitje nga vetë ambasada jugosllave në Tiranë dhe gjithashtu të përmirësimit të kushteve të pritjes së refugjatëve në Jugosllavi të cilëve u premtohet punë dhe strehim.

Koment: Megjithëse legata jugosllave në Tiranë  mund të jetë e përfshirë në një fushatë inkurajimi të refugjatëve për kalimin e kufirit, ne nuk kemi prova për të mbështetur sugjerimet. Aktivitetet e legatës jugosllave në Tiranë gjithashtu monitorohen me imtësi nga autoritetet komuniste shqiptare.

Tetor 1955

Hoxha-Shehu Lufta për pushtet

Enver Hoxha u nis për në Moskë më 18 gusht 1955 pasi kyçi personalisht zyrën e tij. Ai informoi Mehmet Shehun se po nisej për në Durrës ku do të merrte anijen sovjetike, në momentin e fundit. Largimi i papritur i Hoxhës vjen pas vendimit të tij për të realizuar urdhrat sovjetike mbi afrimin me Jugosllavinë, megjithë kundërshtimin e Mehmet Shehut. Duke reaguar ndaj lëvizjes, Shehu përjashtoi gruan e Hoxhës nga presidenca e Sindikatës së Grave Shqiptare, si dhe ka hequr rojen personale trupore dhe veturën e Hoxhës. Më pas Shehu ka vënë në gjendje alarmi ushtrinë dhe Sigurimin si dhe ka përforcuar mbrojtjen kufitare në anën e Jugosllavisë. Hapi i mëtejshëm i Shehut ishte mbledhja e zyrtarëve të partisë dhe qeverisë në një referendum “po” ose “jo” mbi rinovimin e akordit të miqësisë reciproke me Jugosllavinë, të nënshkruar nga Hoxha në Beograd më 10 qershor 1946. Rezultati i referendumit ishte 58 për qind “jo” dhe 4 vota “po”. Shehu tashmë pitet të informojë autoritetet sovjetike se zyrtarët dhe populli shqiptar konfirmojnë devotshmërinë dhe mirënjohjen e tyre për Bashkimin Sovjetik, por refuzojnë të pranojnë detyrime ndaj Jugosllavisë, të cilat mund të dëmtojnë integritetin, pavarësinë dhe sovranitetin e vendit, siç garantohet nga partia komuniste sovjetike dhe vendet e Paktit të Varshavës. M 1 shtator një personalitet i lartë sovjetik erdhi në Shqipëri, për të marrë vesh me pompozitet në Kongresin e tretë të Sindikatës së Grave të Shqipërisë, por në fakt ai ishte përfaqësuesi i Moskës për zgjidhjen e situatës në lidhje me largimin e Hoxhës nga vendi. Raportohet se Shehut iu bë e qartë se BRSS kërkon zgjidhjen e konfrontimin Hoxha-Shehu, pasi kjo po dëmton situatën e brendshme shqiptare, politikën e jashtme dhe marrëdhëniet shqiptaro-sovjetike. Ata shprehën idenë se ose Shehu ose Hoxha duhet të zëvendësohej dhe duke parë qëndrimin e mbajtur nga shumica e liderëve të partisë dhe qeverisë shqiptare, Shehu do të marrë drejtimin e qeverisë, duke u bërë president. Vendin e tij si kryeministër do ta zinte Kadri Hazbiu. Kabineti i qeverisë do të kishte rotacion për të justifikuar ndryshimet në udhëheqje, si jashtë dhe brenda vendit. Sovjetikët kërkuan respekt për pozitën e Hoxhës dhe thanë se ai do të kthehet brenda disa ditëve. Shehu raportohet të ketë informuar sovjetikët se ndryshimet në parti dhe qeveri janë e drejtë vetëm e komitetit qendror të partisë deh se ai do të mbetet në postin e tij, për sa kohë që ka besimin Asemblesë, komitetit qendror dhe popullit. Ai tha se askush nuk dëshiron të vrasë apo ta adhurojë Hoxhën. Më 3 shtator Hoxha u thye në Shqipëri bashkë me dy gjeneralë sovjetikë. Ai nuk u prit nga Shehu. Hoxha u informua se Shehu nuk do ta priste atë pa dy ditë njoftim paraprak, dhe se do të kontrollohej para se të lejohej të hynte në zyrën e tij. Planet e Mehmet Shehut, të cilat ende duhet të aprovohen nga sovjetikët, janë që ta caktojë Hoxhën në postin e ministrit të Bujqësisë, sa për të kënaqur kërkesat sovjetike. Por ai parashikon gjithashtu ta fajësojë atë më pas për gjendjen katastrofike bujqësore dhe ta eliminojë. Shehu ka gjithashtu në plan të largojë titistin Beqir Balluku, dhe të emërojë Rita Markon në sekretariatin e partisë.

Tetor 1954

Informacione ekonomike

Triskat e racioneve ushqimore janë të nevojshme në Shqipëri për t’u ushqyer. Çdo person duhet të ketë triskën e bukës, triskën e ushqimit dhe triskën e vesh-mbathjeve. Triskat e bukës janë të vlefshme vetëm për datën e printuar në kupon, ndërsa ajo e ushqimit vlen për të gjithë muajin e lëshimit. Por gjithsesi shpërndarja e ushqimeve është e çrregullt dhe e vonuar. Triskat e veshjeve dhe këpucëve lëshohen një herë në tre muaj dhe kanë një vit afat skadimi. Nëse zotëruesi i triskës së vesh-mbathjeve humbet vendin e punës, ai duhet të kthejë triskën edhe nëse nuk e ka përdorur për blerjen e veshjeve.

Triskat i jepet qytetarëve në vendin e tyre të punës, sipas anëtarëve të familjes së kryefamiljarëve. Ndërsa të moshuarit dhe të papunët marrin triskat e tyre të racioneve nga Zyra e Triskimit. Certifikata e lindjes duhet të paraqitet për marrjen e triskave nga personat pa të ardhura. Personat të cilësuar si kulakë apo reaksionarë nuk mund të aplikojnë për certifikatë apo për triska ushqimi. Të gjitha triskat duhet të përdoren në lokalitetin ku janë lëshuar, por me leje të posaçme personat që udhëtojnë mund të përdorin triskat e tyre në komunitetet që po vizitojnë. Në çdo qytet ka furra buke të quajtura “speciale” ku mund të blejnë buke udhëtarët. Triskat e ushqimit nuk mund të përdoren në restorante dhe nuk mund të zëvendësohen.

Kreditë fermere

Fermerët që janë pjesë e kooperativave mund të marrin hua nëse demonstrojnë se kanë vërtet nevojë. Aprovimi final për huanë jepet nga asambleja e kooperativës. Fermerët e pavarur mund të marrin kredi nga banka shtetërore për të ndërtuar shtëpi. Huaja aprovohet nëse aplikuesi ka blerë tashmë të paktën gjysmat e materialeve të ndërtimit, dhe në qoftë se prona e tij e kalon vlerën e huasë. Gjithsesi huaja nuk mund të kalojë shumën prej 250 000 lekë.

Prill 1952

Fushata e Sigurimit

Në maj 1951 qeveria nisi një fushatë të re kundër klasave “të privilegjuara” që në fakt ishte vendosja e masave më të ashpra kundër individëve anti-regjim. Mes majit dhe tetorit 1953, numri i agjentëve të Sigurimit dhe të policisë u shtuan ndjeshëm. Çdo oficer kishte grupin e tij të informatorëve, identitetet e të cilëve nuk njiheshin nga kolegët apo agjentët e tjerë. Edhe nëse ata nuk ishin anëtarë të Partisë, informatorët përdoreshin edhe për të mbikëqyrur anëtarë të tjerë të Sigurimit, përveç publikut të zakonshëm. Shumë informatorë e bënin këtë punë prej privilegjeve që ofronte si dhe prej tolerimeve ndaj shkeljeve të vogla që mund të penalizoheshin te qytetarë të zakonshëm. Një nga viktimat e intensifikimit të fushatës së Sigurimit ishte një llogaritar i një fabrike në Sarandë, i cili u dënua me një vit burg me justifikimin e mos raportimit të rezervave private të vajit. Por megjithë lirimin e tij të parakohshëm, ai refuzoi të bëhej informator. Në maj të vitit 1951 ai u denoncua publikisht si “armik i popullit” dhe u hoq nga lista e Frontit Demokratik, u përjashtua nga Lidhje e Miqësisë shqiptaro-sovjetike dhe nga sindikata. Por u mbajt në vendin e punës deri në trajnimin e personave të tjerë, që i zunë më pas vendin. Një skuadër prej rreth 200 agjentësh të Sigurimit u dërgua kohët e fundit në Shalës për t’u stacionuar pranë Konispolit. Këta njerëz nuk kanë kontakte me publikun.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 20

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 10/12/2017 - 10:31

Dështimi i tentativave të CIA për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës gjatë vitit 1949, detyruan amerikanët që të shtyjnë afatin e hedhjes në veprim.

Postuar: 09/12/2017 - 08:47

CIA ka zbardhur të tjera detaje nga regjimi komunist. Përmes disa dokumenteve të deklasifikuar, përshkruhen zhvillimet gjatë viteve 1949-1952.

Postuar: 08/12/2017 - 09:00

Gjatë regjimit komunist, CIA tentoi dhjetra mënyra për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 07/12/2017 - 08:58

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera dokumente s ai takon zhvillimeve politike në Shqipërinë komuniste. Në disa të dhëna të fundit.

Postuar: 06/12/2017 - 08:53

Dalin në dritë të tetar detaje mbi misionet e SHBA në Shqipërinë komuniste për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.

Postuar: 03/12/2017 - 08:31

CIA ka pasur të dhëna tepër të sakta mbi ish-diktatorin Enver Hoxha.