Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA: Ja si sulmet e Enver Hoxhës ndaj Gjermanisë Lindore shkaktuan përplasje të forta me Kinën, më 1960 BRSS shtoi presionet ndaj regjimit

Postuar: 19/11/2017 - 08:42

Në vitin 1962 Enver hoxha shkaktoi përplasje të forta me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën. Ai sulmoi në këtë periudhë Gjermaninë Lindore dhe kjo nuk u pranua nga askush. Të dhënat janë bërë publike nga CIA. Në dokument tregohet dhe se si Nexhmije Hoxha më 1952 propagandonte që të lexoheshin libra me ndikim sovjetik.

Gusht 1952

Konferenca paramilitare

Më 18-19 maj 1952 organizata paramilitare shqiptare SHNUM (Shoqëria për Ndihmë të Ushtrisë dhe Mbrojtjes) mbajti konferencën e dytë të përvitshme, që prej krijimit në dhjetor 1949. Ajo është formuar sipas modelit sovjetik të DOSARM, dhe sipas statutit të saj ka si qëllim zhvillimin e frymës patriotike mes klasave punëtore dhe gjithë qytetarëve shqiptarë, si dhe përgatitjen e tyre për mbrojtjen e Shqipërisë. SNUM drejtohet personalisht nga Enver Hoxha dhe ka bërë avancime të konsiderueshme gjatë dy viteve të fundit. Fjalën hapëse në konferencë e mbajti kolonel Sadik Bekteshi, i cili analizoi arritjet dhe statusin e organizatës, duke përmendur në veçanti arritjet në mësimet e përdorimit të radios dhe telefonit, të drejtimit të automjeteve, ndihmës mjekësore, sporteve ushtarake dhe qitjes. Ndër anët negative ai theksoi punën e pakënaqshme të SHNUM në ruajtjen e lidhjeve me njësitë lokale dhe disiplinën e ulët nga disa njësi. Kritika të tjera u ofruan nga delegatë të SHNUM në Pogradec, të cilët folën për mungesën e mbështetjes së njësive të tyre nga selia qendrore, duke theksuar se për 9 muaj kryesia kombëtare nuk kishte dërguar asnjë përfaqësues për të ndjekur punën e kryer në Pogradec. Një tjetër folës, kolonel Taki Koloneci, tha se SHNUM ashtu si homologët e tyre sovjetikë të DOSARM, veprojnë mbi bazë vullnetare, prandaj kritikoi faktin që drejtuesit e saj marrin rroga. Myrit Topore i degës së Tiranës tha se organizata mund të evitojë pagesat e mëdha të rrogave, duke vepruar totalisht mbi bazë vullnetare. Drejtoria e SHNUM përbëhet nga 11 persona: kolonel Petrit Dume, gjenral Spiro Moisiu, kapiten Pandeli Varezi, sekretari i sindikatave Xhelo Muftiu, Llazar Lipivani, Merkur Celo, Vera Pojani e Kryqit të Kuq Shqiptar.

Nëntor 1952

Konferenca e katërt e autorëve shqiptarë u mbajt në 14-15 shtator 1952 në Librarinë Kombëtare në Tiranë, ku morën pjesë mes të tjerëve Manush Myftiu, kandidat i Byrosë Politike, Nexhmije Hoxha anëtare e Komitetit Qendror të Partisë, Fadil Pacrami, autori Gjergji Gulia dhe një delegat i shoqatës së miqësisë shqiptaro-sovjetike. Pas fjalimit hapës të Dhimitër Shuteriqit u bë zgjedhja e zyrtarëve të rinj. Më pas Shefqet Musaraj mbajti raportin e aktiviteteve të lidhjes dhe vlerësoi shkrimtarë të dalluar proze si Kin Dushi, Zihni Sako, Fatmir Gjata e Dhimitër Shuteriqi, si dhe poetë si Llazar Siliqi, Dhimitër Shuteriqi, Luan Qafzezi e Andrea Varfi. Në dramë u citua Kol Jakova, si autori i pjesë Halili dhe Hajria. Musaraj analizoi defektet e shkrimtarëve shqiptarë dhe i këshilloi ata t’i përmbaheshin modeleve sovjetike në përpjekjen e tyre për socializmin dhe paqen. Nexhmije Hoxha foli për nevojën e letërsisë militante socialiste, të rekomanduar nga modeli sovjetik dhe të udhëhequr nga Enver Hoxha. Konferenca vlerësoi arritjet e autorëve shqiptarë dhe zhvillimin e kritikës dhe auto-kritikës, në besnikërinë e tyre ndaj partisë dhe miqësinë me BRSS. Gjithsesi konferenca theksoi disa dobësi në organizmin e shkrimtarëve dhe kërkoi takime më të shpeshta. Ajo nxiti departamentet e letërsisë të zbatonin udhëzimet e konferencës dhe kërkoi që shkrimtarët të pasqyronin jetën e klasës punëtore, të rinjve, grave dhe ushtarëve. Konferenca kërkoi gjithashtu që në kuadër të planit pesë-vjeçar të zgjerohej përdorimi i eksperiencë sovjetike dhe të përmirësohej dhënia e llogarisë. Lidhja duhet t’i kushtojë vëmendje të veçantë për materialet letrare estetike, përkthimet, pastërtinë e gjuhës shqipe dhe punën për ndërtimin e socializmit.

Nëntor 1958

Maqedonia kockë sherri

Çështja e Maqedonisë po ngrihet përsëri si një element irritues në marrëdhëniet e Jugosllavisë me Bullgarinë. Teoricieni komunist bullgar Dimitur Ganev tha në një fjalim të fundit se Jugosllavia po tenton denacionalizimin e popullsisë së Maqedonisë. Shtypi shqiptar ka akuzuar gjithashtu se Jugosllavia po persekuton minoritetin e saj në Maqedoni, por të marra të dyja së bashku akuzat besohet se janë pjesë e fushatës anti-Tito të bllokut sovjetik. Jugosllavia ka protestuar ndaj ambasadorëve të Shqipërisë dhe Bullgarisë, ndërsa në tetor shpalli krijimin e Kishës Ortodokse Maqedonase brenda republikës. Çështja e identitetit kombëtar, rivalitetit territorial dhe interesave të bllokut, janë pjesë e çështjes komplekse maqedonase që ka prishur marrëdhëniet në Ballkan për shumë gjenerata. Vetë termi Maqedoni i referohet një zone të papërcaktuar mirë gjeografike në gadishullin ballkanik, ashtu si dhe popullit sllav të republikës jugosllave të Maqedonisë. Zona kryesore e saj është përgjithësisht e pranuar por nuk mund të përkufizohet saktësisht pasi nuk është homogjene për nga popullsia, ekonomia dhe gjeografia. Por pozita e saj është me interes si për Jugosllavinë dhe për Bashkimin Sovjetik, si një korridor i mundshëm ajror apo tokësor mes Shqipërisë sovjetike dhe bllokut të gjerë në veri. Gjatë kohës që Jugosllavia ishte besnike e bllokut sovjetik, interesat e bllokut ishin të sigurta, por me distancimin e saj në 1948, Shqipëria ka mbetur e shkëputur nga Blloku dhe e ekspozuar ndaj influencave të mundshme antagoniste të Perëndimit ose faktorëve të tjerë. Megjithëse çështja e patriotizmit të sllavëve maqedonas është një aspekt i rëndësishëm i problemit, rajoni ka gjithashtu bullgarë, shqiptarë, turq dhe vlleh rumanisht-folës. Edhe mes grupeve të një etnike ka dallime gjuhësore dhe fetare. Shqiptarët dhe turq janë komunitete myslimane. Jugosllavia pretendon se sllavët e Maqedonisë flasin një gjuhë të ndryshme nga serbishtja, por dallimet e saj me të janë shumë të vogla. Ndërsa Bullgaria thotë se sllavët e Maqedonisë kanë trashëgimi të njëjtë me ta dhe flasin një gjuhë shumë të ngjashme me bullgarishten. Greqia nuk e njeh kombësinë maqedonase por vetëm “sllavët maqedonas”, siç janë dhe komunitetet verilindore të Greqisë. Deri para luftërave ballkanike të 1912-1913 maqedonasit nuk kishin një identitet kombëtar dhe ishin joshur ose shtypur nga serbët dhe bullgarët, por prej krijimit të Organizatës Revolucionare Maqedonase vendi ka krijuar ndërgjegjësimin kombëtar dhe aspiron për pavarësi politike. Megjithëse këmbimet verbale mes Jugosllavisë e Bullgarisë duken vetëm si një përplasje propagande, ato sinjalizojnë se me gjithë një dekadë qetësie relative, Maqedonia mbetet një pikë e nxehtë. Çështja e Maqedonisë pritet të mbetet në nivelin e “luftës së ftohtë” mes tyre dhe një mjet influence për sllavët e Maqedonisë.

Shtator 1960

Blloku sovjetik shton presionin

Regjimi i Hoxhës në Shqipëri, i cili prej kohësh është vënë nën presion për të braktisur qëndrimin pro-kinez në debatin Kinë-BRSS, tashmë po vihet në një tjetër formë trysnie me kritikat e shumta që vijnë nga vendetë ndryshme të bllokut sovjetik. Në një fjalim të publikuar së fundmi të komitetit të partisë së Gjermanisë Lindore, shefi i partisë Ualter Ulbricht denoncoi në veçanti Shqipërinë për pikëpamje dogmatike dhe sektariane në konferencën e Moskës. Ky akuzim publik konfirmon raportimet se delegacioni shqiptar i drejtuar nga Sekretari i Partisë Hoxha ka mbajtur anën e Kinës në debatin me BRSS, me gjithë shumë muaj presioni politik dhe ekonomik nga Moska. Raportimet janë të ndryshme në lidhje me masën e “deviacionit” të Tiranës. Disa burime thonë se Tirana ka kritikuar politikën e brendshme të jashtme të Gjermanisë Lindore, gjë që ka irrituar jo vetëm sovjetikët, por edhe kinezët të cilët këshilluan më tej shqiptarët të heshtnin. Delegacioni shqiptar i largua nga Moska rreth një javë më herët se të tjerët. Kritikat e hapura mes vendeve të Evropës Lindore nuk ishin parë në bllok që prej kohës së ndarjes së Jugosllavisë. Ndërsa kritikat e hapura për Shqipërinë nga Gjermania Lindore të cilat u mbështetën dhe nga vende të tjera satelite, ishin një paralajmërim që Tirana të vendoset në të njëjtën linjë me Moskën. Kongresi i katërt i partisë komuniste shqiptare fillimisht i programuar për në dhjetor, tashmë është shtyrë për në 13 shkurt. Por duke parë deklaratën e Ulricht, ka mundësi që gjermano-lindorët dhe të tjerët të mos dërgojnë delegacione të nivelit të lartë në Shqipëri prej dyshimit se kongresi mund të përdoret si forum për pikëpamje dogmatike dhe sektariane. Gjithsesi përgatitjet për kongresin kanë nisur dhe liderët e regjimit mund të jenë duke modifikuar politikat për të zbutur debatin me Moskën dhe njëkohësisht për të mos kompromentuar qëndrimet e tyre tradicionale radikale.

Qershor 1961

Tërheqja sovjetike thekson izolimin e Shqipërisë

Përpjekjet e Moskës për të izoluar Shqipërinë nga blloku sovjetik dhe palë të tjera miqësore me sovjetikët morën një kthesë më të drejtpërdrejtë dy javët e fundit me nisjen e asaj që mund të bëhet tërheqja totale e personelit ushtarak sovjetik nga Shqipëria. Ky reagim është nxitur me shumë gjasa armiqësia e hapur e Shqipërisë dhe ngacmimet e personelit sovjetik në vend, si dhe nga gjyqi i spiunëve i kohëve të fundit në Tiranë, me nënkuptime të qarta anti-sovjetike. Megjithë kërcënimin e nënkuptuar sovjetik se Shqipëria do të përjashtohet nga çështjet e bllokut, ndihma e vazhduar ekonomike dhe morale nga Kina e aftëson atë të durojë presionin e Moskës. BRSS me sa duket po zbaton planet për tërheqje nga baza e Vlorës, teksa tetë nga 12 nëndetëset sovjetike janë larguar, dhe nuk ka sinjalizime për zëvendësime në rrugë të kundërt. Tre nga nëndetëset që kanë mbetur në bazën e Vlorës raportohet të jenë vënë nën flamurin shqiptar. Përveç asaj që duket si tërheqje nga Vlora, BRSS mund të jetë duke planifikuar reduktimin e personelit ushtarak, teknik e diplomatik në të gjithë Shqipërinë. Ambasada e SHBA në Moskë raporton se atasheu ushtarak shqiptar atje është larguar në fund të majit, me shumë gjasa i dëbuar. Ka raportime se dhe atasheu ushtarak sovjetik në Tiranë dhe stafi i tij janë larguar në fund të majit siç ka ndodhur dhe me studentët shqiptarë në Bashkimin Sovjetik. Antagonizmi shqiptar dhe ngacmimet drejt personelit sovjetik me shumë gjasa kanë kontribuar në përshpejtimin e prishjes. Prej fillimit të vitit raportohet se ambasada sovjetike është mbajtur nën masa të rrepta mbikëqyrjeje nga organet e sigurisë, duke ndjekur këdo që hynte apo dilte nga ndërtesa. Raportimet thonë se dy zyrtarë të vegjël të ministrisë së jashtme shqiptare janë ekzekutuar për kalimin e dokumenteve sekrete te zyrtarë të ambasadës sovjetike, ndërsa nga baza e Vlorës raportohet se në një rast, autoritetet shqiptare kanë ndaluar kalimin e një treni me furnizime për personelin e atjeshëm ushtarak. Tërheqja e teknikëve rusë që anë asistuar në zhvillimin ekonomik të vendit sipas marrëveshjeve të bashkëpunimit ekonomik, duket se i përshtatet teorisë së zëvendësimit të Bashkimit Sovjetik me Kinën si sponsor kryesor ekonomik i Shqipërisë. Sipas marrëveshjes së gjerë të bashkëpunimit ekonomik mes Shqipërisë dhe Kinës të nënshkruar në prill, Kina pritet të dërgojë një numër të paspecifikuar teknikësh në Tiranë. Deri tani është ende e paqartë se në ç’masë do të zbatohet ku bashkëpunim, por raportimet e gjashtë muajve të fundit tregojnë për ardhjen e një numri të konsiderueshëm personeli kinez. Raportimet bëhen edhe më të besueshme prej refuzimeve të Shqipërisë së bashkëpunimit të ofruar nga komunistët italianë si dhe me disa vende satelite sovjetike so Polonia e Çekia. Ka gjithashtu sinjalizime se në gjashtë muajt e fundit Çekia ka anuluar kredinë e premtuar për zhvillimin e industrisë minerare, ndoshta prej një kërkese të Tiranës për krijimin e fabrikave për përpunimin e mineraleve në Shqipëri. Kinezët raportohet të kenë premtuar në marrëveshjen e fundit ndërtimin e një impianti përpunimi mineralesh. Gjithsesi vendet satelite nuk po ushtrojë presion të njëllojtë ndaj Shqipërisë. Gjyqet propagandistike të 15-27 majit, përgjithësisht u injoruan nga mediat sovjetike dhe ato satelite. Por gazeta e sindikatës bullgare të punës më 28 maj lavdëroi dënimet e dhëna për “tradhtarët” shqiptarë. Ditët e para të gjyqit Gjermania Lindore kishte pasqyruar në media një lajm të vogël nga gjyqi. Komunistët kinezë thyen heshtjen e tyre më 2 qershor me një editorial të gjatë në të përditshmen shtetërore ku vlerësonin masat e Tiranës dhe dënimet. Ndërsa disa gazeta kineze kishin përcjellë pjesë vendimet e gjyqit.

Mars 1975

Shqipëria paralajmëron sovjetikët kundër ndërhyrjeve

Tirana ka publikuar së fundmi një artikull ku sugjerohet thuajse hapur se Bashkimi Sovjetik ka nxitur veprimin e disa individëve brenda Partisë Komuniste, ndoshta duke iu referuar ministrit të larguar të mbrojtjes Beqir Balluku. Artikulli i të përditshmes partiake Zëri i Popullit është shkruar nga Fiqirete Shehu, anëtare e komitetit qendror dhe bashkëshorte e ministrit të mbrojtjes Mehmet Shehu. Zonja Shehu shpërthen kundër atyre që quan armiq të huaj dhe tentativave të tyre për të përçarë partinë nga brenda. Aj shkruan se meqenëse nuk është e lehtë të veprosh hapur “armiqtë po përdorin njerëzit tanë, anëtarë të partisë, të cilët na kundërshtojnë, por duke mbajtur flamurin e partisë në dorë ata në fakt përpiqen të shtrembërojnë mësimet e saj. Siç ka treguar eksperienca, ata kërkojnë t’i rekrutojnë ata për qëllimet e tyre ”. Më tej artikulli citon si shembuj armiq të betuar si Liri Belishova, e cila është spastruar prej simpative të saj pro-sovjetike, pas prishjes së Shqipërisë me Moskën në 1961. Denoncimet anti-sovjetike janë një mjet i zakonshëm për propagandën e Shqipërisë, por artikulli i fundit ka si qëllim rritjen e vigjilencës në fushatën e nisur që verës së shkuar me spastrimin e Ballukut. Arsyet për largimin e tij nuk janë bërë publike por besohet se ai ka kritikuar kinezët për vonesa të ndihmës dhe ka folur në mbrojtje të afrimit me sovjetikët. Lajmet për makinacione sovjetike e alarmojnë Tiranën më shumë se çdo gjë tjetër dhe artikulli mund të jetë gjithashtu një reagim ndaj zbulimeve të fundit për ndërhyrje të sovjetikëve në qeverinë e Jugosllavisë. Tani që doli në dritë rasti i gjashtë i ndërhyrjeve sovjetike në Jugosllavi, artikulli i Shehut mund të sinjalizojë spastrime të tjera në radhës e aparatit shtetëror, teksa regjimi ksenofob i Hoxhës lufton me të gjitha forcat armiqtë e vërtetë ose imagjinarë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 14

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2017 - 08:54

CIA ka nxjerrë të tjera detaje sa i takon tentativave të amerikanëve për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Në një dokument tregohet se në shkurt të vitit 1952 për shkak të dimrit u ndërpre lëshimi i agjentëve.

Postuar: 10/12/2017 - 10:31

Dështimi i tentativave të CIA për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës gjatë vitit 1949, detyruan amerikanët që të shtyjnë afatin e hedhjes në veprim.

Postuar: 09/12/2017 - 08:47

CIA ka zbardhur të tjera detaje nga regjimi komunist. Përmes disa dokumenteve të deklasifikuar, përshkruhen zhvillimet gjatë viteve 1949-1952.

Postuar: 08/12/2017 - 09:00

Gjatë regjimit komunist, CIA tentoi dhjetra mënyra për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 07/12/2017 - 08:58

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera dokumente s ai takon zhvillimeve politike në Shqipërinë komuniste. Në disa të dhëna të fundit.

Postuar: 06/12/2017 - 08:53

Dalin në dritë të tetar detaje mbi misionet e SHBA në Shqipërinë komuniste për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.