Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA: Më 1949 jugosllavët morën në dorë shtetin shqiptar përmes manipulimeve, ja si nisi lufta e Enver Hoxhës ndaj kulakëve

Postuar: 21/11/2017 - 08:45

CIA ka publikuar të tjera dokumente sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë komuniste. Sipas saj, në 1949 Jugosllavia mori pothuajse të gjitha shtetin shqiptarë në dorë dhe kjo përmes manipulimeve. Por nga ana tjetër tregohet dhe situata brenda partisë. Në një dokument të vitit 1952 tregohet se si bëhej lufta ndaj kulakëve dhe pakënaqësitë e partisë në qytete.

Qershor 1949

Dobësitë e Shqipërisë, konflikti Tito-BRSS

Në Shqipëri, manipulatorët sovjetikë kanë marrë kontrollin direkt të të gjithë administratës Hoxha dhe po përqendrojnë përpjekjet e tyre në stabilizimin e regjimit duke lehtësuar transportin e brendshëm. Gjatë vitit 1949, teknikët sovjetike të hekurudhave ndihmuan në hapjen e linjës mes Tiranës dhe portit të Durrësit. Me gjithë prezencën, përpjekjet dhe aktivitetet e përfaqësuesve sovjetikë për ta ruajtur Shqipërinë si një post të izoluar të kampit të tyre komunist, Hoxha mbetet pesimist si për të ardhmen e tij ashtu dhe të vendit. Pesimizmi i tij bazohet në fakte si varfëria e madhe e shqiptarëve dhe mungesa e vetë-mjaftueshmërisë ekonomike. Nga ana tjetër Shqipëria ka mbetur e izoluar nga pjesa tjetër e bllokut sovjetik pas prishjes me Titon, dhe populli shqiptar ka një antipati të gjerë ndaj kuadrove sovjetike prej kushteve të tyre shumë herë më të mira të jetesës. Ndërkohë konfrontimi mes Titos dhe Stalinit është zgjeruar duke kaluar në nivel propagande shtetërore. Intensifikimi i përpjekjeve sovjetike kundër Jugosllavisë është justifikuar me fushatën e Kremlinit kundër vendeve satelite nacionaliste devijacioniste, sipas së cilës sfida e Titos godet thelbin e konceptit stalinist të zgjerimit të kapit komunist, dhe është një nxitje për vende të tjera komuniste me tendenca nacionaliste. Fushata është reflektuar në shpeshimin e këmbimeve akuzuese diplomatike mes Shqipërisë e Hungarisë ndaj Jugosllavisë, si dhe me shpeshtimin e incidenteve kufitare. Kremlini gjithashtu ka nisur një bllokadë ekonomike ndaj Titos, por kjo nuk ka gjasa të shkaktojë bllokim të ekonomisë jugosllave pasi Tito do të marrë mbështetje nga Perëndimi dhe çdo ndërprerje e lidhjeve të Jugosllavisë me Evropën Perëndimore do të vërë atë në një pozicion më të mirë për tregti me Perëndimin.

Mars 1951

Bashkimi, Zëri i Popullit

Këshillat popullorë funksionojnë sipas legjislacionit të Asamblesë Popullore, sipas modelit të sovjetëve në Bashkimin Sovjetik. Këshillat kanë si detyrë zgjedhjen e organit ekzekutiv i cili drejton aktivitetin e tyre. Këshillat popullorë janë organet që zgjidhin problemet më të rëndësishme lokale dhe drejtojnë jetën bujqësore, ekonomike e politike, aprovojnë buxhetin lokal dhe mobilizojnë punëtorët për kryerjen e detyrave të caktuara. Por për fat të keq ka defekte në funksionimin e tyre, siç është çështja e direktivave. Këshillat popullorë kanë si detyrë dhënien e direktivave, por në shumë raste kjo detyrë nënvlerësohet. Në Vlorë, Peshkopi, Berat e disa vende të tjera ka pasur tejkalime të kompetencave mes këshillave qytetarë dhe ato lokalë, duke emëruar të gjithë zyrtarët apo duke lëvizur personelin e këshillave të fshatrave. Për të inkurajuar iniciativën mes masave punëtore dhe pjesëmarrjen e gjerë, ligji specifikon se komitetet e përhershme dhe organet e tjera japin raporte periodike. Por në praktikë raportet e nevojshme nuk janë përgatitur ose janë bërë në mënyrë të gabuar. Disa komitete ekzekutive si ato në Lushje e Skrapar, kanë bërë shkelje flagrante të ligjit duke larguar nga zyrat anëtarë të këshillave lokalë fshatarë e qytetarë. Si anëtarët dhe zyrtarët e këshillave duhet të bëjnë më shumë përpjekje për të njohur më mirë ligjin që gabimet e mësipërme të evitohen. Disa ditë më parë në mbledhjen e Frontit Demokratik në Korçë u ekzaminua cilësia e punës. Raporti i prezantuar nga Naum Gadeshi dhe diskutimet e anëtarëve bënë të qartë se Fronti i Korçës kishte realizuar ndihmën në mbjelljet e pranverës he korrjet e vjeshtës. Anëtarët e frontit, duke cituar shembuj personalë, folën për ndihmën materiale ndaj fushatave të prodhimit dhe në mobilizimin e forcës punëtore. Herë pas here fronti kishte organizuar grupe vullnetarësh që kanë ndihmuar në ndërtimin e kombinatit të sheqerit “3 Nëntori” dhe projekte të tjera të rëndësishme. Por megjithëse rezultatet e organizatave të partisë ishin relativisht të mira, liderët e Frontit të Korçës nuk plotësuan si duhet detyrimet e tyre. Shumë herë nuk ka qenë prezent numri prej 14 liderësh në takimet e rregullta. Sili Kasnaqi, zëvendës-kryetari i Korçës, dhe Miço Simo zyrtar i Frontit, vazhdimisht nuk kanë qenë prezent në takime dhe kanë demonstruar pak interes në çështjet e Frontit. Puna e drejtuesve ka qenë veçanërisht e dobët në nëntor 1951. Në një takim ku do të diskutohej plani pesë-vjeçar me masat punëtore, nuk ishin prezentë një numër drejtuesish aq sa takimi u anulua. Drejtuesit nuk arritën të mbanin të dhëna për programet e veçanta dhe neglizhuan organizimin e takimeve për diskutimin e problemeve. Me faj për këtë është sekretari i frontit, i cili kishte dërguar zëvendësin e tij për ta zëvendësuar. Gjatë vitit 1951, përparime të mëdha u bënë nga organet e partisë në fushën e edukimit të masave. Por përsëri është bërë punë e pamjaftueshme në shfrytëzimin e materialeve të partisë në përgjithësi dhe të gazetave në veçanti. Mangësitë në shpërndarjen e gazetave në shumë qendra qytetare dhe fshatare kanë bërë që mësimet të mos arrijnë te lexuesit. Në disa fshatra gazetat kanë ardhur vetëm një herë në dy javë, siç ka ndodhur në Malishevë dhe në fshatra të tjera të Përmetit dhe Gjirokastrës. Komitetet e partisë duhet të krijojnë kontroll më të mirë mbi aparatin e shpërndarjes së gazetave dhe materialeve të tjera të shtypura, si dhe të mos humbasin vëmendjen nga fakti që shtypi është arma më e fuqishme e luftës së klasave. Mos leximi i rregullt i shtypit bën që anëtarët e partisë të kenë mangësi në eksperiencat e të tjerëve dhe si rezultat të mos japin shembullin e duhur.

Prill 1952

Kritikat, defektet në punën e partisë

Në konferencën e tretë të partisë në Durrës u theksuan defektet në punën e partisë, në veçanti në zonën e Ishmit. Konferenca udhëzoi komitetin e partisë të marrë masa për përmirësimin e situatës. Prandaj komiteti i partisë dërgoi një grup me shtatë njerëz, të drejtuar nga Nonda Baka në fermën e Ishmit. Fermerët e Ishmit ndihmuar me bujari grupin në punën e tyre, duke ngritur kritika ndaj disa individëve, anëtarë të komitetit ekzekutiv, të cilët me metodat e tyre kishin distancuar masat nga partia e qeveria. Për shembull, kur fshatarët e varfër ose të mesëm vinin te komiteti ekzekutiv për të diskutuar problemet e shqetësimet e tyre, Veli Hoxha, Mehdi Kërtusha e të tjerë i përzinin me akuza se ishin kulakë ose armiq të popullit. Disa anëtarë të komitetit janë gjithashtu fajtorë për masa ekstreme ndaj kulakëve, duke shkelur politikat e izolimit të tyre me anë të fushatës graduale. Ndërsa të tjerë kanë zhvatur masat gjatë luftës kundër kulakëve dhe kanë penguar marrjen e masave të duhura. Organizata e partisë në Ishëm ka dështuar në përshtatjen e masave ndaj situatës. Ajo nuk ka mbajtur si duhet të dhënat dhe nuk ka shfaqur frymë auto-kritike. Komunistë si Ahmet Shehi, Shaban Qarri e Muharrem Gallata, jo vetëm që kanë dështuar në zbatimin e udhëzimeve të partisë, por dhe kanë munguar pesë herë rresht në takimet e rëndësishme të partisë. Këto mangësi shpjegojnë se përse rrethi i Durrësit ka qenë vazhdimisht prapa me realizimin e planit kombëtar të rretheve. Është e çuditshme që megjithëse përfaqësuesit e partisë shkojnë e vijnë në këtë rreth, asnjë nuk ka bërë hapa për përmirësimin e situatës. Për shembull, Kadri Qevani, si organizator i partisë, i njihte defektet e mësipërme, por nuk mori vetë asnjë masë dhe as nuk raportoi te zyrtarët partiakë të Durrësit. Shembulli i komunistëve të kooperativës së Ishmit është i nevojshëm për përpjekjen e pa ndalur të ruajtjes së demokracisë së brendshme në organizatat e partisë dhe zgjidhjen e problemeve në frymën e autokritikës. Duhet të sjellim masat më pranë njëra-tjetrës dhe të godasim ashpër shkeljet e procedurave.

Modernizimi në miniera

Plenum i 10 i partisë për sektorin e minierave ka kërkuar përshpejtimin e mekanizmit dhe të përdorimit të metodave moderne, për rritjen e prodhimit. Makineritë e minierave po vazhdojnë të vijnë nga Bashkimi Sovjetik por trajnimi i vazhdueshëm është i nevojshëm për të familjarizuar minatorët me to. Kujdes të veçantë duhet t’i ushtohet çështjes së organizimit në punë, luftës ndaj burokracisë, mbajtjes së të dhënave dhe parimit të përgjegjësisë individuale për detyra dhe funksione të caktuara. Fryma e konkurrencës socialiste nuk është zhvilluar mjaftueshëm në sektorin e minierave. Komitetet profesionale nuk kanë bërë si duhet lidhjen mes masave dhe partisë me anë të takimeve dhe leksioneve.

Përdorimi i gazetave nga agjitatorët

Punonjësit e partisë në Pogradec po përdorin gjithnjë e më shumë gazetat në takimet e tyre me masat punëtore. Demir Nasholil i fshatit Linqe, ka organizuar takime grupesh çdo 3 ditë për leximin dhe diskutimin e gazetave. Në Perrenjas agjitatorët kanë bërë lexime në grup të artikullit të “Berija” të publikuar në Zërin e Popullit në 8 nëntor 1951. Në fshatin kufitar me Jugosllavinë, Reshtan, vëmendje e veçantë i kushtohet leximit të artikujve në lidhje me titistët e trotskistët, me qëllim që popullata të mbahet në korrent të vigjilencës revolucionare kundër armiqve jugosllavë. Puna politike e kryer nga agjitatorët në fshatin Skërnderbej është një shembull i arritjeve. Aty lajmet politike lexohen dhe diskutohen në seminare dhe konferenca, dhe kjo ka ndihmuar që fshati të realizojë planin e prodhimit dhe të ruajë frymën e vigjilencës. Falë punës së agjitatorëve në kufirin shqiptaro-jugosllav, vigjilenca revolucionare kundër armikut të kombit është mbajtur në nivel të lartë.

Shkurt 1966

Shqipëria kërkon miq

Shqipëria mund të jetë duke i dhënë fund regjimit të saj të vetë-izolimit, duke kërkuar marrëdhënie më miqësore me disa nga vendet e bllokut sovjetik dhe me vendet perëndimore. Regjim i Enver Hoxhës mund të mendojë se kjo e bën më të efektshëm lobin-un në favor të aleatit dhe mirëbërëses së saj Kinës komuniste. Nga ana tjetër, regjimi mund të mendojë se duke treguar kujdes për të mos rrezikuar pozitën e tij, të zgjerojë lidhjet aktuale me vende të tjera, për të mos qenë tërësisht i varur nga Pekini. Që pre prishjes me Moskën në 1961, Tirana është mbështetur tërësisht te Pekini për programin e industrializimit dhe politikën ndërkombëtare. Por kjo ka sjellë tensionim të marrëdhënieve me vendet komuniste të Evropës Lindore duke shtuar izolimin e Shqipërisë. Por muajt e fundit, Tirana duket se po tregohet më e gatshme për përmirësim të lidhjeve me disa vende të caktuara komuniste. Për shembull, ajo është përgjigjur pozitivisht ofertës së Rumanisë për mbështetje dhe ka rinovuar kontratën e marrëdhënieve diplomatike në nivel ambasadori me Poloninë. Shqipëria kishte lënë gjithmonë hapur derën e kësaj mundësie pasi nuk kishte tërhequr asnjëherë ambasadorin nga Varshava. Shqipëria ka marrë një qëndrim disi më miqësor edhe ndaj Perëndimit, teksa në një intervistë të fundit ministri i jashtëm shqiptar Shtylla deklaroi se me një gazetar turk se mes Turqisë dhe Shqipërisë nuk ka probleme, dhe theksoi se dy sistemet e ndryshme politike të vendeve nuk duhet t’i ndalojnë ato miqësinë e tyre. Ai nxiti gjithashtu avancim të marrëveshjeve kulturore e tregtare. Një program kulturor Shqipëri-Francë kreu së fundmi një këmbim profesorësh dhe caktoi një kryesi franceze në universitetin e Tiranës. Italia dhe Shqipëria gjithashtu kanë nënshkruar një akord kulturor në mars, dhe ka plane për hapjen e një zyre tregtare komerciale shqiptare në Trieste. Shqipëria dhe Austria kanë në plan të shtojnë lidhjet e tyre tregtare për vitin 1966. Tirana ruan ende solidaritet të plotë me Pekinin dhe nuk ka pasur sinjale për përkeqësim të lidhjeve për të ardhmen e afërt. Por gjithsesi ka zhurma se Shqipëria është disi e pakënaqur me masën dhe cilësinë e ndihmës së Pekinit. Negociatat e zgjatura shqiptaro-kineze vjeshtën e shkuar për kreditë kineze të planit ekonomik 1966-1970 të Tiranës, sugjerojnë se Pekini po tregohet hezitues në plotësimin e të gjitha kërkesave shqiptare. Gjithashtu, në një lëvizje të paprecedentë, parlamenti shqiptar në fund të dhjetorit, debatoi por nuk aprovoi as buxhetin kombëtar për vitin 1966 dhe as atë për planin pesë-vjeçar. Vonesat e parlamentit mund të kenë ardhur si rezultat i vështirësive në negociata me Pekinin.

Interesat jugosllave

Serbia kundërshtoi parimisht pavarësinë e Shqipërisë në vitin 1912 deri në 1918. Pas Luftës së Parë Botërore, jugosllavët pushtuan Shqipërinë deri në vitin 1921, ndërsa në vitin 1926 Jugosllavia pranoi kufirin shqiptar të përcaktuar në 1913. Deri në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore, dominimi Italian e pengoi Jugosllavinë të ushtronte influencë. Por situata ndryshoi shumë gjatë Luftës së Dytë Botërore kur regjimi i Titos me anë të komunistëve shqiptarë miro kontrollin e Lëvizjes Kombëtare Çlirimtare. Tito ushtronte kontrollin me anë të emisarëve të tij në Ushtrinë Çlirimtare Shqiptare dhe prej vitit 1944 deri më 1948 Shqipëria ishte një kukull e Jugosllavisë. Në vitin 1948 Hoxha e ndau vendin nga varësia prej Jugosllavisë pas konfliktit mes regjimit të Titos dhe Kominform (Zyrës Ndërkombëtare të Informacionit të Vendeve Komuniste). Prej vitit 1948 Tito mbrojti parimin e një Shqipërie të pavarur e sovrane, duke dënuar pretendimet greke për ndarjen e Shqipërisë mes Greqisë dhe Jugosllavisë. Jugosllavia i trembet më shumë rivendosjes së influencës italiane në Shqipëri. Në muajt e fundit, mjetet jugosllave të propagandës kanë akuzuar Italinë për inkurajim të planeve etnike shqiptare të përfshirjes së Kosovës dhe Metohijes në Shqipërinë e pavarur, me anë të grupeve të shqiptarëve të emigracionit atje. Qëllimi i Titos duket se është krijimi i një regjimi anti-sovjetik në Shqipëri dhe rikthim i statusit të saj të viteve 1944-48. Me sa duket për këtë qëllim i krijua në Jugosllavi në maj 1951 Lidhja e Refugjatëve Polirikë Shqiptarë në Jugosllavi. Lidhja pretendon të përfaqësojë rreth 5000 shqiptarë në Jugosllavi dhe kontrollohet nga komunistët që u larguan nga Shqipëria pas vitit 1948. Ajo është krijuar nga Beogradi si një instrument i politikave jugosllave dhe ka si objektiv të deklaruar një Shqipëri “të lirë, të pavarur, të pandashme, demokratike e republikane”. Lidhja ka kryer disa operacione spiunazhi, kabotazhi dhe propagande, dhe zotëron potencial për operacione më të gjera. Por është ndoshta pozita e ekspozuar aktualisht e Jugosllavisë pas ndarjes me BRSS, ka penguar Titon të përdorë Lidhjen me fuqi të plotë. Zyrtarët jugosllavë kanë thënë se përpjekje serioze për përmbysjen e regjimit të Hoxhës mund të bëhen pretekst për Bashkimin Sovjetik për veprime ushtarake ndaj Jugosllavisë.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 15

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2017 - 08:54

CIA ka nxjerrë të tjera detaje sa i takon tentativave të amerikanëve për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës. Në një dokument tregohet se në shkurt të vitit 1952 për shkak të dimrit u ndërpre lëshimi i agjentëve.

Postuar: 10/12/2017 - 10:31

Dështimi i tentativave të CIA për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës gjatë vitit 1949, detyruan amerikanët që të shtyjnë afatin e hedhjes në veprim.

Postuar: 09/12/2017 - 08:47

CIA ka zbardhur të tjera detaje nga regjimi komunist. Përmes disa dokumenteve të deklasifikuar, përshkruhen zhvillimet gjatë viteve 1949-1952.

Postuar: 08/12/2017 - 09:00

Gjatë regjimit komunist, CIA tentoi dhjetra mënyra për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 07/12/2017 - 08:58

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera dokumente s ai takon zhvillimeve politike në Shqipërinë komuniste. Në disa të dhëna të fundit.

Postuar: 06/12/2017 - 08:53

Dalin në dritë të tetar detaje mbi misionet e SHBA në Shqipërinë komuniste për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.