Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA: Në fillimet e komunizmit vendimet i merrte Beogradi dhe jo Hoxha, më 1947 u hodh ideja e Federatës së Ballkanit, ja si funksiononte Sigurimi dhe drejtuesit e tij në rrethe

Postuar: 20/09/2017 - 08:46

Pas çlirimit të Shqipërisë nga nazistët, jugosllavët nisën të shtrijnë kthetrat e tyre në Shqipëri. Sipas një dokumenti të CIA, ata ishin ideatorët e Partisë Komuniste dhe për këtë arsye shumë zyrtarë jugosllavë zunë poste të rëndësishme në administratë. Po ashtu tregohet e që në vitin 1947 është hedhur ideja e krijimit të Federatës Ballkanike, ide e cila është hedhur sërish këto kohët e fundit. Po ashtu tregohet me detaje se si funksiononte Sigurimi i Shtetit.

17 dhjetor 1947

Jugosllavia dhe vendet fqinje

Për çështjen e Triestes, Jugosllavia pritet të përdorë të njëjtat taktika të përdorura nga Bashkimi Sovjetik në Austri. Ata tashmë kanë nisur blerjen e kompanive të mëdha të sigurimit dhe bankave, ndërsa komunistët po infiltrohen dhe në sindikatat e punës. Në një të ardhme të afërt jugosllavët planifikojnë të kenë kontrollin e plotë ekonomik. Ndërsa Shqipëria, nga të gjitha anët praktike është tashmë një pjesë e Jugosllavisë. Bashkimi doganor që ka hyrë në fuqi mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë përfshin standardizimin e valutave, koordinim të industrisë dhe masa të tjera unifikimi. Jugosllavët u detyruan të lëviznin me shpejtësi pas luftës në 1946, pasi shqiptarët nisën të kërkonin ndihmën e Italisë për administratorë dhe zyrtarë. Por Partia Komuniste jugosllave dërgoi grupet e saj mbikëqyrëse për të ndihmuar në socializmin e vendit, duke përfshirë dhe reformën agrare. Administrata aktuale e Shqipërisë nuk vjen nga Ministria e Jashtme jugosllave, por nga Partia Komuniste jugosllave. Përgjigja e Shqipërisë ndaj Britanisë për incidentin e rëndë në ngushticën e Korfuzit është shkruar në Beograd dhe raportohet se Hoxha është ankuar me dënesë për faktin se nuk e kishte lexuar fare letrën para se të dërgohej. Si katolikët dhe myslimanët në Shqipëri po kthehen në një problem për komunistët. Këta të fundit nuk po arrijnë të marrin armët nga fiset e mëdha jugore dhe veriore. Ndërsa sa i përket gjyqeve arbitrare, burgimeve dhe pushkatimeve, ato kanë qenë shumë më të shpeshta sesa gjatë pushtimit italian. Jugosllavia i konsideron shumë të pakënaqshme takimet e saj me italianët, gjatë konferencës së paqes në Paris. Kohët e fundit disa komunistë të njohur italianë kanë vizituar Jugosllavinë dhe disa marrëveshje tregtare janë nisur mes dy vendeve. Nuk ka pasur sinjalizime për avancime të Jugosllavisë në territoret pranë Italisë veriore, dhe me shumë gjasa Jugosllavia do të mësohet të jetojë me kushtet e marrëveshjes së paqes dhe humbjen e Triestes. Por në Jugosllavi ka fjalë për krijimin e një federatë Ballkanike. Ka gjasa që kjo të ndodhë në të ardhmen edhe pse asnjë nga vendet nuk e mbron me forcë idenë. Hapi i parë për këtë do të ishte bashkimi doganor me Bullgarinë, por jugosllavët nuk po e kryejnë pasi besojnë se Bullgaria nuk ka konsoliduar ende fuqinë ekonomike. Ndërkohë nuk ka pasur fjalë për kthimin e Jugosllavisë dhe shteteve të Ballkanit në republika të BRSS. Lidhjet e Jugosllavisë me Çekosllovakinë nuk kanë ecur rrjedhshëm, prej ankesave jugosllave se çekët nuk ndjekin hap pas hapi linjën e partisë. Kryeministri Clementis është ankuar se nuk di çfarë ndodh në ministritë e tij. Me sa duket shumica e stafit të tyre janë mbajtur në punë, edhe pse janë anti-komunistë. Nga pikëpamja jugosllave, Clementis duhet të ishte vrarë pasi është thellë, thellë, një nacionalist i fshehtë. Komunistët jugosllavë besojnë se çekosllovakët duhet të kishin bërë më shumë spastrime nga borgjezia. Një nga fërkimet çeko-jugosllave ndodhi në komisionin e dëmshpërblimeve të Brukselit. Përfaqësuesi jugosllav Dr. Ivakoviç, ishte instruktuar nga Simiç të mbështeste kërkesat e Çekosllovakisë për dëmshpërblim të kostove të transportit përmes Gjermanisë. Por Ivakoviç u ankua se kishte marrë pak mbështetje nga vetë çekët, të cilët konkurronin me jugosllavët për të njëjtat fabrika dhe nuk e mbështetën atë për çështjen e anijeve tregtare.

Maj 5191

Gjendja e brendshme, kampet e internimit, ushtria

Në shtator 1950 të gjithë shqiptarëve iu vendos një taksë që arrinte nga 10 deri në 50 lek për familje, në ndihmë të Koresë së Veriut. Qeveria shqiptare po përgatitet të dërgojë në Bashkimin Sovjetik të gjithë të korrat e misrit dhe të elbit të mbledhura në Peqin. Prej këtu ato do të transportohen me hekurudhë për në portin e Durrësit.

Rezistenca ndaj regjimit

Në korrik 1950 ndodhi një revoltë e njësive ushtarake kundër regjimit, e cila edhe pse ishte në një shkallë të gjerë u dekonspirua nga tradhtarët. Në të merrnin pjesë oficerë dhe ushtarakë që ishin të pakënaqur me administratën sovjetike në Shqipëri. Lideri i revoltës supozohet të ishte ish-zëvendës-kreu i ushtrisë Nexhip Vincani. Drejtuesi i policisë së sigurisë në Tiranë dhe rreth 30 policë që kishin marrë pjesë në revoltë bashkë me të, u arratisën më pas për në Jugosllavi. Gjatë revoltës pati përplasje mes grupeve pro dhe kundër regjimit në Vlorë dhe në ishullin e Sazanit. Rebelët e ishullit tentuan më pas të largoheshin drejt Italisë me barka, por u kapën.

Kampet e internimit

Në Tepelenë ka një kamp për të arratisur nga Shqipëria veriore dhe e mesme, me rreth 2800 të burgosur. Në Krujë, Shkodër dhe Shijak ka gjithashtu kampe për të arratisurit nga rajonet e Gjirokastrës dhe Korçës. Në kampin e Krujës ka kryesisht të burgosur nga jugu, të tjerë grekë mbahen dhe në kampin e Ilikuki dhe Tiranës. Në kampet e mësipërme llogaritet të ketë rreth 12 000 të burgosur. Në kampin e Lushnjes ka rreth 500 të burgosur nga rajonet e Himarës dhe Tepelenës. Më 22 shtator një avion i paidentifikuar fluturoi në rajonet e Fierit, Lushnjes, Peqinit dhe Elbasanit dhe lëshoi fletushka që denonconin regjimin komunist.

Ushtria, kufiri

Një regjiment i ri tankesh është përqendruar në Kavajë, me rreth 80-100 tanke të lehtë sovjetikë. Një batalion inxhinierësh nga Shkodra është vendosur pranë brigjeve të lumit Shkumbin, me shumë gjasa për të nisur ndërtime ushtarake. Një batalion rojesh kufitare është vendosur në Fier. Ai kontrollon zonën bregdetare nga Himara deri në grykëderdhjen e Semanit. Në veri të këtij sektori gjendet një tjetër batalion rojesh kufitare me poste në vendndodhjet e mëposhtme: skuadra e Divjakës me rreth 30 ushtarë, fshati Rajk me rreth 30 ushtarë, fshati Boracan me divizion rreth 100 ushtarë, të shpërndarë në katër poste roje. Në rajonin nga grykëderdhja e Semanit deri në Kavajë, nuk lejohet qarkullimi i civilëve dhe në zonë po ndërtohen fortifikime ushtarake. Ndërkohë, meshkujt e moshave nga 30 deri në 50 vjeç që kishin marrë trajnim ushtarak dy-mujor tashmë janë demobilizuar. Fushata e fundit e zborit ushtarak u krye më 15 dhe 30 shtator 1950. Pikat e rekrutimit të zboristëve ishin në Gjirokastër, Korçë, Tiranë dhe Shkodër. Rekrutët po trajnohen në përdorimin e mitralozave të rëndë, mortajave dhe artilerisë. Në Tiranë po jepen gjithashtu trajnime për mbrojtjen civile ajrore.

Depot e municionit

Në faqen e një kodre të vogël rreth 2-3 kilometra larg Gergenjit gjendet dy magazina municioni të ndërtuara së fundmi. Secila prej tyre është e gjatë 25 metra dhe është katër metra e lartë. Prej magazinave ka një rrugë që të lidh me rrugën kombëtare në Gergenj. Ambientet ruhen nga rreth 10 ushtarë. Depo municionesh janë ndërtuar dhe në kodrat mes fshatrave Petrelë dhe Bërshitë pranë Tiranës. Ato gjenden rreth 1000 metra larg lumit Erzen, në perëndim të rrugës kombëtare Tiranë-Elbasan. Materiali për to po transportohet me kamionë nga Tirana dhe Durrësi.

Koment: Megjithëse ka pasur raportime të konfirmuara për trazira të brendshme, përmbajtja e paragrafëve 2 dhe 3 duket paksa e dyshimtë për arsye të mungesës së konfirmimeve specifike. Kolonel Nexhip Vincani është raportuar nga radio-Tirana në 11 mars 1950 si i përjashtuar komiteti qendror i partisë për gabime të rënda në punën e tij shtetërore dhe partiake, ndërsa një informacion i janarit 1951 thoshte se Vincani ishte zëvendës i kreut të përgjithshëm i forcave të armatosura Beqir Balluku.

Qershor 1950

Raportime nga misioni sovjetik në Aleksandri të Egjiptit për qendrën në Nr.12 Rruga Gorki, Moskë, zbulojnë se po zhvillohen negociata me kompaninë uruguaiane Arlin në Montevideo për blerjen e 10 milionë konservave të mishit (që do të vijë nga fabrikat e Paraguajit) me destinacion ushtrinë e Shqipërisë. Raportime të tjera nga misioni komercial sovjetik flasin për transportin e sasive të mëdha të “ushqimeve të thata” për furnizimin e anijeve sovjetike në rast lufte. Ndërkohë konserva peshku janë duke u blerë nga Skandinavia.

Janar 1952

Më 20 shtator 1951, tre persona u dënuan me vdekje për aktivitete kundra regjimit nga Gjykata ushtarake e Korçës. Mes të dënuarve ishin dhe Sotiris Bitcolis dhe Alekos Turtulis. Kohët e fundit policia ka arrestuar në Durrës një numër të paspecifikuar personash për t’i detyruar të dorëzonin zotërime të jashtëligjshme floriri. Personat u torturuan dhe si rrjedhojë dy prej tyre vdiqën.

Shtator 1952

Morali i ushtrisë

Rreth 20 njerëz të Ushtrisë shqiptare u arratisën drejt Jugosllavisë mes 15 shkurtit e 10 marsit 1952. Tetëmbëdhjetë prej tyre kaluan kufirin mes Shkodrës dhe Prizrenit, ndërsa 10 të tjerët në zonën e Dibrës, ata janë ndaluar nga autoritetet jugosllave. Sipas raportimeve nga ushtria e Shqipërisë, morali dhe kushtet ekonomike në ushtrisë janë ngritur disi muajt e fundit pas ndërhyrjes së këshilltarëve sovjetikë në Tiranë. Por megjithë këtë ekzistojnë antagonizma të forta mes zyrtarëve ushtarakë sovjetikë dhe shqiptarë dhe kjo ka sjellë shqetësim deri në rrethet e larta politike shqiptare.

Janar 1953

Një ekspeditë gjeologjike sovjetike nën drejtimin e një gruaje vizitoi Shqipërinë gjatë vitit 1951. Sipas raportimeve, në Kapanj u gjetën gjurmë uraniumi të cilat u çuan menjëherë në Tiranë për ekzaminime. Prej atëherë shumë ngarkesa janë dërguar fshehtësisht nga këtu në Kuçovë dhe Lushnje.

27 nëntor 1953

Burgjet ne Korçë

Burgu i madh i Korçës quhet “Burgu i armiqve të popullit” dhe aktualisht mban rreth 650 të burgosur, të ruajtur nga 50 gardianë. Drejtor i burgut është kapiten Bektash Melçani, ndërsa asistenti i tij është Qerim Gjergjeviç. Masat e sigurisë së burgut rriten kur mbi të kalon ndonjë aeroplan dhe mes të burgosurve lindin tentativa për trazira. Në fillim të vitit 1950 Melçani zuri vendin e Tasi Markos si drejtor i burgut. Burgu qytetar i Korçës mban gjithashtu të burgosur politikë, por të dënuar me 5 vjet ose më pak. Zakonisht të burgosurit këtu janë dënuar për mangësi taksore ose dështim në përmbushjen e objektivave të prodhimit.

Qershor 1955

Jugosllavi: Sipas informacioneve, rreth 200 nga 1000 refugjatët shqiptarë në kampin e Qerovës që kishin vendosur të qëndronin në Jugosllavi, janë liruar tashmë nga kampi dhe u janë dhënë nga 20.000 dinarë secilit. Por shifra prej 1000 shqiptarësh duket e ekzagjeruar pasi sipas observimeve të fundit të kampit të Qerovës, aty gjendeshin rreth 800 refugjatë nga të gjitha vendet satelite të BRSS. Ndërkohë prestigji i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë ( i vendeve Perëndimore) është në rënie sepse nuk po vepron për të ndihmuar refugjatët shqiptarë në Jugosllavi për t’u zhvendosur në Perëndim. Organizata jugosllave e refugjatëve Lidhja e Prizrenit është duke riorientuar politikat e saj duke iu përkushtuar luftës ndaj grupeve të tjera të refugjatëve shqiptarë në Perëndim. Gazeta e Lidhjes së Prizrenit “Flamuri i Lirisë” do të rinisë së shpejti publikimin.

Shtator 55

Situata e ushqimit në Shqipëri është shumë e rëndë. Ka mungesa buke dhe ushqimesh, mallrat e tjera të konsumit janë gjithashtu të vështira për t’u gjetur. Prej këtyre mungesave punëtorët dhe nëpunësit e ndërmarrjeve shtetërore vjedhin çfarë të munden nga rezervat shtetërore. Në shumë qytete shqiptare si Elbasan, Fier, Patos, punonjës qeveritarë përfshi edhe komunistë, po dënohen për vjedhje të pasurisë së qeverisë. Në korrik dhe gusht 1954, në dy gjyqe të mbajtur në Fier 23 burra dhe gra u gjykuan për vjedhje të tilla. Dy nga të akuzuarit u dënuan me vdekje. Gjyqe si këto po zhvillohen në të gjithë Shqipërinë.

Shkurt 1953

Organizimi dhe funksionimi i Sigurimit

Ministria e Brendshme e drejtuar nga Mehmet Shehu ndahet në tetë seksione të Sigurimit të drejtuara secila nga një kolonel dhe oficerë asistentë. Oficerët ruajnë lidhjet me seksione të tjera të Sigurimit në qytete të tjera. Sigurimi ka pavarësi veprimi dhe lëshon vetë urdhrat e arrestimit . rrallëherë lëshohen urdhra arrestimi nga seksioni i sigurimit në ministrinë e brendshme. Kjo mund të ndodhë vetëm në raste të rralla kur një person zhvendoset nga një lokalitet te tjetri. Sigurimi i rrethit të Shkodrës është një strukturë tipike si ato të Tiranës, Durrësit, Vlorës, Elbasanit, Beratit, Gjirokastrës e Korçës. Kreu i seksionit është major Rasin Deda, dhe zëvendësit kapiten Xhemal Sadiku, lejtnant Cesk Shoshi dhe Lilo Selim Begu. Të gjithë kanë lindur në Shkodër. Katër kryeagjentë janë punësuar për mbikëqyrje dhe rekrutime të informatorëve. Një komitet i posaçëm me anëtarë të Sigurimit dhe anëtarë lokalë të partisë, vendos për masat që duhet të merren kundrejt personave në Shkodër që tregohen armiqësorë ndaj regjimit. Kur lëshohet një urdhër mbikëqyrjeje drejtuesi dërgon në zonë dy agjentë që nuk njihen me njëri-tjetrin. Lilo Zeneli drejton grupin e veçantë që merret me arrestimet. Personat e arrestuar dërgohen menjëherë në zyrat e Sigurimit ku kryhet marrja në pyetje dhe torturat. Kreu i Sigurimit kryen torturat në zyrën e tij, ku dhe mban instrumentet e torturës si aparate elektrike, pinca, thika, shkopinj e mjete të tjera.

31 dhjetor 1975

Shqipëria ruan linjën e ashpër anti-perëndimore

Gjatë këtij muaji politika shqiptare është karakterizuar nga një theks i veçantë në pastërtinë e ideologjisë komuniste dhe lidhjet e forta me Kinën. Gjithashtu spastrimet e liderit Hoxha ndaj “burokratëve” kanë shënjestruar pikërisht ata që kanë ngritur argumente në mbrojtje të politikave me pragmatike për ekonominë e vendit. Gazeta shtetërore “Zëri i Popullit” kohët e fundit ka publikuar disa artikuj për reklamimin e volumit të 19 të librave të Enver Hoxhës. Ashtu siç pritej në të gjitha ato dënohet përbindëshi i zakonshëm i revizionizmit sovjetik. Artikujt nuk përmendin fare spastrimet e figurave të administratës dhe klika aktuale e udhëheqjes duket e bashkuar pas Hoxhës dhe vendosmërisë së tij për bllokimin e çdo ndryshimi të linjës së ashpër komuniste. Si pjesë e përpjekjeve të tyre për të demonstruar qëndrimin e patundur ideologjik të Tiranës, Hoxha dhe liderë të tjerë kanë mbajtur kohët e fundit pritje për vizitën e princit të Kamboxhias, Sihanouk. Ata afruan gjithashtu ngushëllime në ambasadën kineze për vdekjen e Kang Sheng. Përveç këmbimeve kulturore mes Shqipërisë dhe Kinës, një delegacion ushtarak shqiptar sapo kompletoi një vizitë një-mujore në Kinë. Asnjë komunikatë zyrtare nuk u leshua për rezultatet e delegacionit ushtarak por vizita u pasqyrua gjerë në shtypin shqiptar.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 12

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/10/2017 - 08:58

CIA ka zbardhur situatën politike në Shqipëri pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha. Në një dokument të deklasifikuar së fundmi, thuhet se pasardhësi i tij Ramiz Alai vendosi të hapë Shqipërinë me Perëndimin dhe Evropën për shkak të porosive që i kishte lënë diktatorit.

Postuar: 13/10/2017 - 08:40

CIA ka zbardhur të tjera dokumente sa i takon Shqipërisë komuniste. Në një prej tyre tregohen marrëdhëniet mes Kinës dhe Bashkimit Sovjetik.

Postuar: 07/10/2017 - 08:56

CIA vijon të deklasifikojë të tjera dokumente për Shqipërinë. Në një prej tyre të përkthyer nga gazeta, tregohet prishja e bashkëpunimit me Bashkimin Sovjetik.

Postuar: 06/10/2017 - 08:45

Enver Hoxha arrinte ta mbante pushtetin përmes repartit të propagandës.

Postuar: 05/10/2017 - 08:55

CIA i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe përplasjeve mes Mehmet Shehut dhe Enver Hoxhës. Në një dokument të deklasifikuar së fundmi, tregohet lufta për pushtet mes tyre.