Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA tregon aventurat e agjentëve të saj në Shqipëri, ja si komunikonin grupet mes tyre dhe kush ishin banorët që i ndihmuan, Sigurimi terror në fshatra

Postuar: 26/07/2018 - 08:00

Tentativat e amerikanëve për të rrëzuar regjimin komunist nuk qenë shumë të lehta. Në një dokument të deklasifikuar tregohet se si një grup agjentësh amerikanë dhe shqiptarë të infiltruar u futën në territorin shqiptar. Po ashtu tregohen të gjitha takimet e tyre dhe frika nga ushtria dhe Sigurimi i Shtetit.

7 korrik 1952

Të dhëna operacionale, grupi Pine Tree

Të dhënat e mëposhtme janë itinerari i infiltrimit të grupit Pine Tree pas lëshimit të tyre. Dispeçeri në avion i kishte thënë grupit që do të lëshohej në Dac, por kur zbritën në tokë ata kuptuan se zona ishte krejt e panjohur për ta, pasi ishin lëshuar rreth 5 km larg Dacit në Goloj. U deshën rreth 15 minuta për bashkimin e grupeve Big dhe Little Pine, pas të cilit ata dhanë sinjalin dhe avioni u përgjigj me dritën jeshile. Ata kishin vazhduar më tej kërkimin për materialet që do të lëshoheshin por arritën t’i gjenin. Atë mëngjes ata hasën një bari që flinte dhe vendosën ta zgjonin dhe ta pyesin për informacione. E pyetën nëse ishte komunist apo jo, por bariu i tha se ishte nga Goloj dhe nëse ishte komunist apo jo, kjo ishte puna e tij. Grupi gjykoi se këtij bariu mund t’i besohej prandaj i deklaruan se ishin “luftëtarë për Shqipërinë e lirë” dhe i kërkuan nëse do të mund t’u jepte disa informacione. Bariu më tej i tregoi grupit se parashutat me materiale që po kërkonin ishin lëshuar në fshatin Goloj, por ushtria i kishte gjetur dhe sekuestruar. Më tej ai u tregoi drejtimin për në Vranisht. Grupi i dha atij katër dollarë për asistencën. Rrugës për në Vranisht grupi ndaloi në shtëpi për ushqim. Dy djem të rinj që gjetën aty thanë se duhet të kërkonin lejen e babait, i cili refuzoi t‘u jepte ushqim. Grupi më tej hyri me forcë në shtëpi dhe mori një franxhollë bukë, ndërsa më vonë burri i shtëpisë u tha se Sigurimi i kishte ndaluar të jepte ushqim për të huajt, duke i kërcënuar me burgosje. Duke u larguar grupi pyeti dy djemtë sa larg ishte kufiri jugosllav, për të fshehur gjurmët e misionit të tyre. Më vonë ata hasën në një tjetër bari të cilin e pyetën për shtëpinë e Mush Ibishit (një nga kontaktet e operacionit). Bariu i tregoi shtëpinë dhe tha se ishte njeri i mirë dhe i respektuar nga Partia. Më tej ata arritën në një shtëpi me ara të kujdesura përreth, për të cilën besonin se ishte e ndonjë të pasuri ose e ndonjë zyrtari të partisë.

Rreziku i kurthit

Nga ana veriore e shtëpisë ata panë 6 persona që po vinin nga rruga, tre ushtarë dhe tre civilë të paarmatosur. Personat ecnin drejt shtëpisë dhe teksa afroheshin, grupi Pine kuptoi se civilët po detyroheshin. Grupi qëndroi i fshehur në pozicionin e tij deri në muzg dhe pasi fshehën radiot, avancuan drejt shtëpisë. Në hyrje të saj gjetën një grua të moshuar, e cila kur i pa thërriti një djalë të ri. Grupi pyeti nëse kishte burra në shtëpi dhe përgjigja ishte se ata nuk ishin kthyer ende nga fshati. Djali i vogël pranoi t’i shoqëronte brenda, ndërsa grupi kishte ndjerë se ishin të mbikëqyrur dhe mundësinë e një gracke. Agjentët ndoqën djalin e vogël, duke lënë Big Pine jashtë derës të ruante. Në shtëpi ata gjetën një burrë të vjetër në një dhomë të madhe. Agjenti Little Pine e pyeti atë nëse i kishte parë gjashtë njerëzit që erdhën më herët dhe plaku i tha se kishin kaluar dhe shkuar. Agjentët kërkuan nëse kishte mundësi t’u jepnin bukë, të cilët dëshironin ta merrnin me vete sepse duhet të arrinin miqtë e tyre. Më vonë atë mbrëmje ata arritën në Vranisht. Binte shi i rëndë dhe nuk kuptohej se në cilin fshat kishin ardhur kështu që ata nisën të thërrisnin emrin e Mush Ibishit. Duke parë një burrë para derës së një shtëpie, Little Pine e pyeti nëse ishte Ibishi dhe nëse e njihte Bajraktarin. Njeriu u përgjigj pozitivisht dhe nisi t’i kërkonte llogari për humbjen e materialeve në Goloj. Bibishi më tej u tregua i sjellshëm, i mori në shtëpi agjentët dhe i ushqeu.

Informacionet

Ata i shpjeguan se kishin ardhur me mision dhe se Ibishi duhet t’u jepte të gjithë asistencën e mundshme. Bibishi i informoi sa më poshtë: Sigurimi ishte në dijeni të prezencës së grupit në zonë, prandaj ditën tjetër zona do t’i nënshtrohej një kontrolli të rreptë. E gjithë popullata është kundër regjimit, por mes tyre ka frikë dhe mungesë besimi. Bibishit iu dha një monedhë ari dhe iu kërkua të drejtonte grupin drejt Hasit. Rrugës ata hasën në një tufë delesh në një fshat të panjohur dhe vendosën të kërkonin për grupin e Nëntorit, siç ishin instruktuar. Teksa afroheshin në fshat ata dalluan një grup ushtarësh dhe u fshehën në bimësi për të mos u pikasur. Grupi avancoi duke tentuar të kalonin lumin Drin. Ata gjetën një barkë të vogël dhe pasi studiuan terrenin, morën një dru për ta përdorur si rremë dhe nisën kalimin. Sapo ishin rreth pesë metra larg bregut shpërtheu zjarri i armëve nga bregu tjetër. Grupi e përmbysi barkën dhe notoi për t’u rikthyer (kjo ngjarje është përshkruar nga S.I. në letrën e parë në 15 qershor 1951). Ata nuk u ndoqën nga ushtarët në anën tjetër dhe vazhduan për të arritur në fshatin e sipërpërmendur. Pas rikthimit në fshat grupi nuk e kishte më idenë sesi të procedonte. Ata nuk mund të kalonin Drinin prej rojeve të ushtrisë, por më në fund vendosën të merrnin rrugën drejt Jugosllavisë dhe të ktheheshin në Shqipëri nga më sipër lumit Drin. Ata morën rrugën për në Bushtrik që është rreth një orë larg në këmbë nga kufiri jugosllav. Kjo zonë u zgjodh për të mos rënë në sy. Në mbrëmje, nën shiun e rëndë ata avancuan drejt kufirit. Hasën një piramidë të bardhë kufitare, dhe në momentin e fundit u gjetën në mes të zjarrit të armëve, me sa dukej nga të dyja anët e kufirit. Ata vërshuan në drejtim të Jugosllavisë dhe pasi kishin vrapuar njëfarë kohe panë se nuk po ndiqeshin. Grupi ndoqi vijën kufitare dhe më tej u rifutën në Shqipëri në zonë e Koriknik, nga ku morën rrugën për në Gegin, ku kontaktuan me Halim Rexhepi, i cili i strehoi për katër ditë. Për arsye se ishin të paarmatosur gjatë gjithë kësaj periudhe, ata vendosën të niseshin për Lushin, që është dhe qyteti i lindjes së agjentit Little Pine. Në shtëpinë e këtij të fundit ata morën një automatik britanik dhe një pushkë italiane. Përsëri përpjekjet e tyre të mëtejshme për të arritur në D.Z. u penguan nga pamundësia për të kaluar lumin Drin, çka i detyroi të ktheheshin në Lushin. Ushqim dhe ndihmë për këtë u ofrua Mimftar Ahmeti.

Avancimi

Më 18 qershor u dëgjua një avion i cili kaloi përsëri më datë 19, por nuk u bënë lëshime pasi grupi nuk kishte arritur dot në pikën e lëshimit. Do të duhej rreth një muaj që avioni të kthehej përsëri kështu që Lushin u bë baza e tyre deri më 10 korrik. Në këtë ditë ata arritën të kalonin Drinin e Zi dhe Big Pine drejtoi grupin për në Surroi, ku kaluan dy ditë para se të niseshin te pika e lëshimit. Për të ndezur sinjalet e zjarreve në pikën e lëshimit grupi duhet të bënte spastrimin e zonës prej rrezikut të përhapjes së zjarrit. Më në fund u bënë lëshimet që në fluturimin e parë. Tetë pako furnizimesh u morën nga grupi, ndërsa e nënta humbi. Grupi kishte mbetur i kënaqur nga lëshimet e furnizimeve, të cilat më të suksesshme se vetë lëshimi i tyre. Pakot nuk kishin rënë më larg dhe dhjetë metra nga epiqendra e objektivit. Pas fshehjes së pakove, grupi u rikthye në Surroj ku informuan miqtë e tyre për datën e ardhme të lëshimit të furnizimit. Ndërkohë në zonë vazhdonte kërkimi për Grupin e Nëntorit dhe disa persona ishin kontaktuar. Grupi mësoi se misioni i Nëntorit kishte kontaktuar me Halim Rexhepin por vendndodhja e tyre aktuale nuk dihej. Në Lushin, Hysni Peposhi, vëllai i agjentit Little Pine, u dërgua nga grupi për të kontaktuar me Veli Cinën, babanë e Ramadan Cina, për të vendosur një kohë dhe vend takimi. Grupi raporton se kishin pritur gjitha natën por nuk kishte pasur asnjë shenjë të Ramadan Cinës. Pasi kishte ardhur koha për lëshimin e dytë të furnizimeve, grupi Pine i shoqëruar nga 14 miq dhe një grup jugosllav që kishin takuar në Surroj, u nisën drejt zonës së lëshimit. Lëshimi i dytë ishte më i suksesshëm se i pari. Materialet e 18 kutive të lëshuara u ndanë mes ndjekësve të grupit me përjashtim të 6 automatikëve Schmeisers dhe këpucëve (armët kishin defekt ndërsa këpucët nuk mund të visheshin sepse ishin shumë të reja).

Takimet

Pas kthimit në Lushin, Hysni Poposhi u dërgua përsëri për të organizuar takimin me Veli Cina, në të njëjtën vendndodhje e me të njëjtin fjalëkalim. Peposhi u nis për në Kukës, ku kishte kontaktuar me Halim Rexhepin dhe Xhafer Miftarin, por prej të sjelljes së tij grupi vendosi se Cina nuk ishte i besueshëm dhe u ndaluan tentativat për takimin me të prej frikës së rënies në grackë. Disa ditë më vonë, Rifat Kolgini, kreu i grupit jugosllav, informoi grupin Pine se autoritetet e Beogradit dëshironin të kontaktonin me ta. Grupi informoi se pranonin të kontaktonin po jo me njerëz poshtë rangut kolonel, gjithashtu në këtë kohë Kolgini informoi grupin se të gjithë anëtarët e grupit të Ramadan Cinës ishin internuar në Prizren. Emrat e tyre ishin Ramadan Veli Cina, Nerguti, Reg Berisha e Blania. Informacioni u besua si i vërtetë pasi shpejgonte arsyen pse Cina nuk ishte paraqitur në vendin e kontakteve. U dha një datë për takimin me oficerin jugosllav, emri i të cilit ishte Jedomoviç. Në Surroj grupi mori një letër nga Halil Nerguti i cili i kërkonte të vizitonin Halim Rexhepin dhe të prisnin për Nergutin dhe pjesën tjetër të grupit të Nëntorit. Grupi priti në shtëpinë e Rexhepit për dhjetë ditë por nuk mori lajm nga Nerguti. Halim Rexhepi trembej se ai mund të jetë duke u ndjekur nga Sigurimi dhe kërkoi të kalonte kufirin për në Jugosllavi. Pas kësaj bisede dhe agjenti Little Pine trembej se vëllai i tij Hysni Peposhi mund të ishte në rrezik dhe u vendos që ai të shoqëronte grupin. Për të mos bërë të dallohej mungesa e tij grupi vendosi që ai të aplikonte për leje për të vizituar Tiranën. Little Pine gjithashtu i kërkoi zv. shefit të Sigurimit të Kukësit, Sinan Mati, të mos kërkonin për Hysniun. Little Pine thotë se Sinan Mati është njeri i besuar, dhe mund të shërbejë edhe në rast revolte. Fjala nuk arriti deri të Sinan Mati dhe grupi nuk e dinte që Sigurimi kishte nisur kërkimin për Hysniun, dhe rrjedhimisht situata solli vdekjen e tij. Ai kishte vendosur të kthehej në shtëpi për batanije por ishte qëlluar dhe kapur nga Sigurimi që ishte vendosur në shtëpinë e tij. Para se ta vrisnin ata e kishin marrë në pyetje dhe kishin sekuestruar sende si brisqe amerikane e sapun, që ishin mallra luksi. Ai kishte pranuar gjithashtu se kishte qenë në kontakt me vëllanë e tij të arratisur por teksa ishte në prag të vdekjes nuk kishte treguar më tepër. Informacionet e marra nga burimet lokale thonë se Peposhi ishte shtruar në spitalin e Kukësit i shoqëruar nga rojet e Sigurimit, por kishte vdekur në spitalin e Shkodrës. Pa e ditur fatin e vëllait të tij, dy ditë më vonë agjenti Little Pine u kthye në shtëpi të pyeste për të, dhe u informua nga vëllezërit për fatin e Hysniut. (Shënim: Është interesant fakti se agjenti Little Pine mendoi të evakuonte pjesën tjetër të familjes në Jugosllavi hoqi dorë pasi një veprim i tillë do të shihej me përçmim nga bashkëfshatarët që e kishin ndihmuar.

Kontaktet me grupin

Hysni Peposhi nuk vdiq në spitalin e Kukësit, por ngaqë shqetësohej se vëllai i tij do të mendonte se po tregonte të Sigurimi, arriti të organizonte vizitën e kushëririt Selman Peposhi, para të cilit u betua se nuk do të tregonte vendin ku fshihej Little Pine. Më vonë ai u zhvendos në spitalin e Shkodrës ku dhe vdiq. Më 5 shtator Rifat Kolgini kontaktoi me grupin dhe dy ditë më vonë u nis bashkë me grupin jugosllav për të pritur në kufi kolonelin Jedomoviç. Dy grupet u takuan në Kalabak, ku lejtnant Vasko i informoi se do të shkonin në Krushë të Jugosllavisë. Kur arritën atje u takuan me major Mele, kapiten Vlado Popoviç dhe kapiten Grosere. Majori Mele shpjegoi se kolonel Jedomoviç pritej të vinte për 3 ditë dhe kishte lënë udhëzime që grupi Pine Tree të prisnin për kthimin e tij në Prizren, dhe grupi u vendos në shtëpinë e oficerit jugosllav. Më 10 shtator koloneli erdhi dhe deklaroi sa më poshtë: Ai kishte kërkuar t’i takonte sepse të dy palët punonin për të njëjtën kauzë; sipas tij të gjitha grupet që punonin në Shqipëri konsideroheshin aleatë, prandaj ishin gjithmonë të mirëpritur në Jugosllavi. Ai pyeti se çfarë planesh kishin për të ardhmen Hasan Dosti dhe Muharrem Bajraktari (koment: është e mundur që të ketë pyetur vetëm për Dostin, por shkruesi mendon se Bajraktari është shtuar nga grupi sa për të qenë brenda). Koloneli tha se Bajkraktari dhe Komiteti Shqipëria e Lirë do të kontaktohen (koment: megjithëse mund të jetë e vërtetë, tingëllon e ekzagjeruar). Grupi Pine Tree iu përgjigj pyetjeve të kolonelit duke thënë se në fakt punojnë për Komitetin Shqipëria e Lirë, por nuk e dinin cilat ishin planet e Komitetit për të ardhmen. Grupi kërkoi nëse do të lejohen pas disa muajsh, të kalojnë dimrin në Jugosllavi pas kalimit të tyre ilegal të kufirit. Koloneli pranoi të lejonte grupin të kalonin në Jugosllavi muajt e dimrit pa u trazuar nga autoritetet. Grupi deklaron se më pas informoi qendrën me anë të një letre për zhvillimet dhe se do të prisnin lëshimet e shtatorit në Lushen (një letër e tillë nuk është marrë kurrë nga Athina). Një bazë e re u krijua në Lushen ku u realizuan kontakte të reja.

Nisja në Surroj

Në fillim të tetorit grupi u nis për në Surroj ku do të qëndronin deri në kohën e lëshimeve. Ndërkohë ata morën informacion se Sigurimi kishte rrethuar dhe po ruante zonën e lëshimit në Mi e Ronës. Grupi vendosi që zona e re e lëshimit të ishte Nica. Më 9 tetor të shoqëruar nga një grup jugosllav prej 9 vjetësh, ata u nisën për në Nicë. Herët më 15 tetor grupi vendosi që erërat e forta nuk kanë lejuar ngritjen e avionëve, por më vonë ata dëgjuan zhurmët e motorëve dhe vrapuan për t’u rikthyer në zonë por gjatë kalimit të parë ata kishin arritur të ndiznin vetëm një zjarr. Në fluturimin e dytë grupi kishte ndezur të tre zjarret e kërkuara nga sinjali i lëshimit. Lëshimet u kryen por grupi raportoi sukses të vogël prej shikueshmërisë së ulët të motit dhe fluturimit në lartësi të madhe të avionit klandestin. Grupi komentoi sa më poshtë për fluturimin dhe lëshimet: Nga 26 pako të lëshuara u rikuperuan vetëm 13, teksa ato kishin rënë rreth një orë larg në këmbë nga zona e programuar e lëshimit. U desh një orë e gjysmë që misioni radio i Faik Dalipit e Koçi Dules të vihej në kontakt me komitetin pritës. Grupi Pine Tree qëndruan në zonë e lëshimit deri në agim, dhe u morën me fshehjen e pakove të reja. Pas agimit mund të dalloheshin në distancë disa parashuta të varura në pemë dhe grupi vendosi të tentohej rekuperimi i tyre për vetë sigurinë e misionit. Por duke lëvizur drejt zonës ku dukeshin parashutat e ngecura në pemë, grupi pikasi një patrullë prej rreth 30 njerëzish. Agjenti Little Pine thotë se beson se u grupi u dallua nga patrulla por ndoshta ngaqë ushtarët besonin se ishin grup më i madh, u lanë të shkonin pa bërë zhurmë. (Kemi pasur edhe në të shkuarën raportime se njësi ushtarësh kanë lënë të kalojnë njerëz të armatosur pa i trazuar, por kjo është hera e parë që raportohet për një skuadër të plotë me 30 vetë, dhe tregon masën e neglizhencës mes individëve në shërbim).

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive. CIA ka deklasifikuar disa dokumente për vitin 1947 dhe aty tregohet se si Hoxha dhe njerëzit pas tij arritën të ngjiten në pushtet.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19

Postuar: 14/09/2018 - 07:11

CIA i ka kushtuar një rëndësi edhe marrëdhënieve me Kinën.

Postuar: 13/09/2018 - 07:06

 CIA tregon me detaje se si qeveria komuniste nisi të përçahej në fillimet e saj.