Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh detajet, ja çfarë u diskutua mes përfaqësuesve të Titos dhe Zogut më 1952, Mbreti kërkonte mbështetje për rrëzimin e Hoxhës

Postuar: 01/09/2018 - 08:59

CIA zbardh detaje nga negociatat mes ish-Mbretit Zog dhe Titos për të bashkëpunuar për rrëzimin e regjimit komunist. Në një dokument të deklasifikuar i vitit 1952, tregohet se si Tito e Zogu vendosën që të nisin bisedimet përmes delegacioneve të tyre. Më 28 gusht nis një takim 3 ditor në Shkup ku u bisedua me detaje mbi mundësinë e një bashkëpunimi mes tyre.

23 tetor 1952

Takimi i përfaqësuesve të ish-mbretit Zog dhe të Titos

Përfaqësues të Marshall Tito dhe të ish-mbretit shqiptar Ahmet Zogu u takuan në një takim tre-ditor (28-30 gusht 1952) në fshatin Saraj në lindje të Shkupit, në Jugosllavi. Delegacioni jugosllav përbëhej nga Branko Miliç dhe kolonel Cedo Mijoviç. Delegacioni shqiptar përbëhej nga Safet Lutfi Tozan, Anvi Daralla dhe Irfan Bej Ohri. Delegacioni shqiptar erdhi me avion në Shkup nga Selaniku.

Sesioni i parë (28 gusht 1952)

Në takimin e parë mes delegacioneve koloneli Mijovic përshkruhej si i zymtë. Diskutimet u hapën për palën shqiptare nga Tozan, i cili deklaroi se objektivi i misionit shqiptar ishte të kërkonte një bazë për bashkëpunim të mundshëm me qeverinë e Jugosllavisë dhe se udhëzimet e tij ishin të kufizuara për diskutime eksploruese mes palëve. Ai tha se delegacioni ishte udhëzuar të organizonte një takim tjetër mes përfaqësuesve fuqiplotë të Zogut dhe marshall Titos. Ohri kërkoi në gjuhën shqipe që Jugosllavia të njihte integritetin territorial të Shqipërisë. Ai tërhoqi vëmendjen e delegacionit jugosllav te fakti që mbreti Zog qëllimisht kishte refuzuar të merrte pjesë në veprimet politike kundër regjimit të Hoxhës, pasi ishte i mendimit se çdo pjesëmarrje aktive në një revoltë pa dijeninë e tij, qoftë dhe nga jugosllavët, do t’i kushtonte shtrenjtë popullit shqiptar. Ohri vazhdoi më tej duke thënë se delegacioni shqiptar kishte dëshirën e sinqertë për të diskutuat çlirimin e mundshëm të Shqipërisë një blloku sovjetik. Duke marrë parasysh rëndësinë e këtyre negociatave delegacioni shqiptar për llogari të Zogut ftoi qeverinë e Jugosllavisë të dërgonte një përfaqësues fuqiplotë për të biseduar me të. Mbreti pranonte çdo kohë apo vend takimi të zgjedhur nga Jugosllavia, ndërsa nëse takimi do të mbahej në Egjipt, kjo duhet të ndodhte para se ai të vendosej në rezidencën në Francë. Nga pala jugosllave Miliç deklaroi se ishte i gëzuar për qasjen realiste të delegacionit shqiptar dhe shtoi se qeveria e tij ishte plotësisht dakord me idenë se baza e këtyre negociatave ishte njohja e integritetit territorial të Shqipërisë në kufijtë aktualë. Në lidhje me qëllimet greke, Miliç deklaroi se marrëdhëniet aktuale mes Jugosllavisë dhe Greqisë ishin të tilla që mund të lejojnë influencën e Jugosllavisë që Greqia të heqë dorë nga pretendimet e saj shqiptare. Propozimi për një takim mes përfaqësuesve fuqiplotë të Titos dhe Zogut do të duhej të caktohej në një tjetër datë pasi as ai as Mijoviç nuk kishin kompetenca për këtë. Miliç tha se shpresonte për një përgjigje të shpejtë nga qeveria e tij ndërsa më tej siguroi delegacionin për respektin e qeverisë jugosllave ndaj pavarësisë politike dhe territoriale të Shqipërisë dhe sugjeroi që delegacioni të njihej me programin e Komitetin e Prizrenit të refugjatëve shqiptarë në Jugosllavi.

Sesioni i dytë (29 gusht 1952)

Kolonel Mijoviç, i cili kishte qenë me humor të keq në sesionin e parë tashmë dukej në formë më të mirë dhe shfaqi njohuritë e mira të gjuhës shqipe. Miliç hapi sesionin duke njoftuar se kishin marrë përgjigje nga qeveria e cila kishte pranuar propozimin e mbretit Zog për takimin mes përfaqësuesve fuqiplotë të palëve. Koha dhe vendi i këtij takimi do të komunikohej në një të ardhme të afërt. Miliç më pas i kërkoi delegacionit shqiptar një opinion mbi partinë Blloku Kombëtar Indipendent të drejtuar nga i biri i Ismail Vërlacit, Shefqet Verlaci në Itali. Ohri u përgjigj se në këtë grup kishte persona të aftë dhe se Zogu ishte i gatshëm të harronte mëkatet e tyre të shkuara. Kolonel Mijoviç pyeti më pas mbi figura të ndryshme të shqiptarëve në emigracion si dhe iu përgjigj pyetjeve që i drejtonin Ohri e Daralla. Mijoviç përgjigjej në detaje ndaj çdo kërkese informacioni për persona të ndryshëm, qofshin edhe të panjohur, më pas ai i kërkoi Ohrit e Darallës të komentonin mbi këta persona: Gjon Markagjoni, anëtar i BKI dhe drejtues i katolikëve shqiptarë, Kol Bibë Mirakal ish-sekretari i Partisë Fashiste dhe ministër i Brendshëm në kohën e italianëve, Myslim Peza, gjeneral i Hoxhës dhe më parë bashkëpunëtor i Ohrit, Lufti Spahiu, zv-presidenti i lidhjes së emigrantëve shqiptarë, kolonel Muharrem Bajraktari, partizan i njohur, tashmë në Greqi, peshkopi Fan Noli që tashmë ndodhet në Shtetet e Bashkuara, si dhe disa emra të tjerë që nuk u përmendën nga burimi. Ohri iu përgjigj të gjitha pyetjeve mbi personat në fjalë dhe tregoi kujdes të mos bënte gjykime apo t’i denonconte në ndonjë mënyrë. Delegacioni shqiptar vuri re simpatinë dhe interesin e treguar ndaj grupeve fashiste veçanërisht nga Mijoviç, i cili komentoi pozitivisht për Markagjonin, Mirakaj dhe të tjerë. Papritur kolonel Mijoviç pyeti se çfarë mendonin Zogu dhe miqtë e tij për komunistët shqiptarë. Ohri u përgjigj duke thënë se komunistët shqiptarë konsiderohen vëllezër të shqiptarëve të bindjeve të tjera politike dhe se Zogu nuk ka ndërmend të hakmerret ndaj tyre. Dëshira e vetme e mbretit është të çlirojë vendin nga influenca e bllokut sovjetik, pas së cilës partia komuniste dhe të tjerat do të mund të mbrojnë veten lirisht para gjyqit të opinionit publik.

Sesioni i tretë (29 gusht 1952)

Miliç pyeti nëse Zogu kishte një organizatë të gatshme për të lëvizur kundër Hoxhës, si dhe nëse kishte kanale për informacion nga Shqipëria dhe nëse do të dëshironte diçka të tillë nga qeveria jugosllave. Në përgjigjen e ti Ohri tha se në sensin formal të fjalës mbreti nuk kishte një organizatë të gatshme për veprim. Ai nuk dëshiron të krijojë një organizatë të tillë deri në arritjen e një bashkëpunimi të plotë me qeverinë e Jugosllavisë. Por ai shtoi se Zogu ka mbështetës të shumtë në Shqipëri të cilët janë të gatshëm të veprojnë dhe se disa dhjetra persona ishin dërguar në Shqipëri prej tij. Sipas urdhrave strikte të tij njerëzit ishin udhëzuar të mos vepronin por të prisnin deri në momentin e programuar për të evituar rreziqet e veprimi të parakohshëm. Miliç shprehu miratimin dhe kënaqësinë e tij për pikëpamje e shprehura nga Ohri. Ai më tej kërkoi ndjesë dhe u nis po atë natë për në Beograd.

Sesioni i katërt (30 gusht 1952)

Ky takim i zhvillua vetëm mes tre përfaqësuesve shqiptarë dhe kolonelit jugosllav Mijoviç. Mijoviç u bë miqësor në veçanti me Darallën, të cilit i tha: “Ne duam të shkatërrojmë bllokun sovjetik. Ne nuk mund të qëndrojmë duarkryq dhe të shikojmë se çfarë bëjnë ata në Shqipëri. Nëse ju nuk arrini të krijoni një revolucion në Shqipëri atëherë ne do të detyrohemi ta bëjmë vetë. Ne sigurisht që do të preferonim që revolta të nisej nga vetë shqiptarët, të cilët ne sigurisht do t’i ndihmonim fshehtësisht”. Mijovic u thërrit nga takimi dhe kur u kthye njoftoi se ishte thirrur me urgjencë në Beograd. Duke u larguar Mijoviç deklaroi se thirrja e tij urgjente mund të ishte një sinjal i mirë për çështjen, dhe i uroi delegacionit lamtumirë. Më 31 gusht 3 anëtarët e delegacionit shqiptar u kthyen në Stamboll nga Shkupi e Selaniku. Më 8 shtator Ohri e Daralla u larguan me avion nga Stambolli për në Aleksandri të Egjiptit.

Komente

Përfaqësuesit jugosllavë duket se kanë përdorur emra të tjerë për pjesëmarrjen e tyre në takimin me delegacionin shqiptar, për shembull Branko Milic e prezantoi veten me këtë emër të Ohri e Daralla por me Tozan ai ka përdorur emrin Branko Stankoviç. Ndërsa Cedomir Mijoviç u prezantua me këtë emër por me Tozan përdori emrin Miliç Sava. Në bisedat me njëri-tjetrin jugosllavët përdornin emrat Branko e Cedo. Brano Miliç pyeti Tozan nëse ishte e vërtetë se mbreti Zog i kishte dhënë hua shuma të mëdha borxh ish-mbretit jugosllav Pjetër. Tozin u përgjigj se nuk dinte gjë për hua, por tha se ishte i sigurt se nëse është vërtet kështu, nuk ka motive politike të përfshira. Qeveria jugosllave po bën çdo përpjekje të mundshme për të krijuar një atmosferë mirësjelljeje për takimin dhe për këtë fshati Saraj ishte një vendndodhje e përkryer. Suitat e hoteleve për delegacionin shqiptar, shërbimi dhe ushqimi ishin zgjedhur nga më të mirat. Çdo sesion i bisedave u mbajt në dhoma të ndryshme. Përfaqësuesit shqiptarë kishin shërbim për çdo gjë të mundshme dhe nuk paguan asgjë për shpenzimet, madje nuk u lejuan as të këmbenin valutat në mbërritje. Jugosllavët tentuan të paguanin dhe për transportin e tyre drejt Stambollit por kur shqiptarët nuk pranuan ata insistuan të paguanin biletat deri në Selanik. Të tre përfaqësuesit shqiptarë ishin të lumtur dhe optimistë për mënyrën sesi u zhvilluan bisedimet. Ata ishin dakord se përfaqësuesit jugosllavë flisnin me autoritetet dhe se thelbi i bisedave mori vëmendje të mjaftueshme prej tyre dhe prej qeverisë së Jugosllavisë. Në mendjen e tyre përfaqësuesit shqiptarë nuk kishin dyshim se qeveria jugosllave është e sinqertë në qëllimet e saj për t’u takuar me mbretin Zog, dhe ndoshta ishin të bindur për një epokë të re në marrëdhëniet jugosllavo-shqiptare.

 

Takimi me ish-mbretin Zog

Më 20 gusht 1952 unë dhe ... shkuam në hotelin Mayflouer për t’u takuar me ndihmësin e mbretit Zog, kolonel Selmani, i cili na shoqëroi më pas te suita e mbretit Zog. Zogu ishte shumë i sjellshëm por jo me tepricë, në takimin që zgjati rreth një orë e gjysmë, ku ishim prezentë vetëm ai, ... dhe unë. Zogu fliste një frëngjishte të mirë (për të cilën më raportonin se e ka mësuar vetëm vitet e fundit). Ai më pyeti nëse flisja gjermanisht, gjuhë në të cilën me sa dukej ndjehej më i lirshëm. Zogu nisi duke më treguar se ishte këtu vetëm për disa ditë, dhe se kishte ardhur vetëm për të futur në shkollë djalin e tij dymbëdhjetë vjeçar në Uashington ose në Nju Jork. Pasi të kishte mbaruar këtë, ai tha se do të kthehej në Aleksandri, ku dhe mund të gjendej nëse do të kishim nevojë për shërbimet e tij. Ai përmendi se mbretëresha Geraldinë ishte në Levant (zona mesdhetare e Lindjes së Mesme) dhe se kishte qenë në Baalbek. Më tej ai djalërinë e tij në Stamboll dhe udhëtimet që kishte bërë vetë në vendet e Levantit, duke përmendur disa prej rrënojave më të famshme. Pas bisedës shoqërore dhe pasi theksoi prej fillimit se i vinte keq që nuk mundi të takohej me ..., ne folëm për situatën shqiptare. Zogu tha se kishte katër gjëra të rëndësishme në lidhje me Shqipërinë dhe që duhet të transmetoheshin te .... Ai tha se shtatë fusha ajrore të para-luftës po rinovoheshin dhe dy të reja po ndërtoheshin, por komentoi se ky aktivitet nuk kishte lidhje me Jugosllavinë, më shumë sesa me pozicionet perëndimore të zonës, siç mund të ishte baza perëndimore në Tripoli, apo ndonjë objektiv tjetër në Lindjen e Mesme.

Ndërhyrja ushtarake në Shqipëri

 Ai mendonte se një forcë ushtarake prej 100.000 njerëzish në Shqipëri (50 000 nga forcat e armatosura shqiptare dhe 50 000 ndoshta sovjetike që mund të silleshin në vend) do të ishte një kërcënim për Jugosllavinë. Më tej ai vazhdoi të jepte shqetësime për kërcënimin shqiptar dhe sovjetik, duke përmendur gjirin e Vlorës dhe nëndetëset sovjetike, për të cilat tha se mund të ankoroheshin në bazën e Vlorës. Ai përmendi gjithashtu rëndësinë e ishullit të Sazanit.

Duke parë rëndësinë e këtyre fakteve Zogu propozoi tre zgjidhje të mundshme: Një pushtim i mundshëm i Shqipërisë nga trupat amerikane (çka do të konsiderohej si një provokim nga rusët). Një revolucion i brendshëm (i cili nuk mund të arrihej pa bashkëpunimin e ushtrisë); Një pushtim nga Greqia e një ushtrie prej 8000 deri në 10 000 shqiptarësh të emigracionit, të drejtuar nga mbreti Zog dhe në koordinim me rezistencën e brendshme (çka nuk do të arrihej pa u bërë e njohur nga bota e jashtme); Në lidhje me inteligjencën, Zogu pranoi se nuk kishte ndonjë organizatë brenda vendit, por vetën nganjëherë dërgonte një prej kontakteve të tij në Shqipëri për t’u takuar me persona të tjerë që i konsideronte besnikë ndaj tij. Këta persona ishin njerëz të nivelit të ulët, jo inxhinierë apo oficerë, dhe kontaktet e tyre ishin kryesisht ish-anëtarë të Trupave të Rezervave që Zogu kishte krijuar gjatë sundimit të tij në vitet 1924-1939, të cilët para luftës arrinin në numrin 2900. Prek këtij numri, sipas Zogut, rreth 700 ishin eliminuar nga regjimi aktual, të tjerë kishin vdekur dhe të tjerë kishin dezertuar. Por Zogu besonte se kishte ende rreth 2000 ish-oficerë rezervistë brenda Shqipërisë te të cilët mund të mbështetej për nga besnikëria.

Synimet e CIA për Zogun

Duke gjykuar mbi disa prej observimeve të bëra nga Zogu për situatën në Shqipëri, mua më dukej se ai nuk ishte shumë i informuar mbi situatën. Por gjithsesi ka mundësi që ne të shfrytëzojmë Zogun sipas linjave të mëposhtme:Pas kthimit të tij në Aleksandri ne duhet të kontaktojmë me të për të kërkuar informacione të ngjashme mbi kushtet në Shqipëri, me anë të korrierëve që ai dërgon në vend apo me anë të refugjatëve që vijnë nga Shqipëria;

I kërkojmë të na njoftojë për kohën kur do të dërgojë dikë në Shqipëri, dhe për zonën e caktuar ku do të qëndrojnë, për të na ndihmuar me terrenin dhe informacionet; Më pas të identifikojmë dhe të zbulojmë vendndodhjen e oficerëve rezervistë që Zogu konsideron besnikë, të kualifikuar dhe të padyshuar nga autoritetet komuniste, për t’i përdorur ata si agjentë apo ndihmës me shtëpi të sigurta për agjentët apo korrierët. Në lidhje me sa më sipër, Zogu përmendi se kishte pasur vështirësi në dërgimin e njerëzve në Shqipëri pasi grekët nuk i pranonin dokumentet shqiptare të ish-mbretërisë, prandaj ishte i detyruar t’i dërgonte ata në Turqi, ku mund të merrnin vizë greke për infiltrime tokësore në Shqipëri (nëse ky do të ishte edhe qëllimi ynë, ne mund ta lehtësonim dërgimin e korrierëve të Zogut në Shqipëri nga Greqia, pa qenë nevoja që ata të kalonin nga Turqia). Në lidhje me komitetin shqiptar në jugosllavi, Zogu vërejti se megjithëse ai përbëhej nga të panjohur, ishte gjithsesi më me influencë se Komiteti Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, sepse ishte krijuar nga qeveria jugosllave dhe kishte në dispozicion disa mijëra shqiptarë, në një zonë të afërt me Shqipërinë. Në të njëjtën kohë ai theksoi se po bënte gjithçka ishte e mundur për të siguruar harmoni në Komitetin Kombëtar të Shqipërisë së Lirë. Në lidhje me zgjedhjen e formës institucionale ai tha se do t’u lihej shqiptarëve të vendosnin.

Gjatë gjithë takimit sjellja e Zogut ishte e hapur dhe dukej shumë i sinqertë. Opinionet e tij thuheshin me bindje dhe vetëm një pjesë e vogël ishin si rezultat i pyetjeve direkte mbi to. Unë nuk thashë asgjë që mund t tregonte për interesim për inteligjencë operacionale nga ana jonë. ... do të takohej përsëri me Zogun në 16 gusht, për eksplorim të mëtejshëm të ofertës së tij për drejtimin e një force të armatosur brenda në Shqipëri, si dhe për aftësinë e tij për mbledhjen e një force prej 8-10 mijë njerëzish, siç pretendoi se mund të bënte.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 1. Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/09/2018 - 07:12

CIA kishte menduar të gjitha alternativat për të rrëzuar regjimin komunist. Në një dokument të deklasifikuar nga amerikanët, thuhet se kishin një plan me 6 pika, ku një ndër to ishte dhe të dërgoheshin letra me helm.

Postuar: 21/09/2018 - 07:11

CIA amerikane ka pasur të dhëna të plota sa i takon zhvillime të Shqipërisë gjatë periudhës komun

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pje

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.

Postuar: 16/09/2018 - 07:40

Amerikanët kanë dhënë detaje mbi zhvillimet në Shqipëri gjatë vitit 1955.

Postuar: 15/09/2018 - 08:25

CIA ka renditur 5 arsye kryesore q mund të kenë sjellë fundin e bashkëpunimit Shqipëri-Kinë më 19