Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh detajet, ja si u tensionuan marrëdhëniet mes Hoxhës dhe Hrushov më 1962, BRSS urdhër vendeve komuniste të bojkotonin Shqipërinë

Postuar: 09/09/2018 - 09:55

Amerikanët kanë nxjerrë në dritë detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Sipas një dokumenti të vitit 1962, tregohet se si Hoxha e Hrushov lëshonin sulme ndaj njëri tjetrit. Po ashtu, tregohet se si Moska urdhëroi vendet komuniste që të bojkotonin Shqipërinë.

Maj 1962

Pasojat e kongresit të 22 të Partisë Sovjetike

Kongresi i 22-të i Partisë Sovjetike në tetor 1961 preku gjerësisht politikat e bllokut socialist dhe të partive të tjera jashtë bllokut, duke evidentuar probleme serioze në disiplinë dhe koordinim që para hapjes së kongresit. Problemet ishin të përkeqësuar nga debati me Kinën që kishte nisur prej konferencës së Bukureshtit në qershor 1960 dhe asaj në Moskë në nëntor 1960, ndërsa arritën kulmin e krizës në kongres, ku Hrushovi u përpoq të detyronte bllokun me forcë të pranonte politikat dhe diktatin e tij. Duke ringjallur fushatën kundër Stalinit dhe kundër grupit të ashtuquajtur anti-parti të Molotov, Malenkov, Kanganoviç e të tjerë, si dhe me sulmet kundër Shqipërisë, Hrushovi shpresonte të shkatërronte rezistencën ndaj politikave të tij, dhe nëse ia arrinte kësaj do të vazhdonte izolimin dhe diskreditimin e atyre që e kundërshtonin. Ofensiva sovjetike vazhdoi edhe pas kongresit dhe përfundimi i saj ende nuk është përcaktuar. Kundërshtari i tij kryesor, Kina socialiste ka refuzuar të dorëzohet ndaj presionit dhe është bërë palë me Shqipërinë e vogël në refuzimin e diktatit sovjetik, së bashku me disa parti dhe elemente të tjerë. Disa zhvillime tregojnë se opozicion ekziston edhe brenda parisë sovjetike, të cilat nuk kanë qenë efektive deri tani. Rezultati kryesor i kongresit ishte ekspozimi i prishjes së disiplinës dhe paaftësisë së partisë sovjetike për të komanduar veprim unanim dhe bindje ndaj vullnetit të saj. Shumica e partive opozitare, megjithëse qëndruan të heshtura në kongres, deri në shkurt e bënë të qartë qëndrimin e tyre. Kur kongresi u hap në 17 tetor 1961, udhëheqësit sovjetikë u përballën me divergjenca të vazhdueshme në lëvizjen komuniste në lidhje me strategjinë ndërkombëtare. Mosmarrëveshjet me Kinën dhe prishja e lidhjeve me Shqipërinë kishin shkaktuar një humbje të besimit në linjën e doktrinës sovjetike dhe te udhëheqja e saj.

Marrëdhëniet BRSS-Shqipëri

Ashtu si me Kinën, marrëdhëniet e BRSS me Shqipërinë ishin përkeqësuar prej konferencës së nëntorit 1960, ku Enver Hoxha kishte nisur sulme personale ndaj Hrushovit si dhe ndaj politikave sovjetike, duke deklaruar solidaritet me Kinën. Përkeqësimet i reflektuan dhe në trajtimin e Shqipërisë nga partia sovjetike në kongresin e shkurtit 1961, nga mungesa e Shqipërisë në disa takime të organizatës tregtare socialiste CEMA, nga mungesa e Hoxhës në takimin e kryetarëve të Paktit të Varshavës në gusht, si dhe në kthimin e studentëve shqiptarë nga BRSS në maj. Në fronte të tjera efektet e polemikave u ndjenë në qartësimin e qëndrimeve pro-kineze dhe disi anti-sovjetike të partive komuniste të Koresë së Veriut, të Vietnamit të Veriut, Indonezisë, Italisë e Polonisë. Për udhëheqjen shqiptare debati me BRSS u solli rritje të popullaritetit në shtëpi. Udhëheqja shqiptare besonte përfitoi sa mundi nga tolerimet sovjetike sipas deklaratës së Nëntorit, duke propaganduar me të madhe sulmet e saj, aq sa tashmë sovjetikët kishin frikë të bënin kompromis me ta pasi do të humbisnin prestigjin para lëvizjes komuniste. Delegatët e kongresit sovjetik, sipas fjalëve, ishin përgatitur të dëgjonin mbi programin dhe statutin e ri të partisë, por në fakt Hrushovi injektoi tre temat e papritura të sulmeve mbi Stalinin, grupin anti-parti dhe Shqipërinë. Çfarëdo arsyesh që Hrushovi të ketë pasur për rihapjen e kritikave ndaj politikave dhe krimeve të Stalinit, është e qartë se ai i përdori këto në strategjinë e tij kundër grupit anti-parti dhe kundër Shqipërisë, për të diskredituar motivet e tyre. Hrushovi e zgjeroi kritikën e tij ndaj udhëheqësve shqiptarë, për këdo që kundërshtonte linjën e kongresit të 20-të. Folësit sovjetikë dhe Hrushovi analizonin akuzat ndaj grupit anti-parti dhe ashpërsisë së sistemit stalinist shqiptar. Delegatët e kongresit nuk ishin përgatitur për këto akuza të Hrushovit edhe ishin në dijeni të problemeve me Kinën. Ata e shikonin se kongresi kishte diçka që nuk shkonte dhe se kinezët ishin të vendosur të mos shkeleshin nga presioni sovjetik.

Lëvizjet e BRSS

BRSS u përpoq të influenconte delegatët e botës së lirë dhe gjithashtu të bënte lidhjen mes opozicionit dhe mbështetësve të grupit anti-parti. Argumentet kulminuan më 27 tetor kur Hrushovi bëri thirrje për përmbysjen e udhëheqësve shqiptarë dhe dënoi mbështetjen e Kinës për ta. Presioni moral dhe politik i këtij argumenti mbi delegatët e botës së lirë ishte i madh. Sovjetikët gjithashtu u përpoqën të manipulonin radhën e folësve për të evituar kritikat e koreano-veriorëve, indonezianëve dhe vietnamezëve dhe për të krijuar përshtypjen e një mbështetje të gjerë në favor të tyre. Por përfaqësuesit e ndryshëm të partive nuk ishin në dijeni të diskutimit të çështjes shqiptare dhe mesazhet e tyre të mbështetjes për BRSS duken anakronike. Deri në fund të kongresit më 31 tetor ishte e qartë se BRSS nuk kishte arritur të vendoste diktatin e saj ndaj kinezëve dhe as t’i detyronte të shpallnin ndarjen me kampin sovjetik. Ishte gjithashtu e qartë se sovjetikët ishin gati të shkonin dhe më tej për të arritur një përballje finale pa kthim prapa me kinezët. Këta të fundit dhe aleatët e tyre nuk mund të zgjeronin rezistencën ndaj BRSS pasi kjo do të sillte vetëm të tjera probleme për partitë komuniste lindore ose perëndimore. Pas fundit të kongresit deri në mars 1962, BRSS kishte marrë një sërë masash kundër partisë kineze dhe asaj shqiptare që patën pasoja dhe për vendet e tjera. Sovjetikët thirrën të gjithë stafin diplomatik nga Shqipëria dhe nxitën vendet e tjera lindore të reduktonin në minimum kontaktet me Tiranën. Sipas shqiptarë kjo lëvizje u nis nga sovjetikët në 25 nëntor 1961. Duke u përpjekur që t’ia hidhnin fajin shqiptarëve për prishjen, BRSS deklaroi se kishte nisur veprimet e saj në 3 dhjetor, për arsye të aktit armiqësor të Tiranës të shpërndarjes së dokumenteve në zyrat diplomatike të Moskës më 25 nëntor. Dokumentet përmbanin rezolutën e komitetit të Partisë Komuniste Shqiptare mbi çështjen dhe fjalimin e Enver Hoxhës më 7 nëntor. BRSS u përpoq gjithashtu të injektonte sulmin ndaj Shqipërisë me aktivitetet e fronteve ndërkombëtare komuniste me anë të Federatës Botërore të Rinjve Demokratikë dhe Unionit Ndërkombëtar të Studentëve, ku zëdhënësit e saj kritikuan publikisht Shqipërinë për qëndrimet në konferencat e rëndësishme të vendeve socialiste. Edhe transmetimet saj në gjuhën kineze sulmonin shqiptarët dhe indirekt kinezët, me publikimin e artikujve të gazetave sovjetike që justifikonin veprimet e kongresit dhe linjën e gabuar të qëndrimeve ndryshe. Në këta artikuj dhe në publikimet e shtypit sovjetik tregohej se të gjitha partitë mbështesnin qëndrimin sovjetik si dhe u bëhej thirrje të ushtrohej presion dhe kritika ndaj kinezëve e shqiptarëve.

 

Reagimi i shqiptarëve

Partia shqiptare reagoi me masa të ngjashme diplomatike dhe duke sulmuar publikisht “grupin e Hrushovit” për ndihmë ndaj armikut duke u përpjekur të përçante lëvizjen komuniste. Tirana gjithashtu publikoi ato që quante akte të sovjetikëve për kontroll dhe nënshtrim të shqiptarëve ndaj metodave të saj. Këto zbulime ishin diçka më shumë se akuzat e 7 nëntorit nga Hoxha dhe u prezantuan si një refuzim i deklaratave dhe akuzave sovjetike në kongres. Tirana në janar publikoi dhe transmetoi në gjuhë të huaja një editorial të gjatë të “Zërit të Popullit” ku përmblidhej problemi shqiptar kundër partisë sovjetike dhe kundër Hrushovit në veçanti. Në të bëhej lidhja mes përpjekjeve të BRSS për të nënshtruar Shqipërinë dhe atyre për të vendosur hegjemoninë ndaj të gjithë bllokut socialist. Artikulli ishte i gjatë e i detajuar, shumë më i ashpër nga të gjithë shkrimet apo fjalimet kineze e shqiptare deri tani. Kinezët nga ana e tyre reaguan ndaj sulmeve sovjetike kundër Shqipërisë duke forcuar lidhjet ekonomike me Tiranën dhe duke thirrur një konferencë të partive komuniste në fund të 1961. Ata ishin të vendosur për një konferencë ku të merrnin pjesë dhe shqiptarët. Folësit kinezë në frontet ndërkombëtare ihsin të parët në kritikat ndaj strategjisë së përgjithshme sovjetike. Por megjithë manovrat e shumta politike u bë e qartë se asnjë nga palët nuk ishte e gatshme as për pranimin e një kompromisi e as për përplasjen e finale. Shqipëria nuk ishte jashtë bllokut por vetëm shtyrë në periferi të tij. Ata ankoheshin për përjashtim nga konferenca e Paktit të Varshavës që përfundoi në 1 shkurt, por ambasadori shqiptar vazhdonte të mbante postin në Sofje, dhe vendi vazhdonte marrëveshjet tregtare me Kinën, Korenë e Veriut, Poloninë, Hungarinë e Bullgarinë. Kinezët nga ana tjetër vazhdonin t’i referoheshin “12” vendeve të bllokut sovjetik, ndërsa Hrushovi bënte komente të rënda për “kritikët e huaj” të BRSS. Situata mbeti e tillë deri në fund të marsit.

Planet e CIA për dërgimin e agjentëve

Siç është konceptuar prej fillimit, projekti për Shqipërinë ka një objektiv minimal nxitjen e konfliktit të brendshëm në Shqipëri, me qëllim reduktimin e aftësisë së saj për mbështetjen e grupeve guerile në Greqi, dhe objektiv maksimal përmbysjen e regjimit Hoxha. Aktualisht kemi një koordinim të ngushtë të politikave me britanikët, por jo angazhin operacional. Që prej aprovimit të projektit, kanë ndodhur dy ndryshime madhore të situatës ndërkombëtare: ndalimi i luftës guerile në Greqi dhe përkeqësimi i marrëdhënieve mes Titos dhe vendeve sovjetike. Rritja e presionit të Kremlinit ndaj Titos ka sjellë ndryshime në politikat e SHBA, e cila dëshiron që të ruajë regjimin e Titos si një bllok pengues i influencës sovjetike në rajon. Ndryshimet e fundit kanë sjellë zhvendosje edhe në kushtet bazë të projektit dhe rishikim të objektivave të tij.

Kështu, më 6 shtator 1949, Departamenti i Shtetit dhe ministria e Jashtme britanike vendosën se objektivi maksimal i përmbysjes së regjimit në Shqipëri, duhej braktisur për momentin. Objektivat e tjerë duhet të ndiqeshin nga afër, me fokus në krijimin e kushteve të tilla në Shqipëri, që aftësojnë OPC (grupi i CIA që punonte për Shqipërinë) të kryejë operacione guerile në kundërveprim të ndonjë sulmi të mundshëm të sovietikëve drejt Jugosllavisë, apo ndaj një ringjalljeje të mundshme të aktivitete guerile komuniste në Greqi.

Lufta ekonomike

Pas krijimit të tij, detyra e Komiteti për Shqipërinë e Lirë (NCFA) ishte dhënia e ndihmës në zgjedhjen e agjentëve të përshtatshëm për infiltrim në Shqipëri, dhënia e asistencës në objektivat e propagandës, dhe në përgjithësi ndihma në të gjitha fazat e operacioneve dhe mbulim i fshehtësisë së projektit. Një zyrë për NCFA është krijuar në Nju Jork nën emrin e Komitetit Kombëtar për Evropën e Lirë. Zyra drejtohet nga dy anëtarë të komitetit ekzekutiv, dhe përveç funksioneve të tjera është përgjegjëse për një gazetë në gjuhën shqiptare. Elementi evropian i NCFA e ka selinë e tij në Romë. Elementi evropian i komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë përfshin një organ shtypi dhe propagande që veprojnë sipas udhëzimeve të OPC, me një staf prej tre shqiptarësh dhe një specialist propagande amerikan. Njësia e propagandës është përgjegjëse për përgatitjen e teksteve si ato të broshurave dhe karikaturave që shpërndahen ilegalisht ose nga ajri në Shqipëri nga kanalet amerikane e britanike.

Propaganda radiofonike

Përveç stabilimentit thuajse të hapur të propagandës së përmendur më sipër, OPC ka krijuar dhe një qendër propagande në Greqi për përgatitjen e propagandës së “zezë” dhe “gri” për Shqipërinë dhe Bullgarinë. Kjo qendër aktualisht ka në dispozicion edhe dy transmetues radio me valë të shkurtra, të lëvizshëm që pritet të nisin transmetimet në shtator. Përveç këtyre, një transmetues me valë të mesme është instaluar në një mjet detar që lundron në detin Jon ose Adriatik, që përdoret për transmetime propagande në Shqipëri. Anija është me bazë në Greqi dhe e aftë të operojë për periudha prej dy javësh, përpara se të kthehet në bazë për furnizime. Transmetimet nga kjo anije pritet të nisin në fund të vjeshtës, mundësisht në 15 nëntor. Si një shtesë ndaj transmetuesve të anijes dhe dy transmetuesve të lëvizshëm po nisin prokurimet edhe për një transmetues tjetër me valë të mesme prej 50 kilovat, që do të ketë një fuqi më të madhe se aparaturat e përmendura më sipër.

Fletëpalosjet dhe trajnimet

Një lëshim broshurash propagande u krye më 16 qershor 1950. Njëqindmijë fletë të pagatitura nga OPS në SHBA u lëshuan me avion mbi Shqipëri nga britanikët. Broshura të ngjashme janë përsëri duke u përgatitur dhe sapo organizmi i lëshimit të tyre të përfundojë do të nisin lëshimet e përmuajshme të fletëve të propagandës. Një kamp për grumbullimin e shqiptarëve të përshtatshëm për agjentë infiltrimi në Shqipëri po operon në formën e kampi të gardës në Gjermani. Për momentin ai përbëhet nga 250 shqiptarë, një numër i vogël i të cilëve do të tërhiqen nga kampi për t’u trajnuar në shkolla të fshehta agjenture. Tre instruktorë tanë janë tashmë atje dhe tre të tjerë po shkojnë në Gjermani.

Plani për lëshimin e agjentëve me avion

Po mendojmë për lëshimin me avion në Shqipëri të pesë grupeve me nga katër agjentë, më datë 30 shtator. Për këtë qëllim është siguruar një avion C-47 nga OPC, i cili do të operohet nga një ekuipazh polak. Avioni do të raportoje në Gjermani më 25 shtator. Dy avionë C-47 janë caktuar nga ushtria për operacionet e OPC në Gjermani, për operacione komunikimi tokë-ajër, të frekuencave ultra të larta, me agjentët e OPC në Shqipëri. Pajisjet e nevojshme të komunikimit po instalohen aktualisht në avionë, të cilët do të operojnë prej një bazë greke, dhe do të fluturojnë me personel ushtarak amerikan. Është duke u organizuar një kamp në Greqi për agjentët e kthyer nga infiltrimi në Shqipëri. Krijim i kamp[it u bë i nevojshëm për eliminimin e ndërhyrjeve të autoriteteve greke me këta të infiltruar (shpeshherë janë detyruar të rikthehen në Shqipëri nga rojet kufitare) dhe marrjen e kujdestarisë së tyre nga OPC. Për arsye të natyrës primitive të ekonomisë shqiptare, vendi nuk është objektiv i përshtatshëm i luftës ekonomike, por mund të bëjmë ndërhyrje në tregtinë shqiptare në Trieste apo nxitjen me anë të propagandës së ndalimit të dërgimit të ushqimit të fshatarëve drejt qyteteve.

Futja e agjentëve në Shqipëri

Një grup prej gjashtë njerëzish ka hyrë në Shqipëri në këmbë gjatë natës së 9-10 gushtit 1951. Guida që i drejtonte ata në zonën kufitare u kthye mbrapsht dhe tha se infiltrimi kishte qenë i suksesshëm. Dy burime raportonin se një grup prej katër njerëzish të lëshuar me parashutë në jug të Shqipërisë gjatë një operacioni të fshehtë të OPC më 22-23 korrik, u zunë në pritë nga forcat shqiptare të sigurisë. Të dyja burimet raportonin se një agjent u vra, dy kryen vetëvrasje dhe i fundit i shpëtoi grackës. Ky grup besohet se është tradhtuar nga një prej guidave.Një tjetër grup prej katër njerëzish të parashutuar në Shqipëri natën e 22-23 korrikut, arritën të shpëtonin duke u tërhequr jashtë kufirit grek në datën 15 gusht. Grupi kishte humbur të gjithë materialet që ishin lëshuar bashkë me ta dhe u tërhoqën prej mungesës së ushqimit. Anëtarët e këtij grupi do të infiltrohen përsëri në Shqipëri gjatë muajit shtator, në varësi të moralit të tyre (aktualisht morali i tyre është pozitiv). Deri në fund të gushtit një total prej dymbëdhjetë njerëz kanë hyrë në Shqipëri; dy grupe, një prej dy njerëzish dhe një prej katër njerëzish janë në veri të saj, kurse një grup me gjashtë njerëz janë në jug.

Lëshimet e furnizimeve

Një tentativë për lëshime furnizimesh për grupin tonë prej katër personash në jug të Shqipërisë më 11 gusht, rezultoi e pasuksesshme për arsye të kushteve të motit. Një tentativë e dytë më 12 gusht ishte gjithashtu e pasuksesshme për arsye se nuk u dalluan dritat e palës pritëse. Gjatë kryerjes së këtij misioni u has edhe zjarri i avionëve armiq, që u dalluan në afërsi të zonës së lëshimit. Një tentativë e tretë për furnizimin e grupit, e planifikuar për natën e mëpasshme u anulua për arsye të aktivitetit armik të hasur më parë. Natën e 16-17 gushtit një mision rifurnizimi fluturoi në zonën e dy grupeve në veri të Shqipërisë. Dhjetë pako u lëshuan për grupin e agjentëve me dy persona, pas njohjes në terren të sinjaleve të rëna dakord më parë. Ndërsa në zonën e grupit me katër agjentë nuk u bë lëshimi i programuar për arsye të mosnjohjes së sinjaleve paraprake. Një tentativë rifurnizimi e një avioni sekret të OPC për grupin e OSO në Shqipërinë jug-qendrore, natën e 22-23 gushtit ishte e pasuksesshme për arsye të mosdallimit të sinjaleve paraprake. Një tentativë lëshimesh furnizime për grupin me gjashtë persona në jug të Shqipërisë, natën e 25-26 gushtit, ishte e pasuksesshme për arsye të motit. Megjithëse ka pak të dhëna mbi misionin, arsyeja zyrtare ishte mosdallimi i sinjaleve të lëshimit. Në total, nga pesë misione furnizimi gjatë muajit gusht, njëri dështoi për arsye të motit, njëri prej veprimit armiqësor, dhe dy prej mosdallimit të sinjaleve përkatëse të lëshimit. Një mision i 16-17 gushtit arriti të lëshonte me sukses furnizimet për grupin e caktuar, por nuk arriti të dallonte sinjalet në zonat e tjera të lëshimit.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 10

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/09/2018 - 07:17

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera informacione sa i takon zhvillimeve në Shqipërinë Komuniste.

Postuar: 23/09/2018 - 07:33

CIA ka treguar detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik më 1992 sa i takon mar

Postuar: 22/09/2018 - 07:12

CIA kishte menduar të gjitha alternativat për të rrëzuar regjimin komunist.

Postuar: 21/09/2018 - 07:11

CIA amerikane ka pasur të dhëna të plota sa i takon zhvillime të Shqipërisë gjatë periudhës komun

Postuar: 20/09/2018 - 09:27

Në vitin 1947 CIA paralajmëroi se mund të krijohej Federata Ballkanike dhe Shqipëria të ishte pje

Postuar: 19/09/2018 - 07:18

Për amerikanët, komunistët erdhën në pushtet përmes dredhive.