Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh metodat që u përdorën gjatë regjimit për infiltrimin e agjentëve shqiptarë, ja informacionet që kishte UDB për kupolën komuniste

Postuar: 07/12/2017 - 08:58

CIA ka nxjerrë në dritë të tjera dokumente s ai takon zhvillimeve politike në Shqipërinë komuniste. Në disa të dhëna të fundit. Aty tregohet se CIA arriti të infiltronte shumë shqiptarë në mënyrë që të të grumbullonte informacione. Nga ana tjetër, tregohet se si UDB e Jugosllavisë kishte informacione mbi gjithçka ndodhte në Tiranë.

Dokumenti i CIA

Memorandum për: Kreun e Divizionit 5E

Subjekti: Plan i Shqipërisë

Referenca: Memorandum nga COP/DDP, datë 29 dhjetor 1953

Objektivi: "Plan tokësor për zonë të ndaluar dhe Instruksione për Operacione Speciale!'

1. Plani është aprovuar dhe do të shërbejë si guida juaj për kryerjen e operacioneve speciale në Shqipëri për dy vitet e ardhshme, sipas rishikimeve dhe amendamenteve që mund të kryhen sipas paragrafit 5.c. të memorandumit.

2. Të gjitha planifikimet dhe programimet për Shqipërinë do të bazohen në këtë plan dhe direktivat në terren do të jepen sipas përgjegjësive të misioneve individuale të CIA.

 Richard Meës, Shef operacionesh, DDIP

Kushtet e operimit

Pas shpërthimit të bombës në legatën sovjetike në Tiranë më 19 shkurt 1951, janë shtuar masat e ashpra të sigurisë dhe janë kryer reprezalje të shpejta, prandaj prej atëhere kanë qenë të pakta aktet e rezistencës së hapur. Shtrëngimi i masave të kontrollit ka vazhduar. Një dekret i kaluar në fillim të vitit 1953 kërkon leje të veçantë për mungesë në shtëpi për më shumë se 48 orë, por grupet e refugjatëve thonë se rregulli nuk respektohet gjithmonë. Ka pasur raportime të pakonfirmuara për përforcime të kufirit Shqipëri-Jugosllavi, por Jugosllavia duket se nuk ka pasur vështirësi në dërgimin e agjentëve para e prapa. Si dhe ka pasur një kalim të vazhdueshëm të refugjatëve drejt Jugosllavisë. Edhe kontrollet në kufirin grek duken të buta dhe agjentët apo refugjatët kanë kaluar pa vështirësi gjatë muajve të verës. Disa zona të kufirit grek janë të minuara, edhe një i arratisur tha se kishte kaluar në një zonë të shënuar si të tillë, pa incidente. Anëtarët e grupeve ashtu si dhe refugjatët kanë raportuar edhe për raste kur patrullat kufitare kanë kthyer kokën në anën tjetër kur kanë pikasur njerëz. Vetëm një raportim është marrë për përdorim të telave me gjemba; kjo barrierë ishte rreth 4 km larg kufirit grek. 1 metër e lartë dhe gati 1 kilometër e gjatë. Nuk janë dalluar deri tani qen kufiri, zona me tokë të punuar, projektorë drite apo mjete të tjera.

Siguria në kufi

Megjithë lehtësinë relative me të cilën kanë kaluar kufirin shqiptar agjentët dhe refugjatët, siguria e brendshme në Shqipëri është efektive, edhe jo aq sa në vende të tjera komuniste. Kjo kontradiktë në dukje shpjegohet me prapambetjen e vendit dhe izolimin e komuniteteve rurale. Udhëtimi i brendshëm është shumë minimal dhe të huajt dallohen menjëherë. Masa që ende nuk janë zbatuar në lidhje me shtrëngimin e kontrollit të brendshëm e kufitar janë:

(a) Toka e punuar përgjatë kufirit. Thuajse e pamundur për arsye të terrenit malor.

(b) Largimi i popullsive nga zonat kufitare.

(c) Tela me gjemba dhe zona të minuara. Të dyja të vështira për arsye të terrenit të ashpër në vend.

(d) Përdorini i qenve nga patrullat.

(e) Instalimi i dritave dhe kullave të vrojtimit përgjatë kufirit. Kjo ka pak gjasa për arsye të rrjetit të kufizuar elektrik në terrenin malor dhe rural.

 (f) Shtrëngim i rregullacionit të lejeve të udhëtimit.

(g) Dokumentacioni i ri.

Numri i refugjatëve

Nuk mund të jepet një llogaritje e saktë e efektit të kontrolleve mbi numrin e kalimeve kufitare të grupeve për konspiracion kundër regjimit. Shërbimi shqiptar i sigurisë ka rezultuar mjaft efektiv duke eliminuar grupe të njohura të rezistencës apo duke detyruar të tjerë të largohen në Jugosllavi. Por një grup agjentësh të sponsorizuar nga CIA në vitin 1952 ka raportuar krijimin e rrjeteve me rreth100-300 njerëz (këto ishin pretendime të pakonfirmueshme dhe përkufizimi i “rrjeteve” ishte i pasaktë. Më saktë ato ishin grupe njerëzish, besnikë ndaj liderëve individualë, që mbanin lidhje me kontaktin, i cili nuk ishte agjentë rezident). Ekziston informacion i konfirmuar se grupe që veprojnë jashtë Jugosllavisë kanë krijuar kontakte në rajonet veriore malore, dhe janë përdorur, në një prej rasteve për lëvizjen e të arratisurve nga Shkodra drejt kufirit jugosllav. Besohet se “grupet e rezistencës” janë vetën sporadike, duke përfshirë pesë deri në njëzet persona në një fshat, të cilët nuk janë të varur nga njëri-tjetri.

Natyra dhe masa e grupeve për rekrutim

-Ish-klika e mbretit Zog, tre apo katër njerëz që mund të përdoren si drejtues grupi, që mund të na japë Zogu nëse vazhdon bashkëpunimin dhe nëse vështirësitë aktuale me egjiptianët zgjidhen.

-Kampi i refugjatëve, Lavrion, Greqi: Nuk ka njerëz të kualifikuar për drejtues por ka rreth

75-100 të rinj që mund të punojnë si anëtarë grupi në ndihmë të liderit të kualifikuar.

-Ianina e Trieste: Qendrat e interrogimit në Ianina e Trieste kanë pika zbulimi i rekrutimi për refugjatët që mund të bëhen agjentë në të ardhmen.

-Garda shqiptare në Gjermani, e cila ka rreth 200 shqiptarë (tashmë në kontroll të plotë të ushtrisë amerikane) dhe konsiderohet si një grup ku mund të gjenden agjentë të nivelit të ulët që mund të përdoren në raste emergjence, apo si anëtarë të forcës së sulmit.

Potencialet për agjentë

Ekzistojnë kontakte mes disa oficerëve dhe dy anëtarëve të legatës shqiptare në Romë. Disa takime nuk kanë dhënë shumë shpresa për një dezertim të mundshëm, edhe pse njëri ka treguar mundësi të konvertimit. Ekzistojnë mjetet për përgjime audio por infiltrimi i fshehtë në ambasadat e Romës apo Parisit nuk është i mundur aktualisht. Në Paris mund të kryejmë përgjime por personel amerikan nuk ka të gatshëm. Zakonisht në operacione të tilla nevojitet një pikë ndërlidhjeje, dhe jemi të informuar se mund të ketë komplikime. Ndërsa në Romë kemi pajisjet dhe personalin, por për arsye të prioritetit të ulët të caktuar për Shqipërinë, në krahasim me zona të tjera, ka pak shanse të shfrytëzimit të tyre. Zakonisht kërkimi i agjentëve kushtëzohet nga mungesa apo lindja e mundësive të rastit. Ne do të vazhdojmë të kërkojnë dhe të shfrytëzojnë çdo mundësi që do të lindë. Në një periudhë, ekzistonin shpresa për kryerjen e operacioneve nga Jugosllavia me mbështetjen e UDB. Shpresat bazoheshin në premtimet e UDB për këmbimin e informacioneve por rrjedhimisht ata nuk treguan përmirësime në sjelljen e tyre të përgjithshme dhe nuk arrit asnjë operacion i përbashkët në praktikë.

Projektet për dallimin e agjentëve

Projekti OBVERSE. Ky është një projekt për vendosjen e një agjenti shqip-folës në Trieste, i cili të jetë në pozicionin e dallimit të agjentëve të mundshëm që vijnë aty si refugjatë. Në rast se Trieste merret nga Italia, agjenti planifikohet të vendoset në një kamp italian për këta persona, ku të vazhdojë të kryejë shërbimet e tij. Kjo përbëhet nga një agjent i kontraktuar i asistuar nga disa agjentë terreni që jetojnë në qytetin grek, që do të jetë një qendër monitorimi për refugjatët e ardhur shqiptarë. Ata do të punojnë bashkë me hetuesit greke për marrjen e tyre në pyetje.

OBOPUS/ OBLIVIOUS. Si një produkt dytësor ky projekt (i cili përshkruhet më poshtë në detaje) me anë të Komitetit për Shqipërinë e Lirë, jep strukturat për dallimin e agjentëve të mndshëm në Itali dhe në kampin e refugjatëve në Lavrion pranë Athinës dhe në vende të tjera. Aëntarët e Komitetit, të cilët kanë zyra në Romë e Athinë marrin në pyetje të sapoardhurit. Ndërsa dallimi dhe rekrutimi i tyre nuk bëhet me anë të Komitetit. Si dhe Marrja në pyetje e refugjatëve dhe dezertorëve. Të tre projektet e mësipërme japin shërbime të marrjes në pyetje dhe dallimit të agjentëve të mundshëm. Projekti OBSERVANT ka si qëllim të rrisë mbulimin e refugjatëve shqiptarë në Greqi. Ai përbëhet nga dy agjentë terreni, një prej të cilëve merr në pyetje refugjatët kurse tjetri përkthen raportet e marrjeve në pyetje

Ngritja e strukturave të mbështetjes, trajnimit dhe shpërndarjes

Struktura të tilla të trajnimit e mbështetjes për operacione të kalimit të kufirit kemi në Greqi, që është i vetmi vend fqinj me Shqipërinë ku CIA ka akses të lirshëm. Aty oficerët tanë marrin mbështetje ajrore, administrative de materiale me anë të oficerëve grekë të ndërlidhjes, për misionet e kalimit të kufirit. Projekti OBATIANTIS ka si qëllim ndërtimin e strukturave të trajnimit në tre ishuj të izoluar në gjirin e Korintit. Strukturat përfshijnë një shtëpi për stërvitjen e agjentëve, tenda për stafin, një port të vogël për marrjen dhe dërgimin e materialeve në ishull, dhe komunikim radio me bazën. Vendndodhja është zgjedhur për arsye të izolimit të saj. Qëllimet e saj nuk janë të deklaruara me grekët por ata mund ta kuptojnë rrjedhimisht natyrën e operacioneve. Qendra nuk është vetëm për përdorim të operacioneve shqiptare por edhe projekte të tjera ku mund të nevojitet.

Zhvillimi i të dhënave të operacioneve

Nga vendet e botës së lirë, Shqipëria ka marrëdhënie vetëm me Francën e Italinë, ku ka dhe instilacione diplomatike, ndërsa nuk ka fare këmbime tregtare apo kulturore. Dega jonë shqiptare është e varur nga pikat pritëse (të Romës dhe Parisit) për struktura dhe personel për zhvillimi e informacioneve. Ndihmë mund të merret edhe nga një agjent i divizionit SA në Paris dhe nga dy oficerë në Romë, një prej të cilëve është oficer karriere kurse tjetri punonjës i stafit. Një prej oficerëve të Romës ka si detyrë parësore drejtimin e OBOPUS/HTNEIGH kurse i dyti është një oficer ndërlidhjeje që ka punuar më parë me inteligjencën italiane dhe ende punon me problemet shqiptare.

Kundra-spiunazhi

Kemi aktualisht dy projekte kundra-spiunazhi në fazën e zhvillimit. Xhevdet Skënderaj- Ky individ është një i arratisur në Romë, ish-oficer i ushtrisë shqiptare me të cilin ka folur drejtori inteligjencës në ambasadën shqiptare. Ky i fundit ka bërë shumë përpjekje që ta rekrutojë atë, dhe duke raportuar detajet e takimeve të tyre thotë se ka pranuar të rekrutohet dhe të veprojë si agjent i dyfishtë. Mehmet Kuci- Ky individ ka kaluar kufirin drejt Greqisë në fund të vitit 1953 dhe ka pranuar me oficerin e parë të CIA që ka rënë në kontakt se është dërguar me mision spiunazhi nga ministri i Brendshëm shqiptar. Ai po merret në pyetje nga oficer në Athinë për të përcaktuar nëse thotë të vërtetën. Në rast se historia e tij rezulton e saktë dhe vlerësimi i aftësive të tij është pozitiv, do të marrim në konsideratë përdorimin e tij si agjent i dyfishtë.

Llojet e operacioneve

a) Operacionet paraprake – Zhvillimi, organizimi, pajisja dhe trajnimi në Jugosllavi, Greqi e vende të tjera të huaja i forcave të përbashkëta që nevojiten për fazën paraprake të grushtit të shtetit. Zhvillimi i njësive të forta të rezistencës brenda Shqipërisë, që do të mbështesin dhe do të shtojnë numrin e forcave që vijnë nga jashtë Shqipërisë. përfitimi i të gjithë inteligjencës operacionale që nevojitet për kryerjen e suksesshme të grushtit.

b) Operacionet sulmuese nga pikat e selektuara në Jugosllavi e Greqi dhe pikat e përbashkëta të komandës, të nisin lëvizjet operacionale të natës, drejt objektivave në Shqipëri bashkë me dërgesat e furnizimeve. Forcat e përbashkëta në terren të sulmojnë gjatë natës për të kapur dhe siguruar zonat e synuara. Elementët e sulmit të neutralizojnë ushtarët e kufirit dhe të marrin kontrollin e instalacioneve ushtarake, të ndërpresin komunikimet dhe të shkaktojnë dezertimin ose izolimin e forcave kundërshtare ushtarake dhe të sigurisë. Të gjitha fushat ajrore dhe avionët bashkë me qendrat e transportit të sigurohen. Më tej të kapen dhe të mbahen të gjithë liderët e rëndësishëm të qeverisë. Qeveria e përkohshme të përbëhet nga liderët e NCFA( Komiteti për Shqipërinë e Lirë). Ata të njoftojnë publikisht krijimin e qeverisë së lirë e të pavarur të Shqipërisë, dhe të detyrojnë liderët e regjimit Hoxha të pranojnë publikisht largimin nga pushteti në mënyrë që të nxitet mbështetja për qeverinë e përkohshme. Me anë të qelizave të organizuara paraprakisht dhe me grupet e terrenit të bëhet ngritja e grupeve të rezistenës vendase për kompletimin e grushtit të shtetit.

c) Kosolidimi i operacionit. Të eliminohen elementët e mbetur të opozicionit. Të riorganizohen e të forcohen forcat e qeverisë së përkohshme dhe agjencitë e forcat e tjera mike.

Detyra për njësitë dytësore

Forcat e përbashkëta të terrenit të zhvillojnë, organizojnë dhe të trajnojnë forcat e jashtme operacionale me një fuqi të përgjithshme prej 10.400 si më poshtë:

Në bazat e zgjedhura në Jugosllavi forcat arrijnë në numrin 4800, duke përfshirë task-force me 2500, dhe komandën veriore operacionale me fuqi prej 1300 njerëz, rezervat e përgjithshme prej 1000. Në bazat e Greqisë forcat operacionale arrijnë në 5600. duke përfshirë komandën e terrenit me 2500 forca dhe rezervat e përgjithshme e task-force. Sulmi simultan i tre fronteve do të nisë natën në ora 01 00, me neutralizimin dhe marrjen nën kontroll të njësive ushtarake dhe të forcave të sigurisë. Të kapen dhe të sigurohen objektivat e përcaktuar në Tiranë, Durrës dhe Elbasan nga komanda qendrore e terrenit. Komanda veriore të sulmojë për kapjen e Shkodrës, Kosovës, Dibrës dhe zonën lindore të Elbasanit, me objektiva kryesorë neutralizimin e opozicionit në zonat rreth Shkodrës. Komanda jugore të kapë zonat e Beratit, Korçës, Vlorës dhe Gjirokastrës, me objektiva kryesore neutralizimin e forcave armike në rrethinat e Vlorës, Korçës e Gjirokatrës.

Forcat e brendshme të rezistencës. Nën kontrollin e komandantit të tyre, forcat e përbashkëta dhe ato të terrenit të bashkëpunojnë për arritjen e objektivave të mësipërm, me një masë të përafërt të zgjerimit të elementëve të armatosur nga 1000 në ditën e parë, në 5000 në ditën e tretë duke arritur në 10 000 në ditën e 30-të. Zgjedhja e bazave të përshtatshme, zhvillimi, organizimi, pajisja dhe trajnimi i të gjithë njësive të mbështetjes së jashtme, mbështetja logjistike, transportimi i forcave të terrenit drejt zonave të shënjestruara.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 3

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 10/12/2017 - 10:31

Dështimi i tentativave të CIA për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës gjatë vitit 1949, detyruan amerikanët që të shtyjnë afatin e hedhjes në veprim.

Postuar: 09/12/2017 - 08:47

CIA ka zbardhur të tjera detaje nga regjimi komunist. Përmes disa dokumenteve të deklasifikuar, përshkruhen zhvillimet gjatë viteve 1949-1952.

Postuar: 08/12/2017 - 09:00

Gjatë regjimit komunist, CIA tentoi dhjetra mënyra për të rrëzuar regjimin e Enver Hoxhës.

Postuar: 06/12/2017 - 08:53

Dalin në dritë të tetar detaje mbi misionet e SHBA në Shqipërinë komuniste për rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.

Postuar: 03/12/2017 - 08:31

CIA ka pasur të dhëna tepër të sakta mbi ish-diktatorin Enver Hoxha.

Postuar: 02/12/2017 - 08:59

CIA i ka kushtuar një rëndësi të madhe situatës politike në vendin tonë pas vdekjes së Enver Hoxhës.