Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

CIA zbardh prapaskenat, dyshime se Moska do përdorte Shqipërinë për të nxitur tensione me Greqinë, ja roli që kishin sovjetikët në ushtri

Postuar: 17/03/2019 - 08:11

Amerikanët kanë zbardhur të tjera detaje s ai takon bashkëpunimit të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik. Në një dokument të deklasifikuar, thuhet se Moska mund të përdorte ushtrinë Shqiptare për të ngjallur tensione me Greqinë.

Qëllimet ushtarake

Aktualisht Shqipëria nuk ka qëllime të pavarura ushtarake dhe do të vazhdojë të ndjekë urdhrat e Jugosllavisë dhe BRSS. Mundet që sovjetikët të mendojnë të përdorin ushtrinë e vendit për provokime ndaj Greqisë dhe për të dhënë mbështetje ndaj guerilasve komunistë grekë. Megjithëse ushtria shqiptare nuk është e aftë të mbrohet nga armiqtë e detit ose të tokës, ajo ka eksperiencë guerile. Aktualisht batalionet e ushtrisë së vendit kanë shërbyer si batalione pune për ndërtimin e infrastrukturës rrugore dhe të komunikimeve. Pritet që në të ardhmen antagonizmi tradicional me Jugosllavinë të rrezikojë marrëveshjet aktuale mes vendeve, por për të ardhmen e afërt regjimi i Hoxhës me mbështetjen jugosllave dhe sovjetike e ka të sigurt pushtetin personal nga përmbysja. Meqenëse avantazhet e një aneksimi të Shqipërisë nga Jugosllavia tashmë janë arritur me kontratat e Beogradit, nuk ka më motive për të prishur gjendjen e pavarësisë sa për të thënë të së Shqipërisë. BRSS dhe Jugosllavia do të vazhdojnë të nxisin pranimin e Tiranës në Kombet e Bashkuara duke kërkuar njohjen e regjimit kukull për të shtuar një votë në këshillin ndërkombëtar. Jugosllavia dhe BRSS do të mbështesin stabilimentin ekonomik e politik shqiptar vetëm sa për të siguruar stabilitetin e regjimit aktual. Mund të ndodhë vetëm një rritje e industrisë së nxjerrjes së mineraleve, por jo në shkallën që ta bëjë vendin strategjikisht të rëndësishëm. Deri sa situata politike në Greqi të qetësohet në një mënyrë ose në një tjetër, Shqipëria do të vazhdojë të përdoret si një bazë për guerilasit komunistë në anën tjetër të kufirit. Edhe Greqia nga ana e saj do të mbajë të gjallë çështjen e Epirit të Veriut për sa kohë që mes dy qeverive do të ketë armiqësi. Rreziku kryesor për paqen shqiptare, është situata në të cilën qeveria e Hoxhës gabimisht mund të hyjë në situata nga ku nuk ka kthim prapa, siç e tërhoqi Serbia Rusinë në luftën e parë Botërore në 1914.

Demografia

Në janar 1947 popullsia e Shqipërisë numëronte 1.140.000 banorë, me një lindshmëri prej 28 në njëmijë dhe vdekshmëri foshnjore prej 17 (nga më të lartat në Evropë). Por më shumë shqiptarë ka jashtë vendit të tyre sesa brenda: rreth 440.000 jetojnë në krahinën e Kosovës në Jugosllavi, rreth 380.000 jetojnë në zonën greke të Epirit dhe në Maqedoninë si greke dhe jugosllave, dhe rreth 400.000 llogaritet se jetojnë në jug të Italisë, ku janë vendosur që prej largimit nga forcat otomane në shekullin e 15-të (shumica e komuniteteve shqiptare në Itali e Greqi janë asimiluar) nga rajoni i Epirit të Veriut rreth 50 000 shqiptarë kanë emigruar në SHBA prej varfërisë ekstreme. Megjithëse rritja aktuale e popullsisë dhe theksi i komunistëve për industrializimin i ka bërë të rëndësishme qendrat urbane, zonat rurale janë ende parësore për vendin. Tre qytetet më të mëdha të vendit Tirana me 80 000 banorë, Shkodra me 35 000 dhe Korça me 30 000, kanë vetëm 15 për qind të popullsisë së vendit. Vendi nuk ka probleme me minoritetet, teksa ka vetëm pakica të vogla si ajo greke (3%) vllahe dhe disa serbë e bullgarë. Vetë shqiptarët e ndajnë vendin e tyre në grupet gegë në veri të lumit Shkumbin, dhe toskë në jug. Si rezultat i dominimit të hershëm turk më shumë se 70 % e popullsisë është e besimit mysliman, por statusi i grave është më i lartë se shumica e vendeve myslimane nga pjesa e mbetur rreth 20% janë ortodoksë grekë dhe 10 për qind katolikë romanë, këto të fundit kryesisht mes gegëve. Shqiptarët kanë arritur të ruajnë gjuhën e tyre, që është përfaqësuese e vetme e grupit trako-ilirian të gjuhëve që është folur më parë në gadishullin ballkanik dhe nuk ka lidhje me grupet kryesore evropiane gjuhësore si ato sllave, latine, gjermanike apo greke. Megjithëse ligji aktual parashikon arsim të detyrueshëm, kjo zbatohet vetëm në qytete dhe zonat më të pasura rurale, pasi në zona të largëta shkollat janë të pakta. Regjim i Hoxhës ka nisur një fushatë për rritjen e numrit të shkollave si dhe me hapjen e shkollave të natës për të rritur analfabetë. Si rezultat i këtyre masave ka pasur një rritje të pjesëmarrje në mësim dhe reduktim të analfabetizmit. Si rezultat është rritur dhe numri i gazetave dhe publikimeve, edhe pse nuk lejohen shtypi i pavarur ose opozitar. Rreth 80% e popullsisë varet nga toka, dhe kryen një përzierje aktivitetesh bujqësie, blegtorie e bulmeterie. Familjet e mëdha të luginave janë thuajse të vetëmjaftueshme për nevojat e tyre. Vendi ka qenë gjithmonë i varfër e i pazhvilluar prandaj sëmundjet epidemike si malaria janë të përhapura. Kujdesi shëndetësor është përmirësuar disi në qytete, por në përgjithësi ambientet klinike kanë shumë mungesa. Shqiptarët kanë tipare fizike të ngjashme me shumicën e njerëzve të izoluar malorë. Të lidhur fuqimisht nga ligjet fisnore ata janë të gatshëm të marrin hak me gjak për nderin e familjes. Këto ligjet e besës ose gjakut kanë bashkuar shumë grupe guerile në lëvizjen kundër gjermanëve dhe italianëve. Shkelja e besës apo e detyrave të mikpritjes mund të prishë një burrë me familjen e tij. Por në qendrat e populluara me influencë moderne këto zakone po humbasin. Historia e shqiptarëve është e mbushur me tregime guximi, heroi shqiptar Skënderbeu, i njohur si “Luani i kristianizmit” ka udhëhequr rezistencën kundër turqve, ndërsa në shekullin e 18-të janë njohur me Ali Pashën i cili gjithashtu i rezistoi perandorisë osmane për një periudhë të shkurtër. Së fundmi ata luftuan në formë guerile kundër pushtuesve gjermanë e italianë. Në përgjithësi shqiptarët kanë treguar aftësi personale në çështjet publike për llogari të qeverive të huaja si ato turke, jugosllave, Italiane e të vendeve të tjera fqinje.

Nëntor 1951

Raport projekti BGFIEND

Që prej nisjes së tij në 1949, projekti ishte një sipërmarrje e koordinuar me britanikët dhe kishte si objektiv kryesor përmbysjen e regjimit të dominuar nga sovjetikët në Shqipëri, duke mundësuar kështu vendosjen e një qeverie të mbështetur nga populli shqiptar me objektiva jo-kundërshtarë ndaj atyre të Shteteve të Bashkuara për rajonin. Në vija të përgjithshme këto objektiva ishin eliminimi i bazës së mbështetjes për guerilasit komunistë grekë, mohimi i një bazë të mundshme ajrore tokësore e detare në Mesdhe për sovjetikët dhe dhënia e një stimuli psikologjik ndaj vendeve prapa Perdes së Hekurt, duke demonstruar mundësinë e përmbysjes së një regjimi komunist që mund të duket si i rrënjosur thellë. Veprimet për këto objektiva parashikohej të zhvilloheshin sipas katër elementëve kryesore: Krijimit dhe mbështetjes së Komitetit Kombëtar Shqiptar të përbërë prej grupeve të ndryshme të shqiptarëve në emigracion, organizimit dhe stërvitjes së patriotëve shqiptarë jashtë vendit në kuadër të Komitetit, organizimit dhe stërvitjes së simpatizantëve brenda Shqipërisë, dhe krijimi i një grupi të përkohshëm nën mbikëqyrjen e Komitetit që do të funksionojë si qeveri pas grushtit të shtetit. Projekti u zhvillua sipas koordinimit të ngushtë me Departamentin e Shtetit. Zhvillimet politike në Ballkan gjatë kësaj periudhe sollën një ndryshim të gjendjes së çështjeve që rrjedhimisht sollën ndryshim edhe të objektivave për Shqipërinë. Faktorët e rinj ishin ndarja e Titos nga blloku i Kominform dhe eliminimi i suksesshëm i lëvizjes guerile komuniste ndaj Greqisë. Këto pika që sollën ndryshimin kishin të bënin me ndryshimin e mendësisë së Jugosllavisë ndaj Perëndimit dhe ndoshta frikën e veprimit sovjetik kundër Titos me pretekstin e ndihmës ndaj Shqipërisë.

Problemet

Me hartimin e objektivave të reja për reduktimin e vlerës së Shqipërisë ndaj sovjetikëve tentuam të trazonim kontrollin e autoriteteve komuniste në vend duke i ngacmuar me vështirësi të brendshme. Inkurajuam popullin shqiptar në rezistencën e tyre duke ruajtur shpresat e çlirimit të mëvonshëm dhe duke i përgatitur psikologjikisht për çlirim nga tirania komuniste. Nxitëm krijuam dhe mbështetëm një rrjet fillestar rezistence që do të përdorej si bazë për lëvizjen e çlirimit të vendit, në rast se një objektiv i tillë bëhej politikisht dhe strategjikisht i dëshirueshëm. Por mungesa e një programi kombëtar afatgjatë ka penguar planet tona edhe pse çdo përpjekje është bërë gjatë konsultimeve të shpeshta me DASH për qartësimin e politikave. Në diskutimin e fundit më 8 gusht 1951 u bë e qartë se ende nuk ishte caktuar një program i qartë, edhe pse dëshirohej ruajtja e influencës amerikane në vend. Mes pikave më të rëndësishme për CIA janë paragrafët e cituar: Shtetet e Bashkuara kanë si objektiv për Shqipërinë shtetin e pavarur, miqësor ndaj Perëndimit. Koncepti origjinal ishte që kjo të arrihej me anë të një force të shpejtë prej rreth 1000 shqiptarësh të armatosur që do të stërviten si pjesë e përpjekjeve anglo-amerikane. Kjo ide po mendohej seriozisht për zbatim në fazat e para të operacionit dhe mbështetej nga Komiteti Kombëtar, por deri në pranverë 1950 u braktis tërësisht pasi ky tip veprimi nuk konsiderohej më praktik për të ardhmen e afërt.

Ja veprimet e kundërshtarëve ndaj regjimit komunist

Përveç organizatave të brendshme dhe Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, ka disa veprues brenda Shqipërisë që përfaqësojnë grupet e emigrantëve në Itali, Greqi e Jugosllavi. Por mes këtyre të fundit, me gjithë objektivin e përbashkët anti-komunist, ka divergjenca sipas interesave të veçanta të tre vendeve. Aktivitetet e tyre kanë qenë të kufizuara prej frikës së secilit prej fqinjëve, se një ndryshim i regjimit mund të bëjë të përfitojë fqinjët e tjerë apo se kriza mund të përhapet në rajon. Përpjekjet e grupeve të brendshme të rezistencës dhe të atyre në emigracion janë të pakoordinuara dhe objektivat e tyre bien në konflikt me njëri-tjetrin, dhe këto faktorë kanë lehtësuar punën e forcave të sigurisë duke i izoluar elementët dhe duke shkatërruar grupet individuale. Në kushtet aktuale rezistenca nuk është një kërcënim për regjimin komunist dhe pa ndihmë të jashtme, forcat e sigurisë do ta kufizojnë.

Arritja e një marrëveshje Greqi-Jugosllavi-Itali

Ekzistenca e shtetit shqiptar në të kaluarën është varur gjithmonë nga mendësia e fuqive të mëdha. Megjithëse tre fqinjët kryesorë të Shqipërisë supozohet të dëshirojnë eliminimin e regjimit aktual në Shqipëri, interesat e tyre përfundimtare mbi vendin janë të papajtueshme mes tyre. Prej izolimit të Shqipërisë nga orbita sovjetike në 1948, pozita e fqinjëve ka qenë ajo e pozicionit të caktuar nga ku të përfitojnë sa më shumë në rast të përmbysjes së regjimit Hoxha. Si rezultat secili prej tyre i kundërvihet lëvizjeve të tjetrit, duke sjellë një shpërndaje dhe konfuzion të rezistencës në Shqipëri. Rivaliteti mes tyre është gjithashtu një faktor që kufizon operacionet e kombeve edhe në zhvillimin e planeve të koordinuara të mbrojtjes në Evropën juglindore. Italia e Jugosllavia kanë pranuar parimin e Shqipërisë së pavarur e sovrane, në kufijtë aktualë, jashtë kontrollit sovjetik. Kurse Greqia deri tani nuk e pranon parimin, prej pretendimeve për Epirin e Veriut.

Ekonomia

Shqipëria është një vend i varfër prandaj qeveria ka vendosur kontrolle të ashpra mbi të gjitha aktivitetet ekonomike. Të gjitha pronat ish-italiane janë sekuestruar dhe shtetëzimi ka përfshirë të gjithë sektorët. Janë ndaluar tregtarët e pavarur dhe ndërmjetësit. Në 27 nëntor 1946 Shqipëria la peng pavarësinë e saj ekonomike duke nënshkruar marrëveshjen tregtare me Jugosllavinë. E paaftë për të qëndruar në këmbët e saj dhe e detyruar nga Kremlini të mos kthehet nga Perëndimi, me këtë akt ajo u bë satelit ekonomik i Jugosllavisë. Marrëveshja parashikonte monopole të ndërmarrjeve të përbashkëta shqiptaro-jugosllave, të stil të njëjtë me kontratat e bëra nga BRSS me satelitët e Evropës Lindore. Ajo përfshinte sektorët e hekurudhave, minierat, metalurgjinë, energjinë elektrike, anijet dhe import-eksportin. Çdo vend kishte pjesë të barabarta në këto kompani shtetërore dhe Shqipëria kishte të drejtë të blinte pjesën jugosllave të aksioneve pas 30 vjetësh. Jugosllavia do të jepte kapitalin e punës dhe pajisjet, në këmbim të gjysmës së interesit në ndërmarrjet shqiptare dhe në të drejtat e shfrytëzimit. Banka përbashkët shqiptaro-jugosllave do të vendosej në Tiranë, Jugosllavia do të specializonte teknikët shqiptarë dhe do të jepte asistencë teknike në bujqësor dhe industri. Rreth 80% e popullit shqiptar fitojnë jetesën nga bujqësia, por vetëm 12 për qind e tokës së vendit është e kultivuar, rreth 32 për qind janë kullota dhe rreth 20 për qind nuk është produktive. Pjesa tjetër rreth 36 % janë pyje. Metodat bujqësore janë primitive por nuk ka tregti dhe mjete marketingu. Shumicën e kohës bujqësia e fshatit ose e familjes ka vetëm diversitetin e disa të korrave lokale. Në të kaluarën Shqipëria ka arritur vetëmjaftueshmëri deri në 75 për qind për produktet ushqimore, pro kjo vetëm sepse standardet e jetesës janë më të ulëtat në Ballkan. Prodhimi kryesor është misri, e më pas vjen gruri, elbi, tërshëra, thekra. Vendi prodhon sasi të vogla orizi, patate, jonxhë, fasule, qepë e pambuk. Vendi është i varur nga importet e sheqerit dhe kafes dhe gjithashtu duhet të importojë pambuk dhe grurë. Eksportet kryesore janë ullinjtë, vaj ulliri, duhan e fasule, si dhe disa prodhime bulmeti, lesh, lëkura e pellushe. Regjimi i Hoxhës ka nisur një program ambicioz për rritjen e prodhimit bujqësor me reformën e tokës dhe kolektivizimin e bujqësisë. Rishpërndarja e tokës solli fillimisht një rritje të popullaritetit të Hoxhës pro si rezultat i saj prodhimi nuk u rrit por u zvogëlua.

Burimet natyrore

Shqipëria është relativisht e pasur me burime natyrore veçanërisht naftë, pyje dhe disa minerale metalike, por masa e burimeve nuk është përcaktuar kurrë me saktësi prej mungesës së komunikimeve, kapitalit, makinerive industriale dhe personelit të specializuar. Prodhimi i paraluftës i naftës në Shqipëri ishte rreth 158 000 ton dhe renditej i pesti në të gjithë Evropën. Rezervat llogariten në 12 milionë ton edhe pse mund të zbulohen depozita të reja. Italianët raportuan në 1942 se kishin prodhuar rreth 300 000 ton naftë. Megjithëse nafta shqiptare mund të jetë një vlerë strategjike për BRSS dhe satelitët e saj lindorë ka shumë faktorë të tjerë që reduktojnë interesin për të. Nafta bruto e prodhuar në Shqipëri ka nivel të lartë sulfuri dhe kthimin vajguri kërkon një proces të gjatë e të komplikuar. Para Luftës së II Botërore e gjithë nafta shqiptare eksportohej në Itali ku përpunohej në Bari. Shqipëria nuk ka kapacitete rafinimi ndërsa dhe fabrikat e rafinimit të Jugosllavisë nuk e përpunojnë dot naftën sulfurike shqiptare. Shfrytëzimi i burimeve të naftës pengohet gjithashtu nga teknikat e vjetruara të nxjerrjes dhe mungesa e pajisjeve shpuese dhe depozituese. Shqipëria ka gjithashtu depozita të konsiderueshme mineralesh veçanërisht hekur, krom, nikel, qymyr dhe asfalt (bitum). Ka gjithashtu sasi të vogla ari dhe magnezi por nuk besohet se këto po nxirren në sasi të konsiderueshme. Me përjashtim të asfaltit dhe qymyrit Shqipëria nuk mund t’i përdorë burimet e saj minerare deri në ngritjen e impianteve industriale të rafinimit. Në kushtet aktuale mineralet shqiptare përdoren vetëm për eksport, por dhe masa e tyre është e kufizuar nga mungesa e hekurudhave, makinerive dhe punonjësve të specializuar. Nëse nuk kthehet nga Perëndimi, Shqipëria duhet të mbështetet për asistencë te Jugosllavia dhe BRSS. Meqenëse dhe Jugosllavia ka depozita të mëdha hekuri, kromi, bakri e qymyri, ajo nuk pritet të devijojë kapitalin dhe forcën punëtore te Shqipëria. Pjesëmarrja jugosllave në ndërmarrjet e përbashkëta është e rregulluar me marrëveshje por nuk i jep asistencë Shqipërisë për të përfituar nga burimet e saj. Bollëku i fuqisë hidrike dhe pyjet relativisht të gjera janë gjithashtu një vlerë e Shqipërisë. Qeveria e Hoxhës po përpiqet të përshpejtojë elektrifikimin e vendit si pjesë e programit për rritjen e standardit të jetesës. Aktualisht vetëm nj hidrocentral në Korçë është në funksion ndërsa pjesa tjetër e elektricitetit gjenerohet me motorë me avull të cilat po shterojnë burimet e kufizuara të qymyrit dhe naftës. Zhvillimi i industrisë së prodhimit të drurit nga rreth 2 milionë hektarë pyje konifere, është ngadalësuar nga mungesat e makinerive, transportit dhe kapitalit.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/04/2019 - 07:21

Amerikanët nxjerrin në dritë të tjera të dhëna sa i takon pushtimit të Shqipërisë nga Italia.

Postuar: 19/04/2019 - 07:07

Amerikanët kanë treguar të tjerë detaje nga pushtimi italian në Shqipëri.

Postuar: 18/04/2019 - 07:05

Dalin në dritë të tjera detaje nga sulmi ushtarak i Italisë ndaj vendit tonë më 1939.

Postuar: 16/04/2019 - 07:07

Zbardhen detajet e lojës diplomatike gjatë pushtimit të Shqipërisë nga Italia më 7 prill.

Postuar: 14/04/2019 - 07:33

Italia i kishte vënë 6 kushte Ahmet Zogut para se të bëhej pushtimi ushtark.

Postuar: 13/04/2019 - 07:07

Zbardhen të tjera detaje nga letërkëmbimet mes zyrtarëve amerikanë.