Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Dokumentet e CIA, ja 4 synimet e amerikanëve gjatë ndërhyrjes në Shqipëri, vendi rrezikohej nga fqinjët nëse binte regjimi i Enver Hoxhës

Postuar: 16/06/2018 - 08:23

Zbardhet plani i amerikanëve për rrëzimin e regjimit komunist. Më 1951 CIA vendosi të ndërhynte në punët e brendshme të vendit tonë me qëllim krijimin e kryengritjeve kundër Hoxhës. Gazeta zbardh një dokument të deklasifikuar, ku tregohen synimet e amerikanëve.

Qershor 1951

Plani i Luftës së Ftohtë për Shqipërisë

Qëllimi i këtij plani është demonstrimi i mënyrës në të cilën do të arrihen në Shqipëri objektivat e Luftës së Ftohtë nga CIA/OPC, për periudhën qershor 1951 deri në qershor 1953. Politika e përgjithshme e SHBA parashikon që në Evropën Lindore të zhvillohen qeveri të pavarura jo-totalitare dhe jo-komuniste, të cilat të bashkohen me komunitetin e botës së lirë, përkundër orbitës së Bashkimit Sovjetik. Prandaj kursi më i përshtatshëm e veprimit në këtë kohë janë metodat e luftës së shkurtër, të prishjes së lidhjeve të satelitit me Bashkimin Sovjetik, dhe reduktimit të përgjithshëm të influencës së BRSS në Evropën Lindore. Plani i CIA/OPC për Shqipërinë është aprovuar në 22 qershor 1949 me katër objektiva kryesorë: 1) Përforcimi i shpresave të çlirimit mes popullit shqiptar dhe nxitja e vullnetit të tyre për t’i rezistuar komunizmit. 2) Krijimi i një rrjeti klandestin për ekzekutimin e politikave të SHBA brenda vendit të orbitës sovjetike, në një aparat që është i aftë në një kohë të shkurtër të pengojë lëvizjet sovjetike kundër Greqisë dhe Jugosllavisë, dhe të shërbejë si një bërthamë e rezistencës efektive, në rast lufte të përgjithshme. 3) Me anë të operacioneve të fshehta dhe luftës psikologjike, të dëmtojë strukturën politike, ekonomike dhe ushtarake të Shqipërisë. 4) Të krijojë një qendër politike të përfaqësimit të refugjatëve shqiptarë në Perëndim, si mbulim për operacionet e OPC.

Tensionet me fqinjët

Tensionet mes Shqipërisë së izoluar dhe fqinjëve të saj Perëndimorë parashikohet të rriten. Ato do të stimulohen nga propaganda e ndërsjellë. Nga gjyqet publike të spiunëve, nga protestat dhe shkeljet kufitare. Qeveria shqiptare do të vazhdojë të theksojë kërcënimin ndaj integritetit territorial të vendit me qëllim të fitojë mbështetje. Nga ana e tyre, Greqia, Jugosllavia e Italia do të vazhdojnë të operojnë rrjete rivale subversive brenda Shqipërisë, nga të cilat më të suksesshme me siguri do të jenë ato jugosllave, siç është “Lidhja e Refugjatëve Politikë Shqiptarë” me mbështetjen e saj dhe grupet paramilitare. Shtypja do të rritet dhe regjimi do të nxjerrë dekretet e tij “anti-terroriste” duke vënë vendin në shtetrrethim. Rezistenca pasive e qytetarëve do të rritet në përpjestim të drejtë me masat por nuk pritet të ketë efekte të ndjeshme prej rrjetit të gjerë të spiunëve dhe informatorëve. Fraksionet pro-sovjetike në partinë shqiptare do të ruajnë kontrollin e shtetit me ndihmën e ekspertëve politikë dhe ushtarakë sovjetikë. Për arsye të kapaciteteve të kufizuara të ushtrisë së Shqipërisë dhe izolimit të saj nga orbita sovjetike, BRSS nuk do të mund ta përdorë Shqipërinë si një bazë për operacione të gjera ushtarake në Ballkan. Mund të bëhen tentativa për të forcuar batalionet duke i pajisur me modele ruse armësh, si një masë mbrojtjeje ndaj Greqisë e Jugosllavisë në rast lufte.

Koncepti strategjik

Programi për Shqipërinë parashikon e të gjitha mjeteve tona klandestine për të shfrytëzuar potencialin e rezistencës në vend dhe për të dëmtuar strukturën e pushtetit sovjetik, krijimin e një ofensive klandestine në mbështetje të politikave të SHBA për Ballkanin, dhe në rast lufte, ndihmesa për vendosjen e objektivave Aleate të Luftës. Si mision i Luftës së Ftohtë, plani kërkon të caktojë kushtet në Shqipëri për kalimin nga gjendja aktuale e luftës së padeklaruar, në konflikt të hapur.

Misioni i periudhës së tranzicionit

Të kryhen operacione në mbështetje të planeve amerikane të emergjencës për luftë në Shqipëri, sipas kapaciteteve. Të realizohet në mënyrë të shpejtë dhe të rregullt nga organizimi dhe aktivitetet e Luftës së Ftohtë drejt strukturës dhe komandës së luftës. Nisja e masave shtesë të kryhet sipas direktivave të luftës jo-konvencionale të SHBA dhe sipas përgjegjësive luftarake të OPC në lidhje me Shqipërinë.

Objektiva dhe prioritete

Aktivitetet e OPC për Shqipërinë përfshihen në këto kategori kryesore: Operacione klandestine psikologjike, ekonomike e politike për të minuar lidhjen e saj me BRSS. Krijimi i mjeteve të tilla klandestine në Shqipëri në formën e një organizate të aftë për të kryer operacione të tipit të Luftës së Ftohtë kundër regjimit të Hoxhës. Përgatitja për zhvillimin dhe zgjerimin e operacioneve deri në kushtet e një lufte të plotë. Mes këtyre kategorive prioritet i jepet luftës politike, psikologjike dhe ekonomike, por vëmendje do t’i kushtohet organizimit të rrjeteve të rezistencës dhe përgatitjes për veprim lufte. Qëllimi përfundimtar është integrimi i të gjitha operacioneve me njëri-tjetrin. Në detyrat prioritare për t’u realizuar përfshihen: Përdorimi i të gjitha mjeteve të luftës psikologjike për të ngritur moralin e popullit shqiptar duke i dhënë atij një ndjesi pjesëmarrjeje direkte në rezistencën e mbështetur nga Perëndimi; stimulimi i rezistencës pasive dhe i akteve të sabotazhit, sipas burimeve dhe planeve afat-gjata. Nxitja e tensioneve dhe e konfliktit mes komunistëve nacionalistë shqiptarë dhe atyre pro-sovjetikë në poste me autoritet. Zhvillimi i rrjetit të nëndheshëm të komanduar nga SHBA dhe rritja e agresivitetit të roleve të tyre. Krijimi i një qendre politike jashtë Shqipërisë me përfaqësues jo-totalitarë të afërt me SHBA dhe politikat perëndimore në Ballkan, që do të shërbejë si një pikë bashkimi i elementëve anti-komunistë brenda dhe jashtë Shqipërisë. Zhvillimi i masave të luftës ekonomike me qëllim reduktimin e potencialit ekonomik të Shqipërisë, prishje e planifikimeve ekonomike, e prodhimit dhe dëmtime të lidhjes politiko-ekonomike me BRSS, me anë të nxitjes së pakënaqësisë së popullatës dhe duke prishur përpjekjen e udhëheqësve komunistë në arritjen e objektivave.

Kontrolli e komunikimet

Gjatë fazës aktuale të Luftës së Ftohtë, qendra e OPC në Uashington do të ushtrojë kontrollin dhe mbikëqyrjen e operacioneve në vendet satelite të Ballkanit. Gradualisht planifikohet transferimi i kontrollit në një qendër më afër zonës së operacioneve, që mund të jetë Tripoli. Selia në Uashington do të vazhdojë të japë politikat e përgjithshme për t’u ndjekur. Në rast lufte operacionet do të kalojnë te Salla e Komandës së Lartë. Ndërlidhjet për zbatimin e planit do të mbahen mes Departamentit të Shtetit dhe Departamentit të Mbrojtjes. Marrdhëniet me shërbimet e inteligjencës së vendeve të tjera do të koordinohen me anë të selisë në Uashington. Ndërlidhjet detare, ushtarake dhe ajrore janë autorizuar. CIA do të furnizojë me mjetet e nevojshme operacionale si sinjale, kode dhe instruksione. Frekuenca individuale radio do të jepen për çdo grup ose rrethe në Shqipëri. Plani tranzicional parashikon përdorimin e menjëhershëm të personelit dhe materialeve të CIA për arritjen e efektivitetit maksimal në rast lufte.

Mbrojtja shqiptare në rast lufte

Në kushte lufte ushtria shqiptare pritet të ketë si prioritet ruajtjen e pushtetit të udhëheqësve komunistë gjatë rebelimit. Sipas të larguarve, populli është në pritje të shpërthimit të konfliktit, për t’u rebeluar. Kapacitetet ofensive të ushtrisë shqiptare janë të vogla pasi është e papajisur. Izolimi gjeografik i Shqipërisë nga blloku sovjetik si dhe impiantet e saj të papërshtatshme ushtarake detare dhe ajrore e bëjnë të vështirë furnizimin e saj nga sovjetikët në rast lufte, përveç rasteve kur mund të sigurohet një rrugë tokësore nga Greqia ose Jugosllavia. BRSS është aktualisht duke u përpjekur të reduktojë këtë mangësi duke dërguar sasi të mëdha gruri dhe pajisje ushtarake. Shumica e pajisjeve ushtarake në Shqipëri dërgohet në mënyrë klandestine prandaj është e vështirë të llogaritet masa e modernizimi i forcave të armatosura. Gjithsesi besohet se shumica e pajisjeve janë të vjetra dhe kërkojnë importimin e pjesëve të këmbimit. Aktualisht nuk ka trupa taktike sovjetike të stacionuara në Shqipëri. Kontrolli sovjetik i ushtrisë shqiptare bëhet me anë të caktimit të oficerëve sovjetikë si këshilltarë politikë në njësitë e ushtrisë. Përqendrimi më i madh i personelit sovjetik është në qytetin port të Vlorës, ku është dhe komanda teknike sovjetike e mbrojtjes. Këtu sovjetikët kontrollojnë gadishullit e Karaburunit dhe ishullin e Sazanit. Personeli ushtarak sovjetik në SHqipëri llogaritet në rreth 600, ndërsa personeli total sovjetik duke llogaritur dhe familjet është më pak se 3000.

Forcat e brendshme

Numri total i njerëzve të armatosur llogaritet nga 55 000 deri në 70 000. Shifra maksimale për fshin edhe ushtarakët e rekrutuar me detyrim që nuk janë besnikë të regjimit dhe kryesisht përdoren në batalionet e punës. Forcat tokësore të ushtrisë shqiptare përbëhen nga katër divizione me rreth 10 000 njerëz, të cilat janë të vendosura kryesisht në Tiranë dhe në zonat delikate kufitare me Greqinë dhe Jugosllavinë, si për shembull në Gjirokastër, Korçë e Shkodër. Njësitë e veçanta të ushtrisë përfshijnë një regjiment tankesh me mjete të vjetra italiane e gjermane në kushte të këqija, si dhe të paktën 16 tanke sovjetike T-34. Marina shqiptare komandohet nga gjenerali i ushtrisë. Ajo ka një personel prej 800 oficerësh me rreth 30 mjete të vogla detare. Nga mjetet e saj më cilësore janë 14 barka të shpejta ushtarake me origjinë sovjetike, 9 prej të cilave kanë ardhur në korrik 1950. Forcat ajrore shqiptare kanë rreth 600 efektivë dhe janë ende në fazën embrionale. Funksionet e tyre kryesore janë mirëmbajtja dhe kujdesi për mjetet kundër-ajrore. Kohët e fundit ka pasur raportime për prezencën e disa avionëve sovjetikë YAK-19 dhe disa Sturmovik, ë cilat besohet se janë aty për të parandaluar fluturimet e huaja mbi territorin. Njësitë kufitare tokësore e detare janë të ndara në sektorin jugosllav, sektorin grek dhe sektorin bregdetar. Më parë rojet kufitare ishin të formuara nga njësitë e policisë speciale, deri në shkrirjen e tyre në 1949. Ato ishin rreth 15 njësi autonome me rreth 600-700 njerëz secila. Policia është agjencia ekzekutive për shkeljet e kodit penal dhe përbëhet nga rreth 7000 njerëz me armë të lehta, ky grup llogaritet se është rreth 50 % besnik i pushtetit. Sigurimi është policia sekrete, paralele me policinë por me influencë më të gjerë në strukturën shoqërore. Sigurimi është degë e mi9nistrisë së brendshme dhe llogaritet se përbëhet nga rreth 10 000 agjentë, 90 % e të cilëve janë komunistë të vendosur. Brigadat e Ndjekjes janë gjithashtu 3 njësi përgjegjëse për neutralizimin e rezistencës në zonat periferike. Çdo brigadë besohet se ka rreth 350-400 njerëz. Ushtria e Shqipërisë aktualisht nuk ka kapacitete ofensive prandaj në kohë konflikti ata pritet të braktisin zonat malore ndaj guerilasve, duke ruajtur kontrollin e zonave kryesore fushore. Por mosbindja e ushtrisë mund të jetë një problem serioz për regjimin komunist më kohë lufte pasi grupe të mëdha dezertorësh pritet të largohen nga kufijtë. Bashkimi Sovjetik aktualisht po trajnon forcat shqiptare për të luftuar mosbindjen e ushtarakëve duke i nxitur me fanatizëm komunist, propagandë dhe indoktrinim. Kurse të veçanta të instruktorëve sovjetikë si në Shqipëri dhe në BRSS po japin njohuritë teknike për të cilat ka nevojë ushtria shqiptare. Nga rreth 1000 shqiptarë të dërguar për mësim në BRSS çdo vit, gjysma janë ushtarakë në specializim.

Vendosja gjeografike

Pozita strategjike e Shqipërisë si një bazë sovjetike në Adriatik, konsiderohet shumë e dobët, prandaj ajo llogaritet më shumë si një barrë sesa një aset për BRSS, në rast lufte. E rrethuar nga shtete anti-komuniste, në rast konflikti vendi do të sulmohej nga të gjitha drejtimet. Në kushte të tilla, Shqipëria nuk do të kishte asnjë shans rezistenca ose furnizimi pa siguruar një rrugë tokësore nga Greqia ose Jugosllavia, pasi rrugët ajrore do të ishin objekt sulmesh të vazhdueshme nga bazat në Itali.

Forcat aleate

Nuk ka forca amerikane në zonën pranë Shqipërisë, përveç Flotës VI të SHBA në Mesdhe, që do të ishte një mbështetje për operacionet ushtarake në vend. Greqia dhe Italia janë anëtare të NATO dhe kjo forcon frontin Aleat në Ballkan, duke lehtësuar operacionet kundër regjimit komunist. Edhe riorientimi i Jugosllavisë drejt Perëndimit dhe zhvillimi i lidhjeve mes saj dhe vendeve të NATO mund të pritet të veprojë si një pengesë për operacione unilaterale të Jugosllavisë kundër regjimit të Hoxhës. Në rast lufte supozohet se Jugosllavia do të radhitet me Perëndimin, duke u koordinuar me forcat aleate me trupa ushtarake ose me vënien e bazave në dispozicion.

Elementë miqësorë të brendshëm

Elementët pro-amerikanë ose pro-perëndimorë që veprojnë brenda Shqipërisë pritet të mbështeten moralisht e materialisht nga shumica dërrmuese e popullatës shqiptare. Mbështetja e kësaj natyre pritet të jetë më e madhe në rajonet e jashtme të territorit, ku dhe rezistenca ndaj regjimit ka qenë më e madhe.

Koncepti i operacioneve

Me anë të përpjekjes jokonvencionale për reduktimin e potencialit dhe aftësive sovjetike në Shqipëri ne mbështesim kundër-ofensivën aleate dhe objektivat e saj ushtarake e politike, me mjete klandestine. Misioni i para-luftës është krijimi i vlerave në mbështetje të përpjekjes së përgjithshme të luftës. Në rast lufte, misioni i OPC në Shqipëri duhet të arrijë objektivat e mëposhtëm: 1) neutralizimi i forcave shqiptare dhe sovjetike me anë të operacioneve të luftës jo-konvencionale 2) realizimi i akteve të sabotazhit kundër impianteve ushtarake shqiptare e sovjetike që mund të përdoren në ofensivën kundër Perëndimit, siç janë depozitat e naftës, bazat ajrore, detare dhe instalacionet e tjera ushtarake. Krijimi i një lëvizjeje klandestine me një forcë fillestare rezistence prej 2000 njerëzish. Krijimi i rrjetit për arratisje dhe për kthimin e personelit nga territori armik. Krijimi i mundësive për largimin e personave të rëndësishëm shqiptarë ose sovjetikë, ose me forcë ose me anë të nxitjes për dezertim; influencimi me anë të luftës psikologjike, i opinionit, mendësisë dhe sjelljes së armikut dhe grupeve miqësore apo neutrale, me qëllim mbështetjen në arritjen e objektivave të luftës. Në rast lufte është e nevojshme krijimi i sistemit të trajnimit të personelit vendas në një gradë më të madhe sesa për operacionet e tipit të Luftës së Ftohtë. Trajnimet duhet të përfshijnë, sabotazh, luftë guerile, komunikime e krijimin e një sistemi komunikimi për aparatin klandestin. Rrjete ndihmëse do të nevojiten për detyra të specializuara si programi i sabotazhit të komunikimeve në porte, impiante ushtarake ose minimi i aseteve me vlerë për sovjetikët. Detyra të tjera janë kontaktimi, organizimi dhe drejtimi i elementëve të rezistencës, kontaktimi i personelit të forcave Aleate të bllokuar brenda në Shqipëri dhe realizimi i arratisjes së tyre nga territori armik. Kjo do të kërkojë zgjerimin e rrjeteve të përhapjes së propagandës, si me valë radio ashtu dhe me letra të shtypura.

Marrëdhëniet me SHBA dhe vendet Perëndimore

Gjatë Luftës II Botërore, fuqitë e mëdha kanë inkurajuar dhe mbështetur grupet e rezistencës ndaj forcave pushtuese gjermane dhe italiane në Shqipëri, duke bashkëpunuar me grupet kryesore nacionaliste dhe komuniste partizane. Por misioni britanik mes radhëve të partizanëve shpejt e gjeti veten në rang të dytë ndaj atij jugosllav, përveçse kur ishte fjala për furnizime. Edhe para largimit të trupave gjermane, ishte bërë e qartë se ushtria nacional-çlirimtare partizane po punonte ngushtë me partizanët jugosllavë, me qëllim eliminimin e grupeve të tjera rivale të rezistencës të sponsorizuara nga Perëndimi. Bashkëpunimi mes partizanëve komunistë dhe jo-komunistë u mbyll në 1943. Forcat anti-komuniste punuan me Perëndimin, siç ishin ato të drejtuara nga Abaz Kupi e Said Kryeziu, që u larguan nga Shqipëria në 1944 kur e kuptuan se regjimi që po vinte në fuqi do i eliminonte. Ardhja në pushtet e komunistëve pas sukseseve të ushtrisë partizane justifikoi refuzimin e lidhjeve me Perëndimin. Por me gjithë këtë tendencë negative, fuqitë e mëdha e njohën qeverinë e ushtrisë çlirimtare të Enver Hoxhës në nëntor 1945. Por marrëdhëniet mes përfaqësuesve perëndimorë në Shqipëri dhe qeverisë së mbështetur nga Jugosllavia nisën përkeqësimin dhe u prishën në 1946, kur disa gjyqe konspirative akuzonin të dyshuarit për qëllime subversive ndaj Shqipërisë. Më tej, incidenti i kanalit të Korfuzit në tetor 1946 ku dy luftanije britanike u dëmtuan nga minat detare shqiptare, solli thyerjen e marrëdhënieve diplomatike. Misioni diplomatik amerikan u largua nga vendi në nëntor dhe pak më vonë qeveria shqiptare refuzoi të përmbushte detyrimet e traktatit të mbretit Zog ndaj SHBA.

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/07/2018 - 07:38

CIA ka zbardhur detaje për negociatat mes Ahmet Zogut dhe Titos me qëllim rrëzimin e regjimit komunist në Shqipëri. Zogu më 1952 kërkoi mbështetje nga Tito që të rrëzonin Hoxhën, por Tito ishte skeptik.

Postuar: 14/07/2018 - 08:16

CIA i ka kushtuar një vëmendje të veçantë gjendjes shëndetësore të diktatorit Enver Hoxha.

Postuar: 13/07/2018 - 07:17

Amerikanët kanë nxjerrë në ditë të tjera detaje sa i takon situatës në Shqipërinë komuniste.

Postuar: 12/07/2018 - 07:12

Dalin në dritë të tjera detaje mbi lëvizjet e shërbimit inteligjent amerikan gjatë regjimit komun

Postuar: 11/07/2018 - 07:11

Agjencia Qendrore e Zbulimit amerikan, CIA ka dhënë një kontribut të paçmueshëm në përpjekjet për

Postuar: 10/07/2018 - 07:17

Shërbimet amerikane e kanë mbajtur nën vëzhgim Shqipërinë gjatë gjithë udhëheqjes së vendit nga E

Postuar: 08/07/2018 - 07:18

Nacionalistët që e deshën vërtetë Shqipërinë e gjenin njëri tjetrin dhe pse mund të jetonin në sh